Teuta del bllof ndaj Laçit, Kukësi merr fitoren e parë ndaj Flamurtarit

0
144

Skënderbeu mori një fitore të pastër në fushën e saj kundër Kastriotit

 Ekipi lushnjar arriti që të merrte një trepikësh shumë të rëndësishëm ndaj një rivali direkt si Bylisi

 Ndërsa skuadra kuksiane përmbysi rezultatin dhe mori një triumf shumë të rëndësishëm ndaj Flamurtarit

 

Osmani-e-sakteKa nisur dje java e 20 e Superligës shqiptare. Katër ndeshjet sollën shumë emocione dhe surpriza për sa u përket rezultateve. Ndeshje që sollën edhe pozicionime të reja në tabelë. Ndeshjet që pikasën ishin ato midis Laçit dhe Teutës, Bylis-Lushnja dhe Kukësi-Flamurtari. Sfida këto që patën nga një fitues që morën pikë shumë të rëndësishme për ecurinë e tyre. Ndërsa Skënderbeu vazhdon serinë e dominimit edhe ndaj Kastriotit, duke fituar pastër dy me zero dhe duke e çuar diferencën me vendin e dytë +10.

 Laçi surprizon Teutën

Nuk fal Laçi i Stavri Nicës, sidomos kur luan në shtëpi, edhe pse kanë luajtur pa kapitenin dhe liderin Erjon Vucaj, edhe pse kanë pasur përballë një kundërshtar me mjaft emra cilësorë, të përforcuar ndjeshëm në merkaton e janarit. Dy gola ka realizuar Laçi në javën e 20-të për t’i shtuar edhe tri pikë të tjera në llogarinë e vet, duke u pozicionuar i dyti për momentin me 31 pikë, të paktën derisa të luajnë edhe të kuqtë të dielën, në Shkodër. Sorrentino nuk u shfaq i lumtur pas ndeshjes. Ai theksoi se skuadra bëri punë të mirë, edhe pse fati nuk ishte me ta. “E dinim që ishte një fushë e vështirë, por në fillim e pësuam nga një gabim trashanik yni. Ndeshja ishte në ekuilibër, patëm edhe raste të barazonim, por nuk patëm fat. Gjetëm një gol vetëm në fund, që na dha pak shpresë, por ishte vonë. Laçi është një ekip shumë i mirë, kurse ne na penalizoi ai gol i pësuar për fajin tonë. Kohët e fundit po bëjmë disa të tillë, duke kujtuar edhe atë me Skënderbeun në fund të lojës. Mund të them që është një periudhë që fati nuk po na ndihmon. Ekipi po luan mirë me topin. Detyrat taktike po zhvillohen mirë, disa raste i kemi edhe krijuar, shpresojmë në kohë më të mira. Ky kampionat është i vështirë dhe do të ketë shumë luhatje. Një herë do jemi lart një herë do jemi poshtë. Ka një grup skuadrash shume të forta dhe besoj se deri në fund do të ketë luhatje pozicionesh. Ne po kalojmë një moment krize për sa u përket rezultateve, jo për sa i përket lojës. Shpresoj që kjo periudhë të kalojnë sa më shpejt. Nuk duhet të demoralizohemi dhe duhet të punojmë sa më shumë dhe të kemi pak më tepër fat, sepse në këto momente fati na e ka kthyer pak kurrizin”, – u shpreh tekniku italian mbas ndeshjes. Ndërsa Nica u shpreh mjaft i lumtur për fitoren. Trajneri durrsak u shpreh i kënaqur me mënyrën se si ekipi i tij i krijoi presion ekipit kundërshtar. Ai u shpreh se nuk ka rëndësi emri i ekipit kundërshtar, sepse lojtarët e tij e sulmojnë atë që në mbrojtjen e tyre. “Për më tepër, sot lojtarët vrapuan shumë. Djemtë i shërbyen mirë njëri-tjetrit edhe i zhvilluan mirë detyrat taktike. Nuk na ndihmoi as fusha që ishte e rënduar nga shiu, por ia arritëm qëllimit që të ndërprisnim lojën e tyre, duke mos lejuar furnizimin me topa për dyshen sulmuese të Teutës. Ndeshja u bë e bukur, por në fund nervozizmi i kaloi limitet nga të dyja palët. Fatkeqësisht, ky është limit i futbollit tonë. Djemtë e meritojnë plotësisht pozicionin që kanë në tabelë”, – u shpreh pas takimit trajneri i laçianëve.

Lushnja i prish punë Bylisit

Trashi udhëheq Lushnjën e Artan Banos drejt një fitoreje tepër të çmuar. Në minutën e 12-të, gramshioti ka shënuar vetë nga një goditje dënimi, ndërsa dy minuta para mbarimit të kohës së rregullt ka shërbyer për Fonsekën, që ka vulosur gjithçka. Lagunarët rigjejnë fitoren pas shumë kohësh, që e kishin harruar prej javës së 13-të, duke lënë kësisoj përkohësisht edhe vendin e fundit në klasifikim. Me 22 pikë të grumbulluara, ata zhytin më keq mallakastriotët e Egbosë, ndërkohë që beteja për mbijetesë përfshin si kurrë më parë edhe Bylisin. Kujtojmë se Superiorja ka mbërritur në javën e 20-të, ndërkohë që pas saj kanë mbetur edhe dy javë të tjera për të përmbyllur fazën e dytë të kampionatit, para se të mbërrijmë në fazën e tretë, atë më delikaten dhe dramatiken. Gara për mbijetesë është e ethshme dhe sa vjen e ashpërsohet më shumë.

Kukësi merr fitoren e parë të vitit

Kukësi ka përmbysur në fushën e tij kuqezinjtë e Vlorës, duke gjetur fitoren e parë për vitin 2014, në shifrat 3-2, por edhe ka marrë tri pikë me shumë vlera. Pikë që qetësojnë më së fundi ujërat në kampin verilindor. Eurogolit të Gilman Likës në fundin e pjesës së parë i janë kundërpërgjigjur Shameti, Hysa dhe Cikalleshi në fraksionin e dytë, duke përligjur tërë atë mund, këmbëngulje dhe dëshirë të të besuarve të Starovës. Rrjeta e Abilaliajt me kokë pesë minuta nga fundi i lojës i ka ftuar miqtë për një sforco të fundit, në kërkim të një barazimi të mundshëm. Mirëpo kjo gjë ka mbetur në kufijtë e dëshirës. Nënkampionët e vendit rrumbullakosin tashmë 30 pikë, duke u barazuar për momentin me Partizanin, ndërsa bregdetarët e Gjokës mbeten në vend-numëro, me 26 pikë, në vendin e shtatë.

Skënderbeu mban kreun

Kreu duket se nuk do të lëshohet nga Skënderbeu, i cili ka distancë komode me ndjekësit më të afërt, + 10 pikë nga Laçi për momentin. Kjo pasi me fitoren e marrë ndaj Kastriotit e shton edhe më shumë distancën. Një rezultat ky që i shton hapin për triumfin drejt titullit të katërt radhazi. Matematikisht është cdo gjë e hapur edhe në këtë drejtim, mirëpo duket se ekipi i Josës ka diferenca të mëdha me ekipet e tjera.

 

Box

Ndeshjet e djeshme

SKËNDERBEU-KASTRIOTI  2-0

Golat: Shkëmbi 43′, Pejiç 78′

Gjyqtarë: K. Meta

KUKËSI-FLAMURTARI 3-2

Golat: Shameti 50′, Hysa 71′, Cikalleshi 80′ (pen) / G. Lika 43′, Abilaliaj 85′

Gjyqtarë: L. Jemini

LUSHNJA-BYLISI 2-0

Golat: Trashi 12′, Fonseka 88′

Gjyqtarë: O. Sokoli

LAÇI-TEUTA  2-1

Golat: Çela 31′, Nimani 60′ / Nika 90+3′

Gjyqtarë: B. Pashaj

 

 

 

Federata e Kosovës përcakton çmimet e biletave

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka caktuar çmimin e biletave për ndeshjen miqësore Kosovë-Haiti. Bileta në pjesën perëndimore të stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë do të kushtojë 10 euro, në atë lindore 7 euro, ndërsa në veri e jug nga 5 euro. Komiteti Ekzekutiv i FFK-së ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku debatoi për shumë çështje me rëndësi për futbollin e Kosovës. FFK u ka bërë thirrje të gjithë adhuruesve, pa dallim grupimesh organizative të tyre, që më 5 mars të jenë në mbështetje të përfaqësueses së Kosovës. Duke e konsideruar se kjo ndeshje ka një rëndësi të veçantë për të gjithë.

 

 

Alban Meha shënon përsëri

Alban Meha vijon të shkëlqejë në Bundesligën 2. Shqiptari i Paderbornit ka shënuar golin e tij të tretë në tri ndeshjet e fundit në ndeshjen në transfertë kundër Munchen 1860. Mesfushori i Kombëtares kuqezi ka qenë autor i një goli alla Kristiano Ronaldo nga goditja e dënimit. Paderborni është një ndër kandidatët potencialë për tu ngjitur sezonin e ardhshëm në Bundesligë dhe një ndër lojtarët më kyç është pikërisht Alban Meha.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency