Baloteli stërvitet gjysmënudo

0
171

BalotelliItalia vijon përgatitjet e saj të fundit në Koverçano para se të niset drejt Brazilit, ku e presin fillimisht Anglia, Uruguai dhe Kosta Rika. Dhe sa herë që flitet për kombëtaren e Çezare Prandelit në qendër të vëmendjes është Mario Baloteli. Sulmuesi i Milanit është gjithmonë protagonist, jo vetëm me lojën dhe zënkat në fushën e lojës, por edhe me tekat jashtë saj. Rasti më i fundit ka ardhur dje, kur SuperMario është parë në stërvitje gjysmënudo, thua se ishte duke shkuar në plazh. Ndërkohë që vetëm para dy ditësh lojtari deklaroi se është lojtari më i mirë në botë. Një ego për t’u admiruar, por që urrehet edhe nga shumë. Element ky që e bën Balon unik në stilin e tij.

 

 Vdes pronari i Mançester Junajtid, Malkolm Glezer

 Është shuar në moshën 85-vjeçare pronari amerikan Malkolm Glezer, familja e të cilit e bleu klubin legjendar anglez në majin e vitit 2005 për 790 milionë paund, pavarësisht protestave të shumta në atë kohë nga tifozët. Megjithatë historia e suksesit për djajtë e kuq vazhdoi, duke fituar nën drejtimin e Malkolm Glezerit 5 tituj kampionë në Premier League, si dhe trofeun e Champions League në vitin 2008. Lajmi për ndarjen nga jeta të biznesmenit 85-vjeçar u dha fillimisht përmes një deklarate nga skuadra e futbollit amerikan, Tampa Bay Buccaneers, që ashtu si Junajtid, është në pronësi të familjes Glazer. Pavarësisht ndarjes së Malkolm Glezer nga jeta, nuk pritet ndonjë pasojë negative në skuadrën që së shpejti do të ketë trajnerin Van Gal në stol, duke qenë se familja e biznesmenit amerikan zotëron 90% të aksioneve. Të tre djemtë e lindur në Nju Jork, Brajan, Xhoel dhe Avram janë pjesë e bordit në kupolën drejtuese të Junajtid. Për sa i përket suksesit përtej kontinentit evropian, Tampa Bay Buccaneers me pronar dhe president Malkolm Glezer që prej vitit 1995, ka arritur triumfin e vetëm në Super Bowl, 12 vjet më parë.

 

Draksler dhe Houdes aksidentohen gjatë xhirimeve

Aksidenti që u regjistrua në qendrën stërvitore të Gjermanisë në Alto Adige, me dy persona që mbetën të plagosur pasi u përplasën me makinë nga një pilot i DTM i shoqëruar nga Benedict Houdes ka krijuar jo pak pështjellim në radhët e përfaqësueses së “Pancerave”. Menaxheri kombëtares, Oliver Bierhof në një konferencë për shtyp ka deklaruar se Houdes dhe Julian Draksler, i cili ishte në makinën tjetër i shoqëruar nga Niko Rosberg kanë kërkuar konsultimin me një psikolog pasi kanë mbetur të shokuar nga ngjarja e ndodhur. Kjo nuk dihet nëse do të ndikojë në paraqitjen e tyre në fushë por stafi po bën gjithçka që është e mundur për t’i bërë ata të kalojnë sa më shpejt këtë situatë të rëndë. Gjithashtu raportohet se dy personat e aksidentuar janë jashtë rrezikut për jetën, por njëri prej tyre, turisti 63 vjeçar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur ka theksuar se mund të kishte humbur jetën nga kjo përplasje. Federata Gjermane e Futbollit dhe Mercedes kanë nxjerrë gjithashtu dhe një komunikatë për shtyp, nëpërmjet së cilës kërkojnë mirëkuptim për këtë çështje dhe se po bashkëpunojnë me forcat e rendit italiane për zbardhen sa më shpejt të ngjarjes.

 

Reali kërkon t’i rrëmbejë Barçës Aguerron

Sipas asaj që shkruan tabloidi britanik “Daily Star”, Real Madrid është gati të paguajë plot 75 milionë euro për kartonin e sulmuesit të Mançester Sitit, Serxho Aguerro. Karlo Ançeloti kërkon një sulmues klasi për sezonin e ardhshëm duke parë rendimentin e dobët të Karim Benzema dhe argjentinasi është profili i duhur për “Los Blancos”. Kun Aguerro ka qënë pjesë e Atletiko Madrid para se të shkonte në Premier League, ndërsa për të interesohet edhe Barcelona. Duke pasur parasysh dhe miqësinë që ka me Mesin lojtari është lidhur shumë me skuadrën katalanase. Mirëpo shifra e ofruar nga Reali vështirë se e çon sulmuesin drejt “Camp Nou”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency