Apolonia e Jonit

0
579

Materiali është marrë nga libri ‘’Apolonia e Jonit’’, botim i vitit 2010, i historianit Ilirjan Gjika.

apolloniaShënim: Për Apoloninë janë botuar një sërë librash historikë të cilët mbajnë përgjithësisht titullin ‘’Apolonia e Ilirisë. Të tillë kanë qenë ‘’Apolonia e Ilirisë’’, botuar në vitin 1958 me autor arkeologun Hasan Ceka. Po me të njëjtin tirull ‘’Apolonia e Ilirisë’’, është edhe libri i dytë me autor Neritan Ceka, botuar në vitin 1982.

Vangjel Dimo është autori i tretë që në vitin 2004 botoi guidën e ilustruar të titulluar ‘’Apolonia e Ilirisë’’. Ndërkohë që një vit më vonë arkeologu Neritan Ceka botoi librin etij me ‘’Apollonia-Histori dhe Monumente’’ ( 2005). Ndërsa në vitin 2006 doli në qarkullim vëllimi me studimet e gërmimeve të kryera nga arkeologja Aleksandra Mano, i cili mbante po titullin ‘’Apolonia e Ilirisë’’. Në vitin 2009 do të jetë një tjetër arkeolog, Bashkim Vrekaj i cili botoi librin e tij historik ‘’Historia e Apollonisë së Ilirisë’’.

“Qysh nga viti 2005, Apolonia kjo qendër arkeologjike e Shqipërisë funksionon si park arkeologjik kombëtar dhe është i hapur për t’u vizituar nga turistë vendas dhe të huaj. Ndërkohë që, çdo verë aty zhvillohen ekspedita arkeologjike, të cilat së bashku me muzeun dhe manastirin mesjetar krijojnë të gjitha kushtet që, në këtë “qytet antik” të zhvillohet një turizëm i mirëfilltë kulturor dhe historik, ku karakterin shlodhës të të cilit ja shton edhe natyra e bukur e peisazhit përreth. E çdonjëri prej atyre që vjen këtu për herë të parë, ose për të disajtën herë, nuk mund t’i shkojë mendja sesi kanë qenë monumentet e Apolonisë atëherë kur kazma e arkeologut nuk kishte nisur të trokiste në tokë. E ndodhur vetëm 10 km në perëndim të qytetit të Fierit, në Apoloni mund të shkosh shumë lehtë. Vetëm 10-15 minuta udhëtim me makinë nga ky qytet përmes Myzeqesë së vogël dhe të shfaqen përpara një varg kodrash në kurriz të të cilave gjendet qyteti antik. Pikërisht këtu ndodhet “miniera” më e pasur dhe më e madhe arkeologjike e Shqipërisë, e cila ruan në vetvete një të njëqindën e asaj që është zbuluar deri më sot”.

 

1.Apolonia

Apolonia, qw jetoi për 11 shekuj midis viteve 620 p.k dhe 479 ishte një qytet shtet që lindi si produkt i proçesit të kolonizimit të madh grek të shekujve VIII-VI p.k, në brigjet e Ilirisë, të cilat banoheshin nga bashkësia fisnore e taulantëve. Stefan Bizantini një prej autorëve antikë thotë se: ajo ishte qyteti më i madh dhe më i rëndësishëm nga të 30-të kolonitë greke, që u themeluan përgjatë bregdetit të Mesdheut, me emrin e perëndisë Apolon (Stephani Byzantini De Urbibus et Populis. 110). Me kalimin e kohës Apolonia do të shndërrohet në një qytet “të madh dhe rëndësishëm” siç e quante me të drejtë oratori dhe politikani romak në vitin 43 p.k Ciceroni (Ciceronis in Marcum Antonium Philippicae. XVI). Në hapësirën e saj do të veprojnë personazhe të famshëm të historisë antike si Glaukia, Pirrua i Epirit, mbretërit Kasandër dhe Filipi i V-të Maqedonisë, apo strategët dhe shtetarët romakë si Jul Çezari, Pompeu, Mark Antoni, Oktavian Augusti, etj. Nga Apolonia niste dega jugore e rrugës Egnatia, e cila ishte arteria më e rëndësishme rrugore që lidhte perëndimin me lindjen. Zhvillimi ekonomik, politik dhe kulturor i Apolonisë pasqyrohet nga shkrimet dhe njoftimet e shumë autorëve antikë, nga mund të përmendim dëshmitë e Hekateut, Herodotit, Tukiditit, Skylaksit, Aristotelit, Polibit, Skymnit, Ciceronit, Çezarit, Tit Livit, Plinit, Strabonit, Plutarkut e deri tek Stefan Bizantini, etj. Gjatë antikitetit të vonë dhe mesjetës së hershme këta autorë duke u mbështetur tek përcaktimet e dikurshme gjeografike e vendosnin vijën ndarëse midis deteve të Jonit dhe Adriatikut diku pranë Epidamnit (Durrësit), ndryshe nga përcaktimi i sotëm, i cili si vijë ndarëse midis dy deteve merr atë që ndodhet midis kepit të Gjuhëzës në gadishullin e Karaburunit dhe Otrantos. Kështu Herodoti, Pausania, Lukiani, Aristoteli, Vib Sekuestri, Foti dhe Theofrasti e quanin këtë qytet, “Apolonia e Jonit”. Ndërsa Klaud Eliani përdor për këtë qëllim termin “Në pellgun e Jonit”. Po kështu Dion Kasi e quante kanalin e sotëm të Otrantos ngushtica e Jonit, kurse Plini thosh se “në detin Jon tremijë hapa larg Orikut gjendet ishulli i Sazanit”. Në vijim të këtij argumenti apoloniatët këtë emërtim ja rezervonin vetë qytetit të tyre. Jo pa qëllim, mbishkrimi i monumentit që ata ngritën në qytetin Olimpia të Peloponezit, për nder të fitores mbi amantët e Thronit thoshte se: “Këtu gjendemi si dhuratë e Apolonisë, ndërtuar pranë Jonit nga Apoloni flokëgjatë” (Pausania. Descripto Graeciae. V. 22. 4).

 

2. Kolonizimi

Në shekujt VIII-VI p.k e gjithë Greqia u përfshi nga një dukuri ekonomike, politike dhe shoqërore që njihet në histori me emrin “kolonizimi i madh Grek” (Shaban Dervishi. Greqia e Lashtë. Tiranë 2001. fq.70). Ky proçes emigrimi përfshiu pothuajse të gjitha shtresat e popullsisë të poliseve greke, duke nisur nga disa shkaqe ku dy ishin më kryesoret, ai ekonomik dhe ai me karakter politik. Gjatë viteve 750 pk-550 p.k, rritja demografike që përfshiu gjithë Greqinë krijoi probleme mbipopullimi dhe vështirësi jetese. Kjo gjë solli prishjen e raportit midis prodhimit bujqësor dhe rritjes së popullsisë. Duke patur një reliev kryesisht kodrinor-malor, Greqia kishte fare pak toka bujqësore, të cilat nuk mund të përballonin me prodhimet e tyre, nevojat jetike të një popullsie që shtohej vazhdimisht nga pikpamja demografike. Gjithashtu mund të themi se, specializimi i bujqësisë greke drejt kultivimit të frutikulturës, vreshtarisë dhe ullinjve, që favorizohej edhe nga karakteri i terrenit bënte të nevojshme importimin e drithërave të bukës. Por një problem tjetër i mprehtë ekonomik ishte dhe sigurimi i lëndëve të para minerale, aq të nevojshme për zejtarinë, ashtu siç ishte edhe zotërimi i tregjeve për tregtimin e tyre.

Ndërkohë që problemeve të karakterit ekonomik i shtoheshin edhe ato që buronin nga politika. Të rrëzuar nga pushteti, grupe të ndryshme të polisit shikonin si të vetmen mënyrë për t’i shpëtuar hakmarrjeve dhe persekutimeve nga grupet rivale, largimin nga atdheu. Kështu rreth vitit 775 p.k, kishte nisur krijimi i pikave tregtare, të cilat më vonë u shndërruan në ngulime të këtyre emigrantëve, që më vonë u quajtën koloni (Edwin Jacques. Shqiptarët. SH B Kartë e Pendë. Tirane 1998. fq.108).

Duke qenë një popull lundërtar, grekët ngarkuan në anijet e tyre atë pjesë të inventarit të duhur të mjeteve dhe plaçkave dhe u nisën për t’u vendosur në ato vende të përshtatshme që kishin përcaktuar. Kontigjenti i tyre përbëhej nga: emigrantë ekonomikë, disidentë politikë, të dëbuar, aventurierë dhe njerëz të të gjitha kategorive (Edwin Jacques. Shqiptarët. fq.109).

Përgjatë detit Mesdhe kolonizimi u krye në tre drejtime si në perëndim, ku u përfshi Italia, Siçilia dhe Franca e jugut, Ballkani perëndimor dhe verilindja përgjatë deteve të Zi dhe Marmara. Drejtimi i katërt ishte ai i jug-lindjes si në Siri, Feniki, Azi e Vogël dhe Egjipt. Kolonitë lindën në bregdet si porte detare në territore përgjithësisht të mbrojtura natyrore (Shaban Dervishi. Greqia e lashtë. Fq. 74). Kolonizimi në brigjet e Ilirisë u bë në konflikt me Liburnët, të cilët i shihnin grekët si konkurentë tregtarë për zotërimin e Adriatikut (Aleksandra Mano. Aspekte të kolonizimit Helen në Ilirinë e jugut. Iliria 2, Tiranë 1984. Fq 3-22).

Fillimisht kolonitë, u krijuan nga iniciativa private e atyre grupeve të caktuara, të cilat ishin më të prekurat nga proceset shoqërore. Më pas ky proçes u drejtua nga vetë poliset, duke krijuar edhe strukturat përkatëse që drejtoheshin nga nëpunës të caktuar të quajtur “oikistë” (Shaban Dervishi. Greqia e Lashtë. Fq 74). Okistët organizonin emigrantët që do të linin “qytetin nënë” (metropolin), për t’i udhëhequr ata drejt kolonisë së re që do të lindte. Ata përcaktonin edhe vendin e ngulimit dhe gjithçka që do të duhej rreth qytetit të ardhshëm. Kolonizimi nuk ishte pushtim, por një tip marrëveshje me popullsinë e vendit ku do të ngrihej ngulimi. Ishte interesi i kësaj të fundit për artikujt e zejtarisë dhe bujqësisë greke si: metalet, qeramikën, vajin, verën, etj., që t’i lejonte grekët për të krijuar ngulimet e tyre. Kolonitë e reja mbajtën kontakte të ngushta me “poliset-nëna” duke ruajtur lidhjet ekonomike, politike, kulturore e fetare. Zhvillimi dhe fuqizimi i tyre si polise të reja, solli tendencën e pavarësisë nga metropoli, gjë që pati si pasojë luftëra civile dhe konflikte ushtarake. Në shumicën e rasteve kolonitë që u krijuan administroheshin vetë dhe ishin të pavarura.

 

3.Mitologjia

Apoloni ishte njëri prej 12 perëndive të Olimpit, i cili kish lindur ashtu si e motra, Artemisa, nga martesa e Zeusit me Latonën (Todi Dhama. Fjalor i Mitologjisë. Tiranë 1987. Fq 36-37). Ai lindi në ishullin e Delosit sepse e ëma ndiqej nga zemërimi i perëndeshës Hera, e cila kishte dërguar për ta vrarë atë përbindëshin Piton. Pasi lindjes së tij, Zeusi i dhuroi Apolonit të vogël një karrocë që tërhiqej nga mjelmat me të cilat ai do të udhëtonte vazhdimisht. Pasi u rrit dhe u edukua ne Olimp, ai u nis drejt dragoit Piton për tu hakmarrë ndaj përndjekjeve që i kish bërë dikur të ëmës. Këtë përbindësh të tmerrshëm Apoloni e vrau në malin Parnas. Ndërkohë që jetën e tij të mëvonshme do ta pasonin aventura të shumta. Ndër to mund të përmendim vrasjen e viganëve Olt dhe Efialt, të cilët kërcënuan Olimpin, selinë e Zeusit dhe të perëndive të tjera. Një tjetër vrasje që Apoloni kreu ishte edhe ajo e satirit Marsian nga Frigia, i cili i shpalli garë Apolonit se cili do t’i binte me bukur flautit. Pas konkursit muzat ja dhanë fitoren Apolonit, i cili sipas kushtit të garës i ropi Marsianit lëkurën. Të shumta ishin edhe historitë e dashurive të tij, siç ishin ato me nimfat: Dafina, Klita, Kasandra dhe Klarida. Këto martesa zemëruan Zeusin i cili i inatosur e goditi me rrufe Asklepin, djalin e Apolonit dhe Klaridës.

Në shenjë hakmarrje ndaj të atit dhe perëndive Apoloni vrau ciklopët dhe për këtë veprim ai u dëbua nga Olimpi. Gjatë qëndrimit në tokë, midis njerëzve ai kreu shumë veprimtari të dobishme, ku u kujdes për kopetë e dhënve të mbretit të Thesalisë Admetit, ndërtoi muret e qytetit të Trojës dhe lidhi miqësi me perëndinë tjetër: Hermesin, me të cilin kreu shumë aventura. Pasi përfundoi dënimin Apoloni u rikthye në Olimp pranë hyjnive të tjera, duke nisur të ushtronte funksionet e tij si perëndi e dritës, poezisë, muzikës, oratorisë, profecisë, mbrojtës i qyteteve, kolonive dhe udhëtarëve. Kulti i Apolonit nderohej në një sërë orakujsh, ku më i famshmi ishte ai i Delfit. Ndërkohë në botën antike ekzistonin shumë forma të bestytnive dhe imagjinatës njerëzore, të cilat kishin krijuar një tjetër përfytyrim ndaj ngjarjeve të së kaluarës. Në atë periudhë ishte bërë traditë që shumë polise, qytete dhe koloni, tja dedikonin themelimin e tyre personazheve të mitologjisë. Këtë traditë e gjejmë jo vetëm në kolonitë greke të bregdetit, por edhe në qytetet Ilire. Kështu, lidhur me këtë dukuri, Apollodori, një tjetër autor i antikitetit na citon një legjendë apoloniate, ku sipas së cilës: “Pasi vdiq Helefenori në Trojë, populli i tij u zhvendos në gjirin e Jonit, duke u vendosur në Apoloninë e Epirit” (Apollodorus. Epitome, VI. 15-15b.).

Interesante është se nga legjenda apoloniate u ndikuan edhe fqinjët Ilirë, sidomos dy bashkësitë kufitare të bylinëve dhe amantëve. Kështu, Stefan Bizantini tek vepra e tij: “Mbi qytetet dhe popujt” na njofton se, “Bylisi ishte themeluar nga Neoptolemi i biri i Akilit” (Stefanus Bizantus. De Urbibus et Populis. 110 ). Ndërsa fqinjët amantë që jetonin përgjatë luginës së lumit Shushica (Kelydnos), aludonin se, qyteti i tyre ishte krijuar nga abantët e Eubesë, që ishin vendosur pas luftës së Trojës. Legjenda të tilla që fantazonin themelimin nga heronjtë e Trojës, mbartnin edhe kolonitë e tjera të bregdetit si Oriku, Butrinti dhe Foinike (Finiqi).

 

4.Themelimi

Përpara themelimit të kolonisë së Apolonisë, tregtarët grekë ishin shfaqur në brigjet e Ilirisë, duke krijuar kontakte shkëmbimi me fiset Ilire. Këto pika kontakti të quajtura “emporiume” i shërbenin tregtisë tranzite. Ato ishin ngritur edhe në rajonin midis Semanit dhe Vjosës, përgjatë grykëderdhjeve të këtyre lumenjve (Neritan Ceka. Ilirët. Tirane 2001. fq.50). Funksionimi i tyre krijoi mundësinë e ngritjes të një ngulimi të përhershëm tregtar, i cili do të bënte këmbimin e mallrave midis tregut grek dhe atij ilir.

Korkyra dhe Korinti kishin kontradita midis tyre, sepse nisën të rivalizonin njëra-tjetrën lidhur me kontrollin e kolonive, përgjatë Jonit dhe Adriatikut lindor. Megjithatë për themelimin e Apolonisë, këto dy polise u treguan partnerë me qëllim që të ushtronin të drejtat koloniale (Aleksandra Mano. Aspekte të kolonizimit helen në Ilirinë e jugut. Iliria 2. Tiranë 1984. Fq 3-22). Një hipotezë tjetër që ekziston për themelimin e qytetit është se, Apolonia mund të jetë ngritur nga kolonistë të ardhur nga Epidamni, të cilët e njihnin vendin dhe e përcaktuan saktë vendodhjen e kolonisë së re (Histori e Shqipërisë. U SH T. Vëll I.Tiranë 1959. Fq 67). Sipas Strabonit, ngulimi u ngrit 60 stade greke ose 9 km nga deti, dhe, 10 stade apo 1.5 km larg bregut verior te Vjosës, nëe një varg kodrash pranë bregut. Kolonistët e parë që u vendosën ishin korintas, të cilët mund të ishin të përndjekur politikë nga tirani Periandër në vitet 627-585 (Plutarku. De sera num.vind.7). Ata nuk ishin veçse 200 vetë dhe drejtoheshin nga oikisti Gylak (Stefanus Bizantus. De Urbibus et Populis. 110). Të dhëna të tjera të marra prej autorëve antikë si: Plutarku dhe Stefan Bizantini theksojnë se, përpara themelimit të Apolonisë në këtë vend ekzistonte një vendbanim i ilirëve taulantë. Kjo gjë vërtetohet edhe nga materiali arkeologjik i gjetur, i cili dëshmon se ky vendbanim ekzistonte qysh nga periudha e bronzit të vonë (Neritan Ceka. Myzafer Korkuti. Arkeologjia. Tiranë 1993. fq 135). Objektet e zbuluara këtu si: enë qeramike, sopata dytehëshe dhe heshta hekuri janë tipike të kulturës Ilire. Kolonistët e parë u vendosën në këtë vend me marrëveshje me Ilirët, sepse krerët taulantë ishin të interesuar për zhvillimin e këmbimit me tregtarët grekë. Pas përvojës pozitive të kolonisë së parë Epidamnit, që ishte një shembull i mirë bashkëpunimi ata i lejuan Korintit dhe Korkyrës të ngrinin edhe këtë koloni të dytë në territorin që banohej prej tyre, përgjatë bregdetit nga Vjosa në Durrës.

Ndërkohë që, një grup i dytë të ardhurish vërshoi në Apoloni nga Korkyra, Kikusi, Dysponti si dhe vetë Korinti. Emigrantët nga Kikusi dhe Dysponti erdhën këtu pas shkatërrimit të qyteteve të tyre nga Polisi i Elidës (Straboni. Lib VIII. 3).

Kolonët grekë të aftë për punime irrigacioni ndërmorrën projekte për kanalizimin dhe bonifikimin e fushës. Nëpërmjet kësaj ndërmarrje ata e bënë vendin të banueshëm duke krijuar një qytet të mirëfilltë që në fillimet e tij numëronte rreth 10 000 banorë (Neritan Ceka. Apolonia e Ilirisë. Shtëpia Botuese 8 Nëntori. Tiranë 1982. fq.133).

Kolonistët grekë sollën me vete edhe institucionet, gjuhën, besimin, traditat dhe kulturën e tyre. Kjo gjë përcaktoi edhe modelin politik të Apolonisë që nisi funksionimin si polis, i cili përbëhej nga qyteti dhe territori përreth. Ai ishte një shtet sovran dhe kishte të drejtën e zhvillimit të marrëdhënieve me jashtë si dhe të bënte luftra në mënyrë të pavarur.

Tradita e themelimit të kolonive përmbante si rregull që ato të quheshin me emrin e një perëndie kulti ose të oikistit, drejtuesit të kolonistëve të parë. Mbi këtë ide ekziston hipoteza se emri i parë i këtij qyteti ka qenë Gylakea, i cili më vonë do të zëvendësohet nga emri Apolonia (Stefanus Bizantus. De Urbibus et Populis. 110). Ky ndërrim emrash mund të ketë ndodhur nga ndikimi që kishte tempulli i Apolonit, që ngritën Korintasit për nder të qytetit të origjinës së tyre.

Mund të ketë qenë fama e madhe që mori kjo faltore, e cila i dha emrin përfundimtar kësaj kolonie. Nuk është çudi se, një dukuri e tillë ndodhi edhe në qytetin simotër të Epidamnit, i cili më vonë u quajt Dyrrah. Ndërsa hipoteza e dytë lidhet me bekimin që morën kolonistët e parë nga orakulli i Apolonit në Delf, kur shkuan për të marrë profecinë e tij. Ka gjasa që këtu, atyre t’u jetë sugjeruar që koloninë ta quanin me emrin e Apolonit.

Ndërkohë që sot rreth 500 m në perëndim të mureve rrënojë të Apolonisë ruhet emërtimi Magjyle, që mund të të jetë mbetja e emrit të parë të këtij qyteti, Gylakea.

 

5.Polisi i Apolonisë

Gjatë jetës së saj të pavarur në vitet 620-228 p.k, Apolonia ishte për nga forma e organizimit politik qytet shtet, të cilin grekët e vjetër e quanin me termin politik, polis.

Kështu cilësohet Apolonia në njoftimin e parë që jepet për të, nga Hekateu i Miletit në portulanin e tij, një libër ku përshkruhen portet e Mesdheut, qysh në shekullin e VI pk. Po kështu vepron edhe Pseudo Skylaksi në shekullin e IV pk, i cili e cilëson atë polis (Scylacis. Periplus. 26).

Polisi përfaqësonte një grup qytetarësh që vetqeveriseshin në kuadrin e një forme republike që përfshinte një territor të kufizuar. Në fillimet e saj kjo republikë ishte e tipit oligarkik, por gjatë kohës me zhvillimet e ngjarjeve dhe ndikimeve të jashtme, ai do të shndërrohet në një model demokratik. Nga shfrytëzimi i atyre pak burimeve historike mund të themi se institucionet më të rëndësishme të shtetit Apoloniat ishin mbledhja e qytetarëve, këshilli i qytetit apo buleja, gjykata. etj.

Mbledhja e qytetarëve ishte organ që thirrej nga prytani (Histori e Shqipërisë. U. SH. T. Tiranë 1959. Vëll I. Fq 67). Në të mernin pjesë të gjithë burrat që gëzonin qytetarinë dhe në këtë forum mund të diskutonte çdo pjesëmarrës. Mbledhja miratonte ligjet, kontrollonte veprimtarinë e bulesë dhe përcaktonte politikën e polisit.

Buleja ishte institucioni i dytë për nga rëndësia dhe përbëhej nga pesë vetë të zgjedhur nga mbledhja e qytetarëve, të cilët drejtoheshin nga prytani, kryetari i administrstës së qytetit. Ky këshill qeveriste në mënyrë kolegjiale dhe kishte për detyrë të kryente punët e administratës shtetërore, të pregatiste çështjet që do të diskutonte mbledhja e popullit dhe të zbatonte vendimet e saj. Bulea ishte organi më i lartë i shtetit, të cilës mbledhja e qytetarëve i kishte lënë fushë të lirë veprimi. Ndërsa organi i tretë i pushtetit ishte gjykata (Herodoti. Historiae. Lib IX). Ajo shqyrtonte të gjitha çështjet e ankesave të bëra nga qytetarët, institucionet dhe nëpunësit publikë. Në gjykatë gjykoheshin të gjitha problemet me karakter civil dhe penal, që cënonin shoqërinë apoloniate të kohës.

Mbledhja e popullit zgjidhte çdo vit me votim të hapur edhe nëpunësit shtetërorë. Fillimisht zgjidheshin funksionarët ushtarakë, nga ku veçojmë toksarkun që kryente detyrën e komandantit të reparteve të rojes dhe shigjetarëve. Më pas caktoheshin nëpunësit administrativë.

Ligji lejonte marrjen e disa nëpunësive bashkë të cilat paguheshin nga buxheti i polisit. Midis nëpunësve mund të përmendim prytanin; arhiereun, kryepriftin e tempujve të qytetit gramateusin, sekretarin e bulesë; tre hieromnemonët, të cilët merreshin me problemet e financave dhe kujdeseshin për tempujt (Histori e Shqipërisë. U. SH. T. Tiranë 1959. Vëll I. Fq 67); agonotetin i cili merrej me tempujt e qytetit, organizimin e jetës kulturore dhe edukimin e rinisë (N. Ceka. Apolonia e Ilirisë. fq.70). Ndërsa argirokopi ishte nëpunësi që merrej me prerjen e monedhave.

Një qytet shtet si Apolonia me një tërësi institucionesh të tilla kishte edhe ligje që pasqyronin marrëdhëniet ekonomike, politike dhe shoqërore.

Janë dy burime historike, të cilat na paraqesin një tablo të ekzistencës të së drejtës në Apoloni. Kështu, njëri prej autorëve të vjetër Straboni thotë se: “Apolonia ishte një qytet me ligje shumë të mira ndërtuar nga korintasit dhe korkyrasit” (Strabonis. Geografia. Lib VIII. 8). Ndërsa për ekzistencën e organit gjyqësor na jep njoftim historiani grek, Herodoti, i cili në një pasazh të veprës së tij thotë se: “Apoloniatët nxorrën në gjyq qytetarin e quajtur Even, për moszbatim të detyrës dhe e dënuan atë me verbim (Herodot”. Historiae. Lib IX).

Forma e modelit të shtetit në qytetin e Apolonisë pësoi një metamorfozë të ngadaltë dhe të vazhdueshme. Menjëherë pas themelimit u shfaq trajta e një republike oligarkike sipas modelit korintas.

Aristoteli e quan Apoloninë si shembullin tipik të një oligarkie klasike, në shekullin e gjashtë pk ( Aristoteli. Politika. IV ). Tek vepra e tij “Politika”, ai thotë se: ‘Nuk ka demokraci si në rastin e Apolonisë në gjirin e Jonit’’. Kështu që, me ndikimet politike të botës greke, ku mund të përmendim luftën e demosit dhe aristokracisë në Athinë, konfliktin midis demokratëve dhe aristokratëve në Epidamn, si dhe popullimin e qytetit të Apolonisë nga elementi etnik ilir, nisi kalimi drejt demokracisë në polisin apoloniat.

Kjo dukuri duhet të ketë ardhur edhe si rezultat i luftës së brendshme politike në gjirin e shoqërisë, diku në gjysmën e dytë të shekullit IV pk . Shteti demokratik me institucionet e mësipërme duhet të ekzistonte në Apoloni edhe në vitin 30 pk, kur Oktaviani erdhi në pushtet dhe i dhuroi qytetit statusin e bashkisë, municipit. Municipi si formë e organizimit shtetëror gëzonte administrim autonom me të drejta të kufizuara.

Ndërkohë, qyteti vazhdoi të qeverisej me nëpunës të zgjedhur sipas traditës, të përdorte greqishten si gjuhë zyrtare, të mos paguante taksa dhe të ishte i lirë dhe i mbrojtur nga Roma. Megjithatë Apolonia vazhdoi të ishte nën kontrollin e prokonsullit romak të provincës së Maqedonisë. Këtë pozitë politike dhe juridike qyteti e ruajti deri në vitin 212, kur me dekretin e perandorit Karakalla, ai u shndërrua në një qytet tipik romak, ku institucionet e mëparshme autonome u zëvendësuan me ato të perandorisë. Ky organizim u ruajt deri në momentin e shkatërrimit të qytetit, diku në shekullin e pestë.

 

6.Ilirët

Kolonistët grekë u vendosën në këtë vend dhe e themeluan polisin e Apolonisë me pëlqimin e ilirëve taulantë. Vetë qyteti dhe tregu i tij kishte si qëllim parësor ti shërbente realizimit të interesave ekonomike të të dyja palëve. Përgjithësisht marrëdhëniet midis ilirëve dhe kolonistëve ishin të mira, reciproke dhe të pëlqyeshme . Kjo gjë përcaktohej nga vetë rrethanat e ngritjes së qytetit të ri. Grekët ishin më të pakët në numër dhe nuk mund ti imponoheshin me forcë vendasve.

Gjithashtu edhe ilirët ishin të interesuar që të ruanin marrëdhënie të mira me ta. Përveç përfitimit ekonomik, ilirëve u interesonte të huazonin edhe arritjet kulturore të grekëve , të cilët vetë i kishin marrë nga popujt e tjerë të Mesdheut (Shaban Dervishi. Greqia e Lashtë. Fq 77). Ndërkohë që fuqizimi i mëvonshëm i polisit të Apolonisë bëri që, marrëdhëniet të ndryshonin. Ambicjet e apoloniatëve për të zgjeruar territoret e tyre në kurriz të fqinjëve sollën edhe luftëra dhe konflikte.

E tillë ishte lufta në qytetin amant të Thronit, e zhvilluar diku në vitet 470-460 pk, e cila u fitua nga Apolonia (N.Ceka. Apolonia e Ilirisë. Fq .67). Ndërsa një shekull më vonë, pavarësia e Apolonisë do të kërcënohet nga vetë taulantët dhe me pas nga ardianët. Me fuqizimin e shtetit taulant, diku nga fillimi i shekullit të V pk, Apolonia do të bjerë nën ndikimin e shtetit Ilir. Kjo gjë i hapi rrugën popullsisë ilire të depërtojë në masë në qytet.

Kolonistët grekë nuk ishin shumë miqësorë me të huajt. Kjo duket tek dëshmitë e Elianit, i cili thotë se: ”apoloniatët i dëbonin të huajt (metanastët) sipas ligjit të lakedemonëve” (Claudi Aeliani. De animalium natura. lib XIII. 6). Në bazë të legjislacionit grek, metanastëve u lejohej të banonin në qytet, të mos martoheshin me gra vendase, të merreshin me një veprimtari ekonomike, të ushtronin një profesion, por nuk mund të blinin tokë. Ata gëzonin të drejtën e qytetarisë dhe nuk mund të mernin pjesë në jetën politike.

Ndërkohë në vitin 312 pk, mbreti Taulant Glaukia e pushtoi qytetin e Apolonisë. Qysh nga kjo kohë elementi etnik Ilir fitoi përveç të drejtave ekonomike, ato shoqërore dhe politike, duke filluar të krijojë një ngjizje midis dy komuniteteve. Nga kjo kohë nis periudha e bashkëjetesës midis elementëve etnike greke dhe ilire, ku Apolonia shumë shpejt do të humbasë edhe karakterin e saj etnik grek.

Në një pasazh të veprës së tij “Politika,” Aristoteli thotë se: “Ata që rridhnin nga ata që së pari themeluan koloninë ishin të pakët ndër të shumtit”( Aristoteli. Politika. IV.). Megjithëse nisën të mbizotëronin në Apoloni, ilirët vazhduan të përdornin si gjuhë të kulturës, Greqishten dhe së bashku me të edhe institucionet politike greke. Dëshmi tjetër të një numri të madh ilirësh në Apoloni na e jep edhe arkeologjia. Në varrezat e vjetra të qytetit është vërtetuar nga gërmimet se: riti Ilir i varrimit në tuma mbizotëronte nga ai grek (Aleksandra Mano. Nekropoli i dystë i Apolonisë. Iliria III, 1974. fq 153-238.). Në një sipërfaqe prej 20 ha numëroheshin rreth 450 varreza tumulare. Ilirët u mirëintegruan në shoqërinë apoloniate, duke arritur deri në postet më të larta të administratës. Një pjesë e tyre arritën dhe në postin e prytanit, siç ishin prytanët Bato, Epikad, Preurad, Arbrin, Morkun, etj (N. Ceka. Apolonia e Ilirisë. fq 130).

Nga dokumentet epigrafike të gjetura në Apoloni, në trajtën e mbishkrimeve mbivarrore shohim se, një pjesë e tyre janë në gjuhën ilire, por të shkruara në alfabetin grek (Nermin Vlora Falaschi. Lashtësia e gjuhës Shqipe. Romë 1991. fq 130). Një fakt i tillë është një tregues tjetër se, popullsia ilire vendase ishte integruar më së miri në jetën e Polisit të Apolonisë. Shumë historianë mendojnë se, ilirët e përdorën gjatë atë që quhet alfabeti grek, që nuk është gjë tjetër veçse alfabeti i dikurshëm i pellazgëve, të cilin grekët e risollën më vonë në Iliri, nëpërmjet kolonizimit (Dhimitri Pilika. Pellazgët origjina jonë e mohuar. Tiranë 2005. fq 420).

 

7.Ndërtimet

Qyteti i Apolonisë u ngrit mbi shpinën e dy kodrinave me lartësi 101 dhe 104 m, duke u shtrirë nga shpatet perëndimore të tyre, përgjatë fushës. Apolonia u ndërtua pranë bregut të lumit Vjosë, pesë km në brendësi të bregdetit, sipas planit arkitektonik të arkitektit të njohur të lashtësisë, Hipodamnit, nga Mileti. Ashtu si shumica e poliseve greke, qyteti zotëronte një fushëpamje të gjerë mbi detin dhe rrethinën, që shkonte deri në gjirin e sotëm të Vlorës. Ai kishte rrugë të drejta kryesore dhe dytësore, të cilat kryqëzoheshin me njëra-tjetrën duke krijuar lagje të veçanta e të vogla (N. Ceka. Apolonia e Ilirisë. fq.51). Terreni i thyer rregullohej me anë të taracave, ndërsa një rrjet i gjërë kanalesh nëntokësore shërbente për mbledhjen e ujrave rrjedhëse, të cilat depozitoheshin në sterna dhe përdoreshin si rezerva ujore.

Nevoja diktoi, që banorët për tu mbrojtur nga sulmet e ndryshme, të ndërtonin një rrjet të fuqishëm muresh mbrojtëse. Të ndërtuar në faza të ndryshme, ata kishin një gjatësi prej 4.5 km dhe arrinin trashësinë prej 2.5 m. Këto mure u ndërtuan me blloqe të mëdha guri në forma paralalopipedi, ose poligonal, të vendosur mbi njëri tjetrin pa llaç (Vangjel Dimo. Apolonia e ilirisë. Guidë e ilustruar. Tiranë 2004. fq 8). Gurët formonin vetëm bazamentin, sepse nga varfëria e krahinës me këtë material ndërtimi, pjesa e sipërme e mureve u ndërtua me tulla të lidhura me llaç, siç vërehet edhe sot nga mbeturinat rrënojë të tyre. Këtij sistemi fortifikimi i shtoheshin shumë kulla dhe porta, të cilat ishin vepra të mirëfillta arkitektonike. Brenda këtyre mureve ngrihej një kompleks i tërë ndërtesash me karakter publik dhe privat siç ishin: akropoli, tempujt, teatri, agoratë, ndërtesat publike dhe shtëpitë e banimit.

Të gjitha këto objekte i jepnin Apolonisë pamjen e një qëndre të madhe urbane. Ndërtimet monumentale kishin filluar qysh në shekullin e parë pas themelimit (Histori e Shqipërisë. Vëll. I Tiranë 1959. fq 63). Për nga mënyra e ndërtimit, stili dhe zbukurimet, monumentet e ndërtuara në Apoloni nuk ndryshonin nga ato të Greqisë, ndërkohë që këto ndërtime u aplikuan stilet arkitektonike greke si ai jonik, dorik dhe korintik.

Ndërkohë, stili më i vjetër arkitektonik i përdorur ishte ai arkaik, i cili i përket shekujve VII-VI pk. Në Apoloni me këtë stil është ndërtuar një pjesë e mureve të para rrethuese, ku një fragment i tyre ka mbetur në pjesën lindore, poshtë manastirit të sotëm.

Pjesa më e madhe e ndërtimeve urbane në këtë qytet u bë në stilin dorik, i cili ishte më masiv dhe më i thjeshtë. Pas tij nisi të përdorej edhe ai jonik, i cili ishte më i lehtë dhe më fin, me kolonat që kishin si simbol brirët e përdredhura të dashit.

Gjatë periudhës romake u përdor kryesisht stili korintik, të cilin e shohim edhe sot tek ndërtesa e buleterionit. Në kodrën veriore ndodhej kështjella e qytetit ose akropoli me sipërfaqe 2.5 ha (Atlas. Archeologique et Historique d’Apollonia d’Ilyrie. Romë 2007). Muret rrethuese i jepnin atij pamjen e një “piramide,” ku si objekti më i fortifikuar në të ndodheshin edhe një pjesë e ndërtesave më të rëndësishme publike (V. Dimo. Apolonia e Ilirisë. fq 8).

Gjatë periudhave të luftërave, kur Apolonisë i duhej të mbrohej, akropoli ishte vendi më i sigurtë. Gjatë luftrave civile midis triumviratit të dytë dhe republikanëve, Gai Antoni, i vëllai i Mark Antonit, u kap në akropol nga Bruti vetëm në sajë të tradhëtisë nga brenda, ndoshta të oficerëve të tij. Kështu na njofton Dion Kasi ne veprën e tij: ‘’Historia Romake’’ (Cassius Dio. Historia romana. Lib.XLVII. 22). I quajtur edhe “qyteti i sipërm” akropoli mbizotëronte mbi ndërtesat e tjera. Përballë tij në kodrën jugore, asaj 104 m, ndodhej tempulli i Artemisit. Ai rrethohej nga lindja me murin rrethues dhe me anët e tjera nga një mur taracimi, i cili qarkonte kodrën, duke krijuar veçimin e kësaj zone të shenjtë të quajtur temenos, që kishte një sipërfaqe prej 1.65 ha (Atlas Archeologique. po aty). Midis ndërtimeve të tjera me funksion publik përmendet edhe sheshi qëndror i qytetit ose agoraja, në të cilën u ndërtuan dy portikët, buleterioni, odeoni, biblioteka dhe tempulli i Dianës. Portiku më i vjetër u ndërtua në shekullin V pk, me gurë ranorë, të cilët formonin disa harqe të zbukuruar me skulptura. Më vonë mbi të, gjatë periudhës romake u ndërtua odeoni dhe biblioteka.

Portiku i ri u ndërtua në shekullin e III pk dhe ishte një shëtitore e zbukuruar me kolona dhe i paisur me 17 harqe të gurta të quajtura nike (V. Dimo. Apolonia e Ilirisë. fq 9). Në këto harqe ishin vendosur statuja të mermerta kushtuar perëndive, heronjve të mitologjisë dhe njerëzve të shquar (Histori e Shqipërisë. Tiranë 1957. vëll I. fq 70).

Gjatë gërmimit të tij, arkeologu Leon Rei, gjeti katër statuja3 dhe tre koka që i përkisnin atyre. Portiku ishte i gjatë 78 m dhe përbëhej nga dy kate, të cilët ishin ndërtuar duke gërshetuar dy stilet arkitektonike. Kati i parë ishte ndërtuar në stilin dorik, ndërsa i dyti në atë jonik. I mbështetur në shpinë të kodrës së temenosit, ky objekt ishte vendosur në drejtimin veri-jug dhe ishte i hapur nga ana e perëndimit.

dërkohë që pjesën kryesore të agorasë e zinte ndërtesa e buleterionit, e cila u quajt nga Leon Rei, si ndërtesa e agonotetëve. Ajo u ndërtua gjatë periudhës romake në shek II-të, nga nënpunësi më i rëndësishëm i qytetit: Kuint Vil Krisp Fur Prokuli (Leon Rey. Fouilles de la mission Française a Apollonie d’Illyrie. Albania 4 .1932). Ky person publik e ngriti këtë ndërtese në kujtim të vëllait të tij: Valentit, një ushtaraku të vrarë në një nga frontet e luftrave që zhvillonte perandoria.

Godina ishte e ndërtuar në stilin korintik dhe sot është ngritur në këmbë nga arkeologët vetëm fasada e rindërtuar e saj. Bri buleterionit dhe pothuajse ngjitur, në anën perëndimore të tij u ngrit tempulli i Dianës (N. Ceka Apolonia e Ilirisë. fq 50). I ndërtuar me mermer të bardhë, për nga karakteristikat arkitektonike ai u përshtat me ndërtesën e buleterionit. Përballë me këtë të fundit ndodhej teatri i vogël, odeoni. Edhe ai i përket të njëjtës periudhë ndërtimi dhe u ngrit i mbështetur në faqen j-p të kodrës së temenosit, mbi portikun e vjetër, i cili në këtë kohë kishte dalë jashtë funksionit të tij (V. Dimo. Apolonia e Ilirisë. fq 9).

Në shkallaret e tij mund të ndiqnin shfaqjet letraro-artistike, rreth 500 spektatorë, të ulur në 16 rreshta radhësh. Në pjesën jugore të odeonit përbri buleterionit, po gjatë shekullit të II-të u ndërtua biblioteka. Ajo kishte formë katërkëndëshi dhe zuri pjesën tjetër të portikut të vjetër.

Midis buleterionit dhe odeonit ngrihej një hark triumfi1, i cili mbështetej në katër bazamente në formë kryqi (V. Dimo. Apolonia e Ilirisë. fq 10). Nga qëndra e qytetit, ku ndodheshin këto objekte të rëndësishme, dilnin dy rrugë (Burhan Dautaj. Monumentet e Kulturës në Shqipëri. Tiranë 1975. fq 28-31). E para, ndiqte portikun dhe në fund të tij ndahej në dy degë, ku njëra merrte drejtimin e teatrit, gjatë pjesës perëndimore të qytetit për të zbritur drejt fushës, ndërsa tjetra, merrte drejtimin e kundërt duke ju drejtuar akropolit.

Rrugët përbëheshin nga trase të shtruara me kalldrëm, sipër të cilit ishte hedhur zhavorr. Traseja përshkohej nga një sërë pritash mbrojtëse, të cilat pengonin shkarjen e zhavorit në rast rëshqitjesh. Rrugët ishin të paisura me kuneta, ose vija uji, të cilat mblidhin ujin për ta depozituar jashtë qytetit. Rruga e dytë, niste po nga qëndra dhe i drejtohej jugut, duke zbritur drejt portit. Këto arterie priteshin nga një rrjet kuadratik rrugësh më të vogla që nxirrnin qytetarët në portat e qytetit. Me kalimin e kohës numri i banorëve të Apolonisë arriti deri ne 60.000 (N. Ceka. Apolonia e Ilirisë. fq 133). Në përpjestim të drejtë me rritjen demografike u rrit dhe sipërfaqja e qytetit. Rritja e popullsisë dhe ngritja e godinave të reja, bëri, që qyteti të zgjerohej edhe jashtë mureve rrethues.

Ndërkohë u pa e nevojshme që, për arsye mbrojtjeje të bëhej zhvendosja e tyre, e cila duhej të korrespondonte me shtrirjen e re të qytetit, sipërfaqja e të cilit arriti 85 ha (Atlas. Archeologique et Historique d’Apollonia d’Ilyrie. Romë 2007). Për ti shërbyer shijeve të komunitetit qytetar u ngrit në shekullin e III-të pk edhe teatri (Aleksandra Mano. Apolonia e Ilirisë. Tiranë 2006. Fq 584).

I mbështetur në shpinën e kodrës ai formonte një hark përreth orkestrës, vendit ku jepnin shfaqje kori dhe aktorët. I ndërtuar në stilin dorik, ai kishte një kapacitet prej 10.000 spektatorësh, ndoshta teatri më i madh në Shqipëri. Teatri u përdor për një periudhë 500 vjeçare si një vend spektakli nga apoloniatët. E veçanta e tij ishte skena dykatëshe, e cila ishte e paisur me portik dhe skulptura rreth saj. Një nga ndërtimet monumentale më të bukura në qytetin e Apolonisë, ishte dhe nymfeu, i quajtur ndryshe edhe çezma monumentale (N. Ceka. Apolonia e Ilirisë. fq 61-63). Ai i kushtohej nimfave dhe ndodhej në pjesën perëndimore të qytetit. Me përmasa prej 40 gjatësi dhe 21 m ai mbante një vëllim uji prej 41 m3. Qëllimi i ndërtimit të tij ishte mbledhja e ujrave në pjesën perëndimore të kodrës së akropolit. Arkitektura që i përkiste stilit dorik, e bënte nymfeun një vepër të mirëfilltë arti dhe ndërtimi njëhkohësisht.

Ndërkohë që, ndërtimet më të shumta në Apoloni, përfaqesoheshin nga shtëpitë e banimit. Ato përgjithësisht ishin të thjeshta, njëkatëshe dhe zbukuroheshin nga oborre me kopshte të vegjël, ku mund të vecojmë ato të tipit me peristil dhe pastas.

Nga brenda ambientet e tyre zbukuroheshin me dekoracione pllakash ose mozaikësh, ku fasadat e thjeshta u jepnin atyre nga pamja e jashtme uniformitet. Megjithatë në Apoloni kishte edhe vila dhe pallate luksoze, që u përkisinin qytetarëve të pasur. Të tilla banesa janë zbuluar nga arkeologët, ku njëra prej tyre është edhe banesa në pjesën perëndimore (N. Ceka. Apolonia e Ilirisë. fq 54-59). Ajo ishte një pallat monumental me 22 dhoma të shtruara me mozaikë, e cila zinte një sipërfaqe prej 300 m2. E ndodhur midis dy rrugëve kryesore, ajo ishte ndërtuar në shekullin e dytë gjatë pushtimit romak. Ndërsa, një tjetër shtëpi luksoze është ajo, që arkeologët e kanë emërtuar banesa D, e cila ndodhet fare pranë rrugës së portit. Në jug të qytetit, 500 m larg mureve të tij rrethuese ngrihej tempulli i Afërditës.

I ndërtuar në stilin dorik ai ishte 40m i gjatë dhe 22m i gjerë. Tempulli ngrihej mbi 26 kolona me diametër 1.36m dhe mendohet se është ndërtuar në shekullin e V pk (Guri Pani. Monumentet historike në vendin tonë. Një tempull antik në Apoloni. Tiranë 1978. fq 142). Gjatë periudhës romake u ndërtuan: teatro, banjo, vila, harqe triumfi, etj. Romakët bënë ndërtime duke përdorur gjerësisht tullat, ndërkohë që ato ishin përdorur më parë edhe nga apoloniatët. Në Apoloni u përdor edhe betoni romak, që ishte përzierje e llaçit, gëlqeres, tallashit dhe rërës vullkanike.

 

8. Braktisja

Prokopi i Çezaresë na njofton se, në vitin 395, shpërtheu kryengritja e Ilirivë Taulantë kundër Romës (Procopi Caesarensis. De bello Vandalico. III.). Për të shtypur kryengritjen perandori i perëndimit Honori, ftoi mbretin e visigotëve Alarikun. Barbarët visigotë pushtuan trevën nga Durrësi në Aulonë duke përfshirë edhe Apoloninë. Gotët qëndruan 15 vjet duke u larguar drejt Italisë, nga ku pikat më të afërta me të ishin: Apolonia dhe Aulona. Egzistencën e barbarëve e provojnë ritet e tyre te varrimit, ku midis tyre përdorej edhe gjymtimi i kufomës, rit që faktohet nga zbulimet e bëra ne nekropolin perëndimor (Aleksandra Mano. Apolonia e Ilirisë. fq.556 ).

Kështu, grushtin e fundit qytetit ja dhanë pikërisht barbarët, nga shkatërrimet e të cilëve, në të shumtat e rrënojave janë gjetur gjurmë djegiesh. Megjithëse shkatërrimi i qytetit kishte nisur qysh më parë në shekujt III-IV.

Tërmetet e viteve 234 dhe 345 e rrënuan Apoloninë e cila filloi rënien e saj graduale. Gjurmët e tyre janë vërtetuar sot në disa nga monumentet që kanë mbetur qysh nga antikiteti. Arkitekti Koço Zheku, i cili drejtoi proçesin e rindërtimit të fasadës së buleterionit (agonotetet), dëshmon se shumë pjesë të këtij monumenti u gjendën në vendin e rënies, të palëvizura që nga momenti i rrëzimit (Monumentet e kulturës në Shqipëri. K. Zheku. Monumenti i Agonoteteve. Fq.33-37. Tiranë 1975).

I njëjti fenomen u vu re edhe gjatë zbulimit të fontanës në vitet 1963-1969 nga Hasan Ceka ( Hasan Ceka. Apolonia. Tiranë 1958) . Elementët kryesorë arkitektonikë të saj u gjetën të rrëzuar nga lëvizjet sizmike me shtytje dhe zhvendosje. Edhe zhvendosja e Vjosës në një shtrat të ri, e la Apoloninë pa port, duke i hequr arterien kryesore të funksionimit ekonomisë së këtij qyteti. Kështu, nisi zbrazja e qytetit nga banorët, të cilët u vendosën në qytetet më të afërta, ku mund të ushtronin profesionet e tyre. Zhvendosja u bë në drejtim të qyteteve fqinj si: Aulonë, Bylis dhe Antipatrea. Në fillim u larguan tregtarët dhe zejtarët, kurse më vonë edhe fermerët, pasi tërmeti ndryshoi edhe vijën bregdetare dhe tokat përreth Apolonisë nisën të kthehen në toka kënetore.

Në shekullin e V Apolonia nis një rënie graduale dhe pa kthim, ku në vitin 451 ajo nuk është më peshkopatë. Mospërmëndja në dokumentat historike si qendër e tillë tregon, se ky qytet ishte shdërruar tashmë në vendbanim rural, ku gurët e ndërtesave te dikurshme nisën të merren nga popullsia e rajonit përreth për të ndërtuar me to shtëpi, kisha dhe për të prodhuar gëlqere.

Vetëm emri i dikurshëm i qytetit përmendet gjatë mesjetës në anale të ndryshme, paçka se tashmë ajo ishte vetëm një qendër manastiriale.

Ashtu e braktisur dhe në gjendjen e një qëndre manastiriale, ajo nisi të ngacmonte vëmendjen e njerëzve të apasionuar ndaj arkeologjisë, kërkuesve të thesareve dhe të atyre që mblidhnin gurë rrënojash për ndërtime. Kështu duke nisur që nga fillimi i shekullit të XIX-të nisi interesi ndaj saj duke bërë që vetëm gjatë periudhës së Luftës së Parë Botërore, pikërisht në vitet 1916-1918, arkeologët austriakë Prashniker dhe Shober të ngulnin kazmat e par atë arkeologëve. Më pas Apolonia u shdërrua duke nisur që nga viti 1925 në ‘’minierën arkeologjike’’ më të madhe të Shqipërisë. Do të ishte francezi Leon Rei me kontributin e tij si pararendësi i arkeologjisë shqiptare, ai që me gërmimet dhe botimet e studimeve të tij e bëri të njohur Apoloninë në fushën e arkeologjisë dhe historisë antike. Ndërkohë që bashkëpuntorit të tij, Hasan Cekës, të quajtur edhe si ‘’babai i arkeologjisë shqiptare’’ do ti duheshin edhe 40 vjet të tjerë pune këtu. Ai i rinisi gërmimet në vitin 1948, ku së bashku me kolegë të tjerë e shdërruan më pas Apoloninë, në “shkollën” e të gjithë arkeologëve të mëvonshëm shqiptarë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency