Reali shkatërron “ferrin” Allianz Arena

0
129

real_4435Reali i Madridit shkon me të dyja këmbët në finalen e Lisbonës duke “asgjësuar” në gjysmëfinale kampionët në fuqi Bajern Mynih. Galaktikët ishin të pandalshëm në fraksionin e parë, duke e lënë në hije kampionin që përpiqej ta qarkullonte topin në fushë. Pas një harkimi nga këndi të Luka Modriçit, Serxho Ramos kërceu në mënyrë fantastike dhe goditi me kokë në mënyrë që Nojeri nuk mund ta ndalte në minutë të 16-të. Pak më vonë, Di Maria dërgoi një goditje të lirë në zonë, aty ku Ramosi edhe e përshëndeti për të dytën herë rrjetën e gjermanëve. 15 minuta më vonë do të vinte edhe qershia mbi tortë me anë të Kristiano Ronaldos. Bejl pasoi te portugezi, i cili shënoi golin e 15-të sezonal në Ligën e Kampioneve, duke vënë rekord të ri për numrin e golave të shënuar brenda një sezoni në garën më të madhe evropiane. Vendasit dominuan me lojë në gjysmën e dytë në përpjekje për të shënuar, mirëpo Kasijas dhe garda e tij nuk thyheshin duke mos i lejuar ta shënonin as golin e nderit për të respektuar tifozët në stadium. Duke treguar edhe më shumë pse është më i miri i momentit, CR7 në mënyrë mjeshtërore nga gjuajtja e lirë shënoi golin e dytë personal dhe të 16-in për këtë edicion në Ligën e Kampioneve, duke zgjatur rekordin e tij. Në finale, Real Madridi do të presë fituesin e duelit ndërmjet Çelsit dhe Atletiko Madridit. Reali tashmë e ka fituar Kupën e Mbretit dhe është në garë edhe për La Ligën.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency