Mblidhet komiteti ad-hoc / Gripi i derrit, brenda një dite shtohen 10 raste të tjera

0
150

Këto të dhëna tregojnë për një situatë të rëndë gripale në vendin tonë, e cila mund të shkojë drejt një epidemie

 

gripi-i-derritTë dhënat më të fundit nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se është shtuar numri i të prekurve nga virusi AH1N1. “Deri më datën 28 shkurt 2014 janë dërguar në ISHP 476 mostra nga persona të dyshuar për grip. Gjithsej, 72 (15%) mostra kanë rezultuar pozitive me viruset e gripit. 36 (50%) prej mostrave pozitive kanë rezultuar me virusin A(H3) dhe 36 (50%) mostra pozitive me virusin A(H1)pdm09. Ndërkohë, numri i rasteve me SRRS (Sindromë të Rëndë Respiratore Akute) rezulton të jenë 134, prej të cilëve, 3 janë me A(H1) dhe 7 me A(H3)”, – përmend Ministria e Shëndetësisë. Këto të dhëna tregojnë për një situatë të rëndë gripale në vendin tonë, e cila mund të shkojë drejt një epidemie. Kjo situatë e rëndë ka detyruar ministrin e Shëndetësisë të thërrasë në një mbledhje komitetin ad-hoc, për shkak se Shqipëria mbetet një vend “në tendencë rritjeje” për situatën e rëndë gripale. “Pasi analizoi situatën aktuale të gripit në vend, masat e marra dhe përgjigjen e deritanishme ndaj rasteve të paraqitura dhe atyre të dyshuara me grip, si dhe bazuar në të dhënat e fundit të sistemit të survejancës epidemiologjike ALERT (Albanian Epidemiologic Report Tool) dhe virologjike SENTINEL, komiteti konkludoi se Shqipëria vazhdon të përjetojë një gjendje me intensitet mesatar të qarkullimit të virusit të gripit dhe me prirje rritëse”, – shprehet Ministria e Shëndetësisë në një njoftim për shtyp. Vetëm dy ditë më parë u shënua viktima e parë nga gripi i derrit, ku një grua 30-vjeçare, shtatzënë, nuk mundi t’i mbijetonte gripit, kjo për shkak edhe të komplikacioneve të tjera që kishte.

Komiteti ad-hoc

Komiteti mori në shqyrtim dhe analizoi paraqitjen në institucionet shëndetësore të rasteve të komplikuara të gripit, duke vënë re se, nga pikëpamja virologjike, Shqipëria karakterizohet këtë vit nga qarkullimi i virusit të tipit A [nëntipat A(H1) dhe A(H3)], në ndryshim nga viti i kaluar, kur ka qarkulluar edhe virusi i tipit B (zakonisht me virulencë më të ulët krahasuar me atë të tipit A), në një përqindje të konsiderueshme, gjë që shpjegon edhe paraqitjen e rasteve të rënda të komplikuara në shërbimet tona spitalore. Mostrat dërgohen për shqyrtim nga pikëpamja e mundësisë së ndryshimeve gjenetike dhe strukturore, në laboratorin e referencës së OBSH-së në Londër dhe, deri tani, nuk rezulton të kemi tipa apo nëntipa të rinj virusi. “Komiteti kërkoi zbatimin me rigorozitet të sistemit të referimit të rasteve me SRRA (Sindromë të Rëndë Respiratore Akute) nga spitalet rajonale drejt atyre universitare, si dhe vlerësoi punën e deritanishme të mjekëve në qendrat shëndetësore dhe njësitë e tjera të kujdesit parësor, dhe kërkoi përdorimin e plotë të këtyre shërbimeve nga popullata. Ndërkohë, komiteti kërkoi intensifikimin e komunikimit me mjekët lidhur me udhëzimet më të fundit për përdorimin e barnave antiviralë dhe ngarkoi ISHP-në dhe specialistët e shërbimeve përkatëse të vazhdojnë më tej informimin në vijimësi të publikut për masat parandaluese dhe mbrojtëse ndaj gripit sezonal, veçanërisht: të moshuarit, të sëmurët kronikë dhe fëmijët”, – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

 

Mjekët: I ngrohti sjell alergjitë

Luhatja e vazhdueshme e temperaturave dhe në veçanti rritja e tyre jotipike për stinën e dimrit, kanë bërë që edhe sezoni i alergjive të vijë më parë nga periudha që parashikojnë mjekët. Këta të fundit thonë se çelja e luleve para kohe, si dhe i disa drurëve halorë kanë bërë që të rritet ndjeshëm numri i pacientëve që vuajnë nga alergjitë. ”Në qoftë se do të kemi rënie të temperaturës dhe reshje shiu, normale që situata do të jetë e qetë. Në qoftë se do të vazhdojë koha e thatë dhe me rrezatim diellor, gjithashtu me temperaturë mbi 18 gradë celsius, rastet vijnë duke u shtuar. Shenjat e para janë shenjat që u përkasin alergjive të rrugëve të frymëmarrjes dhe më pak alergjitë e lëkurës. Rrugët e frymëmarrjes preken më shumë, të pjesëve të sipërme, pra hunda, gryka, trakea, laringu dhe gjithashtu edhe sklerat e syve. Në qoftë se kemi rruf këtë vit, vitin tjetër mund të kemi kollë dhe marrje fryme, që është azma bronkiale vazhdimësi e rrufës. E njëjta vazhdimësi, i njëti problem por që zbret në rrugët e poshtme të frymëmarrjes. Prandaj është i nevojshëm diagnostikimi i tyre”, – tha Mira Xhixha, mjeke alergologe. Një dukuri që po vihet re është se shpesh pacientët ngatërrojnë simptomat e virozave apo gripit me ato të alergjive. Mjekët thonë se alergjitë kanë disa shenja të dallueshme nga influencat e stinës. ”Këto simptoma janë të dallueshme nga gripi apo nga simptomat e tjera virale të kohës që janë karakteristike për këtë kohë pasi nuk shoqërohen me temperaturë dhe nuk kanë ndjenjë këputjeje”, – tha Mira Xhixha, mjeke alergologe. Mjekët shprehen se është e rëndësishme që pacientët, me rëndimin e simptomave, të drejtohen tek mjeku. Alergjitë shfaqen më shpesh nga grum-posha 5-vjeç deri në atë 50-vjeç.

 

Përplasen sindikatat e transportit

“Nëse qeveria tërhiqet nga reforma, do të jemi ne që do të bllokojmë rrugët”. Kështu ka paralajmëruar Federata e Sindikatave të Transporteve, e cila përmes një deklarate për mediat, mbështet reformën e nisur për të ndalur transportin ilegal. “Janë 21 mijë furgonë të palicencuar që konkurrojnë të licencuarit, – thotë Fedetara. – 17 vjet që presim zgjidhje të kërkesave… Janë 5.700 autobusë që punojnë në Shqipëri prej 20 vitesh”, – thuhet në njoftim. Federata thotë se ka 2.100 furgonë të licencuar si dhe 1.500 taksi 4+1 të licencuara në mbarë vendin. Sakaq Federata shprehet se të hënën Shoqata e Transporteve do të vijojë protestën e saj, e cila do të zhvillohet në orën 12:00. Ndërkohë që dje zëvendësministri i Transporteve, Ylli Manjani, u shpreh i vendosur për të mos lejuar më qarkullimin e furgonëve në transportin ndërqytetas. “Licencën drejtuesit e furgonëve e kanë marrë në çdo komunë apo bashki që kanë aplikuar. Pika 5 thotë: ndalohet shërbimi taksi i udhëtarëve në linjë të rregullt, që korrespondon me detyrimin që ka neni 37 i ligjit për transportet. Asnjë kërkesë nuk duket e pranueshme që të cenojë standardin që ju thashë, taksia të bëjë punën e vet, autobusi të bëjë punën e vet. Të dy duhet të punojnë në mënyrë të ndershme”, – tha Ylli Manjani, zëvendësministër i Transportit dhe Infrastrukturës. Zëvendësministri Manjani thotë se Ministria mund të shohë si alternativë për pronarët e automjeteve 8 plus 1 akomodimin në segmentet rrugore që nuk mund të përshkohen nga autobusët.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency