Nga Marin Soresku
Poezi e Marin Soreskut – e shqipëruar nga origjinali rumanisht, Perikli Jorgoni – e cilësuar si poezia më e mirë e shkruar në kushtet totalitariste
S’më merr malli të takohem me njeri,
As të këndoj,
As të bëj festa të bujshme.
S’organizoj përvjetorë as për dhjetëvjetorin,
E as për dymbëdhjetë vjetorin,
Dhe as në gjysmën e të njëzetës…
Nuk më lëvizin për 9 e gjysëm,
Për tetë, a për shtatë muaj,
Gjer në…
Nuk lëviz nga përsosmëria,
Që kur më del gjumi në mëngjes e gjer natën vonë.
(sepse kam të tjera shqetësime dhe probleme)
Nuk më pëlqen të mburrem,
As të duartrokas e as të bërtas,
( siç e shihni buzët i kam të mbyllura)
E të puthitura fort)
Nuk merrem me tejkalime,
S’më bëjnë përshtypje grafikët e korrjeve të bollshme,
As shprehjet “Të mbjellat kanë arritur kuotën më të lartë”!
As njoftimet publicistike të ethshme:
“Kanë mbetur dhe dy ditë nga përfundimi i korrjeve”
As sloganet mobilizuese:
“Çdo gjë për eksportin!”
Nuk dehem nga mushti i detyrave të përditshme,
Dhe nuk tundem fare.
Pa qenë nevoja të më ulërijnë në daulle të veshit,
E kuptoj se në ç’periudhë kohë rrojmë.
E di qartë se ku shkojmë kështu çapshpejtë,
Ku kemi arritur,
Dhe i njoh mirë mundimet e sakrificat e pareshtura.
Një mendim, një qëllim, një vullnet i vetëm,
Më duken pak për një jetë të vetme.
Qëndroj larg kënaqësisë dhe dehjes së euforisë,
Mirënjohjes së shtirë hipokrite,
Sepse njoh kujdesin e përhershëm, ankthin shtypës,
Dhe pikërisht kjo më shqetëson e më mundon në shpirt.
Nuk veproj si një njeri që s’mund të mirret vesht me të tjerët
E kuptoj se doni të shkoni më tej, më larg se kaq,
Por mos u mbështesni tek unë,
Si qëllim strategjik nuk kam ndërtimin.
Prandaj, mos u mbështesni tek unë.
Qëllimet tuaja janë si shumë të mëdha,
Ndërsa unë, mjerisht, jam i vogël, i harruar,
Dhe, pothuajse, pa asnjë lloj peshe.
Çfarë mund të jem unë për ju?
Çfarë mund të jem?
Unë jam veçse populli rumun,
Prandaj mos u mbështesni tek unë!