Zgjedhjet në PE/ Me europianistët, shpresë për statusin. Kreu i PD-së: Shqipëria në BE, me të djathtën në qeverisje  

0
104

Gëzim Saliu

Parlamenti EvropianBerisha: Evropa e tronditur, por jo e kërcënuar. Shqipëria s’mund të ketë plan B, vetëm BE-në

Kreu i Partisë Demokratike përgëzoi dje fitoren e grupimit të djathtë në zgjedhjet në Parlamentin Evropian, duke theksuar se pavarësisht se forcat euroskeptike përfituan terren, partitë evropianiste shtojnë shpresat për marrjen e statusit kandidat nga Shqipëria. “Forcat politike europianiste, të djathta, të qendrës dhe të majta, e ruajtën avantazhin e thellë ndaj euroskeptikëve, pavarësisht prej avancimit të tyre në ndonjë vend të veçantë. Vota e ditës së djeshme mban hapur perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe është një sinjal i fuqishëm për të shpresuar në marrjen e statusit të vendit kandidat në muajin e ardhshëm. Si forcë politike, natyrisht, kemi edhe një gëzim tjetër të madh, që lidhet me rikonfirmimin Partisë Popullore Evropiane si forca e shumicës në Parlamentin Evropian”, – tha Basha. Në këtë kontekst ai deklaroi se votimet në PE janë një nxitje për demokratet në kuadër të projektit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. “Parandjenja më thotë se në vazhdën e arritjeve më të shënuara në fushën e integrimit evropian e euroatlantik të Shqipërisë, kjo ditë do të vijë me demokratët në qeverisje. Ne do të punojmë, siç po punojmë për të, edhe tani në opozitë”, – deklaroi kreu i PD-së.

 

Berisha

Po ashtu edhe ish-kryeministri Berisha komentoi dje zgjedhjet në Parlamentin Evropian, ku e cilësoi dyfishimin e rezultatit nga ana e forcave ekstremiste e antievropiane si lajm tronditës, por jo kërcënues për konfigurimin e hartës së Evropës. “Në dy vendet më kryesore të Evropës, në Francë dhe Britaninë e Madhe, fitues të zgjedhjeve janë forcat antievropiane, anti-BE. Por të tilla forca dominuan edhe në Danimarkë edhe në Greqi. Morën një pozicion të fortë në Itali, dyfishuan edhe në vendet e tjera pozicionet e tyre. Kryeministri i Francës e quajti një tërmet për Francën. Ajo që ndodhi në Britaninë e Madhe, ku pas 104 vjetësh, një forcë tjetër politike, krahas dy tradicionaleve, del fituese në zgjedhje, ndonëse zgjedhjet i fitoi qendra e djathtë dhe kandidati i qendrës së djathtë, një evropian i shquar si Juncker. Mbi dyfishimi i rezultateve nga ekstremi i djathtë përbën një problem realisht serioz, për Evropën, problem që u fuqizua nga kriza në të cilën kaloi Evropa në këto vite por fatmirësisht kjo krizë po shkon drejt zgjidhjes. Në tërësinë e vet, BE është i tronditur, por jo i kërcënuar”, – tha Berisha në një intervistë për “TV Klan”. Sa i përket Shqipërisë, ish-kreu i qeverisë shqiptare tha se rikonfigurimi i hartës së Evropës, nuk do të ndikojë në marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Ai u shprehet i sigurt se, vendi i ka përmbushur ndër vite reformat dhe se i vetmi plan që duhet të ketë Shqipëria është rrugëtimi drejt Evropës. “Unë mendoj se ky konfigurim i ri nuk mund të ketë ndikim dhe nuk duhet të ketë ndikim në statusin e Shqipërisë mbasi ky status për Shqipërinë është plotësisht i merituar. Shqipëria pati disa probleme të krijuara nga Edi Rama me tri ligjet më pas u ndërrua qeveria dhe kishte një moment mosbesimi, por këto janë tashmë të kapërcyera dhe Shqipëria e meriton plotësisht statusin. Kam besimin më të madh se në qershor do të jepet statusi. Ky i fundit nuk është një proces apo nja akt i një momenti apo disa muajve. Por është një univers reformash të ndërmarra për vite të tërë. Por duke shprehur bindjen me 99.9%, le ta majmë edhe 0.1% ku ne s’marrim statusin, Shqipëria sërish nuk mund të ketë asnjë plan tjetër B, përveç planit E, Evropën”, – theksoi ish-kryeministri Berisha.

 

Eksperti spanjoll për drejtësinë/ Urias: Kryeprokurori të zgjidhet me shumicë votash, Nishani e Naço, jo pjesë e KLD-së

Eksperti spanjoll Joaquin Urias, i cili për katër vite drejtoi misionin evropian të asistencës në sistemin e drejtësisë, Euralius 3 tha dje se gjendja e përgjithshme e Drejtësisë në është shumë e keqe. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ai foli për problemet e shumta që ka sistemi i drejtësisë duke theksuar se më kryesori mbetet korrupsioni, por gjithashtu dhe ndërhyrjet politike apo lidhjet gjykatës-politikë. “Problemi më kryesor, ndoshta numër 1 është korrupsioni. Korrupsioni, nuk është vetëm ai që njerëzit mendojnë, marrja e parave. Korrupsion do të thotë gjithashtu se shumë vendime gjyqësore merren për shkak të influencave politike. Korrupsion është sa herë merret një vendim i cili nuk është i bazuar në ligj, por në interesa të tjera. Korrupsioni përfshin gjithashtu dhe ndërhyrjet politike”, – tha ai. Nga ana tjetër, Urias shpjegoi dhe ndërhyrjet e nevojshme që do të përmirësonin situatën, duke saktësuar se për to është i nevojshëm një vullnet i qartë politik. “Nevojitet në mënyrë absolute një reformim i kushtetutës. Dhe kur them një reformim i Kushtetutës, kam parasysh një reformë të bërë me mbështetjen e opozitës dhe një konsensus të gjerë në vend. Në kushtetutë duhet parë çështja e Gjykatës së Lartë, e cila është gjykata më e rëndësishme e vendit dhe anëtarët e saj zgjidhen nga parlamenti me një shumicë të thjeshtë. Duhet të ndryshohet Këshilli i Lartë të Drejtësisë, i cili është institucioni i cili garanton pavarësinë e gjykatësve, por aktualisht nuk është i tillë. Në KLD duhet të shmanget që presidenti i Republikës, i cili është një politikan, të marrë pjesë. Duhet të shmanget dhe pjesëmarrja e ministrit të Drejtësisë sepse dhe ai gjithashtu është një politikan. Reforma të tjera është edhe ajo për prokurorin e Përgjithshëm. Prokurori i Përgjithshëm në Shqipëri zgjidhet sërish nga parlamenti, gjë e cila paraqet disa probleme, plus që ai ka një pushtet shumë të madh mbi prokurorët e tjerë. Kështu që, nëse do ndryshohet Kushtetuta, zgjedhja e prokurorit të Përgjithshëm, nëse do doni që të jetë sërish nga parlamenti, të jetë me mbështetjen e të gjitha forcave politike, jo që shumica të caktojë prokurorin e saj”, – bëri të ditur disa nga piketat kryesore të skemës së reformën në drejtësi të propozuar nga Euralius. Ndërkaq, Urias kritikoi edhe qëndrimet shpesh jo të forta sipas tij të Komisionit Evropian, i cili duhet të shtyjë Shqipërinë drejt reformave të plota, deklaron ish drejtuesi i misionit. “Realiteti është se Komisioni Evropian e di që përparimi në fushën e drejtësisë në Shqipëri nuk është aq i madh. Por Komisioni nuk po tregohet i ashpër aq sa duhet me qeveritë e ndryshme shqiptare për t’i nxitur që të bëjnë reformat që duhen. Pra, misioni ynë mund të jetë efikas, por nëse qeveria nuk ka një vullnet politik, dhe Komisioni evropian nuk është i fortë për të thënë realisht të vërtetën dhe për t’i shtyrë që të bëjnë reforma, atëherë këto reforma nuk do të përfundojnë asnjëherë”, – deklaroi eksperti spanjoll Joaquin Urias.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency