Shqipëria në 4 qershor ndeshet me Hungarinë, Altin Lala prezantohet si zëvendëstrajner

0
37

Jurges Veizaj

 

Kuqezinjtë do të ndeshen me skuadrën hungareze në miqësore për të përballur forcat përpara se të ndeshen për kualifikueset e Evropianit 2016

 

 

lalaShqipëria siguron një miqësore për datën 4 qershor. Federata Shqiptare e Futbollit konfirmoi se në fillim të qershorit, përfaqësuesja kuqezi do të përballet në një test me Hungarinë. Miqësorja me përfaqësuesen hungareze do të jetë në vazhdën e përgatitjeve të skuadrës së De Biazit për eliminatoret e Euro 2016. Hungaria shihet si një kundërshtar i përafërt në nivel me dy rivalët tanë në grup, Serbinë dhe Armeninë, dhe nga kjo miqësore, trajneri do të përpiqet të kuptojë më shumë dhe gjendja e skuadrës së tij. Shqipëria dhe Hungaria kanë luajtur së bashku në eliminatoret e Botërorit Afrikë e Jugut 2010 në të njëjtin grup, me hungarezët që fituan të dyja takimet, 1-0 në “Qemal Stafa” me gol të Torghelles dhe 2-0 në Budapest po me Torghelle sërish për autor të golit të parë dhe Juhaz, i cili realizoi të dytin. Gjithashtu me Hungarinë, Shqipëria ka dhe humbjen më të thellë në histori 12-0 më 23 Shtator 1950.

 

Prezantimi i Altin Lalës

Përpara ndeshjes me Maltën është prezantuar edhe Altin Lala, tashmë në rolin e trajnerit të dytë. “Do të jetë një përvojë e re për mua. Më bëhet qejfi dhe për mua është një krenari që trajneri më bëri këtë ofertë dhe më ofroi detyrën e zv.trajnerit në kombëtare dhe unë jam i lumtur për këtë. Është një përvojë krejt ndryshe si lojtar. Do të mundohem të mësoj shumë gjëra nga De Biazi”, – deklaroi Lala. Nga lojtarët që ka grumbulluar De Biazi nuk do të mund të vijnë Taulant Xhaka dhe Armando Vajushi, të cilët janë të dëmtuar, ndërkohë që është kthyer në kombëtare Renato Arapi. Ndërsa largimet e Ujkanit dhe Sadikut, të cilët të mërkurën do të luajnë për kombëtaren e Kosovës do të shihen edhe lojtarët që do të jenë të gatshëm për kuqezinjtë. Trajneri, kur u pyet për këtë temë, u shprehL “Do të flas me të gjithë lojtarët nga Kosova që kemi në skuadër. Do t’i pyes çfarë mendojnë dhe çfarë do të bëjnë në të ardhmen. Unë dua të kem një ide të qartë sepse ata që do të nisen me ne në rrugën për në Euro 2016 nuk duhet të tërhiqen më pas. Ujkani nuk e di çfarë arsyesh ka pasur që është larguar, edhe Sadiku, por nuk e di nëse mund të kthehen përsëri në kombëtaren kuqezi”, – thotë De Biazi. Trajneri i kombëtares ka përjashtuar edhe mundësinë që Januzaj apo Mustafi të luajnë për Shqipërinë. “Januzaj tashmë, siç e dinë të gjithë, e ka bërë zgjedhjen e vet, do të luajë për Anglinë, ndërsa Mustafin e pritëm gjatë këtij viti të fundit, por do të shkojë të luajë për Gjermaninë”, – u shpreh tekniku.

 

 

Komisioni i Disiplinës pezullon tri javë De Rosin

Komisioni i Disiplinës në Federatën Italiane të Futbollit pezulloi me tri javë mesfushorin e Romës, Daniele se Rosi dhe mbrojtësin e Interit, Huan Hezus, pasi mori në shqyrtim provat televizive të sfidës mes dy skuadrave këtë të shtunë. Një dënim i pritshëm në fakt, pasi De Rosi u pa qartë në pamjet televizive që godiste në fytyrë sulmuesin e Interit, Ikardi, ndërsa Huan Hezus në krahun tjetër goditi me grusht në kurriz futbollistin e Romës, Romanjoli. Në të dyja rastet, gjykatësi sportiv ka vërejtur se veprimet e italianit dhe brazilianit kanë qenë të vullnetshme, duke ndëshkuar me tri javë pezullim të dy. Gjesti i tij ndaj Ikardit i kushtoi dhe grumbullimin në kombëtare Daniele de Rosit, që nuk u grumbullua nga Prandeli për sfidën me Spanjën, në bazë të kodit etik të vendosur në përfaqësuese nga trajneri i të kaltërve.

 

 

Mançester Junajtid në ndjekje të Lorik Canës

Në një kohë që Seria A po zien nga elozhet për Lorik Canën pas golit që vendosi fitoren e Lacios në Firence, një sinjal i rëndësishëm për kapitenin e kombëtares vjen nga Premier Liga. Sipas faqes së specializuar “Football Direct News”, mesfushori 30-vjeçar është vënë në shënjestër nga David Mojesi për të zëvendësuar Nemaja Vidiçin, i cili do të bashkohet me Interin në fund të këtij sezoni. Sipas faqes në fjalë, me largimin e mbrojtësit serb dhe të Rio Ferdinandit, lojtari shqiptar mund të ofrojë siguri në repartin e tërhequr të David Mojesit, duke filluar që nga sezoni i ardhshëm. Një nga pikat më të forta të lojtarit shqiptar është përvojaa që ai ka në disa kampionate, madje edhe në Angli, ku ka veshur edhe fanellën e Sanderlendit pas largimit nga Marseja. “Football Direct News” shkruan gjithashtu se lojtari kuqezi mund të luajë edhe në mesin e fushës, edhe pse vitet e fundit ka treguar se ofron shumë siguri në repartin e tërhequr. “Një nga emrat që po ndjekim me kujdes prej kohësh është edhe Lorik Cana”, – thotë një burim i pakonfirmuar i “Red Devils” për faqen e internetit, duke shtuar se Mojes e vlerëson shumë lojën e lojtarit, i cili mund të bëhet pjesë e Mançester Junajtidit gjatë merkatos së verës.

 

 

Maradona, më i madh se Mesi

Ish-futbollisti argjentinas, Hektor Enrike, beson se Lionel Mesi asnjëherë nuk do ta arrijë nivelin e lojës që ka zhvilluar Diego Maradona. Lojtari që aktivizohet me Barcelonën, ka bërë deri më sot shumë paraqitje fantastike, duke fituar shumë, mirëpo kjo nuk është e mjaftueshme, sipas Enrikes. “Mesi nuk ka asgjë si Maradona. E dua Mesin dhe do të isha i lumtur nëse djali im do të kishte një për qind të aftësive të tij, por Maradona ishte unik. Asnjëherë nuk do të ketë një tjetër si Maradona, madje edhe nëse Mesi i fiton tri Kupa të Botës radhazi ose nëse shënon me stilin ‘biçikletë’ nga mesi i fushës. Maradona dhe Mesi kanë karaktere të ndryshme në fushë. Diego rrezatonte vetëbesim dhe na bënte të gjithëve që të luanim më mirë. Edhe Mesi ka personalitet, por jo si Maradona”, – ka deklaruar ish-lojtari.