Tregtarët të Belshit e kanë rifilluar edhe sot në mes të shiut, protestën e tyre për të mos lejuar zhvendosjen e tregut industrial 4 km larg nga qyteti.
Pavarësisht përpjekjeve të tyre për të bindur bashkinë që të heqë dorë nga projekti që i shkatërron ata ekonomikisht dhe ua vështirëson jetën edhe banorëve që do të duhet të shkojnë aq larg për të blerë, asnjë prej kërkesave të tyre nuk është marrë parasysh.-
Forca të Policisë kanë dalë për të mbajtur nën kontroll situatën dhe e kanë bllokuar rrugën me blloqe betoni për t’i penguar tregtarët.
\
Më 29 prill, refuzimi i kryebashkiakut Arif Tafani për t`i pritur në takim, nxiti reagimin e dhjetëra tregtarëve të tregut industrial, të cilët hapën portën e jashtme të bashkisë duke u futur brenda institucionit.
Tregtarët, që janë kundër zhvendosjes nga vendi ku shesin aktualisht për në një treg të ndërtuar 4 km larg qytetit, u përplasën fillimisht me policinë bashkiake, e cila nuk i lejonte të futeshin në institucion.
Më pas hynë në zyrën e sekretarit të bashkisë, Mustafa Çarçiu, duke kërkuar prej tij që të organizojë një takim me kryebashkiakun Arif Tafani.
Por pavarësisht kërkesës së tregtarëve për anulim të vendimit për zhvendosjen e tregut, sekretari i bashkisë Mustafa Çarçiu, nuk dha zgjidhje, duke u shprehur se largimin nga qyteti të tregtarëve e ka vendosur Këshilli Bashkiak.