Baloteli me kreshtë të verdhë me rast eliminimi

0
153

baloteliItalia u rikthye në Romë pas eliminimit që në fazën e grupeve në Kupën e Botës “Brazil 2014”. Edhe pse në pamje të parë të jepet ideja se futbollistët janë të mërzitur, këtë ndjesi nuk ta jep Mario Baloteli, shumë i kritikuar në sfidën vendimtare ndaj Uruguait. Me të mbërritur në aeroportin e Malpensës, Super-Mario nxori në pah edhe look-un e tij më ri: kreshta qëndron, por tashmë është bionde. Kujtojmë që lojtari këto ditët e fundit ka marrë shumë kritika. Specialistë futbolli, lojtarë, por edhe ish-lojtarë të kombëtares italiane kanë kritikuar rolin e tij në skuadër. Sipas mendimit të shumicës, lojtari i Milanit është mbivlerësuar shumë. Një element ky që ka ndryshuar lojtarin, i cili tashmë do t’i duhet shumë punë që të vërtetojë të kundërtën.

 

 Cana dhe Monika, vizitë në fshatin SOS

Kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana, dhe bashkëshortja e tij italiane Monika kanë vizituar fshatin SOS në Prishtinë. Përveç dhuratave të shumta, futbollistit i Lacios ka dalë vullnetar edhe në dhurimin e gjakut. Kapiteni kuqezi njihet për aktivitetet e tij në ndihmë të personave në nevojë, madje është zgjedhur kohë më parë si ambasador i UNICEF-it dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë. “Në vazhdën e aktiviteteve të Javës SOS, ne sot patëm nderin të presim futbollistin e mirënjohur, Lorik Cana me familjen e tij. Përkrahës shumëvjeçar i fëmijëve tanë, Loriku kaloi paraditen sot me fëmijët dhe më pas iu bashkëngjit nismës së punëtorëve të Fshatit SOS për dhurimin e gjakut Falënderojmë Njësinë e Transfuzionit të Gjakut në Prishtinë dhe familjen Cana për gatishmërinë për të na përkrahur në çdo mënyrë!”, – thuhet në faqen zyrtare të SOS, Fshatrat e Fëmijëve Kosovë.

 

Van Gali shpërblen futbollistët, festojmë me familjet dhe të dashurat

Rezultatet e mira sjellin edhe përfitime për lojtarët e Holandës. Trajneri i kombëtares, Luis van Gal, ka gjetur mënyrën e duhur për ta motivuar skuadrën e tij gjatë Kupës së Botës “Brazil 2014”. Sekreti i teknikut të ardhshëm të Mançester Junajtid, për të triumfuar thellësisht me Spanjën (1-5) ishte leja që iu dha futbollistëve të tij për të pasur vizita nga bashkëshortet dhe të dashurat e tyre, dy herë para ndeshjes. Por ky trend duket se do të vazhdojë. Pasi siguroi vendin e parë në grupin B, me 3 fitore në 3 ndeshje, Van Gali u ka dhënë sërish leje futbollistëve të tij që të kenë mundësi të takojnë partneret dhe familjarët e tyre, madje të kalojnë edhe disa orë relaksi në shoqërinë e tyre. Holanda luan ndeshjen e ardhshme përballë Meksikës, e vlefshme për 1/8-at e Kupës së Botës.

Gjyshi, kritikë Mesit: Nuk po vrapon mjaftueshëm

Edhe pse mund të kesh ftuar katër herë Topin e Artë, përsëri mbetesh një nip dhe gjyshi mund të gjykojë. Antonio Cuçitini, gjyshi nga nëna i Leo Mesit, ka thënë se nipi i tij nuk po e bind aspak në këtë Botëror. “Leo nuk po vrapon më, nuk më bind. Jam njeri i sinqertë dhe i them gjërat që mendoj”, – deklaroi gjyshi i yllit të Barcelonës dhe kombëtares argjentinase për “Canal 3” të Rosarios. “E shikoj të plogësht, në Spanjë është më shpërthyes. Atje i driblon të gjithë kundërshtarët që i dalin para”, – shtoi Cuçitini. Gjithsesi, gjyshi beson se nipi i tij do t’u kthehet sërish niveleve të larta: “Me siguri që do të luajë më mirë. Nuk është Zoti, nuk mund t’i kërkojmë çdo gjë”. Lojtari ka treguar një formë impresive, duke shënuar plot katër gola për Argjentinë. Kapiteni deri më tani është më vendimtari dhe e ka treguar më së miri që është një shtyllë që e mban kombëtaren para.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency