Përcaktimi i egër i kufijve në Lindjen e Mesme  

0
129

633_400_20_06_14_102796_a

DW

Rebelët e ISIS po luftojnë në Irak për vendosjen e shtetit të Zotit. Ata i referohen Perandorisë Osmane, por as ajo kohë nuk ishte tepër e mirë për arabët. Kjo është më shumë propagandë.

Një kolonel britanik dhe një konsull i përgjithshëm francez janë paraardhësit e ngjarjeve dramatike në Irakun e sotëm: Mark Sykes dhe François Georges-Picot e kanë harmonizuar në vitin 1916 marrëveshjen e njohur sipas emrit të tyre “Marrëveshja Sykes-Picot”. Ata në mënyrë sekrete i kanë ndarë rajonet e dikurshme të Perandorisë Osmane, pa vërejtur populli asgjë.

E veçanta e kësaj: në atë kohë ende ekzistonte Perandoria Osmane. Kalif, pra udhëheqës politik dhe personal, në atë kohë ishin fillimisht sulltan Mehmedi V (1909-1918) dhe Mehmedi VI (1918-1922). Kalifati osman mori fund në nëntor 1922 pas themelimit të Turqisë nga Kemal Atatürku.

 

Përcaktimi i vijave kufitare

Forcat e mëdha ushtarake në atë kohë, Franca dhe Britania e Madhe, kishin interesa të mëdha ndaj këtij rajoni mes detit Mesdhe dhe Gjirit Persik. Në Londër në fillim të shekullit 20 udhëheqësit e këtyre vendeve e kishin kuptuar rëndësinë e qasjes në burimet e naftës. Ndërkohë që kjo zonë ishte larg nga kurora mbretërore e Indisë. Qeveria në Paris kishte edhe raporte të ngushta tregtare me qytetet e mëdha porte, si Bejruti, Sidoni dhe Tyrus.

Fati i vendasve nuk u interesonte fare fuqive të mëdha. Britaniku Brite Sykes tërhiqte linjat kufitare sipas dëshirës, me një vizë lapsi: nga Kirkuku në Irakun e sotëm e deri në Haifa, rreth 1000 kilometra më larg. “Krijimi i një shteti artificial ka shkaktuar gjatë dekadave të kaluara konflikte të shumta”, – thotë Henner Fürtig, drejtor i Institutit GIGA, për Studime të Lindjes së Mesme në Hamburg. “Këto çështje janë të pazgjidhura prej dekadash dhe shumë shpesh shpërthejnë konflikte, si tani me sulmet e organizatës ISIS, në veri të Irakut”.

 

Moskuptimi i historisë

Ndaj në rajon janë krijuar vende me grupe të shumta etnike dhe fetare. Pikërisht këtu e ka zanafillën edhe grupi terrorist “Shteti Islamik në Irak dhe në Levante” (ISIS), i cili kërkon krijimin e një shteti gjithislamik, në formën e kalifatit të madh. Vetë emri tregon se ata duan që të bëjnë të pavlefshme kufijtë e shpallur nga fuqitë imperialiste perëndimore, thotë Fürtig.

Forma më e mirë e qeverisjes për ta ishte ajo para 400 vitesh në kohën e sundimit osman. Ajo, që luftëtarët e ISIS harrojnë, është se osmanët ishin ata, që sundonin arabët në Kalife. Megjithatë Kalifati është një formë e shtetit natyral tek muslimanët, mendon Henner Fürtig. “Nuk e kam fjalën për mundësinë e realizimit, por për atë që pjesërisht me sukses përhapet përmes propagandës”.

 

Pa frikë nga shkatërrimi

Gjithnjë e më shumë vëzhgues paralajmërojnë mundësinë e shkatërrimit të rendit politik të këtij vendi, si pasojë e ndërhyrjes së luftëtarëve të ISIS. Henner Fürtig i sheh këto përzierje të grupeve të ndryshme etnike dhe fetare të vendeve të rajonit, si jo tepër dramatike: “Pasojat e shkatërrimit të Irakut nuk do të ishin të mira as për Iranin dhe Turqinë. Kjo nuk dëshirohet”.

Ky vend, sipas tij, ka përvoja të mëdha me shqetësime dhe kriza të mëdha: “Lufta civile në Irak në vitin 2006 ishte po aq e rëndë, sa edhe konflikti i tanishëm. Atëherë ka pasur për një vit 34.000 civilë të vrarë, ndërkohë që shteti ka mbetur unik”.

 

SHBA, e gatshme për të vepruar në Irak

Duke pasur parasysh kërcënimin e Irakut nga luftëtarët sunitë të ISIS, SHBA po e përshpejton ritmin. Edhe para formimit të qeverisë së re irakiane, SHBA është e gatshme për veprime ushtarake, tha ministri i jashtëm Kerry. “Luftëtarët e ISIS përbëjnë një rrezik”, – tha ministri i Jashtëm i SHBA-së, John Kerry, sipas Departamentit të Shtetit të hënën gjatë një vizite në Bagdad. “Atyre nuk mund t’u jepet askund një strehë më e sigurtë”. Presidenti Barack Obama në rast nevoje nuk do të tërhiqet nga ndërmarrja e masave ushtarake, edhe pse qeveria e re nuk është krijuar plotësisht.

 

Kerry kërkon reforma nga Maliki

Në të njëjtën kohë, Kerry kërkoi përparime të shpejta në formimin e qeverisë në Bagdad. “Iraku po përballet me një kërcënim ekzistencial dhe udhëheqësit irakianë duhet t’i përgjigjen me shpejtësinë e nevojshme këtij kërcënimi”, tha ministri i jashtëm. Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kërkojnë një qeveri, në të cilën janë të përfaqësuar të tri grupet e mëdha të popullsisë, shiitët, sunitët dhe kurdët. Këtë të martë Kerry udhëtoi në rajonin autonom kurd në Irakun e Veriut. Sipas njoftimeve, ai donte të bindte udhëheqjen e kurdëve për të marrë pjesë në një qeveri të re në Bagdad.

 

Al-Maliki do të vazhdojë të qeverisë

Kryeministri Nuri al-Maliki, shiit, në pushtet që nga viti 2006, akuzohet se ka përjashtuar sunitët dhe kurdët. Kjo politikë bëhet përgjegjëse për krizën aktuale në Irak. Kryeministri refuzoi megjithatë të japë dorëheqjen. Sipas portalit të lajmeve “Al-Sumaria”, ai tha gjatë takimit të tij me Kerryn se forca më e madhe politike në vend duhet të formojë qeverinë e ardhshme. Partia e Al-Malikit, “Aleanca e Shtetit Ligjor”, doli fituese nga zgjedhjet parlamentare në prill.

Grupi terrorist sunit ISIS (shteti islam në Irak dhe Siri) ka nisur një sulm të ri në Irak dy javë më parë duke vënën nën kontroll shumë pjesë të vendit. Luftëtarët e ISIS vijnë nga veriu dhe nga lindja drejt Bagdadit. Qëllimi i tyre është krijimi i një shteti islamik nga Mesdheu në Gjirin Persik. Obama deklaroi javën e kaluar se SHBA, nëse është e nevojshme, është e gatshme për sulme precize ushtarake kundër ekstremistëve. Presidenti i SHBA-së njoftoi dërgimin e deri në 300 këshilltarëve ushtarake, për përjashtoi kategorikisht angazhimin e trupave të këmbësorisë.

 

Irani forcon mbrojtjen e kufirit

Ushtria irakiane, sipas të dhënave të veta, ka rimarrë nga xhihadistët një kalim kufitar me Sirinë. Pas Jordanisë edhe Irani ka forcuar mbrojtjen e kufijve të tij me Irakun fqinj. Kjo është një masë parandaluese për të penguar përhapjen e dhunës, tha ministri i Brendshëm, Abdolresa Rahmani-Fasli, në Teheran.

Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeierm, ka inkurajuar ndërkohë bisedime direkte ndërmjet Iranit dhe Arabisë Saudite për krizën në Irak. “Pa një marrëveshje ndërmjet Riadit dheTeheran konflikti është vështirë të zgjidhet”, – tha politikani socialdemokrat në gazetën “Bild”. Bisedimet ndërmjet të dy shteteve mund të kontribuojnë për qetësimin e gjendjes në Irak.

Por raporti i dy fuqive rajonale, megjithatë, është i tendosur. Irani e sheh veten si mbrojtës i shiitëve dhe është një aleat i ngushtë i Al-Malikit. Mbretërisë sunite të Arabisë Saudite i duhet të mbrohet kundër akuzave se bën pjesë ndër mbështetësit kryesorë të ISIS.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency