Nderi i humbur i Katerina Blumit

0
408

 Fragment nga romani “Nderi i humbur i Katerina Blumit”, përkthyer më ‘93 nga Robert Shvarc

 

Hajnrih Bël

 

katerinaPersonat dhe veprimet e këtij tregimi janë të shpikura nga mendja. Por, në qoftë se gjatë përshkrimit të disa praktikave gazetareske, do të vihet re, një ngjashmëri me praktikat e përdorura nga Foto-Gazeta, më duhet të theksoj se kjo nuk është bërë as me qëllim dhe nuk është as rastësi, por është e pashmangshme.

1.

Për tregimin e mëposhtëm ekzistojnë disa burime anësore si dhe tre burime kryesore, të cilat do t’i përmendim këtu në fillim dhe pastaj nuk do t’i zëmë në gojë. Burimet kryesore janë: procesverbalet e hetuesisë, avokati dr. Hubert Blorna, dhe shoku i tij i shkollës e më vonë i universitetit, prokurori Peter Hah. Ky i fundit – vetëkuptohet, në mirëbesim – i plotësoi procesverbalet e hetuesisë me disa hollësira të veçanta dhe shpjegoi disa masa të policisë si edhe disa përfundime të kërkimeve të saj, në ato raste kur këto gjëra nuk përmendeshin në procesverbalet; dhe këtë e bëri – gjë që duhet theksuar medoemos – jo për përdorim zyrtar, por vetëm për përdorim privat, sepse e kishte prekur thellë në shpirt brenga e shokut të vet Blorna, i cili nuk arrinte t’i shpjegonte dot të gjitha ato që ndodhën e që, megjithatë, thoshte: “Po ta mendoj hollë-hollë këtë punë, nuk më duket e pashpjegueshme, por pothuajse logjike”. Meqë çështja e Katerina Blumit, po të nisemi nga qëndrimi i të pandehurës dhe nga pozita shumë e vështirë e avokatit të saj mbrojtës, dr. Blorna, do të mbetet patjetër pak a shumë fiktive, mund të themi se ndoshta disa pasaktësi të vogla shumë njerëzore te Hahut janë jo vetëm të kuptueshme, por edhe të falshme.

Përsa u përket burimeve anësore, disa prej të cilave janë më shumë e disa më pak të rëndësishme, nuk del nevoja që t’i përmendim këtu, meqënëse ndërthurjet, ngatërresat, njëanshmëria, befasimet dhe konstatimet e tyre do të sqarohen vetë në vazhdën e këtij tregimi.

 

2.

Po që se ky tregim – meqë po flasim këtu kaq shumë për burime- të krijon herë pas here përshtypjen e “rrjedhës” – na duhet të kërkojmë ndjesë për këtë: kjo gjë ishte e pashmangshme. Kur ke të bësh me “burime” e me “rrjedhë”, nuk mund të flasësh për kompozicion; në vend të tij mund të përdorim ndoshta nocionin e kanalizimit, dhe ky nocion është i qartë për këdo, i cili, kur ka qenë fëmijë (por ndoshta edhe i rritur), ka lojtur me pellgje uji, duke i lidhur ata me njëri-tjetrin me anë hullish e brazhdash të vogla, duke i zbrazur e duke i devijuar, gjersa arrinte ta mblidhte të gjithë sasinë e ujit të pellgjeve në një kanal të përbashkët… Pra, në këtë mes nuk bëhet gjë tjetër veçse një lloj drenazhi ose tharjeje. Kemi të bëjmë thjesht me një proces rregullimi! Prandaj, në qoftë se këtë tregim e merr vende-vende rrjedha, na duhet t’i lutemi lexuesit që të bëjë pakëz durim, mbasi në këtë mes luajnë njëfarë roli edhe ndryshimet ose barazimet e nivelit, sepse fundja ekzistojnë edhe ndalesa, prita, grumbullime rëre, kanalizime gjysmake dhe burime që “nuk vijnë dot të gjitha njëherësh”, si dhe rryma të nëndheshme etj., etj.

 

3.

Faktet, të cilat ndoshta do të ishte mirë t’i parashtronin qysh në fillim, janë brutale: të mërkurën, më 20.2.1974, në vigjilje të festave të karnavaleve, një grua e re njëzeteshtatëvjeçare del në një qytet rreth orës 18.45 nga shtëpia e saj dhe niset për të marrë pjesë në një mbrëmje dëfrimi private.

Katër ditë më vonë, pas disa ngjarjes h dhe rrethanash dramatike – jemi të detyruar të shprehemi kështu, duke marrë parasysh pikërisht ato ndryshime të nivelit që shkaktojnë rrjedhën – pra, katër ditë më vonë, të dielën mbrëma, në thuajse po atë orë (ose më saktë: në orën 19.04), gruaja e re i bie ziles në derën e apartamentit të komisarit të policisë të Valter Mëding, i cili tamam në atë kohë ishte duke u maskuar, – jo për arsye private, por për shkaqe shërbimi – me një veshje sheiku; ajo i deklaron Mëdingut të shastitur se në drekë, aty nga ora 12.15, kishte vrarë në apartamentin e vet gazetarin Verner Tëtges; ai, komisari, le të interesohej që ta shpërthenin derën e saj dhe “ta hiqnin” të vrarin që andej, ajo vetë paskësh bredhur midis orës 12.15 dhe 19.00 nëpër qytet në kërkim të pendesës, por pendesë as nuk kishte gjetur e as nuk ndiente; gjithashtu lutej që ta arrestonin, sepse kishte dëshirë të ndodhej atje ku ndodhej edhe “Ludvigu i saj i dashur”.

Mëdingu e njihte atë grua, meqë ato ditët e fundit ajo ishte marrë në pyetje disa herë; ai ndiente njëfarë simpatie për të dhe nuk dyshoi për asnjë çast në fjalët e saj. Me veturë e çon drejt e në komisariatin e policisë, njofton eprorin e vet, kryekomisarin Bajemenë, jep urdhër që ta shpien gruan e re në një qeli dhe, një çerek ore më vonë, takohet me Bajemenen përpara derës së apartamentit të saj, ku disa specialistë të policisë e shpërthejnë derën dhe vënë re se deponimi i gruas ishte i saktë.

Këtu nuk do të flasim, shumë për gjak; atij që i pëlqen gjaku i tepërt, mund t’i rekomandojnë të ndjekë disa programe televizive e filma kinemaje, ku të tilla tmerre ka me bollëk, bile edhe me muzikë! Ne e kemi hallin që të rrjedhë diçka tjetër e jo gjak.

Shumë-shumë mund të përmendim, në lidhje me të vdekurin, disa efekte ngjyrash: Tëtgesi i vrarë mbante në trup një kostum të improvizuar sheiku, që ishte sajuar prej një çarçafi mjaft të përdorur, dhe çdokush e di se ç’pamje ka e kuqja mbi të bardhën dëborë; të gjithë këtë le ta marrim më mirë si një pikturë moderne, meqë kemi të bëjmë me beze e me njolla të kuqe.

Në rregull! Pra, këto ishin faktet.

 

4.

Edhe një fakt tjetër u duk për njëfarë kohe jo krejt i pabesueshëm: lindi dyshimi në kishte qenë po viktimë e Katerina Blumit edhe fotoreporteri Adolf Shëner, i cili u gjend gjithashtu i vrarë në një kënd pylli, në pjesën perëndimore të qytetit në festë; por më vonë, pasi u vendos njëfarë rregulli kronologjik në rrjedhën e ngjarjeve, kjo pandehmë doli “ absolutisht pa baza”. Një shofer taksie deponoi se e kishte pasë çuar Shënerin (edhe ky i veshur si sheik me rastin e karnavaleve) se bashku me një femër (të veshur si andaluziane) me makinën e vet gjer tek ai kënd pylli. Por kryesorja ishte se Tëtgesi qe vrarë qysh të dielën në drekë, kurse Shëneri të martën në drekë.

 

5.

Një funksionar i lartë për organizimin e festës së karnavaleve, që merrej edhe me shitje verërash dhe shampanje dhe që mund të mburrej se kishte kontribuar në ngritjen e humorit të njerëzve, u tregua fort i kënaqur e i lehtësuar që të dyja vrasjet u bënë të njohura vetëm të hënë përkatësisht të mërkurën, domethënë pas së dielës. “Kur ndodhin të tilla gjëra në fillim të kremtimeve gazmore,- kështu u shpreh ai, – e merr lumi si humorin ashtu edhe punën! Po ta marrë vesh njerëzia se maskimi me kostume karnavalesh shfrytëzohet për akte kriminale, atëhere e gjithë atmosfera prishet dhe puna dhe fitimet venë në djall. Të veprosh ashtu, është një sakrilegj i vërtetë. Hareja dhe gjullurdia kanë nevojë për besim. Besimi është baza e tyre”.

 

6

Në një mënyrë mjaft të çuditshme u soll Gazeta pasi u bënë të njohura vrasjet e dy gazetarëve të saj. Shqetësim i jashtëzakonshëm! Faqe speciale! Numra të posaçëm! Njoftime vdekjeje në përmasa të papara! A thua se – meqë u shitka në këtë botë – vrasja e një gazetari qenkësh diçka e veçantë, diçka më e rëndë sesa vrasja, për shembull, e një drejtori, nëpunësi apo vjedhësi banke!

Është e domosdoshme të nxirret në pah ky fakt i supervemendjes së shtypit, sepse jo vetëm GAZETA, por edhe gazeta të tjera e trajtonin vrasjen e një gazetari si një kiamet të madh, si diçka të tmerrshme, pothuajse si dhunim të një shenjtërie. U tha, bile, se Tëtgesi, “ra viktimë e profesionit të vet” dhe, natyrisht, GAZETA vetë ngulte këmbë fort se edhe Shëneri qenkësh një viktimë e Katerina Blumit. Por, edhe në u dashtë ta pranojmë që Tëtgesi nuk do të ishte vrarë aspak sikur mos të qe bërë gazetari (por ndonjë copë këpucari apo furrxhi), prapseprapë do të qe e udhës sikur të ishin bërë ca përpjekje për ta përcaktuar ndryshe vdekjen e tij, për shembull si “një vdekje e kushtëzuar nga profesioni” – për më tepër, meqë do të sqarohet më poshtë se për ç’arsye një femër aq e mençur dhe pothuajse e ftohtë, si ajo Katerina Blumi, jo vetëm që e planifikoi, por edhe e kreu vrasjen, se për ç’arsye ajo, në çastin vendimtar e të përgatitur prej asaj vete, jo vetëm që e nxori revolverin, por edhe e shkrehu.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency