Çfarë ndien një qytetet kur i lëvdohet historia

0
199

Ilirjan Gjika

 

Është e rrallë që disa ngjarje kronikale të kenë një qasje historike për të zbuluar çfarë ndodh jo vetëm brenda një qyteti, por edhe në të shkuarën e tij. Kjo pamje e tejpërtejshme e ka shndërruar punën e Niko Kotheres në një dokument, që ndoshta do t’i qëndrojë gjatë bibliotekës historike të qytetit të Korçës

 

 

muzeu kombetar i arsimit Mesenjtorja e pare ShqipeËshtë e rrallë që disa ngjarje kronikale të kenë një qasje historike për të zbuluar çfarë ndodh jo vetëm brenda një qyteti, por edhe në të shkuarën e tij. Kjo pamje e tejpërtejshme e ka shndërruar punën e Niko Kotheres në një dokument, që ndoshta do t’i qëndrojë gjatë bibliotekës historike të qytetit të Korçës. Bëhet fjalë për botimin “Mbi historinë e Korçës”, ku përmblidhen studime, trajtesa dhe shkrime historike, është i treti në radhën e publikimeve individuale të autorit, si: “Fotografët e Korçës” dhe “Historiku i Mësonjëtores së Parë Shqipe të Korçës”. Ndërkohë që këtë libër prej 296 faqesh janë trajtuar me finesë 37 shkrime, kryesisht publicistikë historike, të cilat janë botuar më parë në formën e artikujve në disa të përditshme të shtypit tonë të shkruar, apo janë mbajtur si kumtesa nga autori në evente të ndryshme kulturore.

Me një gjuhë të thjeshtë, të qartë dhe stil tepër konciz, Niko Kotherja na servir një histori të shkruar ndryshe, të qytetit të tij, Korçës. E veçanta e këtij vëllimi qëndron në faktin se autori nuk bën përshkrime ngjarjesh kronologjike apo kronika, si në shumicën e botimeve tona historike. Në një formë tjetër ai ndërton një panteon profilesh të figurave të shquara të fundit të shekullit XIX dhe atij XX, për Korçën dhe Shqipërinë.

Nëpërmjet tyre ai nis dhe “shpjegon” një histori më tepër kulturore, ku gjejmë të pasqyruar bukur disa fusha dhe personalitetet e tyre. Kështu, aty ka shkrime për arkitekturën, publicistikën, teatrin, kishën dhe klerikët e saj patriotë, arsimin kombëtar, muzikën lirike, jurisprudencën, si dhe fotografinë artistike, për të cilën Niko Kotherja ka një dobësi dhe admirim të veçantë. Ndoshta ai niset nga fotot historike për të shkruar më pas historitë e tyre.

Ndërkohë që, në këtë vëllim autori nuk harron për të trajtuar edhe tema nga ngjarjet më madhore të historisë sonë si: Shpallja e Pavarësisë Kombëtare apo Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Duke respektuar parimin se që të merresh me histori duhet që më parë të trajtosh atë të vendlindjes, edhe Niko Kotherja vendos si pikënisje të librit të tij: vendlindjen-Korçën. Pikërisht me të ai nis dhe ndërton fillimisht një histori lokale e cila vijon duke u zgjeruar me tema të tjera nga historia kombëtare, ajo rajonale dhe më tej atë botërore.

Lexuesi që e merr librin në dorë dhe nis dhe e shfleton, shikon se “rrëfimi” nis me një historik të themelimit dhe rritjes e të zgjerimit të qytetit të Korçës. I ndarë në disa rubrika, ky shkrim kronologjik na informon se si u themelua ky qytet dhe nga e mori emërtimin e tij. Përveç historicizmit, autori nuk ngurron të fusë në funksion të tij edhe një “galeri” prej 40 personazhesh jetësore, një metodë e parapëlqyer prej tij, të cilën mund ta ndeshësh edhe në faqet e tjera të librit.

Duhet theksuar se Niko Kotherja duket sikur ka ndërtuar një histori të Korçës në formën e një mozaiku shkrimesh. Kështu pas shkrimit të parë ai vijon një tjetër duke e “zhvendosur” temën e tij në hapësirë drejt SHBA-së, ku trajton historinë 95-vjeçare të shoqërisë “Vatra”. Dhe këtu duke përmendur emrat e protagonistëve të lëvizjes kulturore shqiptare ai nuk harron të theksojë edhe atë Kolë Sotir Kristoforin, të parin shqiptar që shkeli tokën e kontinentit të largët në vitin 1884.

Ndërkohë në libër gjen edhe tema të tjera interesante, ku karakterit të theksuar njohës i shtohet edhe ai estetik. Mund të përmendim këtu shkrimet mbi Liceun Francez, profile të femrave të shquara dhe të emancipuara të kohës si: Marigo Posio dhe Tefta Naçi, apo mikrotema interesante si ajo e fshatit Dardhë gjatë luftës antifashiste, portretin e dëshmorit Genc Tromara, procesi i ekzekutimit dhe varjes së dëshmorëve Midhi Kostani e Kiço Greço etj. Përveçse trajtimeve të tjera, autori merret edhe me statistikën historike. Pikërisht në një nga shkrimet që përmendëm më sipër ai na jep shifrën prej 380 pjesëmarrësish në luftë vetëm nga grupi i nxënësve të Liceut, si dhe emrat e 50 prej tyre të rënë dëshmorë në luftë.

Me shumë vlera në këtë vëllim janë edhe shkrimet e tjera të librit. Të tillë janë ai mbi historinë e flamurit që u ngrit në Vlorë dhe ai i 40 firmëtarëve të aktit të Pavarësisë. Të dy këta shkrime përbëjnë një risi në historiografinë tone, sepse si asnjëherë tjetër na japin një histori ndryshe nga ajo që kemi mësuar në shkolla dhe librat tanë. Të botuar në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë Kombëtare si artikuj në shtypin e shkruar, ata janë futur tashmë në fondin e kësaj shkence, duke afirmuar njëkohësisht edhe autorin si një studiues serioz në fushën e historisë.

Kështu, në artikullin e parë, Niko Kotherja na paraqet 11 variantet e historiografisë sonë rreth flamurit që u ngrit në Vlorë Ditën e Pavarësisë dhe që mbetet edhe sot objekt debati midis historianëve. Në të dytin, na jepen për herë të parë profilet e 40 firmëtarëve të aktit të Pavarësisë, së bashku me fotot e tyre përkatëse.

Vërtet një risi që së pari do ti vlente më shumë studimit të lëndës së historisë në shkollat dhe universitetet tona. Por edhe vetë libri është në radhë të parë një pikë referimi edhe për studiuesit e kësaj fushe, për vetë materialin e pasur që bart, gjerësinë e temave, referencat e shumta, etj.

Aty nuk mungojnë portretet e njerëzve të shquar të kulturës sonë si Noli, Konica apo Mihal Grameno, por edhe të shumë figurave të cilat për shumë kohë kanë qenë të anatemuara nga historiografia e periudhës së komunizmit. Të tilla janë ato të Lef Nosit, Mustafa Krujës apo Llazar Fundos.

Duke iu referuar këtij të fundit, do të thoshim me të drejtë se njohja e historisë na tregon origjinat e problemeve të sotme politike. Pikërisht këtë, Niko Kotherja na e shtjellon më së miri tek trajtimi i figurës komplekse të intelektualit martir Llazar Fundo. Nëpërmjet tij njihemi me historinë e shoqërisë “Bashkimi”, ngjarjet e trazuara të vitit 1924, një pjesë të historisë së Kominternit, djegien e Rajshtagut gjerman, persekucionit stalinist në BS, okupacionin fashist në Shqipëri, burgun famëkeq të Ventotenes etj.

Këtu tregohet edhe për historinë e lindjes së idesë së Evropës së Bashkuar, ku nëpërmjet kujtimeve të “babait” të saj, Altiero Spinelit, flitet se një nga bashkautorët e Manifestit të Ventotenes, nga i cili lindi programi i Evropës së sotme “të lirë dhe të bashkuar”, ishte pikërisht korçari Llazar Fundo.

Por një tjetër meritë e autorit të librit “Mbi historinë e Korçës” është se ai na fut nëpërmjet shkrimeve të tij edhe në psikologjinë e periudhës historike për të cilën shkruan. Këtë mund ta ndeshësh fare mirë tek shkrimi për dëshmorët Mimi Kostani dhe Kiço Greço. Në këtë rast Niko Kotherja boton për herë të parë dokumentacionin e proçesit gjyqësor, ku autoritetet fashiste dënuan me varje Mimi Kostanin dhe Kiço Greçon. Nëpërmjet tij gjejmë përshkrime të hollësishme të zhvillimeve të LANÇ-it, pjesëmarrjes në të, por edhe të praktikave gjyqësore të asaj periudhe kohe. Shkrimi kompletohet edhe me fotot nga ekzekutimi me varje i tyre në një nga rrugët dhe sheshet e Korçës. Tepër interesante është edhe jetëshkrimi për patriotin e palodhur Idhomene Kosturi, i cili përveç aktivitetit të gjatë politik, është njohur për aktivitetin tregtar, për kontributin në themelimin e Bankës Tregtare apo nismën për tharjen e kënetës së Maliqit etj. Nëpërmjet shkrimit për të, Niko Kotherja na tregon se në Arkivin Qendror të Shtetit ndodhen 17.000 fletë dokumente, të cilat presin një ditë të shndërrohen në objekt studimi.

Copëza të tilla historie mund të veçosh në të gjitha shkrimet që bart ky vëllim. Mjafton që ai të lexohet me vëmendje dhe kujdes për vlerat që bart dhe trajton.

Mund të themi se nëpërmjet këtij libri, Niko Kotherja realizon dy qëllime njëkohësisht. Së pari, ai pasuron bibliotekat tona, por plotëson edhe profilin e tij intelektual, duke u shfaqur dita-ditës si një nga emrat autoritarë në fushën e studimeve historike. Duke mos ardhur nga linja akademike, ai na prezanton atë histori që me të drejtë në këtë shkrim e kemi quajtur ndryshe. Ndryshe, sepse Niko Kotherja shkruan larg skematizmit shabllon dhe empirizmit skolaresk. Me një prakticitet të thjeshtë dhe jetësor ai vijon në traditën më të mirë kulturore, të krijuar prej atyre personaliteteve për të cilët ai shkruan në librin e tij.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency