Galaktikët në garë me mbretërit e Evropës për vendin e finalistit

0
117

 

sportiNë mbrëmjen e sotshme do të luhet sfida midis Realit të Madridit dhe Bajernit të Mynihut. Një ndër sfidat e cila ka lënë më shumë shenja në historinë e futbollit evropian. Janë dy ekipet që kanë fituar më shumë “Champions”, çka e bën edhe më të rëndësishme sfidën. Skuadrat kanë histori edhe në përballjet e midis tyre, ku disa herë kanë triumfuar gjermanët dhe disa herë spanjollët. Mirëpo edhe në mbrëmjen e sotme do të rikthehen emocionet midis dy ekipeve që po kalojnë një formë mjaft të mirë për momentin. Në Gjermani, Bajerni e ka mbyllur pazarin me Bundesligën, pasi ka arritur të dalë kampion disa javë më parë. Ndërsa nga ana tjetër, Reali i Madridit është në ndjekje të Atletiko Madridit. Madrilenët vijnë me humor të mirë në sfidë, pasi arritën që të fitonin finalen e Kupës përballë Barcelonës, duke marrë kështu një triumf shumë të rëndësishëm ndaj një rivali direkt. Nëse do të bëjmë bilancin e ndeshjeve, bavarezët janë ata që i kanë hapur shumë probleme skuadrës spanjolle ndër vite. Mirëpo kësaj radhe gjërat ndryshojnë. Kjo pasi skuadra drejtohet nga Karlo Ançeloti. Me Milanin tekniku i ka eliminuar dy herë gjermanët, duke kthyer në një plus për spanjollët. Mirëpo në krye të Bajernit është Guardiola, i cili e ka treguar shumë mirë te Barcelona se çfarë mund t’i shkaktojë Realit të Madridit, kështu që nuk është se ka shumë diferenca midis dy ekipeve. Tekniku i galaktikëve u shpreh dje në konferencë se për Realin është shumë e rëndësishme që të kualifikohet në fazën tjetër, pasi është në kërkim të trofeut të 10-të. “Me kalimin e kohës e kemi përmirësuar ndjeshëm lojën tonë. Kemi një iluzion shumë të madh këtë sezon. Të fitojmë “La Deciman” nuk është një fiksim por një motivim për ne. Dhe të gjithë këtu dëshirojmë që ta fitojmë Ligën e Kampioneve. Nuk e ndiejmë veten favoritë, pasi përballë kemi një kundërshtar shumë të fortë, megjithatë ne kemi besim se mund të triumfojmë përballë tyre. Bajerni mund të konsiderohet si macja e zezë e Realit, por jo imja. Gjithsesi, ajo që më bën optimist se mund të fitojmë përballë tyre nuk është ky fakt por besimi që kam te futbollistët e mi”, – tha Ancelotti. Çështja kryesore këto ditë në Madrid ka qenë prania ose jo në fushë e Kristiano Ronaldos. Portugezi është grumbulluar për sfidën me Bajernin, megjithatë Ançeloti nuk ka vendosur ende nëse do ta hedhë në fushë 29-vjeçarin. “Ronaldo është stërvitur normalisht dhe është mirë. Megjithatë, nuk kemi vendosur ende nëse do ta hedhim në fushë. Vetëm nëse do të jetë në gjendjen e tij optimale do të luajë, pasi nuk dëshirojmë aspak që Kristiano të marrë ndonjë tjetër goditje. Ne jemi optimistë se ai do të jetë gati, gjithsesi kjo do të shihet vetëm pak para ndeshjes”, – vijoi tekniku italian. Ndryshe nga Ronaldo, Gareth Bejl është 100% i gatshëm për sfidën e parë gjysmëfinale dhe këtë gjë e konfirmoi vetë trajneri italian. “Bejl është shumë i kënaqur. Edhe ai pati një problem, por nuk ishte ndonjë gjë shumë e madhe dhe është më se i gatshëm. Ka besim ashtu si i gjithë ekipi. Kur erdhi këtu nuk e pati aspak të lehtë, por tani ka gjetur formën e tij më të mirë dhe po tregon që është një futbollist i madh”, – u shpreh Ançeloti. Ndërsa Alonso është i bindur se skuadra ka epërsinë e formës së mirë që po kalon. “Nuk kemi menduar për atë se çfarë ka ndodhur dy vite më parë, pasi rrethanat ishin tjera. Duhet të luajmë një ndeshje të përkryer. Duhet të dimë se si të mbrohemi dhe të sulmojmë mirë, kur e kemi topin. Bajerni është një rival i madh, por ne po kalojmë në një moment të mirë dhe askush nuk është favorit. Ne ia kemi dalë në gjysmëfinale secilin prej tre viteve të ndryshme dhe tashmë duhet të bëjmë edhe një hap më shumë”, – ka thënë mesfushori.

 

 

Guardiola: Nëse Ronaldo luan, më shumë spektakël

 

Për mediat ka folur edhe Pep Guardiola. Ai ka deklaruar se është e rëndësishme për ekipin e tij që të marrë një rezultat të favorshëm. Gjithashtu, ai u shpreh se nëse Ronaldo do të jetë në fushë, atëherë do të ketë më shumë spektakël. Për mediat ai deklaroi: “Madridi është një ekip i veçantë, ndërsa me Karlo Ançelotin si trajner, ata janë kundërshtari më i vështirë që ka mundur të na bjerë në këtë fazë të garës. Jam gjithmonë i lumtur kur luaj në gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve, sidomos kundër një skuadre si Madridi e sidomos kur kam një ekip si Bajerni. Duhet të luajmë mirë dhe të nxjerrim rezultat. Shpresojmë që të luajmë mirë dhe t’u japim tifozëve më të mirën. Njerëzit duan të shohin më të mirën dhe nëse luan Kristiano, atëherë pikërisht kjo do të ndodhë”, – është shprehur Guardiola.

 

 

 

Devid Mojes shkarkohet nga posti i trajnerit të Junajtidit

 

Humbja ndaj Evertonit ishte ajo që mbushi kupën dhe që largoi Devid Mojesin nga drejtimi i klubit të Junajtidit. Tekniku skocez nuk arriti që të mbante në të njëjtat nivele skuadrën e lënë nga Fergusoni dhe për këtë do të largohet nga klubi. 50-vjeçari bëhet trajneri i parë që shkarkohet nga shefat e Junajtidit që nga viti i largët 1986, kur u shkarkua Ron Atkinson. Përmes një komunikate të lëshuar në “Twitter”, klubi e ka falënderuar skocezin për angazhimin e tij të deritanishëm me klubin. Humbja prej 2-0 nga Evertoni ishte e 11-ta e sezonit në Premier Ligë dhe shefat e “djajve të kuq” nuk mund të lejonin që dështimet të vazhdonin edhe në edicionin e ardhshëm. Është raportuar se veterani Rajan Gigs do të ketë rolin e lojtarit-trajner deri në fund të këtij sezoni, kurse më pas do të vendoset për trajnerin e ardhshëm. Emri i trajnerit të Borusia së Dortmundit, Jurgen Klëp, është në krye të listës mirëpo për gjermanin, Borusia është skuadra e vetme për të cilën mendon, pavarësisht se vlerëson klubin anglez. Një alternativë tjetër është edhe Luis van Gal, i cili do të tërhiqet nga Holanda pas Kampionatit Botëror.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency