Vrasësi me pagesë/ Rrëfehet Andon Mëhillaj: Porosita vrasjen e Veizit

0
215

Anxhela Tato

 

I dyshuar si sekser i bandës, Mëhillaj e përshkruan Veizin si një person të rrezikshëm, me të cilin nuk mund të negocionte për pronësinë

 

Julian Sinanaj kujdesej që çdo porosi dhe komunikim ta bënte me anë të e-mail-it

 

 

andon mehillaj ne kembeAndon Mëhillaj vendos të tregojë të vërtetën, duke pranuar pjesërisht dëshminë e dhënë nga “njeriu-bombë” dhe i penduari Gjokona. I pyetur për herë të dytë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, i dyshuari si sekseri i bandës së vrasësve me pagesë ka pohuar se ka urdhëruar ekzekutimin e Sokol Veizit. Para prokurorëve të çështjes Mëhillaj ka rrëfyer se kjo ishte e vetmja zgjidhje që mbetej për konfliktin e pronësisë. Ai e përshkruan Sokol Veizin si një njeri shumë të rrezikshëm, të përfshirë në krime të ndodhura në vitin 1997, ndërsa thotë se Veizi i kishte prishur murin e banesë, duke i marrë pronën dhe kishte nisur nga ndërtimi. Ai ka pohuar se me Veizin janë konfliktuar dhe konfrontuar fizikisht, por ishte e pamundur që të flisje me peshkatarin. Mëhillaj është ballafaquar me dëshminë e dhënë nga Julian Sinanaj dhe Ndriçim Gjokona. Nga ana e prokurorëve i janë treguar edhe komunikimet me e-mail dhe i zënë ngushtë Mëhillaj ka hapur thesin, duke pranuar përfshirjen e tij në vrasjen e Sokol Veizit. Por këtu ka ndaluar dëshmia e tij, duke kundërshtuar çdo krim tjetër ku e ka përfshirë Julian Sinanaj. Vetë Mëhillaj rrëfeu se ishte e pamundur të negociohej me Sokol Veizin, pasi ai njihej si një person i rrezikshëm në Orikum. E kaluara e viktimës, sidomos në vitin 1997, ishte arsyeja, sipas Andon Mëhillajt, që i shtyu të merrnin vendimin ekstrem, ndërsa mohon akuzat për vrasjen e Agron Çelës apo për përfshirje në atentatin ndaj prefektit të Vlorës. Andon Mëhillaj mohon të ketë porositur C4-ën e gjetur në makinën e Besnik Dervishit, atentati ndaj të cilit u shmang falë konstatimit në kohë të eksplozivit. Agron Çela dhe Sokol Veizi janë ekzekutuar nga Julian Sinanaj, i cili ka pranuar se dy vrasjet janë kërkuar nga Andon Mëhillaj. Andon Mëhillaj dhe kushëriri i tij, Genis Mëhillaj, i shpallur tashmë në kërkim ndërkombëtar, akuzohet si ndërmjetës i vrasjeve me pagesë të kryera nga Julian Sinanaj dhe Ndriçim Gjokona.

 

Dëshmia

 “U detyrova që të flisja me Sokol Veizin, pasi duhet të isha i sigurt se ishte ai njeriu, për të cilin më ishte kërkuar që ta vrisja. Mua më është dhënë vetëm një foto nga Andon Mëhillaj dhe aty nuk dukej shumë qartë dhe nuk kuptoheshin shumë mirë tiparet. Ditën e ngjarjes kam vajtur në lokalin ku po qëndronte viktima. Futem brenda dhe i afrohem. I jam prezantuar si punonjës policie dhe i kam kërkuar kartën e identitetit. I thashë që isha nga polica dhe doja të pyesja për konfliktin me Andon Mëhillaj. Më dha kartën e identitetit dhe morra Andonin që të sigurohesha edhe një herë. Pasi Andoni më thotë që ishte ai personi, i afrohem dhe i kthej kartën. E falënderoj dhe pastaj e vrara, e qëllova nja tre herë me armë. Rrezikova që të njihesha dhe të lija dëshmitarë, por në këto kushte më vunë kushërinjtë Mëhillaj”, – pjesë e rrëfimit të “njeriut bombë”.

 

Komunikimi

 Vetë vrasësi me pagesë, Julian Sinanaj, dukej se jetonte me frikë dhe tregonte kujdes për çdo lëvizje apo për çdo person, me të cilin kishte kontakt. Çdo porosi apo komunikim me personat që i duhej të koordinohej, bëhej me anë të e-mail-it dhe posta e tij elektronike duket se do të jetë një ndër provat më të rëndësishme në procesin gjyqësor, por ndër materialet e sekuestruara nga Prokuroria ka qenë edhe një bllok i vogël, ku vrasësi me pagesë shkruante detaje të punës së tij. Përveç e-mail-eve të shumta të regjistruara, në këtë bllok Sinanaj i bën thirrje vetvetes që në asnjë mënyrë të mos tregonte çka dinte, pasi kjo do t’i vinte jetën në rrezik.

 

 

Fier

Shkatërrohet banda e grabitësve të farmacive, pranga 13 personave

 

Vidhnin farmaci dhe banesa, përfundojnë në prangat e policisë. Grupi i strukturuar prej gati 1 viti kryente aktivitetin e tij kriminal në disa prej qyteteve kryesore të vendit. Objekti i grabitjeve ishin kryesisht farmacitë, shtëpitë dhe lokalet. Zonat ku ishte përqendruar aktiviteti i hajdutëve janë Fieri, Lushnja, Berati, Vlora dhe Elbasanit. Pas një hetimi disamujor uniformat blu kanë mundur që të çojnë pas prangave 13 persona, ndërsa 2 të tjerë janë shpallur në kërkim. Sipas njoftimit të policisë, mësohet se të arrestuar janë Abedin Baçja me nofkën “Dine”; Klaudjo Grembi me nofkën “Llapi”; Artur Meçaj me nofkën “Maloku”; Kristo Dunga, me nofkën “Roboti”; Mario Kaja, Marjo Kaja, Fatos Muço me nofkën “Dërri”; Saimir Atija, Idi Shala, Erlin Çela, Dritan Veliu me nofkën “Çuçe”; Baftjar Gropa dhe Alfred Çela. Ndërkohë, për arsye hetimore nuk bëhen me dije emrat e dy personave të shpallur në kërkim nga ana e policisë, për të cilët po vijon puna për kapjen e tyre. I gjithë grupi i personave të arrestuar është rreth moshës së të 20-ave. Policia ka bërë të mundur që të sekuestrojë nga ky grup një sasi të madhe armësh, ku përfshihen granata, automatikë, një snajper, një shotgan e një sasi municionesh. Të gjithë provat e sekuestruara do të përdoren në cilësinë e provës materiale. Nga ana tjetër gjatë kontrollit nëpër banesat e të arrestuarve janë sekuestruar dhe një sasi e madhe barnash mjekësore, të cilët hajdutët i vidhnin nëpër farmaci po ashtu lëndë narkotike. Policia ka ndaluar dhe marrë në sekuestro edhe 6 automjete, të cilët përdoreshin nga të arrestuarit për lëvizjen nëpër qytetet dhe kryerjen e grabitjeve.

 

 

Aksident

Përplasen 2 makina, plagosen 2 persona

 Dy makina janë përplasur me njëra-tjetrën në zonën e Mulletit e për pasojë janë plagosur dy persona. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:20 në dalje të rrugës së re Tiranë – Elbasan në Mullet. Nga vendi i ngjarjes mësohet se një makinë tip “Mercedes-Benz” dhe një fuoristradë janë përplasur me njëra-tjetrën dhe për pasojë janë plagosur dy persona që ndodheshin në automjetin e “Benzit”. Menjëherë ata janë transportuar në Spitalin Ushtarak dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Nga informacionet policore, mësohet se dy makinat ishin në drejtim të kundërt me njëra-tjetrën. Makina tip “Mercedes-Benz” udhëtonte drejt Elbasanit ndërsa fuoristrada ishte drejtuar drejt kryeqytetit.

 

 

Fushë-Arrëz

Po e transportonin për në spital, vdes i moshuari në aksident

 Një 50-vjeçar ka humbur jetën paraditen e djeshme në Fushë-Arrëz, pasi makina me të cilën udhëtonte është përplasur me një tjetër automjet. Burime nga policia bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:00, kur 50-vjeçari Kol Ndreca po transportohej nga familjarët e tij për në spital, pasi kishte pësuar një atak kardiak, por fatkeqësisht ai nuk mundi të arrinte në spital, pasi përplasja e automjeteve rezultoi fatale për jetën e tij. Megjithatë, policia nuk përjashton mundësinë që 50-vjeçari të ketë humbur jetën para përfshirjes në aksident të mjetit që po e transportonte drejt spitalit të Fushë-Arrëzit. Momentalisht mbeten ende të paqarta shkaqet e aksidentit, ndërsa policia bën të ditur se nuk ka pasur persona të tjerë të lënduar. Ndërkohë, ekspertë të policisë po punojnë për të zbardhur ngjarjen. Dy drejtuesit e automjeteve janë shoqëruar në komisariatin e policisë së Pukës për të sqaruar më tej rrethanat e ngjarjes.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency