Franko Barezi, “6” që bëri epokën me Milan

0
194

Marrë nga FIFA.com

iqtg7Në periudhën kur Barezi luante me Milanin ishte dhe epoka kur ekipi ndriçoi, gjë për të cilën meritë kishte edhe kapiteni legjendar kuqezi. Pas tërheqjes së tij nga futbolli u tërhoq edhe fanella e tij në formë respekti ndaj lojtarit

Në Itali, në vendlindjen e katenaços së famshëm, Franko Barezi ishte njëri prej atyre futbollistëve që bënte diferencë në repartin mbrojtës. Barezi do të mbahet mend gjatë në Gadishullin Apenin. Dhjetë vjet pas largimit të Franc Bekenbauerit nga bota e futbollit ai ia doli më së miri që të “kopjonte” kajzerin gjerman dhe kështu të rrëmbente tërë skenën italiane. Barezi u kthye në një nga yjet e futbollit botërorë. Ai ishte një futbollist i mbyllur, ndërhynte fort dhe ndizte kundërsulmet në çdo moment. Këto ishin edhe armët e tij më të forta. Me harkimet të përsosura, që copëtonin fushën, arrinte që të gjente sulmuesit kudo që ata ndodheshin. Nga 1977 e deri në 1997, ai udhëhoqi më krenari linjën mbrojtëse të Milanit, skuadër kjo që ishte “shtëpia” e tij e vetme. Barezi në 20 vite karrierë u tregua besnik dhe nuk braktisi kurrë ngjyrat kuqezi. Me paraqitjen që bëri me klubin nga Milanoja, ai arriti që të fitonte edhe një vend tek kombëtarja italiane. Me fanellën axurre luajti plot 81 takime. Barezi prej 1982-shit e deri në 1994-n qe titullar fiks përfaqësues italiane. Edhe pse nuk kishte karakteristikat e duhura për të qenë shumë popullor (ishte shtatshkurtër dhe shumë i ashpër në intervista), Barezi arriti që të gëzonte respektin e shokëve të skuadrës dhe të kundërshtarëve me atë çka bëri në fushë për dy dekada.

 

Një qytet, dy fate

Franko Barezi lindi në Travaliato (provincë e Breshas). Ai humbi prindërit (vdiqën brenda dy viteve) kur ishte vetëm 16 vjeç. Në 1976, së bashku me të vëllain (Xhuzepe, ishte dy vite më i madh) vendosi që të niste karrierën si profesionist në futboll. Vendi i parë “i takimit” për vëllezërit ishte skuadra e Interit, prej andej fati do t’u rezervonte rrugë të ndryshme. Xhuzepe ishte një mbrojtës solid. Ai u pëlqye tek Interi dhe qëndroi aty për një kohë të gjatë. Me fanellën zikaltër vëllai i madh i Frankos bëri 559 ndeshje dhe më tej mori rol drejtuesi. Ndërkohë që, nga ana tjetër, Frankoja u largua prej zikaltërve dhe prej tyre shkoi tek Milani, aty ku ndriti si futbollist. Franko Barezi kaloi katër vitet e para në një program studimor në Milanelo. I heshtur dhe shumë i rezervuar, ai u dallua për mënyrën se si punonte. “Në moshën18-vjeçare, ai ishte shumë i pjekur. Frankoja më ngjante me një veteran”, – ka thënë Nils Lidholmi. Tekniku i famshëm suedez i dha mundësinë Frankos që të debutonte në Serinë A në Veronë më 23 prill të 1978-s.

 

Titullarë

Para fillimit të sezonit të radhës, në prag të stërvitjes së parë të Milanit, tekniku suedez afroi Barezin pranë dhe i tha se ai do të ishte zgjedhja e tij e parë në rolin e liberos. Dhe pikërisht nga ai çast pati fillimin e vet legjenda e Barezit në radhët e kuqezinjve. Në atë edicion, Barezi filloi të luante me Paolo Maldinin, Alesandro Kostakurtën dhe Mauro Tasotin. Me Barezin në fushë Milani arriti që të fitonte mjaft sfida me rrjeta të paprekura. Kuqezinjtë arritën që të dominonin mbi tërë skuadrat e Serisë A. Barezi ishte shumë i aftë në ndërhyrje. Ai sikur u lexonte mendjen kundërshtarëve, pasi rikuperonte mjaft topa që më tej i shpërndante bukur në tërë fushën. Ai në terë 90-minutëshin asnjëherë nuk kursehej. Gati tërë shokët e skuadrës e adhuronin atë për mënyrën e përkryer se si përgatiste dhe luante një ndeshje. Edhe pse nuk kishte shumë aftësi me topin ndër këmbë, falë vetive që sapo përmendëm ai u kthye në një prej lojtarëve më popullorë të Milanit. Vetë lojtari tha së fundmi tregoi se “disiplina, stërvitja, puna dhe një marrëdhënie e ngushtë me tifozerinë janë parimet kryesore që duhet të ketë në konsideratë një profesionist për të qenë i suksesshëm në karrierë”.

 

Besnik

Një vit më pas, Milani ra në Serinë B, pasi u mësua se ekipi në fjalë kishte të bënte me skandalin e basteve. Por nga tërë ajo stuhi që u ngrit në kampin kuqezi, vetëm një lojtar qëndroi stoik dhe nuk lëvizi nga vendi. Pasi mori shiritin e kapitenit, Barezi, vetëm 22 vjeç, u tregoi besnikëri të përjetshme ngjyrave kuqezi dhe nuk la Milanin. Vite më vonë ai e shpjegoi kështu zgjedhjen e vet: “Sot gjërat janë shumë ndryshe. Një lojtar shumë rrallë qëndron për 15-20 me një klub. Merkatoja ka ndryshuar gjithçka. Sot çdo futbollist ka shumë opsione, prandaj them se e kanë shumë të vështirë që të rezistojnë”.

 

Era “Berluskoni”

Milani do të futej në një erë të re me ardhjen e Silvio Berluskonit. Në 1986-ën i lartpërmenduri u bë presidenti i ri i kuqezinjve dhe menjëherë afroi Arrigo Sakin si teknik. Ky i fundit arriti që të ngrinte një skuadër mjaft të fortë. Në mbrojtje luante “dryni” (Franko Barezi), ndërkohë që sulmi përbëhej prej treshes holandeze Frank Rijkard, Rud Gulit dhe Marko van Basten. Më tej Barezi tregoi tërë aftësitë e tij edhe nën drejtimin e Fabio Kapelos. Me teknikun friulan në krye Milani i Barezit fitoi katër tituj në Serinë A si dhe ngriti lart Kupën e Kampioneve. Këto suksese kuqezinjtë i morën falë një skuadre të hekurt. Themi kështu, pasi skuadrës iu afruan lojtarë si Marsel Desai, Zvonimir Boban dhe Dejan Saviçeviç.

 

Vendimi i vështirë

Në vitin 1997, pas 20 vitesh që ishte nën urdhrat e Milanit, Barezi mori edhe vendimin e vështirë. Ai vari këpucët në gozhdë. “Në sezonet e fundit të karrierës sime e pata shumë të vështirë të luaja, pasi kisha shumë probleme fizike. Pas çdo takimi mezi rikuperoja formën. Kështu, kur arrita moshën 37-vjeçare, e pashë të udhës që të hiqja dorë”. Dy vite pas tërheqjes nga futbolli skuadra e Milanit votoi Barezin si lojtarin e shekullit.

 

Penalltitë në Pasadena

Fillimisht, i ngelur jashtë formacionit të kombëtares italiane, për shkak të formës së mirë të Gaetanio Sireas, një tjetër gjigant i futbollit italian, Barezi fitoi një medalje në Kupën e Botës Spanjë 1982, edhe pse nuk u aktivizua për asnjë minutë. Debutimi i tij ndërkombëtar nuk erdhi më parë se 4 dhjetori i të njëjtit vit, gjatë kualifikueseve të Euro 1984 kundër Rumanisë në Firence. Por marrëdhënia reciproke e besimit me trajnerin e atëhershëm të Italisë, Enco Bearzotit u shkatërrua në mënyrë të papritur, sepse ky i fundit ndryshoi rolin e Barezit, duke e vendosur përpara mbrojtjes si mesfushor shkatërrues. Bearzoti do të preferonte vëllanë e Frankos në rolin natyral të mbrojtësit përpara Meksikë 1986, një turne ku axurrët dështuan. Ardhja e Axelio Viçinit në stolin e Italisë solli transformimin gradual të Barezit në një lider të skuadrës në pozicionin e tij natyral, atë të qendërmbrojtësit. Pavarësisht se ishte i pari që ekzekutoi me sukses penalltinë në gjysmëfinalen ndaj Argjentinës në Itali 1990, Barezi ishte i pafuqishëm për të shmangur eliminimin e vendasve nga Kupa e Botës. Katër vjet më vonë, në SHBA 1994, ai u përball me të njëjtin test nervash, por kësaj radhe në finale kundër Brazilit. Prania e tij si kapiten atë ditë, për pak sa nuk solli triumfin përballë skuadrës favorite. Pas një dëmtimi në fazën e grupeve në ndeshjen kundër Norvegjisë më 23 qershor, mbrojtësi iu nënshtrua operacionit, por me t’u rikthyer në fushë rezultoi deciziv me një gol të tij. Më 17 korrik, në Pasadena, pas një paraqitjeje të shkëlqyer në barazimin 0-0, ai përsëriti edhe një herë tjetër ritualin e zakonshëm, duke marrë përsipër goditjen e 11-metërshit të parë për Italinë. Sidoqoftë, kësaj here fati nuk ishte me Barezin, ndërsa e goditi topin mbi traun e portës. Penalltia e Daniele Masaros u prit nga Tafareli, përpara se Roberto Baxhoja të gabonte në të njëjtën mënyrë si kapiteni, duke ia dorëzuar në fund trofeun “Seleçaos”. Për herë të parë në karrierën e tij të gjatë dhe suksesshme, lotët rrodhën në faqet e këtij futbollisti të jashtëzakonshëm.

 

 

Karriera si futbollist

Dita e lindjes: 8 maj 1960

Vendlindja: Travaliato, Itali

Roli: Libero

 

Karriera në klube

AC Milan (1977-1997)

 

Në kombëtare

81 paraqitje (1 gol)

 

Tituj

Kampion bote: 1982

6 tituj të fituar në Serinë A (1979, 1988, 1992, 1993, 1994, 1996)

3 Liga Kampionesh (1989, 1990, 1994)

2 Kupa Interkontinentale (1989, 1990)

3 Superkupa Evrope (1989, 1990, 1994)

4 Superkupa Italie (1988, 1992, 1993, 1994)

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency