Kupa e Shqipërisë, në finale Flamurtari përballë Kukësit

0
147

Vlonjatët kanë arritur që të eliminojnë korçarët që çuditërisht, edhe pse në fushën e tyre, nuk kanë arritur që të marrin një fitore, duke u eliminuar nga turneu

 Në Durrës, ekipi i Kukësit ka arritur që të marrë fitoren me rezultatin minimal 0-1, duke siguruar kështu kualifikimin për në finale

Skënderbeu-FlamurtariU mbyllën dje edhe dy ndeshjet e mbetura të vlefshme për gjysmëfinalet në Kupën e Shqipërisë. Dy sfida të cilat patën shumë emocione, pasi luftonin përballë njëra-tjetrës skuadra të forta. Mirëpo vetëm Flamurtari dhe Kukësi kanë arritur që të presin biletën për finale, duke eliminuar kështu Skënderbeun dhe Teutën. Dy finalistët do të përballen në 17 maj 2014, në një stadium të përcaktuar nga FSHF-ja. Kujtojmë se trofeu i Kupës së Shqipërisë është i dyti për nga rëndësia në kampionatin shqiptar. Gjithashtu, fitimi i këtij turneu sjell përfitime financiare. Në rast fitoreje jepen nga FSHF-ja 50 milionë lekë, ndërsa fituesi merr pjesë në turin e parë të Ligës së Evropës, pra merr minimalisht 120 mijë euro, pa pasur parasysh faktin nëse kualifikohet për në raundin e dytë, pasi vlera e përfitimit rritet.

Skënderbeu-Flamurtari

Ujqërit e dëborës janë eliminuar nga Flamurtari në fushën e tyre. Tashmë është shumë e qartë që mjedisi te ekipi korçar nuk është i njëjti. Problemet pas ndeshjes me Tiranën duket se janë përshkallëzuar dhe kanë sjellë probleme edhe në gjysmëfinale. Problemet me tifozët në ndeshjen e fundit, të cilët akuzuan skuadrën për neglizhencë i kanë lënë badhekuqtë në një pozicion shumë të keq. Në stadium mungonte faktori i 12-të përballë një kundërshtari ndaj të cilit gjithmonë ka pasur rivalitet. Skuadra e Gjokës është treguar më e qartë para portës dhe ka marrë një rezultat që as vetë ata nuk e kanë menduar kaq të lehtë. Ndërsa nga ana tjetër Skënderbeu ka shfaqur probleme. Në fazën mbrojtëse lojtarët e Josës nuk janë shfaqur me shumë probleme, ndërsa dalja me të kuqe e Radës dhe humbja e penalltisë nga Shkëmbi do të shtonin edhe më shumë kaosin e krijuar te ekipi vendas. Vlonjatët janë treguar shumë të shpejtë dhe kanë arritur që të shënojnë dy herë në pjesën e parë për ta mbyllur historinë e kësaj sfide. Ka qenë Liçaj i pari që ka çuar skuadrën e tij në epërsi në minutën e 19-të. Ndërsa pak minuta se të mbyllej pjesa e parë, do të vinte edhe goli i dytë i shënuar nga Telushi. Lojtari do të përfitonte nga një gabim i gardianit Shehi për të shënuar një supergol që u dha fund ëndrrave të korçarëve për t’u kualifikuar. Një lojë shumë e mirë nga ana e Flamurtarit për sa i përket anës taktike, që kështu rrëmben një fitore hakmarrjeje ndaj kampionëve. Ekipi ka përfituar 50 milionë lekë premio që u premtuan nëse kualifikoheshin për në finale, ndërsa tani synimi është marrja e Kupës.

Teuta-Kukësi

Kuksianët arrijnë të dominojnë edhe ndaj Teutës. Verilindorët janë në një moment mjaft të mirë dhe këtë gjë kanë arritur ta tregojnë edhe në sfidën ndaj Teutës. Ndërsa durrsakët pas rezultatit të marrë në Kukës nuk arritën që të shfrytëzonin faktorin fushë për të siguruar një vend në finale. Ka qenë skuadra e Starovës ajo që ka tentuar të sulmojë e para dhe është vënë në kërkim të golit. Ndryshe nga ç’pritej verilindorët ishin nisur drejt “Niko Dovanës” me synim fitoren dhe kanë arritur ta marrin. Ka qenë Boja ai që i ka dhënë kualifikimin skuadrës së tij me golin e shënuar. Një gol që i mbylli shpresat Teutës, pavarësisht se durrsakët u munduan të dilnin në lojën e tyre, edhe pse u sfumuan nga paraqitja e djemve të Starovës. Kështu, blutë prekin për herë të parë finalen dhe shënuar një arritje shumë të rëndësishme historike. Tashmë pritet një përballje shumë e bukur midis vlonjatëve dhe kuksianëve, që nga të dyja kampet kanë vërtetuar se dinë të dhurojnë spektakël.

 

 

 

 

Nuhiu refuzon edhe Kosovën për Austrinë

Edhe Kosova ka dështuar për të marrë në ekip. Atdhe Nuhiu i mbyll derën është përfaqësueses së Kosovës. Sulmuesit të Sheffield Wednesday për momentin nuk i intereson të grumbullohet me përfaqësuesen e Kosovës, pasi synimi i tij është të jetë pjesë e rëndësishme e kombëtares së Austrisë. Të njëjtën gjë 24-vjeçari pati deklaruar disa vite më parë, kur i shënoi dy gola Shqipërisë në eliminatoret e evropianit për 21-vjeçarët. Një nga arsyet kryesore pse Nuhiu ka refuzuar të veshë fanellën e kombëtares shqiptare është fakti se në Austri nuk lejohet dyshtetësi, ndaj nëse do të merrte pasaportën shqiptare, duhet të dorëzonte atë austriake.

 

 

Ramos: Ndaj Çelsit luanim edhe sot

Serxho Ramos është treguar entuziast kur është pyetur në rast se ka frikë nga përballja me ekipin e ish-trajnerit Hoze Murinjo. “Los Blancos” u kualifikuan në gjysmëfinale me rezultat 3-2 ndaj Dortmundit nga dy ndeshjet dhe mund të luajnë ndaj bluve që eliminuan PSG-në dhe kjo nuk paraqet problem për qendrorin galaktik. “Një përballje ndaj Çelsit as nuk do të na favorizonte, por as nuk do të na bënte keq. Që të fitojmë Ligën e Kampioneve duhet t’i mposhtim ekipet më të mira dhe Çelsi meriton të jetë këtu. Kam shumë respekt për ta, por aspak frikë, kështu që mund të përballemi dhe sonte”, – ka thënë spanjolli.

 

 

Dortmundi nënshkruan me Ramosin

Verdhezinjtë kanë konfirmuar zyrtarisht blerjen e sulmuesit Adrian Ramos nga Herta e Berlinit. Nëpërmjet një komunikate në faqen zyrtare të internetit, klubi gjerman ka njoftuar se lojtari kolumbian do të nënshkruajë një kontratë 4-vjeçare. “Adrian Ramos është një futbollist i shkëlqyer dhe një nga sulmuesit më të mirë në Gjermani”, – tha drejtori sportiv i Borusias, Majkëll Zork. Gjatë këtij sezoni, Ramos ka shënuar 16 gola me fanellën bardheblu dhe në kampionatin e ardhshëm ai do të zëvendësojë polakun Robert Levandovski, i cili do të luajë për rivalët e Bajernit të Mynihut.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency