Zgjidhje konfliktit/ Administrativja rrëzon prefektin, buxheti i bashkisë miratohet i plotë

0
136

Kryeqyteti ka një buxhet pa kufizime, në fuqi vendimi i Këshillit në 26 shkurt

 Gjykata: Prefekti tejkaloi kompetencat pa u bazuar në ligj

gjykata adminBuxheti i Bashkisë së Tiranës është miratuar i plotë. Ky ka qenë vendimi i Gjykatës Administrative, e cila ka rrëzuar ndërhyrjen e prefektit për miratimin e pjesshëm të buxhetit të Bashkisë. Gjykata Administrative e ka konsideruar ndërhyrjen e prefektit si tejkalim kompetencash të pabazuar në ligj. Në të njëjtën kohë, Gjykata ka konfirmuar ligjshmërinë e buxhetit të Bashkisë të miratuar më 26 shkurt, i cili është miratuar me konsensus të plotë nga të gjithë këshilltarët.

 

Bllokimi

Menjëherë pas miratimit në Këshillin Bashkiak në mbledhjen e 26 shkurtit, buxheti i Bashkisë së Tiranës i shkoi prefektit të Qarkut, Sadi Vorpsi. Ky i fundit duhet të hidhte firmën përfundimtare për miratimin e buxhetit, por prefekti nuk e miratoi të plotë buxhetin, konkretisht nuk pranoi të firmoste pikën që kishte të bënte me zërin e shpronësimeve, ku përfshiheshin edhe shpronësimet për ndërtimin e bulevardit të Tiranës. Me mosfirmosjen e kësaj pike, bllokohej dhe ndërtimi i bulevardit të ri. Po ngërçi ligjor bëri që buxheti për Tiranën të ishte i pazbatueshëm pa firmën e prefektit. Kreu i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi, thirri në një mbledhje tjetër Këshillin në 30 prill për të diskutuar lidhur me bllokimin nga ana e prefektit. Sipas këshilltarëve të djathtë, prefekti kishte miratuar në tërësi buxhetin dhe pretendimi që pika ku parashikoheshin shpronësimet duhej riparë, nuk ishte në kompetencë të institucionit të prefektit. Pavarësisht nga kundërshtimi i këshilltarëve të djathtë, të majtët rimiratuan buxhetin, por pa pjesën ku parashikoheshin shpronësimet, pavarësisht së Këshilli Bashkiak e kishte votuar më parë buxhetin me konsensus të plotë. Ky vendim automatikisht bllokonte ndërtimin e bulevardit të ri të Tiranës, bllokonte ndërtimin e hapësirave të reja për varrezat dhe çdo ndërtim tjetër ku parashikoheshin shpronësime për interes publik në Tiranë.

 

Kalvari i bllokimeve

Me vendimin e djeshëm të Gjykatës Administrative i jepet fund bllokimit prej 4 muaj e gjysmë, buxhetit të Bashkisë së Tiranës. Fillimisht, këshilltarët e majtë në mbledhjen e datës 27 dhjetor 2013 nuk pranuan të votonin buxhetin, por vendosën shtyrjen e votimit. Shtyrja zgjati jo pak, por plot 58 ditë, pasi vetëm në 28 shkurt, kreu i Këshillit Aldrin Dalipi thirri mbledhjen e radhës, ku dhe u miratua buxheti i plotë. Të gjithë këto bllokime ligjore, por edhe nëpërmjet votës, kanë pasur qëllim që bulevardi i ri i Tiranës të mos ndërtohej. Me pretendimin se vlera e shpronësimit të banorëve ishte shumë e ulët përfaqësuesit e majtë në Këshill, por edhe në qeveri akuzuan Bashkinë e Tiranës se nuk po dëgjonte zërin e qytetarëve. Kreu i Bashkisë, Lulzim Basha, zhvilloi disa takime me banorët për t’u bërë të ditur se do të angazhohej për të ndryshuar çmimin e shpronësimeve, por vendimin për çmimin e merrte Këshilli i Ministrave. Sipas ligjit për shpronësimet, vetëm Këshilli i Ministrave miraton dhe përcakton çmimet e shpronësimeve për ndërtimin e veprave publike.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency