NDËRRIME NË QEVERI/ Dorëhiqet ministri i Shtetit, Ilirjan Celibashi, zëvendësohet nga Felaj

0
131

Florenc Drizari

edi rama ilirjan celibashi dhe ermonela felaj “Arsyet e kësaj dorëheqjeje janë tërësisht personale. Shkaqet, motivet dhe interesi i këtij akti, shpresoj që, në radhë të parë, me këtë akt të mos dëmtoj askënd; Pikësëpari, asnjë interes publik, pasi si një qytetar i përgjegjshëm i kësaj Republike, edhe pse për dikë kjo mund të duket tashmë si një koncept i konsumuar dhe i keqpërdorur, nuk mund t’ia lejoja vetes që këtë vendim ta kisha marrë në një moment tjetër”

 Ilirjan Celibashi la dje postin e ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, ndërsa këtë detyrë e mori deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj. Pas 300 ditëve të qeverisë, kabineti “Rama” shënoi edhe dorëheqjen e parë nga posti ministror dhe sipas deklaratës për mediat nga vetë ish-ministri Celibashi si dhe nga Kryeministri Edi Rama, tërheqja e tij ka ardhur për motive personale. I pari që foli për dorëheqjen e Celibashit ishte kreu i ekzekutivit, i cili vlerësoi bashkëpunimin dhe marrëdhënien e krijuar me Kuvendin e Shqipërisë. Largimi i ministrit Celibashi nga posti i ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin vjen një ditë pas votimit të disa projektligjeve me shumicë të cilësuar votash në Kuvendin e Shqipërisë. Projektligji më i debatuar ishte miratimi i reformës administrative-territoriale, ndërsa pjesë e votave të mazhorancës u bënë edhe 5 deputetët e PDIU-së.

 

Rama

“Është një ndryshim si rezultat i kërkesës së ministrit për Marrëdhëniet me Parlamentin, për ta ndërprerë marrëdhënien me qeverinë dhe si nevojë për të mos ndërprerë për asnjë minutë punën tonë, këtu në Këshillin e Ministrave, duke zëvendësuar një ministër më të cilin kam pasur privilegjin që të punoj në 300 ditët e para, Ilirjan Celibashin, me një kolege të cilën e admiroj për cilësitë e saj, deputete e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj, e cila do të jetë ministrja e re e Marrëdhënieve me Parlamentin”, – deklaroi Rama. Sipas tij, Celibashi do të mbetet pjesë e PS-së, duke dhënë kontributin si jurist, por jashtë kabinetit qeverisës.

 

Celibashi

“Arsyet e kësaj dorëheqjeje janë tërësisht personale. Shkaqet, motivet dhe interesi i këtij akti, shpresoj që, në radhë të parë, me këtë akt të mos dëmtoj askënd; Pikësëpari, asnjë interes publik, pasi si një qytetar i përgjegjshëm i kësaj Republike, edhe pse për dikë kjo mund të duket tashmë si një koncept i konsumuar dhe i keqpërdorur, nuk mund t’ia lejoja vetes që këtë vendim ta kisha marrë në një moment tjetër, pasi gjykoj që ky ishte momenti më i përshtatshëm, në kuptim të asaj se çfarë kjo qeveri ka arritur në këto 300”. Ishte kjo deklarata e ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi, ndërsa i menjëhershëm ishte edhe zëvendësimi i tij nga deputetja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Ermonela Felaj. Në fund të fjalës, Celibashi vlerësoi bashkëpunimin me Ramën, deputetët e grupit parlamentar socialist, kreun e këtij grupi, Gramoz Ruçin, stafin e ngushtë në ministri si dhe zgjedhësit e Fierit që e zgjodhën deputetë, ndërsa për marrëdhëniet me Parlamentin falënderoi vetëm Kuvendin e Shqipërisë.

“Ka qenë nder e privilegj për mua, që të përfaqësoja Partinë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë. Ka qenë po kështu, nder dhe privilegj që të isha pjesë e këtij kabineti qeveritar. E dua ta them pa asnjë lloj hezitimi, që kjo vendimmarrje imja nuk ka vënë aspak në dyshim besimin tim dhe bindjen time të kahershme tek Edi Rama si Kryeministër dhe tek ky kabinet qeveritar, për seriozitetin dhe përgjegjshmërinë që ata kanë marrë kundrejt qytetarëve shqiptarë, për të përmbushur të gjithë ata objektiva politikë, socialë dhe ekonomikë”, – deklaroi ish-ministri.

 

Ermonela Felaj: Do ta pasoj denjësisht Celibashin

 “Falënderoj Kryeministrin Rama për vlerësimin dhe i shpreh gjithë angazhimin tim profesional, moral, por edhe politik për të qenë në lartësinë e detyrës, për të qenë në lartësinë e një funksioni që për hir të së vërtetës ushtrohet rishtazi në Republikën e Shqipërisë. Njëkohësisht, dëshiroj të falënderoj Ilirjanin që në këto pak minuta të komunikimit tonë me mediat, më dha të kuptoja që prej tij gëzohej një mbështetje shumë e madhe. Unë ndihem shumë mirë që do të pasoj Ilirjanin në punën e ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, për faktin se me Ilirjanin nuk jemi kolegë vetëm në Parlamentin e Shqipërisë, por jemi edhe kolegë në profesion. Më vjen mirë që do të kem rast të përfitoj nga një eksperiencë e çmuar dhe shumë e respektuar në publik, si ajo e Ilirjanit. Besoj që në ditët në vijim, më tepër do të flasë puna”, – tha deputetja e PS-së, Ermonela Felaj, e cila merr postin e ministres së Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin.

 

 Votimi i ligjit për KLD-në në Kuvend/ Berisha: Vendimet e gjykatave do merren nga neobllokmeni Rama!

Ish-kryeministri Sali Berisha ka kritikuar kreun e qeverisjes aktuale, Edi Rama, për nismat e ndërmarra në sistemin e drejtësisë. Duke vënë theksin tek vendimi që mori një ditë më parë Kuvendi i Shqipërisë për miratimin me 84 vota të projektligjit për disa ndryshime në KLD, Berisha tha se tashmë ekzekutivi do të ndikojë në vendimet e gjykatave.

“Dje “aleanca e qelbësirave” Rama-Meta, në kundërshtim të hapur me parimet më themelore të sistemit demokratik të ndarjes dhe kontrollit të pushteteve, në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Deklaratën Universale të të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut të OKB-së, që mishërojnë dhe garantojnë parimin universal të prezumimit të pafajësisë dhe pavarësisë së sistemit gjyqësor, si dhe në kundërshtim me kërkesat e Komisionit Evropian, partnereve tanë kryesor dhe OSBE, votuan dje në Parlamentin e krimit ligjin me të cilin, sapo policia socialiste të ngrejë padi penale për gjykatësit, organi i pavarur KLD duhet të pezullojë gjykatësin nga detyra”, – citohet në mesazhin e Berishës. Berisha thekson se sipas këtij ligji Rama do të mund të zgjedhë, nëpërmjet pezullimit të çdo gjykatësi që nuk i bindet atij, gjykatësin e çështjeve të qytetarëve me qeverinë e tij. “Ky është një ligj antidemokratik, unik në boten e lirë. Bijtë po ecin me shpejtësi drejt etërve!! Sb”, -përfundon mesazhi i deputetit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

 

Largimi i Dules? Rama: I keqardhur nëse reforma bëhet sebeb për largimin nga koalicioni

Pas qëndrimit kundër reformës administrativo-territoriale që kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule mbajti në seancën e së enjtes në Kuvendin e Shqipërisë, Kryeministri Rama tha se do të ndihej i keqardhur nëse do ai do të largohej nga koalicioni i tij qeverisës. “Sigurisht që, do të isha i keqardhur nëse një reformë historike, me të cilën duhet të ndjehet mirë çdo shtetas shqiptar dhe jo vetëm shtetas shqiptar me kombësi shqiptare, por edhe shtetasit shqiptar me kombësi greke, të ishte sebep për t’u larguar nga koalicioni. Sepse do të ishte, në rastin më të mirë, mungesë objektiviteti në vlerësimin e një reforme që do të ndryshojë përgjithmonë Shqipërinë.”.-tha Rama gjatë një konference për mediat. Lidhur qëndrimin që PDIU mbajti në seancën e kaluar parlamentare, Rama tha: Unë fuqinë e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” nuk e llogaris me numrat në Parlament, por e mbështes tek 1 milionë votat që i dhanë “Aleancës për Shqipërinë Europiane” të drejtën që të qeverisë dhe privilegjin që të shërbejë. Që do të thotë se, për sa kohë objektivat ne i realizojmë në funksion të mandatit që kemi marrë në 23 qershorin e shkuar, kjo nuk është një shumicë me 84, 85, 88 apo nuk e di sesa vota, por është një shumicë me të paktën 1 milion vota.

 

“Territorialja”, OMONIA: PBDNJ të ngrijë dorëheqjet

Nw nje deklaratw pwr median, OMONIA i ka bërë thirrje PBDNJ-së, për ngrirjen e zyrtarizmit të dorëheqjeve të përfaqësuesve të saj në poste të larta qeveritare deri në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm Drejtues të OMONIAS, ku do të vendoset për të ardhmen e bashkëpunimit me koalicionin qeverisës. Nga ana tjetër, OMONIA thekson se mbështet pa asnjë ekuivok qëndrimin e kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule. “Mbështet pa asnjë ekuivok qëndrimin e Z. Vangjel Dule, Kryetarit të PBDNJ, gjatë diskutimit të projektligjit, si dhe përshëndet deputetin Vangjel Tavo për pozicionimin e tij, njëkohësisht shpreh keqardhjen për qëndrimin e deputeteve të tjerë minoritarë. Kryesia e OMONIAS rekomandon PBDNJ-në për ngrirjen e zyrtarizimit të dorëheqjeve të përfaqësuesve të saj në poste të larta Qeveritare deri në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm Drejtues të OMONIAS dhe PBDNJ, ku do të vendoset për të ardhmen e bashkëpunimit me koalicionin qeverisës.”-përfundon deklarata e OMONIA-s.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency