Paradokset e bankave: Rritet fitimi, ulet kredia dhe rritet interesi i saj!

0
154

 Ervin Kaduku

 

Ndërkohë që guvernatori ul dy herë rresht normën bazë të interesit, bankat e nivelit të dytë kanë rritur koston e kredive që u japin qytetarëve dhe bizneseve. Ndërkohë që, duhej të kishte ndodhur normalisht e kundërta

 

 

banka sportelBanka e Shqipërisë bën të ditur se norma e interesit të kredisë së re në lekë për të gjitha afatet e maturimit, në janar u rrit në rreth 9.2%, nga 8.8% që kishte zbritur në muajin dhjetor.

Kjo rritje erdhi megjithëse në dhjetor, Banka e Shqipërisë kishte lehtësuar politikën monetare, duke e zbritur atë në 3%. Bankat reaguan në rritje, duke ndjekur interesin e bonove, që në janar u zgjerua lehtë, teksa qeveria nuk arriti të financonte gjithë borxhin e saj. Ka qenë ky mosreagim i bankave, që duket që e detyroi Bankën e Shqipërisë të ulte sërish normën bazë në fund të shkurtit në një minimum historik prej 2.75% dhe një ditë më vonë t’u kërkonte bankave në një takim që të ulnin normat e interesit. Ndërkohë dhe kredia për ekonominë shenoi një tjetër tkurrje në janar.

Që nga shtatori 2011, kur BSH filloi politikën agresive lehtësuese monetare, norma bazë ka zbritur me 2.25 pikë përqindjeje, interesat e kredive në lekë janë ulur me 3.5 pikë përqindjeje, ato të bonove me 4.3 pikë përqindjeje, ndërsa ato të kredive në lekë me vetëm 1.8 pikë përqindjeje. Kjo ulje më e lartë e normave të depozitave, në raport me ato të kredive bëri që sistemi bankar të rriste ndjeshëm fitimet në 2013-ën.

 

 

Ulet kredia

Ndërkohë, kreditimi e ka nisur në rënie edhe vitin 2014. Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, në fund të janarit kredia për ekonominë rezultoi në rënie vjetore me 1.2%. Madje, portofoli i kredisë ra me 3.3 miliardë lekë krahasuar me fundin e dhjetorit. Këto të dhëna tregojnë se tregu ende nuk po njeh zhvillime pozitive, kryesisht në reflektim të dobësisë së ekonomisë reale, por edhe për shkak të ofertës së shtrënguar të bankave. Javën e kaluar, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, qortoi bankat e mëdha të sistemit se nuk po i shfrytëzojnë lehtësitë rregullatore të krijuara, me qëllim rritjen e kredisë. Ai premtoi masa të tjera, përfshi ndryshime ligjore dhe rregullative për të lehtësuar fshirjen nga bilancet të kredive të humbura. Edhe në këto muaj të parë të vitit 2014 shumë pak po lëviz në aktivitetin ekonomik dhe financiar në vend. Rritja e papunësisë dhe ngadalësimi i rritjes së të ardhurave ka shtuar pasigurinë te familjet, ndërsa rënia e konsumit e ka ulur aktivitetin e biznesit ndjeshëm poshtë kapaciteteve.

Deri tani, nga qeveria mungojnë incentivat për nxitjen e aktivitetit privat apo masat konkrete për përmirësimin e klimës së biznesit. E vetmja shtysë e paralajmëruar mund të vijë nga shlyerja e detyrimeve për sektorin privat, proces që pritet të fillojë pas miratimit të huasë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Depozitat bankare në fund të janarit, prekën vlerën e 950 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 2.3%. Megjithatë, duket se edhe depozitat e kanë ngadalësuar ndjeshëm ritmin e rritjes vjetore, ndërsa krahasuar me dy muajt e fundit paraqiten në rënie të lehtë.

 

Fitimet

Fitimet e sistemit bankar u rritën ndjeshëm në tremujorin e katërt të vitit 2013, pas një humbjeje që raportoi sistemi në tremujorin e mëparshëm. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, fitimi i sistemit bankar për periudhën tetor-dhjetor arriti në një nivel rekord prej 7.8 miliardë lekësh, pas një humbjeje prej rreth 1.3 miliardë lekë që ishte rezultati i sistemit për gjithë 9-mujorit, duke bërë që fiti të mbyllej me një fitim pozitiv prej 6.65 miliardë lekë.

Në raport me 2012-ën, fitimi i sistemit bankar pothuajse është dyfishuar, ndërkohë që ai ka arritur në nivelin më të lartë që nga 2008-2010, kohë kur sistemi bankar i gëzohej një rritjeje të shpejtë dhe rezultateve financiare të larta.

Ka qenë pikërisht procesi i fshirjes së kredive nga bankat, ai që ka shkaktuar luhatje kaq të mëdha në fitimin e sistemit bankar përgjatë 2013-ës. Sipas të dhënave të detajuara, për 9 mujorin 2013, shpenzimet për provigjione arritën në një nivel rekord historik prej 14 miliardë lekësh, (dyfishim në raport me 6 mujorin) apo 17% të totalit të shpenzimeve gjithsej. Në tremujorin e fundit ky tregues u ul me 30% në 9.8 miliardë lekë, duke lehtësuar shpenzimet e bankave (9.7% e totalit) dhe duke qenë faktori kryesori që ndikoi në daljen e sistemit me rezultat pozitiv.

Ndërsa ulja e shpenzimeve për provigjione ka ndikuar në rezultatin pozitiv të tremujorit të katërt, për gjithë vitin ka ndikuar pozitivisht fakti që bankat kanë mbajtur nën kontroll dhe shpenzimet e tjera, sidomos ato për interesa, që janë ulur me rreth 2 miliardë lekë, teksa normat e depozitave që pranojnë bankat janë ulur në minimum, ndërsa interesat e kredisë vijojnë të mbeten të larta.

Në total, shpenzimet janë reduktuar në 2013-ën, me 2.8 miliardë lekë, ndërkohë që të ardhurat kanë qenë pothuajse në të njëjtin nivel si në 2012-ën, duke bërë që fitimi të rritet me rreth 2.8 miliardë lekë më bazë vjetore.

 

 

 

“Bankers Petroleum” sërish dëmton banesat e Zharrëzës dhe sërish mohon fajin

 Banorët e Komunës së Zharrëzës dolën në një protestë, duke bllokuar edhe një herë segmentin nacional Fier – Berat. Arsyeja është se banorët thonë që tërmeti i ndodhur dy ditë më parë është shkaktuar nga shpërthimet e radhës të operacioneve të nxjerrjes së naftës nga kompania “Bankers Petroleum”.

Instituti Sizmologjik Italian njoftoi për një tërmet me fuqi 3.5 ballë të shkallës Rihter, që e ka epiqendrën më pak se një kilometër nën tokë pranë qytetit të Fierit, në zonën e Zharrëzës. Lëkundjet e tokës kanë shkaktuar edhe këtë herë dëme të konsiderueshme në banesat e Zharrëzes, ndërsa banorët shprehen të revoltuar, si ndaj kompanisë, ashtu edhe ndaj institucioneve shtetërore.
Këshilltarët e komunës Zharrëz, të majtë e të djathtë, hynë para disa muajsh në një grevë urie në shenjë proteste për dëmtimin e banesave nga tërmetet. Autoritetet Shtetërore negociuan me ta, ndërsa njoftuan vendosjen e disa pajisjeve për të zbuluar kush janë shkaktarët e vërtetë të tërmeteve, natyra apo operacionet e nxjerrjes së naftës nga kompania koncesionare.

Banorët e Komunës së Zharrëzës dolën në një protestë duke bllokuar edhe segmentin nacional Fier – Berat. Arsyeja është se banorët thonë se tërmeti është shkaktuar nga shpërthimet e operacioneve të nxjerrjes së naftës nga kompania “Bankers Petroleum”. Banorët u shprehën dje: “Edhe Bankers na gënjeu, por kështu bëri edhe zëvendësministri, që erdhi dhe na dha garanci, por sot shtëpitë prapë na u dëmtuan”.

Ndërkohë, vetë kompania “Bankers” e shmangu sërish përgjegjësinë lidhur me shpërthimet, duke theksuar se “në informacionin e raportuar nga Qendra Sizmike Evropiane-Mesdhetare në faqen zyrtare në internet flitet për lëkundje tërmëti në orën 11:13:06 me epiqendër 4 km në veriperëndim të qytetit të Fierit. Kjo zonë nga ana gjeografike ndodhet diku midis Ardenicës dhe Semanit, pra nuk ka asnjë lidhje me zonën ku “Bankers” kryen operacione hidrokarbure si edhe me fshatrat përreth vendburimit të Patos-Marinzës”.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency