Për dy orë Teatri Kombëtar rrethohet nga policia
Do të duket i pazakontë sot oborri i Teatrit Kombëtar, jo vetëm se aty janë ftuar të shohin shfaqjen gratë dhe vajzat e dënuara dhe të paraburgosura – por, siç njoftohet – gjithë vendi do të jetë i rrethuar nga policia. “Vendi do të rrethohet për shkak të sigurisë së lartë”, – thotë për mediat zyra e shtypit të TK-së. Për këtë arsye edhe është paralajmëruar për të qenë në orar në shfaqje sot, ora 11:30, pasi gardhi i policëve që do të ruajnë gratë e dënuara, ndërsa ato do të shohin shfaqjen, do të vendosë dhe rregull të rreptë. Me idenë për të prekur zemrat e tyre, në një mënyrë emocionale si në rastin e festave të 7-8 Marsit, është vendosur të nisë premiera “10 vjet martesë” e Inis Gjonit. Është konsideruar si “çështje humanizmi” ky mundësim për gratë e vajzat që vuajnë dënimet, pra “heqjen e lirisë” . Për të shkaktuar gjithë këtë psikozë, që jo pak ka shoqëruar dhe ngjarjet e fundit të kronikës së verdhë, qoftë dhe për të shmangur gjithë incidentet e mundshme, përderisa kërkohet “siguri e lartë”, – humanizmi i regjisores dhe vullneti i TK-së mund të bënte një rrugë deri te burgjet. Pavarësisht se ndjesia e të qenit në stolat e Teatrit nuk do t’i mbushte më me shumë humanizëm frymëzuesit e idesë për të ftuar gratë e dënuara në një shfaqje teatri!