Gjykata e Apelit/ Burg Golemit, ish-kryeinspektorja: Kam raportuar çdo 3 muaj te Këshilli Mbikëqyrës

0
112

Sonila Mesareja

 FOTOOO FULLANIReagimi para togave të zeza: Prokuroria, me dy standarde, të arrestojë edhe ish-inspektoren e Përgjithshme që nuk bëri asnjë auditim

Elivar Golemi rikthehet në qelitë e paraburgimit të 313-ës në Tiranë. Gjykata e Apelit nuk e pranoi ankimimin e saj dhe pretendimet se nuk ka kryer asnjë shkelje, duke lënë në fuqi masën e kërkuar nga prokurori Nezir Gjoka, mbështetur në provat e paraqitura prej tij. Ish-inspektorja e Përgjithshme jo vetëm që ka pretenduar se nuk ka kryer asnjë nga pesë shkeljet e pretenduara nga organi i akuzës, por ka ngritur pretendimin se Prokuroria është duke vepruar me dy standarde. Sipas saj, organi i akuzës duhej të arrestonte edhe ish-inspektoren e Përgjithshme para saj, e cila për vitet para se të merrte ajo detyrën në vitin 2011 nuk ka bërë asnjë auditim.

 

Dëshmia

Por, ashtu si eprori i saj Fullani, edhe ish-inspektorja e Përgjithshme e Bankës së Shqipërisë ka folur për herë të parë dje në sallën e gjyqit për vjedhjen e Bankës së Shqipërisë dhe akuzat e ngritura ndaj saj për moskryerjen e auditeve. “Është hera e parë që më jepet mundësia të flas. Unë kundërshtoj arrestimin, sepse çdo veprim është bërë në mungesën time. Kam dorëzuar në Prokurori të gjithë punën e bërë nga inspektori, nuk e kuptoj akuzën që unë mund të prish provat. Ku mund të ndërhyj unë tek provat? Nuk ka rregullore që filan kohë apo periodicitet për të ushtruar audit. Unë me ligj kam detyrim të raportoj çdo tre muaj para Këshillit Mbikëqyrës dhe e kam bërë këtë gjë. Shpreh kundërshtinë time për akuzat dhe arrestimin tim. Çdo gjë është bërë në mungesën time. Nga viti 2008-2010 nuk ka pasur auditim në BSH, ndërsa unë e kam marrë detyrën në vitin 2011”, – ka deklaruar ajo për togat e zeza. Para treshes gjykuese, Golemi tha se Prokuroria nuk e ka marrë asnjëherë në pyetje për të sqaruar pozicionin e saj. Ajo ngriti dyshime se organi i akuzës ka vepruar me dy standarde, duke mos arrestuar edhe inspektoren e Përgjithshme të liruar nga detyra në vitin 2011, e cila në asnjë rast, nuk ka bërë auditim. Më tej, duke sqaruar veprimtarinë e saj si inspektore e BSH-së, Golemi tha se anëtarja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Ermelinda Meksi, në korrik i ka kërkuar ta takojë, sipas saj, pa praninë e administratorit. “Nuk jam takuar asnjëherë me Këshillin Mbikëqyrës pa praninë e administratorëve. Nuk e takova Meksin, pasi raportimin e bëra në prani të administratorëve”. Por, për prokurorin Nezir Gjoka, argumentet e inspektores Golemi nuk qëndrojnë dhe ajo duhet të qëndrojë në burg. “Golemi ka vepruar në shkelje të ligjit, pasi nuk ka bërë kontrolle periodike siç thotë ligji. Veç në 2011-ën nga Golemi nuk ka pasur asnjë kontroll. Inspektorja Golemi duhet të qëndrojë në burg. Golemi nuk ka raport as tek Këshilli Mbikëqyrës i Bankës. Kjo provë del edhe nga dëshmitë e anëtarëve Dhori Kule, Ardian Civici (tashmë i dorëhequr), Ermelinda Meksi, Elisabeta Gjoni (guvernatore në detyrë) dhe Ela Golemi.

 

Prokuroria

Më herët, para se të fillonte seanca e masës, prokurori Gjoka ka reaguar duke kërkuar të shtyhej seanca e masës së arrestit për Golemin, me pretendimin se nuk janë respektuar afatet e ankimimit dhe dosja është dërguar në Apel nga Shkalla e Parë pa u dorëzuar ankimimi. “Nuk janë respektuar afatet e ankimimit. Gjykata e Shkallës së Parë e ka nisur dosjen e ish-kryeinspektores Elivar Golemit para se të bëhej ankimimi. Çështja ndaj ish-kryeinspektores Elivar Golemi nuk duhet të shqyrtohej sot nga Gjykata e Apelit”, – ka reaguar prokurori. Por, gjithsesi, Gjykata vendosi të vazhdonte seancën dhe pasi dëgjoi palët, vendosi të linte në fuqi masën e caktuar nga gjyqtarja Blerina Muça për ish-kryeinspektoren Golemi, duke mos marrë parasysh pretendimet e saj. Ashtu si ish-guvernatori Fullani, edhe Golemi akuzohet për “Shpërdorim detyre”.

 

Akuzat e Prokurorisë ndaj inspektores së Përgjithshme Golemi

Para seancës për ish-guvernatorin, Gjykata zhvilloi atë për inspektoren e Përgjithshme të Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemi. Para togave të zeza në Apel, prokurori renditi edhe një herë shkeljet ku bazohet akuza ndaj 37-vjeçares Golemi. Së pari, sipas prokurorit Gjoka, nuk ka ushtruar auditim sipas ligjit për Bankën e Shqipërisë dhe rregullores se departamentit të Kontrollit, proces i cili është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e inspektorit të Përgjithshëm. Së dyti, ka vepruar në kundërshtim me kuadrin ligjor përkatës, sa i takon ushtrimit kontroll kontabël të brendshëm, si edhe kontrolle të brendshme periodike për administrimin dhe operacionet e Bankës së Shqipërisë, me qëllim që të sigurojnë mbarëvajtjen e zbatimit të ligjeve dhe të akteve nënligjore në Bankën e Shqipërisë. Duke mos realizuar kontrolle periodike, nuk i ka dorëzuar Këshillit Mbikëqyrës raporte dhe rekomandime për llogaritë e regjistrat, si dhe për procedurat buxhetore kontabël dhe kontrollet e Bankës së Shqipërisë. Së treti, është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë që departamenti i Kontrollit nuk ka ushtruar auditim financiar periodik në departamentin e Emisionit për vitet 2012, 2013 dhe 2014, pikërisht në vendin dhe gjatë periudhës kohore ku dyshohet se është kryer vjedhja. Së katërti, në bazë të komunikimit shkresor, në kuadër të këtij procedimi penal, rezulton se inspektori i Përgjithshëm nuk i ka ushtruar funksionet e tij, pasi veç raportit të vitit 2011 dhe projektraportit të vitit 2014, nuk ka mbajtur asnjë raport apo audit në arkën për veprim dhe në arkën stok, pikërisht në arkat ku i dyshuari kryesor për vjedhjen ka deklaruar se ka marrë shumën e madhe të parave”.

 

Masa/ Grupi i inventarizimit, Apeli liron edhe 1 nga kryetarët

 Grupi i inventarizimit, gati i gjithë në liri, pasi vetëm një prej kryetarëve të grupeve inventarizuese ndodhet pas hekurave në pritje të shqyrtimit të masës nga Apeli. Pas lirimit të një nga dy ish-kryetarët e grupeve inventarizuese, tashmë të gjithë do hetohen në gjendje të lirë. Pavarësisht nga kërkesat e prokurorit Nezir Gjoka për ndryshim të masave të sigurisë nga “Arrest shtëpie” në “Arrest me burg” për inventarizuesit e liruar dhe lënien në burg për kryetarin që ishte me masë “Arrest me burg”, togat e zeza vendosën “Arrest shtëpie” për Ilir Deden, Bahri Allushin, Gentjan Jahen dhe Fatbardha Gurthin. Fillimisht, u zhvillua masa ndaj Ilir Dedes, për të cilin prokurori kërkoi caktimin e masës “Arrest me burg”, por me vendimin e saj, Gjykata e Apelit mbajti të pandryshueshme masën e sigurisë duke e lënë në “Arrest shtëpie”. Gjykata e Apelit ndryshoi dje vetëm masën e sigurisë ndaj Gentjan Jahes, nga “Arrest me burg” në “Arrest shtëpie”. Gentjan Jahja ishte kryetar i një prej Komisioneve të Inventarizimit në Bankën e Shqipërisë. Më pas, Gjykata e Apelit nuk e ndryshoi as masën e sigurisë së Gjykatës së Tiranës ndaj Fatbardha Gurthit, duke e lënë atë sërish në “Arrest shtëpie”. Në përfundim të seancave, Gjykata e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë për Bahri Allushin nga “Arrest në burg” në “Arrest shtëpie”.

 

Apeli, vendimet

Ndryshon masa nga “Arrest me burg” në “Arrest shtëpie” për Ardian Fullanin

Ndryshon masa nga “Arrest me burg” në “Arrest shtëpie” për Gentjan Jahen

Ndryshon masa nga “Arrest me burg” në “Arrest shtëpie” për Bahri Allushin

Nuk ndryshon masa “Arrest me burg” për Elivar Golemin

Nuk ndryshon masa “Arrest shtëpie” për Ilir Deden

Nuk ndryshon masa “Arrest shtëpie” për Fatbardha Gurthin

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency