Vendimi/ Apeli liron ish-guvernatorin, Fullani: Vjedhja e Bankës na ra si rrufe në qiell të hapur

0
142

Sonila Mesareja

ardian fullani duke hyre ne gjykate apeli Prokurori Gjoka kërkon mbajtjen në burg të ish-kreut të Bankës së Shqipërisë, reagon avokati Haxhia: Vendimi i Gjykatës, pozitiv për klientin tim, nuk ishte në pritshmëritë e kërkesave që kishim parashtruar

 Lirohet ish-guvernatori Ardian Fullani, pas ndryshimit të masës së sigurisë nga “Arrest me burg” në “Arrest shtëpie”. Vendimi është marrë dje nga treshja gjykuese e Gjykatës së Apelit, me relator kryetarin Alaudin Malaj dhe anëtarë Agim Bendon dhe Shkëlqim Mirin. Në dispozitivin e vendimit, Gjykata urdhëron dërgimin në banesën e tij në bllokun “Green Park”, nr. 46 në Tiranë, nga policia, ndalimin e komunikimit të Fullanit me persona të tjerë, përveç atyre që bashkëjetojnë me të dhe lirimin nga paraburgimi, nëse nuk mbahet aty për ndonjë vepër tjetër penale. Por, nuk pati të njëjtin fat kryeinspektorja Elivar Golemi, e cila ndonëse foli për herë të parë para togave të zeza, duke mohuar të ketë lidhje me akuzat e Prokurorisë, u la në burg nga Gjykata. Fatin e ish-guvernatorit e patën disa nga të arrestuarit e grupit inventarizues, të cilëve ashtu si dhe kolegët e tyre që u liruan në Shkallën e Parë, iu ndryshua masa nga “Arrest me burg” në “Arrest shtëpie”. Tashmë pritet që në ditët në vijim të shqyrtohen masat e të arrestuarve të tjerë për vjedhjen në Thesar, ku Ardian Bitraj akuzohet se ka vjedhur 713 milionë lekë.

 

Ish-guvernatori, lirimi

Ish-guvernatori Ardian Fullani la dje pasdite qelinë e burgut për t’iu përgjigjur procesit hetimor në “Arrest shtëpie”. I pritur nga familjarët dhe avokati Maksim Haxhia, pas ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Apelit, zyrtarët e paraburgimit 302 në Tiranë vendosën lirimin e tij. Trupa gjyqësore e Gjykatës së Apelit, e kryesuar nga Alaudin Malaj, ndryshoi dje masën e sigurisë ndaj Fullanit nga “Arrest me burg” në “Arrest shtëpie”. Pas këtij vendimi ka reaguar për mediat avokati i tij, Maks Haxhia, i cili u shpreh se edhe pse vendimi i Gjykatës ishte pozitiv për klientin e tij, nuk ishte në pritshmëritë e kërkesave që kishin parashtruar. Ai paralajmëroi se së shpejti do ta çojnë vendimin në rekurs në Gjykatën e Lartë. “Vendimi i sotëm ishte një vendim që pavarësisht se ishte në favor të kërkimeve tona, nuk ishte në stadin e atyre kërkimeve, pasi ne kërkuam të mos kishte fare masë arresti dhe as masë sigurimi personal. Megjithatë, Gjykata vendosi prishjen e vendimit të datës 5 shtator, duke vendosur masën “Arrest shtëpie” si masë sigurimi personal. Do bëjmë edhe rekurs”. Më tej në prononcimin e tij, avokati Haxhia sqaroi edhe deklaratën e bërë në lidhje me Këshillin Mbikëqyrës të Bankës, ku deklaroi se nuk ka folur asnjëherë për përgjegjësi penale të anëtarëve. “Nuk kam thënë se përgjegjësia penale është e Këshillit Mbikëqyrës. Këshilli nuk ka përgjegjësi penale, por kam thënë që Ardian Fullani, nëse do të klasifikohet për ndonjë përgjegjësi administrative apo penale, nuk mund të ndahet nga përgjegjësia e Këshillit. Është organ kolegjial dhe ashtu si funksionon për një anëtar, funksionon edhe për anëtarët e tjerë. Nuk kam folur asnjëherë për përgjegjësi penale të Këshillit”. Në përfundim të deklaratës së tij, avokati i ish-guvernatorit tha se asnjë nga deponimet e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës në Prokurori nuk përbënte ndonjë provë në rëndim të Fullanit.

 

Dëshmia e Fullanit: Lajmi për vjedhjen, si rrufe në qiell të hapur

Gjatë zhvillimit të seancës, edhe vetë Fullani ka folur për herë të parë para togave të zeza të drejtuara nga gjyqtari Alaudin Malaj. Para treshes gjykuese ai ka deklaruar: “Jam udhëhequr gjithmonë nga ligji dhe ndershmëria si guvernator i Bankës së Shqipërisë. Ngjarja në Thesarin e Shtetit është e shkëputur nga mënyra si ka funksionuar Banka e Shqipërisë. Kam punuar me korrektesë dhe ndershmëri, 30 vjet si bankier dhe 10 vjet si guvernator i Bankës së Shqipërisë. Jam udhëhequr nga ligji, pasioni dhe devotshmëria gjatë punës sime. Ngjarja e vjedhjes së Bankës është shumë e rëndë, por ne e kemi denoncuar. Lajmi për vjedhjen na erdhi si një rrufe në qiell të hapur. Duhen marrë masa që ngjarje të tilla të mos përsëriten më. Vjedhja në BSH ishte një veprim i ulët dhe i shkëputur. Sapo u konstatua vjedhja në thesar, bashkëpunuam ngushtë me Prokurorinë”.

 

Akuzat e Prokurorisë për ish-guvernatorin Fullani, 5 shkeljet

Para Gjykatës, prokurori ka lexuar edhe një herë akuzat që rëndojnë ndaj ish-guvernatorit Ardian Fullani, çka vulosën edhe arrestimin e tij. Së pari, nuk i ka propozuar Këshillit Mbikëqyrës zëvendësguvernatorin e dytë të Bankës së Shqipërisë, duke krijuar një boshllëk në përmbushjen e detyrimeve të këtij funksioni. Duhet theksuar se ky funksion i munguar duhet të trajtonte drejtpërdrejt administrimin, mbikëqyrjen dhe zbatimin e akteve procedurale për përdorimin e mjeteve financiare. Së dyti, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës, nuk ka ushtruar kompetencat e tij për propozimin e nismave juridike të funksionimit të Bankës së Shqipërisë, si detyrim që buron nga vendimi i Këshillit Mbikëqyrës nr. 13, datë 22.2.2006. Pra, me nisjen e funksionimit të departamentit të Emisionit, ku ka ndodhur edhe vjedhja, Këshilli Mbikëqyrës duhej të propozonte e miratonte rregulloret përkatëse për funksionimin e këtij departamenti. Nga hetimi ka rezultuar se këto rregullore nuk kanë ekzistuar për një kohë shumë të gjatë, gjë e cila ka sjellë cenimin e parave. Së treti, në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Bankës së Shqipërisë, nuk ka marrë masat e nevojshme ligjore për zbatimin e vendimeve dhe rregulloreve të Këshillit Mbikëqyrës. Ndër to, mund të përmendet zbatimi i politikave të miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës, për mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme për administrimin e procedurave ekzekutive, si dhe për qeverisjen e punëve administrative të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë. Së katërti, Guvernatori është i ngarkuar me mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme të Bankës së Shqipërisë, përgjegjësi të cilën nga analiza e hetimit në kuadër të procedimit penal, rezulton që nuk e ka ushtruar. Së pesti, në kundërshtim me nenin 8 të rregullores “Mbi inventarizimin e vlerave materiale e monetare në Bankën e Shqipërisë”, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, në komisionet e ngritura për kryerjen e inventarizimit të detyrueshëm periodik të vlerave monetare në Bankën e Shqipërisë ka caktuar dy herë të njëjtin person. Ky person, aktualisht është person në hetim për “Shpërdorim detyre” në kuadër të këtij procedimi penal.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency