Dëshmia/ Ardian Bitraj shfajëson kolegët, merr përsipër vjedhjen e 7 miliardëve  

0
160

Sonila Mesareja

ardian-bitraj-i-akuzuari-per-vjedhjen-e-bankesProvat filmike tregojnë se punonjësit nuk kanë zbatuar rregullat, shihet si vidheshin me qese paratë nga kolegu. Arrestohet i 9-ti, Bashkim Xhilaga

 Ardian Bitraj shfajëson kolegët e tij nga përfshirja në superskandalin e vjedhjes në sektorin “Stok” ku punonte, aty ku ai mundi të vjedhë 7.13 miliardë lekë. Ai bën përpjekje për të marrë vetë përsipër gjitha supervjedhjen, ndërkohë që provat e siguruara deri tani flasin për persona të tjerë që kanë pasur dijeni mbi vjedhjen e shumës marramendëse nga institucioni i menduar si më i sigurti për paratë tona. Sipas dëshmisë së tij para hetuesve, asnjë nga punonjësit e tjerë të bankës nuk e ndihmoi të grabiste paratë nga kasaforta. Por, ai pranoi se nga të gjithë të arrestuarit, përveç koleges Mimoza Bruzia, ka pasur dijeni dhe e ka shoqëruar ndërsa transportonte paratë vetëm nipi i tij Klevis Bejtaj. Sipas Ardian Bitrajt, djali i motrës së tij, Klevisi, në çdo rast të vjedhjes së parave e priste jashtë institucionit ku punonte, me një makinë. Aty Bitraj nxirrte paratë e vjedhura në bankë dhe shpesh kthehej përsëri në qendrën e emisionit për të vazhduar normalisht punën. Ndërkohë që Klevis Bejtaj u arrestua nga policia dy ditë më parë së bashku me punonjësit e tjerë të bankës. Ai akuzohet për veprën penale “moskallëzim krimi”.

 

Rolet

Gjashtë punonjës të tjerë të bankës janë vënë në pranga dje dhe dy ditë më parë. Ata akuzohen nga organi i akuzës se duke mos zbatuar me korrektesë detyrën, i dhanë mundësi Ardian Bitrajt të grabiste 713 milionë lekë nga kasaforta. Sipas Prokurorisë, Petrit Ramohitaj ishte përgjegjës i arkës në veprim, Liljana Tusha, specialiste e arkës në veprim, Lavdim Cani, specialist i arkës stok, Myzejen Belba, specialiste e arkës stok, Dhimitër Davidi, me detyrë vëzhgues-operator dhe Bashkim Xhilaga, i arrestuari i djeshëm, ishte shefi i dy arkave në qendrën e emisionit. Disa nga të arrestuarit kishin për detyrë të rakordonin kartëmonedhat që hynin e dilnin nëpërmjet sporteleve përkatëse, një veprim që nuk është bërë. Prokuroria i akuzon se kanë shkelur manualet përkatëse të Departamentit të Emisionit, të cilat rregullojnë punën e personelit të bankës e të sigurisë. Hetuesit kane vëzhguar kamerat e sigurisë së bankës, ku kanë konstatuar edhe mungesën e korrektesës në institucion. Po sipas akuzës, Dhimitër Davidi duhej të mbikëqyrte kamerat e të raportonte çdo anomali. Rezulton se ai i ka parë veprimet e Ardian Bitraj, që mbush thasë plastikë me kartëmonedha, lëvizte nga sektori për në tualet ku edhe i fshihte paratë në trup. Për të gjitha veprimet e Bitrajt, Davidi nuk kishte raportuar asnjëherë, një fakt ky që e implikon këtë person në vjedhje. Dy specialistët e arkës në veprim, Petrit Ramohitaj dhe Liljana Tusha kishin detyrë të rakordonin çdo ditë gjendjen e sportelit, por ata nuk i kanë ndjekur këto procedura për një kohë të gjatë. Punonjësit e arkës stok, Lavdim Cani dhe Myzejen Belba, kishin detyrë të ndjekin lëvizjet e vlerave monetare që lëvizin nga sportelet te magazinat, si edhe të mbanin nga një çelës për arkën stok e në fund të ditës ta dorëzonin në kasafortë. Por këto veprime nuk janë respektuar, ndërkohë që të tre çelësat janë mbajtur nga Ardian Bitraj, i cili arriti të vidhte 713 milionë lekë.

