TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha i ka quajtur “Fake News” deklaratat e maxhorancës të thëna sot edhe nga Ministri Damian Gjiknuri se qeveria e mëparshme donte të vinte taksën 8.6 euro për “Rrugën e Kombit”.
Berisha thotë se ai mund ta vendoste taksën së paku 4 herë nga viti 2010 deri në 2013 por se studimi i bërë do shërbente vetëm për të gjetur sa duhej paguar koncesionari nga taksa e qarkullimit për mirëmbajtjen e rrugës. Berisha i bën thirrje Ramës të pranojë kërkesat e opozitës ose kjo pranverë sipas tij do jetë fundi i tij.
STATUSI I BERISHËS
Fake News/ Një trillim i denjë vetëm për Ramën dhe papagajtë e tij!
Të tromaksur nga revolta e qytetarëve të Kukësit, Hasit dhe Tropojës, jehona mbarë-kombëtare dhe kombëtare e saj, Edi Rama ka mbushur poturet dhe kërkon të shpëtojë duke veshur xhaketën time.
Ai sot shpërndan në rrjetin e tij dhe nëpërmjet papagajve të tij lajmin e rremë se ai vendosi taksën në Rrugën e Kombit pasi Berisha donte të vinte taksën 8.6 euro.
Me këtë rast duhet t’i them se gënjeshtrat e tij bajate vetëm sa e akuzojnë me rëndë. Së pari, Berisha mund ta vendoste taksën së paku katër herë gjatë 3 viteve, nga 2010 deri në 2013, por ai vendosi që ajo taksë kurrë të mos vihej përndryshe studimi që ai bëri do të shërbente vetëm për të gjetur mesataren që duhej paguar koncensionarit nga taksa e qarkullimit për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit, dhe kjo mesatare rezultonte, siç deklaroi edhe ministri i tij në parlament, 2 deri në 5 euro.
Me këtë rast i them Ramës se je i pashpresë! Prano urgjentisht kërkesat e opozitës; Hiq me urgjencë ‘taksën plaçkë’ të Rrugës së Kombit, anulo menjëherë TVSH për biznesin e vogël, shtesën e tarifës së ujit, taksës së pronës, rikthe mbrojtjen ekonomike dhe ndihmën sociale për të mjerët që u preve kafshatën, përndryshe kjo pranverë do të jetë fundi yt i merituar. Revolta qytetare kundër taksave të larta do të përmbysë narkoshtetin tënd! sb