Atletiko përballë “autobusit” Çelsi me mision Lisbonën

0
169

Spanjollët do të përballen me blutë londinezë në një sfidë nga e cila priten surpriza, pasi deri më tani asnjë nuk është favorit

chelsea-rout Atletiko në kërkim të ëndrrës për ta bërë realitet, ndërsa Çelsi në kërkim të triumfit të dytë. Të dyja ekipet kanë pasur kronologji të ndryshme për sa u përket fateve të tyre në këtë kompeticion. Çelsi ka qenë ekipi që është parë shumë herë afër trofeut këto vitet e fundit, por ka arritur ta fitojë vetëm një herë. Atletiko nuk ka pasur shumë lavdi në këtë kompeticion, ndërsa këtë vit vjen me një fytyrë të re.Madrilenët do të përballen me blutë në një sfidë për të prerë biletën që i çon në finale. Sfida e parë u luajt në “Vinsente Kalderon”. Një ndeshje jo me shumë raste dhe që nuk na dhuroi asnjë gol. Kjo, pasi Murinjo kërkoi që të dilte me një rezultat pozitiv nga sfida. Barazimi i marrë duhet thënë që ishte i suksesshëm, duke e parë edhe formën që ka treguar ekipi i Simeones sa herë që ka luajtur në fushën e tij. Mirëpo për të marrë një rezultat pozitiv, duhet të sakrifikosh disa gjëra. Kështu, me “autobusin” e tij të famshëm, Mou e ktheu sfidën në një lojë të bezdisshme. Atletiko e pati shumë të vështirë t’i afrohej golit, edhe pse disa herë kërcënoi fortë portën e Shvarzerit që zëvendësoi Peter Çehun. Një lojë e vakët që nuk na la mundësinë të shikonim se cila nga skuadrat është më dominuesja dhe që ka më shumë mundësi të kualifikohet. Fakt ky i cili ndikon shumë mbi lojën që do të luhet në “Stamford Bridge”. Sa më i lartë niveli i paparashikueshmërisë aq më e vështirë është të dallohet dhe i favorizuari. Skuadra londineze ka plus të madh faktorin fushë. Por duket se ky faktor nuk ka shumë efekt te skuadra e “Cholo”-s që provat më të mira i ka dhënë në “Santiago Bernabeu”, por edhe në San Siro apo “Camp Nou”. Ndërsa te skuadra e Atletikos do të jetë fakti se nëse Murinjo do të kërkojë të bëjë një lojë të hapur, do të favorizojë bardhekuqtë që janë shumë të aftë në lojën në grup dhe mund të arrijnë të ndëshkojnë portën e Çehut. Arda Turan beson se Atletiko Madrid do të arrijë ta eliminojë Çelsin dhe do të kualifikohet në finale të Ligës së Kampioneve. “Rezultati 0-0 nuk është as avantazh as disavantazh, thjesht një fillim i ri. Do të shohim. Jemi një skuadër që lufton për secilin top, gjatë secilës sekondë të ndeshjes. Besojmë në aftësitë tona, në ëndrrën tonë. Po i ndjekim ëndrrat tona dhe shkojmë sa më larg që mundemi për t’i realizuar ato. Ne besojmë se do të arrijmë në finale”, – deklaroi futbollisti turk. Ndërsa sulmuesi Diego Kosta, është i bindur se Çelsi nuk do të bëjë paraqitje defensive në ndeshjen e nesërme gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Megjithatë, braziliani i natyralizuar në spanjoll pret që londinezët të sulmojnë më shumë kur dy ekipet takohen të mërkurën. “Nuk jam i nervozuar, është një ndeshje e madhe, le të kënaqemi dhe të luajmë. “Do të jetë ndeshje tjetër nga ajo në shtëpi, ata do të përpiqen të dalin dhe të sulmojnë më shumë”, – u shpreh Kosta.

 

Shurle: Çelsi di të dhurojë spektakël

Shurle u është kundërpërgjigjur kritikave për skuadrën e tij, duke thënë se kundërshtarët janë xhelozë për stilin e tyre. Reagimi i 23-vjeçarit vjen pas kritikave që mori Hoze Murinjo për lojën kundër Liverpulit. Mbrojtja in extremis e Murinjos ka hapur shumë debat, mirëpo Shurle nuk mendon se kjo mënyrë loje është negative. “Mund të luash futboll të përsosur, ta prekësh shumë herë topin dhe të humbësh. Por, kjo nuk është ajo që dëshiron, gjithkush dëshiron të fitojë. Nuk ka kuptim që të luash mirë dhe të humbësh. Nëse plani ynë është që të fitojmë duke luajtur kështu dhe fitojmë, atëherë është gjë e përsosur. Nëse njerëzit thonë se ‘Chelsea nuk mund të luajë’, madje edhe kur fitojmë, është thjesht për faktin se janë xhelozë”, – ka deklaruar gjermani.

 

Terri, Çeh dhe Eto rikthehen në stërvitje

Kapiteni XhonTerri, gardiani Peter Çeh, dhe Samuel Eto ishin të pranishëm në stërvitjet e ditës së martë me skuadrën e Çelsit. Kapiteni dhe portieri u lënduan në përballjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve kundër Atletiko Madridit dhe është pritur që të mungojnë deri në fund të sezonit. Hazard u lëndua në çerekfinale kundër PSG-së, kurse Eto ka pasur probleme të shpeshta me gjurin çka e ka penalizuar disa herë. Megjithatë, të gjithë këta lojtarë janë paraqitur në stërvitje, por vendimi nëse do të luajnë i përket stafit dhe Hoze Murinjos që do të vendosin se kush do të luajë në përballjen kundër skuadrës së Simeones. Peter Çeh është akoma i dëmtuar dhe duket se nuk do të jetë as këtë ndeshje i disponueshëm. Në vendin e tij duket se do të jetë përsëri Shvarzer është paraqitur mirë në dy ndeshjet që ka luajtur.

 

Tohir: Zaneti, drejtori i ardhshëm

Manjati i Interit, Erik Tohir, ka bërë të ditur se legjenda e zikaltërve, Havier Zaneti, do ta mbyllë karrierën si futbollist në mbarim të këtij sezoni dhe do të bëhet drejtor te klubi. Argjentinasi luan me skuadrën zikaltër që nga viti 1995, ndërsa në muajin gusht do të mbushë 41 vjet, duke dhënë sinjalet se karriera si futbollist po shkon drejt fundit. Ai nuk është i interesuar që të marrë ndonjë rol trajnues, por ka pranuar që të angazhohet në një post administrativ te klubi. “Jam takuar me Zanetin para disa muajsh që ta kuptoj vizionin e tij. Ai do të jetë pjesë e drejtorëve, por jemi marrë vesh që për momentin duhet të fokusohet në ndeshjet e fundit që duhet të zhvillojë”, – ka deklaruar indoneziani.

 

Reali, 85 milionë euro për Suarezin

Reali në kërkim të një tjetër galaktiku. Bëhet fjalë për Luis Suarezin. Sipas njoftimeve më të reja, gjiganti spanjoll është gati të ofrojë 85 milionë euro për t’i bindur “redsat” që të heqin dorë nga sulmuesi i tyre kryesor. Madje, kjo shifër thuhet se është e përafërt edhe me klauzolën për prishjen e kontratës së futbollistit uruguaian. “The Sun” njofton se Reali do të përpiqet të nënshkruajë me Suarezin para fillimit të Kampionatit Botëror. Si pjesë e marrëveshjes, “Los Blancos” mund të ofrojnë Karim Benzeman ose Alvaro Moratën, por kjo akoma nuk është vendosur. Njëherësh, është e qartë se nëse e blen Suarezin, Benzema do të largohet në një drejtim të një skuadre tjetër.

 

Alvesh: Spanja ka racizëm

Mbrojtësi brazilian Daniel Alvesh thotë se abuzimet raciste që ai ka marrë në Vilarreal, tregojnë se Spanja nuk është një vend i zhvilluar. Mbi brazilianin u hodh një banane nga një spektator gjatë fitores 3-2 të Barçës dy ditë më parë, ndaj të cilit gjest ai reagoi duke e ngrënë bananen. “Ka shumë racizëm në Spanjë në drejtim të lojtarëve të huaj. Ajo shitet si vendi i parë në botë, por ka disa gjëra që janë shumë të vonuara këtu. FIFA duhet t’u kushtojë rëndësi gjërave të tilla”, – ka thënë braziliani për “Radio Globo”. Ndërkohë gjesti i lojtarit ka përfituar një vëmendje shumë të madhe mediatike dhe në rrjetet sociale.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency