Sonila Mesareja
Pëllumb Abeshi: Zbatimi i ligjeve, duhet bashkëpunim mes institucioneve shtetërore dhe vendore
Përmirësimi i cilësisë së ajrit, menaxhimi i mbetjeve e ujërave dhe zbatimi i ligjeve apo direktivave të BE-së konsiderohen si prioritet për Ministrinë e Mjedisit për vitet në vazhdim. Por, që të ketë zbatueshmëri të ligjeve, sipas drejtorit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit, duhet të ketë bashkëpunim mes institucioneve shtetërore dhe atyre vendore. Madje, z.Abeshi i akuzon këta të fundit si neglizhentë në zbatimin e ligjeve, sidomos ato për mbetjet urbane.
Cilat janë masat e marra nga Ministria e Mjedisit për përmirësimin e cilësisë së ajrit?
Lidhur me rekomandimet e BE në fushën e ajrit ju informojmë: Strategjia kombëtare “Mbi cilësinë e ajrit të mjedisit në Shqipëri”, është tashmë një dokument që është miratuar me VKM Nr. 594, datë 10.09.2014. Ai përcakton një sërë masash që duhen ndërmarrë në fushën e përmirësimit të cilësisë së ajrit, duke u mbështetur në problematikën e konstatuar dhe të monitoruar ndër vite. Në këtë aspect, ky dokument adreson dhe programon masa dhe objektiva që duhen përmbushur ndër vite dhe që lidhen kryesisht me sektorin e transportit dhe të industrisë, si dy sektorët që ndotin më shumë ajrin urban. Ligji “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit të mjedisit” u miratua nga Këshilli i Ministrave me Vendim nr.316, date 28.05.2014 dhe është për diskutim në komisionet parlamentare. Së shpejti ai miratohet dhe në zbatim të tij janë hartuar edhe një sërë aktesh nënligjore siç janë VKM “Mbi vlerësimin e cilësisë së ajrit të mjedisit dhe kërkesat në lidhje me disa ndotës”, e hartuar ne zbatim të draft ligjit të ajrit. Ky akt do të kalojë për shqyrtim dhe miratim në Këshillin e Ministrave sapo ligji të miratohet dhe të hyjë në fuqi. Lidhur me fragmentizimin e kompetencave të AKM-së dhe ISHP-së, mund të themi se nuk ka fragmentizim, por duhet kuptuar që nuk ka as monopolizim në çështjet e monitorimit të cilësisë së ajrit. Kështu, AKM ka në dispozicion të saj disa stacione monitorimi të cilësisë së ajrit, të cilat janë vendosur në pika të caktuara në disa qytete. Ajo monitoron dhe i raporton këto të dhëna nëpërmjet raporteve vjetore. Po ashtu, Instituti i Shëndetit Publik ka nën administrim disa stacione të monitorimit të cilësisë së ajrit urban në disa pika të tjera që janë pjesë e sistemit Kombëtar të monitorimit të cilësisë së ajrit. Raporti mbi cilësinë e ajrit është një i vetëm dhe bazohet në rezultatet e të gjitha stacioneve të monitorimit të administruara nga këto institucione. Lidhur me planet e cilësisë së ajrit në nivel vendor, ligji i ri i ajrit përcakton hartimin e tyre nga njësitë e qeverisjes vendore. Gjatë vitit 2015 do të hartohet Plani Kombëtar i Veprimit të Cilësisë së ajrit, dhe mbi bazën e tij do të orientohen organet vendore për hartimin e planeve lokale të cilësisë së ajrit. Ndërkohë, Bashkia e Tiranës ka hartuar një plan të cilësisë së ajrit, e asistuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe është duke e zbatuar atë.
A ka nisur planifikimi i politikave për menaxhimin e mbetjeve? Çfarë po bëhet për menaxhimin e mbetjeve në rang vendi?
Ministria e Mjedisit, në zbatim të detyrave dhe përgjegjësive të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave, ka si fusha te veprimtarisë së saj sa i takon mbetjeve si më poshtë:
- Të hartojë dhe propozojë përmirësimin dhe përafrimin e kuadrit ligjor me direktivat e BE-së,
- të hartojë strategji dhe
- Plane veprimi për mbrojtjen dhe administrimin e Mjedisit.
Përparimi më i madh përsa i përket administrimit të mbetjeve deri tani është bërë në fushën e legjislacionit. Legjislacioni mbi administrimin e mbetjeve në Shqipëri ka përparuar me aprovimin e ligjeve të reja, vendime dhe rregullore/ udhëzime që pasqyrojnë: Qëllimet dhe afatet që parashikohen nga ligjet dhe strategjitë kombëtare janë ambicioze dhe janë në një linjë me kërkesat e BE-së. Një nga objektivat e rëndësishme të kuadrit ligjor dhe arsyeja kryesore e kësaj përqasjeje është krijimi i kushteve të përshtatshme për donatorët ndërkombëtarë (veçanërisht për fondet e BE-së) për të financuar infrastrukturat e nevojshme. Së fundmi janë miratuar: Ligji Nr. 156/2013 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10 463, datë 22.9.2011, “për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, i cili ndalon importimin e mbetjeve në Republikën e Shqipërisë. Ky ligj u hartua për t’i dhënë prioritet ricklimit të mbetjeve që gjenerohen në vend, si dhe për mungesë kapacitetesh në drejtim të një kontrolli sipas kërkesave të KE-së. Në zbatim te ligjit nr. 10463 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve “janë hartuar dhe miratuar 11 akte nënligjore, në zbatim të direktivave të KE-së. Përmbushja e objektivave politike bëhet e mundur nëpërmjet nxitjes dhe thithjes së investimeve private në fushën e menaxhimit të mbetjeve. Projektet që në gjykimin e ministrisë synojnë të realizojnë masat e Planit Kombëtar të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve, jepen me koncesion, në përputhje me ligjin nr. 9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet”, të ndryshuar. Në kushtet aktuale ky është opsioni më i mirë për të thithur investimet private, për të investuar në sektorin e menaxhimit të mbetjeve. Aktualisht janë në proces shqyrtimi dhe miratimi pesë projekte:
- Ndërtimi i landfillit per trajtimin e mbetjeve të Qarkut të Durrësit.
- Ngritja e një sistemi për kthimin e mbetjeve në ambalazhe dhe angazhimin e prodhuesve për nxitjen e sistemit të grumbullimit dhe riciklimit të tyre.
- Administrimi i mbetjeve vajore, portuale dhe atyre të hidrokarbureve.
- Ngritja e një sistemi për administrimin e mbetjeve elektrike dhe elektronike.
- Ndërtimi i një inceneritori për trajtimin e mbetjeve për Qarkun e Elbasanit
Një mekanizëm tjetër për përmbushjen e objektivave kombëtare është edhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Sa i takon fushës së mbetjeve janë në zbatim disa projekte të financuara nga donatorët ndërkombëtare si më poshtë:
- Projekti “Për përkrahje të minimizimit të mbeturinave dhe promovim të 3R në Republikën e Shqipërisë”, me financim të Qeverisë Japoneze, JICA, në të cilin do të përfshihen tre njësi vendore: Tirana, Lezha dhe Komuna Bushat.
- Studim fizibiliteti për ndërtimin e landfillit për Qarkun e Vlorës, financuar nga kfË.
- Po përfundon ndërtimi i landfillit për zonën Jugperëndimore ( nga Himara ne Konispol), financuar nga Banka Botërore.
- Së shpejti fillon ndërtimi i landfillit për Qarkun e Korçës, financuar nga kfË.
Menaxhimi i mbetjeve, përveç politikave, programeve dhe strategjive kërkon një angazhim më të madh në terren të drejtuesve vendorë për të administruar mbetjet sipas standardeve kombëtare. Ajo që vërehet në këtë situatë tregon se shumë njësi vendore janë neglizhente dhe nuk përmbushin kërkesat ligjore për menaxhimin e mbetjeve. Në bazë të ligjit nr. 8652 “ Per organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor’, citohet: menaxhimi i mbetjeve është funksion i bashkisë dhe komunës (neni 10) dhe që nga 1 Janari i vitit 2001 ato janë përgjegjëse për menaxhimin e integruar të mbetjeve.
Vihet re që ka një:
* Mungesë vizioni nga ana e pushtetit vendor për një menaxhim të integruar të mbetjeve.
* Mungesë kapacitetesh.
* Nuk zbatohet parimi “Ndotësi Paguan”.
Tarifa të ulëta për t’ju përgjigjur zbatimit të normave dhe standardeve të miratuara me akte ligjore dhe nënligjore. Ka akoma njësi vendore që tarifa e menaxhimit të mbetjeve varion nga 300 – 1000 lekë/ për familje në vit. Edhe kjo tarifë nuk mblidhet në shkallën e duhur ( 30 – 70 % ).
Riciklimi është mjeti kryesor i mbajtjes së vlerës së burimeve materiale në fund të jetës. Industria e riciklimit në Shqipëri është ende në fillimet e saj dhe ka nevojë për stimuj për ta aktivizuar atë dhe për ta kthyer në një sektor efektiv industrial. Për të arritur objektivat që shtron Strategjia dhe Plani Kombëtar i Menaxhimit të Mbetjeve kërkohet :
* Zbatimi i sistemit të grumbullimit të mbetjeve urbane me tre kosha ( mundësisht brenda vitit 2016 ).
* Ndarja e mbetjeve në burim për qelqin, letrën, plastikën dhe metalet deri në vitin 2018.
* Riciklimi i 25% të mbetjeve urbane deri në vitin 2015.
* Riciklimi i 55 % të mbetjeve urbane deri në vitin 2020.
* Riciklimi i 75 % te mbetjeve urbane deri në vitin 2025.
Konstatimi tjetër në progres-raport kishte të bënte me cilësinë e ujit dhe për menaxhimin e integruar të ujërave. Çfare po bëhet në këtë sektor? Kur pritet të vihen në funksionim impiantet e ndërtuara dhe kur do përfundojnë dy të tjerët që janë në ndërtim?
Ministria e Mjedisit, si institucion qëndror është përgjegjës për politikat në menaxhimin e burimeve ujore dhe krijimin e një kuadri ligjor Kombëtar. Ajo që është bërë tashmë në fushën e ujërave ka të bëjë me miratimin e ligjit për menaxhimin e burimeve ujore, i cili është plotësisht i përafruar me diraktivën bazë të BE-së për ujërat si dhe me standardet ndërkombëtare. Në zbatim të tij janë hartuar dhe një sërë aktesh nënligjore që lidhen me zbatimin e ligjit. Sa i takon menaxhimit dhe hartimit të politikave në këtë fushë, Ministria në bashkëpunim me Bankën Botërore, Qeverinë Franceze është duke punuar për hartimin e planeve të menaxhimit të lumit të Drinit, Vjosës dhe Semanit. Po ashtu. në kuadër të kësaj asistence, Ministria ka filluar procesin e kontraktimit të konsulentëve për hartimin e Strategjisë Kombëtare për burimet Ujore dhe të Kadastrës kombëtare të burimeve ujore. Këto janë dy dokumente shumë të rëndësishëm mbi bazën e të cilave do të programohen masa dhe aktivitete në të ardhmen në këtë fushe. Sa i takon çështjes së cilësisë së ujërave dhe trajtimit të tyre, Ministria e Mjedisit është përgjegjëse për monitorimin e cilësisë së tyre dhe kjo raportohet çdo vit nëpërmjet raportit vjetor të gjendjes së Mjedisit që publikohet nga AKM. Furnizimi me ujë të pijshëm, trajtimi i ujërave të përdorura si dhe investimet e planifikimet në këtë fushë janë përgjegjësi e Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës dhe Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit. Gjithësesi, edhe në këtë fushë ka një sërë projektesh në proces përfundimi ose të përfunduara, siç janë sistemi i trajtimit të ujërave të ndotura në Shëngjin të Lezhës, apo projektet e planifikuara të zbatohen për qytetin e Tiranës që paraqet dhe burimin më të madh në vend për gjenerimin e ujërave të ndotura Urbane.