 

Si realizohej vjedhja

Gjatë hetimit, kamerat e sigurisë kanë hedhur dritë mbi mënyrën që përdorte Ardian Bitraj për të vjedhur paratë. Nga filmimet rezulton se Bitraj hynte në kasafortën e Drejtorisë së Emisionit të Parave me qese të zeza, të cilat i mbushte me para. Më pas ai shkonte në tualet dhe aty i fuste paratë poshtë rrobave, duke i nxjerrë më pas jashtë institucionit më të sigurt në Shqipëri. Jashtë rrethimit të vendit të tij të punës e priste nipi i tij, Klevis Bejtja me makinë, i cili e dërgonte për në shtëpi. Bejtja është fiksuar nga kamerat e sigurisë së godinës së Drejtorisë së Emisionit, aty ku ai priste dajën e tij, sa herë që vidhte para ne kasafortë.

 

“Pronarët” e çelësave të thesarit

Po kush duhej t’i mbante çelësat e kasafortës së thesarit sipas rregullores së Drejtorisë së Emisionit, e cila hapej nga tri çelësa. Nga hetimi ka rezultuar se një nga çelësat e mbante Bashkim Xhilaga, përgjegjësi kryesor i arkës së parave stok dhe i atyre në veprim. Çelësi i dytë mbahej nga Myzejen Belba, specialiste në Drejtorinë e Emisionit. Ndërsa çelësin e tretë e mbante i akuzuari i tretë, Ardian Bitraj. Hapja e kasafortës bëhej me rakordim të tre personave dhe pikërisht këtu mbetet e paqartë sesi tri çelësat kanë rënë në dorë të Ardian Bitraj. Më pas, çelësat dorëzoheshin tek Petrit Ramohitaj përgjegjës i arkës në veprim apo në kasafortën që mbahej nga specialistja Liljana Tushe dhe përgjegjësja e stokut Mimoza Bruzia. Në sitën e hetuesve pritet të kalojë dhe puna e operatorit të kamerave të kasafortës, pasi i gjithë ky film është luajtur nën hundën e tij.

 

Shkarkimet

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka shkarkuar dje dy drejtorë departamentesh, lidhur me hetimet e skandalit të vjedhjes së Thesarit të bankës. Dy drejtorët e shkarkuar janë Dorian Çollaku, drejtor i Emisionit të Monedhës si dhe Eduard Sinani, drejtor i departamentit të sigurisë.

 

Të arrestuarit

1. Myzejen Belba, 46 vjeçe, lindur dhe banues në Tiranë, akuzuar për “Shpërdorim të Detyrës“;

2. Lavdim Cani, 47, lindur në Librazhd dhe banues në Tiranë, akuzuar për “Shpërdorim të Detyrës“;

3. Dhimitër Davidhi, 54 vjeç, lindur në Lushnje dhe banues në Tiranë, akuzuar për “Shpërdorim të detyrës”;

4. Petrit Ramohitaj 52 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, akuzuar për “Shpërdorim të Detyrës”;

5. Liljana Tusha, 46 vjeçe, lindur në Burrel dhe banues në Tiranë, akuzuar për “Shpërdorim të Detyrës“

6. Bashkim Xhilaga, 63 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, akuzuar për “Shpërdorim të detyrës”;

7. Klevis Bejtja, 27 vjeç, akuzuar për “Moskallëzim krimi”

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency