Si qeveria Rama po e injoron Kushtetutën”

0
162

Flet Aigest Milo

Të tria paditë e dërguara së fundmi në Gjykatën Kushtetuese prej shoqatave të biznesit, sipas juristit Aigest Milo mbështeten të mirargumentuara juridikisht në shkeljet që ndryshimet fiskale u bëjnë parimeve të mbrojtura në Kushtetutë, për lirinë e veprimtarisë ekonomike dhe të sigurisë juridike.

Milo tha se arsyeja kryesore e hartimit të ligjeve në kundërshtim me frymën e kushtetuese është mungesa e konsultimeve me grupet e interesit.

Nëse Kushtetuesja do të vendosë të rrëzojë kërkesat e palëve të interesuara, z. Milo paralajmëron se kjo vendimmarrje jo vetëm do të nxisë evazionin fiskal, por nuk jep mesazhin shpresëdhënës se Gjykata Kushtetuese mbetet gardiane e rendit kushtetues.

Z. Milo, një sërë shoqatash biznesesh kanë ankimuar në Kushtetuese nismat ligjore të miratuara, siç është ndryshimi në ligjin për akcizën e birrës dhe pijeve alkoolike; Nga Shoqata e Ndërtuesve kërkohet shfuqizimi i vendimit për rritjen e çmimeve të referencës dhe së fundmi, ligji i ri për tatimin mbi të ardhurat që nisi zbatimin me profesionet e lira, është paditur katër herë në Gjykatën Kushtetuese. Së pari, duke argumentuar nga ana juridike pse rezultojnë të depozituara një sërë ankimimesh nga bizneset në Gjykatën Kushtetuese? Çfarë do të thotë kjo për hartuesit e politikave fiskale?

Në një shtet të së drejtës, siç është Shqipëria, hierarkia e normave është e tillë, që ligjet qëndrojnë një shkallë më poshtë vetëm ndaj Kushtetutës dhe marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Parlamenti.

Rrjedhimisht, i vetmi mekanizëm që aktorët e ndryshëm kanë për të kundërshtuar dispozitat e një ligji është shfuqizimi nga Gjykata Kushtetuese, por, dhe këtu qëndron kushti kryesor, dispozita(t) në fjalë duhet të jetë (në) kundërshtim me një të drejtë/liri apo parim të mbrojtur nga Kushtetuta (të tillë si liria e veprimtarisë ekonomike).

Kohët e fundit, për sa u përket politikave fiskale, dhe më specifikisht ligjeve të caktuara të miratuara nga Parlamenti, dhe duke lënë mënjanë qëllimet e propozuesve të këtyre nismave ligjore (në pjesën dërrmuese të të cilave është Ministria e Financave), vihet re se shpeshherë, dispozita të caktuara janë haptazi në shkelje të të drejtave themelore të njohura nga Kushtetuta.

Arsyet mund të jenë të shumta, por së pari duhet pasur parasysh se politikat dhe legjislacioni fiskal janë pjesë e një organigrame normash, të cilat janë të ndërthurura me njëra-tjetrën dhe nuk janë të izoluara.

Si të tilla, në hartimin e politikave fiskale nuk mund të injorohen të drejtat dhe parimet e parashikuara nga aktet e tjera dhe mbi të gjitha nga Kushtetuta, pasi rrezikojmë që këto politika fiskale mund të mos jenë të zbatueshme ose më keq akoma, mund të shkelin të drejta të fituara nga aktet e tjera.

Së dyti, dhe kjo është një problematikë që po kthehet në një gangrenë të procesit të hartimit të legjislacionit në përgjithësi dhe atij fiskal në veçanti, procesi i konsultimit me palët e interesuara mbetet i mangët dhe sipërfaqësor.

Në pjesën dërrmuese të rasteve, rekomandimet dhe propozimet e shoqatave apo grupeve të interesit bien në vesh të shurdhër, dhe ligjet miratohen ashtu siç dalin nga zyrat e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Kjo shurdhëri në përgatitjen e ligjeve nuk bën gjë tjetër veçse shtyn aktorët e interesuar të ndërmarrin të vetmin opsion që u ngelet, ankimi në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas jush, duke i marrë me radhë paditë, si ajo për dyfishimin e akcizës së birrës, rritjes së çmimeve të referencës dhe ligji për tatimin mbi të ardhurat, a kanë të drejtë këto biznese dhe shoqata biznesesh që kërkojnë shfuqizim? Cilat parime të Kushtetutës shkelen?

Problematikat që trajtojnë të tria çështjet janë të gjera, por në thelb lidhen me mungesën e theksuar të marrjes në konsideratë nga aktorët institucionalë të rekomandimeve të bëra nga grupet e interesit dhe mbi të gjitha, nga injorimi ndaj të drejtave dhe lirive të garantuara nga Kushtetuta.

Më konkretisht, po të analizojmë secilën nga kërkesat, elementi i parë i kontestuar është shkelja e lirisë së veprimtarisë ekonomike.

Ligjet e miratuara në Parlament, në një mënyrë ose në një tjetër e kushtëzojnë veprimtarinë ekonomike të aktorëve të caktuar (ndërtuesit, prodhuesit e birrës, profesionet e lira) pa ndonjë shkak të përligjur apo interes publik, ose në mënyrë joproporcionale me objektivat e shpallur.

Elementi i dytë është shkelja e parimit të sigurisë juridike i cili në thelb kërkon që politikat fiskale të mos improvizohen siç ndodh shpesh, të mos ndryshohen nga njëri vit në tjetrin, por të jenë të parashikueshme në mënyrë që edhe aktorët ekonomikë të përshtaten.

Rritja e çmimeve të referencës cenon gjithashtu kur shtrihet edhe për lejet e ndërtimit të miratuara, edhe parimin se detyrimet fiskale nuk mund të kenë efekt prapaveprues, pra duke rritur në këtë mënyrë artificialisht kostot e shoqërive të ndërtimit (dhe çmimit final për konsumatorët).

Kurse ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” shkel gjithashtu edhe dy parime të tjera, atë të barazisë përpara ligjit së pari, i cili në thelb konsiston në faktin që aktorë në situata të ndryshme nuk mund të trajtohen në të njëjtën mënyrë dhe aktorë në një situatë të njëjtë në mënyra të ndryshme.

Ai shkel edhe parimin e rezervës ligjore, që është paksa më teknik, por që në thelb ndalon Kuvendin që të delegojë fuqinë rregulluese të ligjit tek organe të tjera (në këtë rast Këshilli i Ministrave) pa vendosur parametra të qartë dhe të kuptueshëm.

Në mendimin tim, të gjitha kërkesat, në një mënyrë ose një tjetër, dhe kush më pak e kush më shumë janë të mirëbazuara dhe është për të ardhur keq që politikat fiskale anashkalojnë parime të rëndësishme të kuadrit ligjor në Shqipëri.

A është cenuar siguria juridike e bizneseve për këto raste, kur ligjvënësit miratojnë ligje dhe këta të fundit i ankimojnë për shfuqizim?

Siguria juridike është një nga parimet kushtetuese, i cili shkelet më shpesh në Shqipëri, sidomos kur bëhet fjalë për politikat fiskale të cilat për fat të keq, ndër vite dhe pavarësisht shumicave qeverisëse, kanë qenë të improvizuara dhe kanë ndryshuar vazhdimisht, shpeshherë edhe duke hedhur poshtë rregullimet paraardhëse.

Si njohës i çështjeve juridike dhe legjislacionit fiskal, në këndvështrimin tuaj, cilat mbeten opsionet e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese?

Gjykata Kushtetuese, në këtë stad ku janë këto kërkesa, ka praktikisht dy opsione në dispozicion për sa i përket themelit të çështjeve, t’i pranojë ato dhe të shfuqizojë dispozitat ligjore të kontestuara, ose t’i rrëzojë ato dhe gjithçka të mbetet siç është.

Në rastin e Ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” do t’i duhet të vendosë gjithashtu nëse dispozitat e tij do të pezullohen deri në shqyrtimin e plotë të kërkesave apo jo.

Shpresoj dhe uroj që Gjykata Kushtetuese, nën dritën edhe të jurisprudencës së saj të mëparshme të arrijë nëpërmjet vendimeve të saj të drejtojë shtrembërimet e krijuara, por pse jo dhe të ndërgjegjësojë të gjithë aktorët për një bashkëpunim më konkret dhe më transparent për vendosjen e rregullave të drejta fiskale.

Në rast se do të kemi vendim për mosshfuqizimin e tyre, çfarë do të krijonte kjo për ekonominë, duke e analizuar në këndvështrimin juridik, por edhe ekonomik?

Sigurisht që në rast se Gjykata Kushtetuese do të vendosë të rrëzojë kërkesat e palëve të interesuara, për mendimin tim, kjo nuk do të ishte në shërbim të rritjes ekonomike, madje rrezikon seriozisht të rrisë informalitetin dhe evazionin fiskal.

Por, mbi të gjitha, do të jepte dhe një mesazh krejt të gabuar se çfarëdo që të shkruhet në ligjet e miratuara nga Kuvendi, nuk duhet të shpresojmë te Gjykata Kushtetuese si gardiane e rendit tonë kushtetues.

 

A ka ndodhur para procesit të Vetingut, që bizneset t’u drejtohen disa herë rresht Gjykatës Kushtetuese për të depozitim çështjesh me objekt shfuqizim ligjesh fiskale?

Kërkesat për shfuqizim të ligjeve apo dispozitave të caktuara nga ana e Gjykatës Kushtetuese ka qenë një praktikë e njohur dhe e zhvilluar edhe përpara procesit të vetingut, dhe në fakt Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar një sërë normash fiskale ndër vite.

Mund të përmendim, ndër më kryesoret, një rast që është analog me situatën ku ndodhemi me Ligjin për tatimin mbi të ardhurat, ligj i vitit 2016, sipas të cilit një listë profesionesh (kryesisht profesionet e lira) detyroheshin të paguanin sigurime shoqërore në nivelin maksimal, pavarësisht sa ishte paga e tyre reale.

Një rast i rëndësishëm ka qenë gjithashtu shfuqizimi i supergjobave të vendosura në vitin 2016, si në shkelje të parimit të proporcionalitetit.

Mund të themi madje që procesi i vetingut u bë shkak në mënyrë indirekte që Gjykata Kushtetuese të bllokohej për 4 vite, pasi nuk kishte numrin minimal të nevojshëm për të marrë vendime./ MONITOR

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here