Basha: Paratë e drogës, për zgjedhjet e ardhshme. Skema e re e PD-së në terren e Kuvend  

0
153

Gëzim Saliu

Basha ne grupKreu i PD-së: Aleanca Kombëtare kundër Drogës do zgjerohet. Qeveria po lufton e po heton opozitën

 “E vërteta e ka rrëzuar Edi Ramën, nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të zgjedhë orën e largimit”

 Partia Demokratik dhe opozita do ta vazhdojnë deri në fund betejën me mazhorancën qeverisëse për çështjen e trafikut të drogës, si përmes protestave, ashtu nëpërmjet paketave me propozimet ligjore si edhe debatit politik në Kuvend. Kështu bëri të ditur dje krye opozitari Lulzim Basha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, duke nënvizuar nga ana tjetër kërkesën për një angazhim më të madh në terren në kuadër të sensibilizimit të qytetarëve e kryesisht të rinjve për çështjen e narkotrafikut si edhe zgjerimit të Aleancës Kombëtare kundër Drogës. “Aleanca kombëtare e krijuar për këtë qëllim do të mblidhet kësaj jave për të përcaktuar një program të detajuar të veprimeve dhe propozimeve të saj në funksion të qëllimit për të cilin është krijuar, duke filluar me sensibilizimin e mëtejshëm të publikut, rinisë studentore dhe rinisë në përgjithësi, duke vazhduar me përgatitjen e një pakete propozimesh në rrafshin ligjor dhe për përcaktimin e kalendarit të ri të aksionit opozitar. Ne duam, synojmë e do të punojmë për zgjerimin maksimal të kësaj aleance jetike, duke ftuar të marrin pjesë të gjitha partitë dhe organizata e shoqërisë civile që ndajnë me ne dhe këtë aleancë qëndrimet e saj të shpallura”, – tha Basha.

 

Protestat dhe zgjedhjet

 Duke e cilësuar protestën e së premtes së kaluar si një ngjarje të madhe për demokracinë, Basha tha se përvoja evropiane dhe botërore ka treguar se përballjet qytetare dhe popullore me fenomenin e krimit të organizuar dhe narkotrafikun kanë kërkuar kohë. “Ndaj jemi shumë të entuziazmuar e të inkurajuar nga protesta, që na impenjon për të vazhduar përpara, për të forcuar e zgjeruar Aleancën Kombëtare kundër Narkotrafikut, për të organizuar e drejtuar protesta të reja, akoma më të mëdha e më gjithëpërfshirëse derisa karteli i drogës të marrë arratinë, derisa përgjegjësit politikë me Edi Ramën në krye të largohen nga qeveria”, – theksoi kreu i PD-së. Më tej, Basha bëri të ditur se debati në parlament do të vazhdojë të mbetet vija e parë për deputetët e grupit demokrat si edhe aleatët e PD-së, por nga ana tjetër sipas tij rol parësor do të kenë edhe takimet e ligjvënësve me zgjedhësit dhe qytetarët për të përcjellë mesazhet e protestës së të premtes si edhe për të konsultuar veprimet e reja dhe aksionin e ri. Ndërkaq, Basha pohoi se beterja kundër trafikut të drogës duhet të fitohet me çdo kusht pasi sipas tij nuk ka e nuk do të ketë Shqipëri evropiane me narkotrafikun e shtuar këmbëkryq në vend. “Nuk ka e nuk do të ketë zgjedhje të lira në Shqipëri me lumin e parave të pista të narkotrafikut e krimit të organizuar, që pasi ka bërë provat e para për blerjen e pjesshme të zgjedhjeve të kaluara, përgatitet, nëse do ta lejojmë, të japë goditjen e madhe të nokautit për demokracinë dhe shtetin ligjor në vend. Para të pista, zgjedhje të pista, pushtet i pisët!”, theksoi Basha. Në këtë kontekst, kreu i demokratëve dha mesazhin e tij ndaj kryeministrit Rama, për të cilin tha se opozita dhe qytetarët e kanë përballë jo si kundërshtar politik, por si kreun e një kupole që lundron prej muajsh në mynxyrën e narkotrafikut. “E vërteta e ka rrëzuar Edi Ramën. Ia thamë në protestë dhe dua t’ia përsëris: Nuk i ka mbetur veçse të zgjedhë orën e largimit. Sa më shpejt aq më mirë. Nuk pret njeri të kapet me thesin e kanabisit, të heroinës apo kokainës në kurriz. Nuk pret njeri të zbulohet ndonjë qarkore ku ai instrukton dhe inkurajon kartelin e drogës. Por largim i tij është zgjidhja, largimi i tij është imperativi, largimi i tij është fitorja e parë e madhe mbi narkotrafikun, largimi i tij është i paevitueshëm”, – deklaroi kreu i PD-së dhe opozitës, Lulzim Basha.

 

 Reagimi i Ramës ndaj protestës/ Kreu i PD-së: Kujtoi se protestuesit do vepronin si në kohën kur ai ishte në opozitë

Në fjalën e tij në grupin parlamentar demokrat, Basha i dha përgjigje edhe reagimit të kreut të qeverisë, Rama, për protestën e organizuar nga opozita të premten e kaluar përballë Kryeministrisë. Sipas kreut të PD-së, deklarata e Ramës ishte inkurajimi i radhës për narkotrafikun si edhe shprehje e qartë e qenies de fakto i dorëhequr dhe i rrëzuar moralisht si Kryeministër. “Nuk foli si Kryeministër. Foli si një komik i konsumuar. Nuk kishte dëgjuar asnjë mesazh nga moria e mesazheve me rezonim të gjerë shoqëror e politik që dha protesta popullore. Paska qenë në ankth se mos protestuesit e opozitës së sotme kishin në mendje nga ato gjëra me të cilët frymëzonte dhe ndërsente ai protestuesit e tij të dhunshëm kur ishte në opozitë. Qytetarët e kanë rrëzuar Edi Ramën që në momentin kur doli zbuluar si gënjeshtari më i madh për drogën me avionë”, – theksoi Basha.

 

Protestat për largimin e Ramës/ Bumçi: Opozita, betejë kundër narkotrafikut dhe jo për karrige

Deputeti demokrat Aldo Bumçi deklaroi dje se në qendër të kërkesës për largimin e Kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij si përgjegjëse për trafikun e drogës nuk është synimi për të marrë pushtetin. Sipas tij, edhe protestat e zhvilluara kundër qeverisë kemi të bëjmë me një betejë dhe jo me kërkesë për karrige. “Kishte një pjesëmarrje të lartë dhe kjo nuk është betejë që fitohet vetëm me një betejë. Nuk kërkojmë karrige, por nuk do ketë të ardhme as për ata fëmijë, familjet e tyre kanë votuar për PS. Qeveria në këta 9 muaj qeverisje përveç narkotrafikut, i vetmi me një rritje 6 herë më shumë, s’ka bërë asnjë përmirësim”, – tha ai për “News 24”. Sa u takon akuzave që ka lëshuar opozita ndaj PS-së në lidhje me blerjen e votave, Bumçi u shpreh se PD po bën analizën e humbjes së kësaj partie. “Pas 5 vitesh krizë ekonomike, shikim disa probleme që nuk i zgjidhëm, siç ishte çështja e pronës, apo dhe sektori i shëndetësisë. Madje edhe koalicioni me LSI-në. Blerjen e votave dhe qytetaret e pranojnë se ky fenomen ka ndodhur. Por fenomeni është i frikshëm, dhe ekziston”, – theksoi deputeti demokrat.

Sipas Bumçit, opozita është akuzuar nga mazhoranca vetëm se ka bërë një pyetje, nëse kanë apo jo informacion në lidhje me trafikun e drogës.

“A keni informacion?! Opozita në këtë rast nuk mund të akuzohet. Qëllimi i dërgesave të lëndës narkotike është Evropa. Raporti është 6 mijë kg për muaj. Këto informacione janë dhënë nga autoritetet italiane dhe greke. Në total shkojnë rreth 24 tonë, për periudhën janar. Ministri i Brendshëm nuk la të njëjtën forcë policore në detyrë, ndaj ai mori staf të ri. Kjo pasi është një institucion i politizuar, Dy janë alternativat, o të paaftë, ose të kapur pas trafikut. Ndaj, përgjegjës politikisht për këtë çështje janë qeveria”, – ka thënë më tej Bumçi.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency