Njerëzit dhe imazhi

0
180

Historia e artit jo siç është vështruar deri tani, por e konsideruar në marrëdhëniet e njerëzve me imazhet gjatë historisë. “Fuqia e imazheve” me autor David Freedberg, përkthyer nga Gëzim Qendro në shqip, pasuron bibliotekën e konteksteve që lidhin artet pamore me estetikën si forcë e inteligjencës

 

TIZIANO15 Kur Susan Sontage kapërcente fantazinë e imazheve përcjellë përmes fotografisë si ruajtje e memories, natyrshëm krijonte edhe filozofinë e imazhit në perceptime estetike. Kësaj vazhdimësie duket se i përgjigjet edhe David Freedberg, profesori i historisë së artit dhe drejtor i Akademisë Italiane për Studime të Avancuara në Columbia University, Nju Jork – kur merr në konsideratë marrëdhëniet e njerëzve me imazhet përgjatë historike. Bëhet fjalë për historinë e ngritur në nivel vështrimi studimor te “Fuqia e imazheve”. Janë trajtesa teorike vlerësuar domosdoshmëri në fushën e studimeve të arteve pamore, një vepër e inteligjencës së mprehtë, – që ka përmbushur arsyet për ta sjellë në shqip, dr. Gëzim Qendro, botimet “Dituria”.

Lënda e këtij studimi u skicua fillimisht në një tekst të hartuar midis janarit dhe marsit të vitit 1980, kohë kur Freedberg kujton se ishte anëtar i ftuar i Institute for Advanced Studies në Prinston. Disa çështje u shtjelluan më tej në vitin 1983 dhe më 1984 u paraqitën si Slade Lectures* në Oksford. Teksti i Prinstonit synonte shqyrtimin e mundësisë së skicimit të një analize të reagimit emocional ndaj imazheve, mbështetur mbi të dhënat e shumta historike që lidheshin me reagimet e regjistruara dhe të mirëpërcaktuara racionalisht ndaj imazheve; ndërsa kursi i leksioneve në Oksford linte haptazi mënjanë teorinë e sigurt, duke parapëlqyer të ofronte shembuj dhe ilustrime të shfaqjes së reagimeve veçanërisht tronditëse që, me sa dukej, përsëriteshin kohë pas kohe. “Qëllimi im, nuk ka qenë t’u bëj bisht kritikave; por të nxis diskutime. Nuk kam pikën e dyshimit se skeptikët do të ekzistojnë; por duke u bërë ballë sfidave të tyre, shpresoj që, të paktën, të kem rikthyer për diskutim disa nga çështjet më të ngutshme të historisë së imazheve”.

V. M.

 

 

 

 

 

***

 

David Freedberg

 

Ky libër nuk sillet rreth historisë së artit, por rreth marrëdhënieve midis imazheve dhe njerëzve në histori. Brenda sferës së veprimit të tij janë përfshirë me vetëdije të gjitha imazhet, jo vetëm ato që pranohen si artistike. Ai është rezultat i një përkushtimi afatgjatë ndaj idesh, të cilat, si format tradicionale të historisë së artit – ashtu edhe ato më të fundit – duket se, ose i kanë shpërfillur, ose nuk i kanë artikuluar siç duhet. Kur skicova për herë të parë projektin e këtij libri në vitin 1979, shqetësimi im lidhej më shumë me nxjerrjen e tepruar në pah të historisë së artit të lartë, në dëm të elementeve të tjera të kulturës pamore. Dyshoja nëse është e mundur të flitet si duhet rreth artit të lartë, pa shqyrtuar imazhet e lëna disi pas dore. Por më shqetëson, mbi të gjitha, paaftësia e historisë së artit për të trajtuar dëshmitë tejet të bollshme rreth mënyrave me të cilat njerëzit e të gjitha klasave shoqërore dhe kulturave kanë reaguar ndaj imazheve. Më parë ishte kryer vetëm ndonjë numërim i rastësishëm, por asnjë analizë. Unë nuk besoja se materiali (jo e tërë çështja e reagimit emocional) të ishte aq idiosinkretik apo tepër anekdotik, sa të transhendonte analizën; përpos kësaj, unë besoja, ashtu si edhe tani, se ekzistonte mundësia që t’u jepej të dhënave historike njëfarë kuptimi teorik. Prandaj, për mua u bë e qartë se kish të ngjarë të tërhiqja mbi vete mosbesimin e kolegëve të mi të profesionit. Nëse do të përpiqesha të bëja vlerësimin e nevojshëm, ata, me siguri, do të rezistonin ndaj të folurës “së njerëzve të thjeshtë”, dhe do të pandehnin se po u rikthehesha disa ideve të pazhvilluara dhe reaksionare rreth natyrës njerëzore. Ata mund edhe të këmbëngulnin se po shpërfillja mënyrat me të cilat konteksti kushtëzon dhe përcakton reagimin. Atyre u dukej si johistorik çdo libër që përpiqej të fliste për reagimin emocional me terma që kapërcenin kufijtë e pastër kontekstualë.

Por asnjëherë nuk u vu në diskutim mohimi i rolit kushtëzues të kontekstit; libri nuk duhej parë si studimi i ndonjë rasti të veçantë. Ajo që doja ishte përballja me reagime emocionale që, me sa dukej, rishfaqeshin vazhdimisht – apo të paktën të rravgoja mundësitë e analizimit të tyre. Më patën lënë mbresa të thella disa lloje reagimesh ndaj imazheve – psikologjike dhe bihejvioriste më shumë se ato kritike – të cilat dukej se ishin vëzhguar përgjatë historisë dhe përmes kulturash, si të “qytetëruara” ashtu edhe “primitive”. Zakonisht ato nuk ishin ballafaquar në literaturë, sepse ishin të papërpunuara, bazike, paraintelektuale dhe të pagdhendura. Të shkruaje për to dukej diçka tepër turbulluese dhe e sikletshme. Por unë vazhdova t’i ndesh rastësisht dhe pothuaj kuturu, nëpër një larmi të gjerë burimesh etnografike e historike, dhe ato dukej se ishin paraqitur përherë dhe po njëlloj në vende të rëndomta dhe në metafora.

Por a ishin këto lloje reagimesh ndaj imazheve jo tamam idiosinkretike, ato që u shfaqën nga dialektika e marrëdhënies së një imazhi me një shikues të veçantë? A mos vallë përsëritja e vetme lindte nga parakonceptimi në kategori dhe nga kufizimet e hulumtuesit? Kuptova se duhej të kisha parasysh se çfarëdolloj shfaqjeje të përsëritur që zbuloja nuk ishte më shumë se një kimerë, se unë kisha zgjedhur vetëm të përshkruaja dukurinë në mënyrë të atillë që ato të dukeshin të herëpashershme dhe se e gjitha kjo ishte më shumë çështje përshkrimi se çfarëdo gjëje tjetër rreth vetë dukurive. Mos vallë thjesht po pranoja si të mirëqenë vëzhguesin ideal, dhe kisha harruar që reagimet farkëtohen në kudhrën e kulturës dhe në zjarrin e një historie të veçantë? Shpresoja të arrija njëfarë niveli prej të cilit të mund të flisja më përgjithësisht, por e kuptova se vështirësia do të qëndronte në shmangien e bllokimit prej kufijve të mi përshkrues dhe në shtyrjen në udhën e gabuar prej përkthimit të raporteve, ndërkohë që përpiqesha të rrokja atë që dukej se, në një kuptim më të thellë, i paraprinte kontekstit.

Me gjithë këto masa kujdesi për veten, nuk munda ta braktis besimin se rinxjerrja saktësisht në pah e atyre reagimeve emocionale ndaj imazhit për të cilat zakonisht nuk shkruhet, duhet të përfshihet brenda rrezes së veprimit të historianit, dhe se ishte e mundur të bëhej diçka më tepër me provat që, në dukje, rishfaqeshin kuturu dhe që ishin braktisur si mbeturina të rastësishme të historisë. Kështu eca më tutje. Domethënia e gjithë kësaj qëndronte te nevoja për ta shtrirë rrezen e veprimit më gjerë nga sa shihej zakonisht si legjitime, dhe se duhej të isha më pak dyshues nga sa janë zakonisht kolegët e mi rreth kërkesave që psikologjia ka ndaj historisë. Për më tepër, ishte e qartë se, për të trajtuar siç duhej atë lloj materiali që kisha në mendje, do më duhej të futesha në fushat e antropologjisë e filozofisë dhe se hetimi sociologjik kërkonte që në njëfarë pike të ndiqte vijimësinë me procedurat historike. Detyrës kështu nuk i dukej fundi dhe nuk ishte aspak e qartë se si mund të ndërthurej moria e madhe e të dhënave me strategjitë metodologjike që do të më mundësonin ta organizoja sa më mirë.

 

Më në fund vendosa se mënyra më e mirë për të vazhduar më tej mund të ishte përcaktimi i atyre që më dukeshin si disa prej formave më dramatike të reagimeve emocionale që përsëriteshin më shpesh, dhe këto forma t’i shqyrtoja sipas një teorie shpesh të mpakur e ndonjëherë edhe qorrsokakëse që ishte zbatuar deri atë kohë mbi to (nëse një teori e tillë ekziston vërtet). Doli se lloji i të dhënave që lidhej më shumë me këto forma ishte pikërisht ai që historianët e artit, në rendjen e tyre pas formave më të intelektualizuara të reagimeve, zakonisht e linin mënjanë. Duke shtypur provën për fuqinë e imazheve, mua më duket se ata lënë në heshtje – zakonisht nga padija dhe rrallë nga dija – marrëdhëniet midis imazheve e njerëzve që kanë mbetur në histori dhe lidhen si me antropologjinë, ashtu edhe me psikologjinë popullore. Historia e imazheve qëndron në udhëkryqin e këtyre disiplinave, por historia e artit, siç konceptohet zakonisht, i përvidhet këtij takimi. Njëkohësisht, unë nuk mund të mëtoj se gjatë hulumtimeve të mia nëpër disiplinat fqinje jam larguar me trofeun e duhur. Filozofia këtu është e thjeshtë, psikologjia pak më shumë se në hapat e parë fillestarë. Në të vërtetë, programet psikologjike dhe sociologjike vetëm sa janë skicuar, më shumë për t’u dalë përpara pyetjeve të mundshme; për renditjen e tyre të plotë do të nevojiteshin libra të tjerë.

 

Megjithëse me paraqitjen e provave u bë e qartë se dallimet themelore duhej të ndaheshin sipas klasave të reagimeve ndaj imazhit më tepër sesa sipas klasave të imazheve, shpejt u bë e qartë se përgjigjet ndaj disa lloje imazhesh sillnin më shumë se një provë të drejtpërdrejtë: për shembull, imazhe dylli, shëmbëllesa të gdhendura ceremonish varrimi, ilustrime pornografike dhe skulptura, dhe një seri e tërë pllakatesh dhe posterash. Por këto ishin tamam llojet e përgjigjeve që zakonisht dallonin prej reagimit të njerëzve eruditë dhe të arsimuar, por që dikush mund t’i quajë reagime edhe të larta e kritike. Dobia e pritshmërisë prej qëndrimeve dhe sjelljeve që zakonisht shiheshin si popullore ishte që ato efekte të ndjera nuk ishin dhe aq shpesh të ndrydhura emocionalisht nga shikuesi. Ato dukej se ishin më dramatike, dhe për këtë arsye, më të afta të përshkruajnë e analizojnë. Ideja mund të mos jetë korrekte, por dukej se funksiononte kënaqshëm. Duhet theksuar, asgjë nuk sugjeronte se ata që mund të flisnin rrjedhshëm rreth artit të lartë nuk reagonin emocionalisht në po ato mënyra, të ashtuquajtura popullore. Pikërisht duke i quajtur reagimet ndaj imazhit “popullore”, ata mohonin saktësisht atë që arrinin në rastin e sjelljes së tyre të rafinuar.

Por diskutimi nuk bëhej vetëm midis “popullores” apo “të kultivuarës”; ishte – mbase në një masë më të madhe – midis “primitives” dhe kulturës perëndimore. Siç do të shihet në faqet në vijim, unë përpiqem t’i kundërvihem pikëpamjes ende gjerësisht në qarkullim (haptas apo fshehtas) se disa karakteristika të artit dhe të reagimit ndaj tij kufizohen vetëm në shoqëritë “primitive” apo ato joperëndimore. Historianët e artit e lënë pas dore studimin e sjelljes “primitive” në Perëndim, njëlloj siç kanë shpërfillur dëshmitë në shoqëritë joperëndimore të asaj që gjithmonë është parë si njëra nga kategoritë më të sofistikuara të mendimit perëndimor rreth artit – më saktë, vetëndërgjegjen kritike dhe zhvillimin e një terminologjie kritike. Shumë nga ajo që vijon më pas lidhet me ato lloj sjelljesh në Perëndim, të cilat pozitivistëve racionalë u pëlqen t’i përshkruajnë si irracionale apo primitive, të shpjegueshme vetëm në termat e “magjikes”. Unë, ç’është e vërteta, do të isha i kënaqur nëse do të rrëzohej dallimi jetëgjatë midis objekteve që ngjallin reagime për shkak të fuqive “fetare” apo “magjike” që përmbajnë, dhe atyre që mendohet se zotërojnë funksione të kulluara “estetike”. Nuk besoj se ky dallim ka ndonjë vlerë. Më duket se tani duhet të përgatitemi të heqim nga diskutimi i “magjikes” provat e dukurive siç është animizmi i imazheve, dhe duhet të përballemi më vendosmërisht me masën në të cilën fenomene të tilla na tregojnë rreth përdorimit e funksioneve të vetë imazheve, si dhe për reagimet ndaj tyre.

Shpresa ime e fundit për këtë libër është që materiali që po paraqes të arrijë të gjenerojë qasje edhe më kritike ndaj njërit prej mendimeve më të përhapura rreth artit, por që mbrohet mendjelehtësisht. Kjo është ideja se “në një vepër arti ne i kapërcejmë reagimet ku materiali apo subjekti na shtyjnë me shumë zell”. Për sa kohë që do të jemi po aq të interesuar sa ç’jemi tani për faktorët përcaktues të atij që e quajmë art, nuk do t’i shpëtojmë dot tiranisë që kjo kategori imponon mbi mënyrën si mendojmë rreth reagimit ndaj imazheve.

Por nëse lexuesit presin ndonjë teori të veçantë rreth reagimit që do të shfaqet në fund të librit, do të zhgënjehen, veçanërisht nëse me termin “teori” nënkuptojmë një teori tërësisht shpjeguese, e cila në parim merr përsipër të sqarojë të gjitha rastet. Përkundër kësaj, qëllimi ka qenë të përpunohen termat e përshtatshëm, dhe të gjenden mundësitë për mënyrat me të cilat teoria njohëse mund të ushqehet nga dëshmitë historike. Por, ndërsa qëllimi më i shkoqur do të jetë puna drejt qasjes së problemeve të reagimit ndaj imazheve (dhe të flasim rreth reagimit) që mund të përgatisë truallin për teorinë, nuk do t’i shpëtojë vëmendjes së lexuesit se shumica e materialit që paraqes këtu (ose mënyra se si e paraqes) sugjeron mundësinë e një projekti të mënyrës së vështrimit. Duhet të shtoj këtu – për t’u paraprirë keqkuptimeve – se projekti është menduar të përfshijë si jofigurativen, ashtu edhe figurativen, ndonëse në shumicën e rasteve shembujt e mi (pasojat e pashmangshme të një edukimi të caktuar) do të përfshijnë imazhe që paraqesin trupa.

Kur përdor në këtë libër termin “reagim” u referohem – në një kuptim të gjerë – simptomave të marrëdhënies mes imazhit dhe shikuesit. Unë e përdor këtë term për të gjitha imazhet që ekzistojnë jashtë vështruesit (ndonëse rëndësia e imazheve mendore do të shfaqet në disa kapituj). Unë do të shqyrtoj përgjigjet aktive, të shfaqura së jashtmi prej shikuesve, si dhe të besimeve (për aq sa është e mundur të regjistrohen) që i motivojnë ata për veprime dhe sjellje të caktuara. Por një pikëpamje e tillë rreth reagimit ndaj imazhit mbështetet mbi efektshmërinë (e pranuar ose jo) të imazheve. Ne duhet të marrim parasysh jo vetëm simptomat dhe sjelljet e shikuesve, por edhe efektshmërinë dhe forcën jetësore të vetë imazheve; jo vetëm se çfarë bëjnë shikuesit, por gjithashtu se çfarë duket se bëjnë vetë imazhet; jo vetëm se çfarë bëjnë njerëzit si rezultat i marrëdhënies së tyre me formën e paraqitur në imazh, por edhe se çfarë presin ata që kjo formë të kryejë dhe, tekembramja, përse i kanë të tilla pritshmëri.

Kapitujt që pasojnë janë paramenduar të ecin më tutje përmes dhënies së shembujve dhe jo përmes konceptesh abstrakte. Për të gjitha këto, qasja është më tepër induktive sesa deduktive. Në vend që të bashkoj elementet e argumenteve rreth kontekstit, kritikës, të lartës dhe të ulëtës, “magjikes”, funksionit dhe përdorimit – mbase lajtmotivet kryesore të këtij libri – unë i kam lejuar të shfaqen vetëm aty ku i kërkojnë shembujt. Qëllimi është të sugjerojmë rezonancën e subjekteve në çdo kapitull, me shpresën që të rrisim dukshëm mundësitë për analizë. Meqë subjektet që mbuloj janë të pashtershme, unë nuk u përpoqa që t’i bëj shteruese. Gjatë shtjellimit, lexuesit do të jenë, pa dyshim, në gjendje të shtojnë shembuj të tjerë nga ana e tyre. Sa më shumë ta bëjnë këtë, aq më mirë.

Materiali i papërpunuar është i gjerë, i larmishëm dhe qartazi i paaftë të lëmohet. Edhe përzgjedhjet që po paraqes këtu ngrenë një larmi të madhe çështjesh ku të gjitha përmbajnë në mënyrë komplekse çështjen e reagimit ndaj imazheve. Prandaj, kohë pas kohe, mund të krijohet përshtypja se një numër i madh çështjesh mbahen pezull dhe se pyetje të reja shtrohen pa iu përgjigjur pyetjeve të mëparshme. Ndërsa qëllimi im nuk ka qenë të shtroj çdo çështje teorike, apo të zgjidh çdo problem (përderisa unë jam përpjekur, përkundrazi, të tregoj interesin e tyre), lexuesi do të priret të ngulmojë te përfundimi, aty ku unë përpiqem të shpalos linjat kryesore që përshkojnë këtë libër. Në fund, besoj se ekziston vërtet një projekt dhe – shpresoj – një parashtrim i shumë prej propozimeve që bëj dhe prirjeve teorike të cilat mëtoj se i mbështes.

Unë filloj me shembuj reagimesh që mbase na duken tepër të pangjashme, por që dikur ishin mjaft të zakonshme; njëkohësisht, unë hedh idenë se ne arrijmë të kuptojmë diçka nga fuqia e imazheve nëse pranojmë ndershmërisht reagimet tona ndaj tyre, imazhe që duket se paraqesin interes seksual për ne. Pastaj, unë përvijoj disa nga rrugët në të cilat Zoti është në imazh; me fjalë të tjera, si ngarkohet me praninë e diçkaje. Në këtë pikë propozoj të marrim më seriozisht faktin se ne jemi mësuar me vende të zakonshme, të ngjashme dhe me metafora që zbulojnë fuqinë e imazheve. Në kapitullin e katërt, unë hedh idenë se miti i anikonizmit lind pikërisht nga frika jonë për të pranuar se imazhet janë të pajisura vërtet me cilësi dhe me forca që duket se e kapërcejnë përditësinë, dhe se ne sajojmë mitin sepse s’mund ta detyrojmë veten që ta pranojë këtë mundësi. Këto cilësi ilustrohen nga pasojat shqisore të së bukurës e artistikes, dhe kështu mungesa e supozuar e imazheve apo mungesa e paraqitjes lidhet me pastërtinë dhe virtytin. Nëse imazhet janë të mveshura me pushtet, atëherë, si janë bërë për të funksionuar? Kjo është pyetja që ngre në kapitullin e pestë.

Radha e kapitujve në vazhdim lidhet me shembuj specifikë të fuqisë së imazheve: nga fuqia tërheqëse mbresëlënëse e imazheve të pelegrinëve, dhe shpresat e parealizueshme që viheshin në to, përmes besimeve se imazhet në njëfarë mënyre, mund të veprojnë si ndërmjetës të volitshëm falënderimi për favore të mbinatyrshme, te mënyrat me anë të të cilave ato mund të ngrenë shikuesit në lartësitë e empatisë e pjesëmarrjes. Kapitulli i dhjetë trajton ato që mund të ngjajnë si disa nga besimet dhe praktikat më ekstravagante, pra, që imazhet mund të përdoren me efektshmëri për të turpëruar a ndëshkuar ata që paraqiten në to, ose edhe t’i dëmtojnë, apo të shërbejnë si mjet joshjeje. Në dritën e reagimeve, përdorimeve dhe besimeve të tilla, bëhet e nevojshme të pranojmë pikëpamjen e shumë përrallave mesjetare në të cilat imazhet marrin jetë në një nivel më pak anekdotik dhe më të ulët nga sa ka qenë rasti deri më sot. Për më tepër, meqë në kaq shumë dëshmi për imazhe të gjalla përfshihet një marrëdhënie e heshtur apo e qartë seksuale, një urë ofrohet për të kaluar nga feja te seksualiteti. Në materialin e përndezjes nga imazhet, ne mund të fillojmë përsëri të kuptojmë problemin e frikës. Nëse imazhi është, në njëfarë kuptimi, i drejtpërdrejtë aq sa duhet që të ndezë dëshirën (ose, nëse jo i drejtpërdrejtë, mjaftueshmërisht provokues për ta bërë pikërisht këtë), atëherë është më shumë sesa duket, dhe fuqitë e tij nuk janë ato që ne pranojmë t’i lejojmë një paraqitjeje të pajetë; dhe kështu këto fuqi duhet të kufizohen, ose ato që i shkaktojnë, të eliminohen. Prej këtej rrjedh nevoja për censurim (dhe këtu po heq një paralele me efektet e rrezikshme dhe ngashënjyese që u jepen grave). Kalimi nga censura tek ikonoklazma është i qartë. Ajo që i lidh bashkë të gjitha këto çështje është fuqia e imazheve dhe orvatjet tona për t’u përshtatur me provat rreth saj.

Dy vëzhgime përfundimtare rreth dëshmisë mund të jenë në diskutim. Disa lexues mund të turbullohen nga mungesa e dallimit të qartë midis raportimit dhe rrëfimit të përfytyruar – dhe, për këtë arsye, midis raportimit dhe raportit që formon bazën e zgjerimit imagjinar. Çështja, për shembull, mund të ndihet se po bëhet thelbësore në diskutimin e imazheve të drejtpërdrejta në kapitullin e njëmbëdhjetë, dhe po ashtu gjetkë. Ndonëse përsiatjet rreth problemit gjenden tejembanë librit, nuk kam pikë dyshimi se ato mund të zgjerohen më tej. Shpresoj se nuk do t’i shpëtojë vëmendjes së lexuesit, se kur vjen puna te reagimi, është gjithashtu e mundur të teprohet me këto dallime – pikërisht ashtu siç është i mundur mbitheksimi i kontekstit në kurriz të njohjes. Në mënyrë të ngjashme, disa ka të ngjarë të alarmohen prej largimit nga imazhet fetare, të marra në kuptim të gjerë (te të cilat përqendrohet pjesa më e madhe e këtij libri) drejt imazheve shekullare dhe erotike. Prandaj e propozoj, madje pa u rrekur t’i hyj udhës së qetësimit, sepse vazhdimësia midis këtyre lloj imazheve është saktësisht ajo që dua të theksoj. Në një masë të madhe, ky theksim është i fshehur. Por në kapitullin e katërt, në diskutimin e shkurtër të Gadamerit rreth anikonizmit, ai është më i qartë, dhe është i pranishëm, me nënkuptime të fuqishme, në analizën e ikonoklazmës në kapitullin e katërmbëdhjetë.

Unë zgjodha të përqendrohem te një numër dukurish të gjera, të cilat më duken se janë të afta të përfshihen nën titujt e përgjithshëm pa dëmtuar rëndë dallimet dhe ndryshimet e brendshme. Ato janë të gjitha dukuri goditëse dhe nganjëherë dramatike. Secila prej tyre furnizon material më se të mjaftueshëm për libra të shumtë dhe studime rastesh. Pa dyshim, ka edhe çështje të tjera që meritojnë vëmendje; mbi të gjitha jam i ndërgjegjshëm për mungesën këtu të një qasjeje ndaj problemit të propagandës me figura dhe të zgjimit të veprimit politik.

Interesi i disa prej çështjeve të trajtuara është përforcuar vitet e fundit (veçanërisht qysh nga fillimi i dhjetëvjeçarit) nga një mori botimesh të motivuara më së shumti nga krenaria vendore drejt një forme më pak kanonike të imazheve. Interesi më së shumti është folklorik, por kjo nuk e zvogëlon domethënien e tij. Ne duhet vetëm të shqyrtojmë sidomos numrin e botimeve të reja rreth ex-voto në Itali, dhe daljen e vazhdueshme të të dhënave rreth dukurisë së pelegrinazhit dhe objekteve përkushtimore në Gjermani, Austri dhe në Evropën Jugore në përgjithësi. Unë nuk isha në gjendje të merrja parasysh të gjitha botimet më të reja në këto fusha, përderisa rezultati rritet dita-ditës. E njëjta gjë vlen, por në një masë disi më të vogël, për materialin që dikur e gjenim nëpër imazhet e dyllit dhe për përdorimin e pikturave e skulpturave në kontekste gjyqësore.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency