Eksploziv/ Shpërthen banesa e biznesmenit të elektroshtëpiakeve

0
195

Anxhela Tato

 

 

Policia, 200 gramë C4 ishte vendosur në derën e hyrjes së banesës, në shenjë kërcënimi për familje Koka

 Hetimet, dyshime se motivi i ngjarjes është konkurrenca në biznes, familja Koka nuk ka precedentë penalë

 

 

eksplozivi tiraneTronditet kryeqyteti nga një shpërthim i fuqishëm që është dëgjuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Një sasi lënde plasëse ka shpërthyer në banesën e shtetasit Vladimir Koka, e cila përdorej nga djali i tij, Ermal Koka. Nga të dhënat e para të policisë mësohet se lënda plasëse ishte vendosur para hyrjes së banesës, në katin e tetë të një pallati në rrugën “Prokop Mima”. Nga ky shpërthim është dëmtuar banesa përballë dhe vajza e fqinjit. Policia dyshon se kjo ngjarje mund të jetë një shenjë paralajmërimi për familjen Koka, pasi autorët nuk kanë dashur të dëmtojnë ose plagosin ndonjë nga pjesëtarë e familjes. Eksplozivi është montuar në mënyrë të tillë që të trembte Ermal Kokën de babanë e tij, pa pasur si qëllim ekzekutimin e tyre. Ekspertët kriminalistë, në vendin e ngjarjes, në katin e 8-të të pallatit, kanë gjetur disa mbetje të fitilit ndezës, çka mendohet se është aktivizuar në distancë të vogël. Ndërkohë, rreth 200 gramë eksploziv mendohet se ka qenë sasia që ka shpërthyer dhe dëmtuar hyrjen e apartamentit, ku flinte familja Koka. Sipas policisë, pronari i apartamentit nuk rezulton të jetë person me precedent, por po punohet për të zbardhur shkaqet dhe autorët e vendosjes së eksplozivit, ndërsa policia verifikon konfliktet e mundshme të pronarit të banesës.

 

Hetimet

 Vladimir Koka është një biznesmen në fushën e pajisjeve elektroshtëpiake. Së bashku me djalin e tij ata kanë një dyqan në zonën e “Siri Kodrës”. Ermal Koka punon në aktivitetin e të atit duke e menaxhuar atë. Kjo është pista ku janë përqendruar hetimet e bluve. Ndonëse dyshimet e para janë që shënjestra e këtij paralajmërimi mund të jetë Ermal Koka. Të pyetur nga ana e oficerëve të policisë gjyqësor Ermali dhe babai i tij kanë mohuar që të kenë probleme ose kërcënime. Ermal Koka ka rrëfyer se nuk kanë qenë asnjëherë objekt presionesh dhe gjobëvënie. Policia nuk përjashton pistën e problemeve të biznesit të Kokës, apo konkurrencës, si motiv për ngjarjen. Shërbimet e Policisë shoqëruan dy persona që gjendeshin në ashensor në momentin e shpërthimit si të dyshuar, por i la më pas të lirë pasi nuk rezultuan të përshirë në ngjarje.

 

Tritoli

 Shpërthimi i mëngjesit të së hënë, është i 14-të në kryeqytet, duke e kthyer kështu Tiranën si vendin më të rrezikuar nga këto ngjarje të rënda kriminale. Gjithsej, shpërthimet e ndodhura me eksploziv janë 30 raste. Qytetet e tjera të goditur nga ky fenomen janë Vlora, Lezha dhe Fushë-Kruja, në të cilat kanë ndodhur nga 3 shpërthime. Në anën tjetër, në Durrës dhe Elbasan kanë ndodhur përkatësisht dy sulme me eksplozivë, për t’u ndjekur nga qyteti i Shkodrës, Burrelit apo Ersekës me vetëm një shpërthim eksplozivi. Në të gjitha rastet ka pasur pasoja për objektivin e atentatit apo edhe qytetar të rastësishëm që kalojnë pranë vendin ku ndodh shpërthimi. Në të gjitha rastet, sipas policisë, atentatorët kanë përdorur vendosjen e eksplozivit poshtë makinave të objektivëve të tyre. Po nuk kanë munguar edhe shpërthimet në derën e apartamenteve apo në lokalet e bizneset, që drejtohen nga personat, që kanë qenë objekt i sulmit me eksploziv.

 

 

Durrës

Sherr me thika, plagosen 2 adoleshentë

 Katër djem të rinj janë plagosur me thika paraditen e djeshme në Durrës. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se rreth 20 të rinj janë përfshirë në një sherr masiv, duke përdorur edhe armë të ftohta. Ngjarja ka ndodhur në zonën pranë stadiumit të qytetit, ndërsa mendohet se sherri ka nisur për motive banale. Të rinjtë e plagosur, Sh. R., 20 vjeç nga Sukthi; 19-vjeçari nga Durrësi, N. M. dhe A. N., 21 vjeç nga Xhafzotaj, janë dërguar menjëherë në spitalin e Durrësit, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Ndërsa 18-vjeçari Xh. D. nxënës në shkollën e mesme “Beqir Cela” në Durrës është në gjendje më të rëndë dhe ndodhet në reanimacion nën kujdes intensiv. Ndërkohë policia ka shoqëruar në komisariat disa persona, mes tyre edhe autorët e dyshuar të ngjarjes.

 

 

 

Fushë-Krujë

Eksploziv për herë të dytë komisariatit, kundërpërgjigje ndaj aksionit të bluve

Për herë të dytë komisariati i Fushë-Krujës është shënjestra e eksplozivit. Ngjarja është regjistruar rreth orës 19:15, ndërsa mësohet se lënda shpërthyese është hedhur në oborrin e komisariatit. Nga shpërthimi mësohet se nuk ka të lënduar, por vetëm dëme materiale. Një makinë e parkuar në oborrin e komisariatit ka pësuar dëmtime. Sipas policisë lënda shpërthyese, e llojit tritol është hedhur në komisariat nga jashtë. Për policinë ky është një sulm ndaj aksionit të ndërmarrë gjatë këtyre dy ditëve, ku shumë persona janë shoqëruar dhe marrë në pyetje. Sipas bluve autori i dyshuar mund të gjendet në grupin e të shoqëruarve në komisariat. Ndërkaq, policia ka nisur punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes. Ky është shpërthimi i dytë i ndodhur në këtë komisariat, pasi më datë 20 janar pati një shpërthim tjetër.

 

 

Kërkesë (anësore)

 Parashtroj se jam vëllai i shtetasit Harilla Duni, i cili është i biri i Kozmait dhe i Angjellosi dtl. 25.11.1930. Vëllai im nga babi, shtetasi Harilla Duni është përpjekur të arratiset nëpërmjet detit për në shtetin grek në datën 18.2.1956. Qysh prej asaj dite, asnjë prej familjarëve, si dhe asnjë person tjetër nuk ka pasur asnjë lajm prej vëllait tim. Ky fakt provohet edhe me vërtetimet përkatëse të organeve të qeverisjes vendore, Bashkisë Himarë dhe Kryesisë së fshatit Dhërmi. Rrethanat e zhdukjes së vëllait tim, nëpërmjet detit në muajin dhjetor të vitit 1956, largësia e madhe e shtetit fqinj, e pamundur për t’u përshkruar sidomos në atë muaj të vitit, si dhe mungesa e çdo lajmi mbi fatin e tij, bëjnë të besueshëm faktin se Harilla Duni ka vdekur në përpjekjen e tij për arratisje. Edhe prej nesh, familjarëve të tij, ky shtetas është konsideruar i vdekur gjithë këtë kohë, por deri më sot nuk është kryer asnjë veprim për shpalljen e vdekjes së tij, për shkak të pamundësisë në kushtet e persekutimit tonë në vitet e diktaturës komuniste dhe për shkak të kalimit të një periudhe mjaft të gjatë kohore nga vdekja e tij deri në fillim të viteve 1990. Aktualisht, shtetasi Harilla Duni figuron i gjallë në Regjistrin Themeltar të Gjendjes Civile, siç provohet me certifikatën familjare të lëshuar më 24.5.2013 nga zyra e Gjendjes Civile, Bashkia Himarë. Duke qenë se në kushtet që konsiderohet i gjallë, në mungesë të regjistrimit të vdekjes së tij, shtetasi Harilla Duni do të përfitonte në mënyrë të parregullt të drejta trashëgimore nga babi ynë Kozma Duni, megjithëse si person i vdekur i ka mbaruar zotësia juridike, pra zotësia për të pasur të drejta dhe detyrime civile, kërkojmë shpalljen e vdekjes së tij në datën 18.12.1956. Shpallja e vdekjes së shtetasit Harilla Duni gjen mbështetje në nenin 19 te K. Civil, sipas të cilit “Personi që ka humbur gjatë një fatkeqësie natyrore ose në rrethana që e bëjnë të besohet se ka vdekur, mund të shpallet si i tillë me vendim të gjykatës, kur kanë kaluar pa pasur lajme dy vjet nga dita që ka ngjarë fatkeqësia, pa qenë e nevojshme të shpallet më parë i zhdukur”.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency