Masat e arrestit/ Dorëzohen materialet, sot shtatë të arrestuarit para Gjykatës

0
147

Sonila Mesareja

arrestMerren në pyetje punonjësit e bankës, mohojnë përfshirjen në vjedhjet e Bitrajt. Hetimi, zbulimi i vjedhjes jo nga auditi, por nga vetë Bitraj. Auditi i Bankës dorëzon raportin për vjedhjen, Prokuroria kërkon materialet e plota që nga viti 2010

 

 Sot pritet të dalin njëri pas tjetrit para Gjykatës shtatë të arrestuarit për vjedhjen 7-miliardëshe në Bankën e Shqipërisë. Ata do të njihen me akuzat dhe provat që disponon akuza, të cilat implikojnë ata me veprimet apo mosveprimet e tyre në vjedhjen më të madhe të ndodhur brenda Bankës së Shqipërisë, aty ku mendohet se është vendi më i sigurt për paratë tona. Prokuroria ka dorëzuar dje në gjykatë materialet për seancën e sotme. Po dje, të arrestuarit janë marrë për orë të tëra në pyetje nga grupi hetimor në ambientet e policisë, por që mësohet se kanë mohuar të jenë të përfshirë në supervjedhjen e realizuar në vite nga Ardian Bitraj. Pritet që të njëjtin qëndrim të mbajnë edhe sot para gjykatës, ndërsa do u komunikohen masat e marra në mungesë nga Gjykata e Tiranës. Megjithatë, thuhet se arrestimet për personat e përfshirë në këtë ngjarje nuk kanë përfunduar. Të tjerë persona pritet të vihen prapa hekurave.

 

Dëshmia

Një tjetër fakt interesant zbulohet në vijimësi të hetimeve për vjedhjen e 713 milion lekëve. Rezulton se supervjedhja në bankë nuk u zbulua nga auditi i brendshëm i Bankës por nga vetë Bitraj, i cili pati frikë se gjithçka do të zbulohej kur të kryhej audit në arkë. Nga burime bëhet me dije se Bitraj kishte marrë informacion që do bëhej auditi, dhe ndaj ka rrëfyer vetë. Ky version për Prokurorinë nuk është i besueshëm, ndaj dhe ka nisur hetimi. Përveç të arrestuarve, mësohet se dje është vijuar me marrjen në pyetje edhe të të tjerë punonjësve të Bankës.

 

Raporti

Auditi i Bankës së Shqipërisë ka dorëzuar në Prokurori raportin për shumën e vjedhur në repartin “Stok”, duke përcaktuar si 713 milion lekë shumën e munguar. Por, organi i akuzës së kryeqytetit nuk ka qenë aspak i kënaqur me raportin e dorëzuar, duke kërkuar nga Banka e Shqipërisë materiale shtesë për një periudhë 4-vjeçare, pra që nga viti 2010, kur Ardian Bitraj ka raportuar se ka nisur vjedhjet e shumave kolosale në bankë. Ndërkohë mësohet se të martën do kërkohet nga Prokuroria raporti i auditit për 4 vitet e shkuara, pra nisur që nga vitit 2010.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency