Blerja e makinës “me km zero”, një ëndërr e ndërprerë nga “Rilindja”!…

0
171

Ervin Kaduku

 –   Ekzekutivi paralajmëroi një reformim të thellë në tregun e shitjes së automjeteve, u paralajmërua edhe nisja e një aksioni për të ndaluar shitjen e palicencuar të automjeteve dhe për formalizimin e këtij tregu. Por, teksa të dhënat e vitit 2013 treguan se situata po bëhet gjithnjë e më shumë alarmuese, duket se qeveria e ka marrë me nge rregullimin e tregut

makina- Sipas tregtarëve të automjeteve, tregu i automjeteve të reja po bie me shpejtësi, duke dëmtuar jo vetëm sipërmarrjet që kanë investuar miliona, nga koncesionarët e deri te shoqëritë e leasing-ut, por duke sjellë efekte negative në buxhet e ambient dhe te vetë konsumatorët. Duket se ëndrrat e shqiptarëve për të pasur një makinë me kilometra zero i ka ndërprerë ardhja e një qeverie të heqjes së taksës së sheshtë dhe, rrjedhimisht, të rritjes së taksave për shqiptarët. Kjo është ndjerë menjëherë nga tregu dhe shifrat e tregojnë këtë më së miri. Vetëm 1422 makina të reja janë regjistruar për herë të parë në vitin 2013 dhe po qarkullojnë në rrugët e Shqipërisë që nga viti i kaluar, në një kohë që në vend operojnë 33 koncesionarë. Shifra e mjeteve të reja është gati tre herë më e ulët se në vitin 2008, kohë kur është shënuar dhe “lulëzimi” i industrisë së automjeteve të reja dhe kur parashikimet ishin që ai do të merrte një hov të mëtejshëm, në linjë me zhvillimet evropiane dhe rajonale.

Në total, në vitin 2013 janë regjistruar për herë të parë rreth 45 mijë mjete, me një rënie prej 15% në raport me një vit më parë.

 

Dilema: Të reja apo të vjetra?!

 Të dhënat e përpunuara nga Shoqata e Koncesionarëve të Automjeteve (ACA) tregojnë se, ndërsa automjetet e reja përbënin vetëm 3% të totalit të mjeteve të regjistruara për herë të parë në vitin 2013, ato kontribuojnë në 80% të të ardhurave që buxheti siguron nga TVSH e makinave. Tek automjetet e përdorura është i dukshëm informaliteti, përmes deklarimit minimal të vlerës, larg asaj reale.

Sipas llogaritjeve nga ACA, vlera mesatare e TVSH-së së paguar për një makinë të përdorur për gjashtëmujorin e parë 2013 ishte 433 euro, çka nënkupton se çmimi mesatar i deklaruar i një automjeti është në nivelin 2100-2200 euro. Por, sipas ACA-s, vlera reale e automjeteve të përdorura që hyjnë në vend, është disa herë më e lartë, mesatarisht 5000-7000 euro. Kjo ka sjellë një humbje në të ardhurat në buxhet nga TVSH-ja prej rreth 20-25 milionë eurosh (gati trefishi i shumës faktike që është paguar si TVSH nga mjetet e përdorura që kanë hyrë në vend në gjashtë muajt e parë të këtij viti). Kjo shumë, nëse do të arkëtohej, mund të përdorej në projekte të tilla për nxitjen e makinave elektrike apo atyre ekonomike, që do të reduktonin nivelet e larta të ndotjes në vend.

Nga ana tjetër, çmimi mesatar i shitjes së një makine të re është rreth 16 mijë euro (nga 8000-30,000 euro mesatarisht) dhe TVSH-ja mesatare për makinë rezulton sipas përllogaritjeve të ACA-s rreth 3200 euro.

 

Informaliteti

Në muajt e parë të këtij viti kemi arritur në një situatë, ku tregu formal i automjeteve rezulton i paralizuar dhe ai informal po lulëzon, dhe kjo po sjell një rritje të stokut të automjeteve të përdorura, që do të influencojë vlerën e tregut të makinave ekzistuese në Shqipëri. Rritja galopante e importeve të mjeteve të përdorura, në nivele më të larta sesa blerja dhe regjistrimi i tyre, ka sjellë dy vitet e fundit një dukuri që sa vjen e thellohet, atë të krijimit të një stoku të mjeteve të përdorura të pashitura. Sipas vlerësimeve nga ACA, diferenca kumulative mes mjeteve të importuara dhe atyre të regjistruara, në fund të vitit 2013, ka arritur në rreth 25 mijë.

 

Problematika

Sipas ACA-s, vetëm 5% e makinave të shitura, ato të prodhuara pas 2009-ës, respektojnë normat aktuale evropiane të ndotjes së ajrit, EURO 5 dhe EURO 6. Dhe në momentin që Shqipëria do të hyjë në BE, i gjithë ky stok i makinave të vjetra do të kthehet në një bombë me sahat.

Siguruesit e makinave janë më të dëmtuarit, për arsye se aksidentet nga amortizimi i madh i makinave janë 10 herë më shumë se në rajon dhe kostot për karburant dhe defekte të një makine mbi 12 vjet e përdorur janë disa herë më shumë se sa shpenzon klienti, i cili blen një makinë të re me 0.00 km dhe garanci mbi tre vjet ose më shumë se 100.000 km.

Ekzekutivi paralajmëroi një reformim të thellë në tregun e shitjes së automjeteve, pas shqetësimit të shprehur nga koncesionarët mbi konkurrencën e pabarabartë që u vjen nga tregtarët informalë. Në këtë kuadër u paralajmërua edhe nisja e një aksioni për të ndaluar shitjen e palicencuar të automjeteve dhe për formalizimin e këtij tregu.

Por, teksa të dhënat e vitit 2013 treguan se situata po bëhet gjithnjë e më shumë alarmante, duket se qeveria e ka marrë me nge rregullimin e një tregu, nga i cili aktualisht ka shumë të humbur, përfshirë dhe vetë shtetin dhe shumë pak të fituar…

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency