Speciale nga Dibra e Madhe / Radika, lumi që bashkon shqiptarët

0
251

Florenc Drizari

“E refuzuam atë projekt me argumentin se gjaku dhe uji nuk falen. Uji të çon në vdekje, gjaku të çon në vdekje”

 

Radika-Dolno-Kosovrasti

Devijimi i urjëravë të lumit Radika në Maqedoni drejt lumin Vardar që vazhdon rrjedhën në Greqi dhe derdhet në detin Egje, përpos rrjedhës natyrore nëpërmjet zonës së Dibrës përmes bashkimit me Drinin e Zi e më pas në Shqipëri, është grabitja e radhës që i bëhet Dibrës së Madhe sipas qytetarëve të saj, por edhe të zgjedhurve vendorë.

Dibranët e quajnë këtë grabitja e fundit për faktin se pasi u ndërtua liqeni me një marrëveshje të vitit 1963, lumi Radika, e cila ka pasur 30 m3 ujë për sekondë, 9 metra ujë u morën dhe u kthyen në liqenin e Mavropës që ai të ishte efektiv. Sipas përfaqësuesve të të zgjedhurve vendor në Dibër, ai kthim u bë me marrëveshje ndërshtetërore dhe ajo marrëveshje kosiderohet për ta si molla e sherrit për dibranët.

Në vitin 1967 u ndërtua diga e liqenit artificial të Spiles në Dibër. Administrata e saj ka qenë në Strugë e jo në Dibër siç kanë dashur të zgjedhurit komunal. Sipas tyre, ndërtimi i digës gëlltiti edhe hambarin e Dibrës, si toka më e begatë për zonën dhe me vlera historike. Shumë të dhëna arkeologjike duket se janë zhdukur  me krijimin e liqenit artificial.

BURIMET

Burimet e lumit Radika rrjedhin nga një lartësi 1800 m nga niveli i detit. Deri në Dibër mund të ndërtohen 3-5 HEC-e sipas përfaqësuesve të komunës së Dibrës, dhe nëse qëllimi i maqedonasve është devijimi i ujërave të lumit për të krijuar energji elektrike, ai ujë vjen në HEC-in e Spilës. Ata thonë se mund të përsoset HEC-i dhe të prodhohet më shumë. Një tjetër rrugë është ndërtimi i HEC-eve të tjera gjatë rrugës së atij uji dhe mund të përfitohet më shumë energji elektrike. Për këtë ata nuk shprehen kundër palës maqedonase që të mos ketë rrymë elektrike.

Ruzhdi Lata

Pretendimet e devijimit të ujërave të lumit Radika sipas kreytarit të komunës Dibër e Madhe, Ruzhdi Lata, bëhen me dinakërinë e një naiviteti primitiv. Gjatë prononcimit për mediat shqiptare që vizituan qytetin e Dibrës dy ditë më parë, Lata thotë se Radika është i vetmi lum i pastër dhe i pijshëm.

“Se çfarë do të bëjnë, a do të prodhojnë ujë të pijshëm, a do të prodhojnë energji që dalin nga HEC-et, apo do ta mbushin Vardarin, është projekt i tyre. E keqja është se neve na dëmtojnë shumë.

Mesa duket, pas 1913, me marrjen e atij uji atëherë Dibra duhet të shpërngulet se nuk ka më çfarë të bëjë. Duke mos hyrën në dëmin që iu bëhet HEC-eve të Shqipërisë për mangësitë me 9 m3 ujë në sekondë. E refuzuam atë projekt me argumentin se gjaku dhe uji nuk falen. Uji të çon në vdekje, gjaku të çon në vdekje”,- ka thënë kryetari i komunës së Dibrës, Ruzhdi Lata.

 

 

Çështja Radika, Ilir Krosi: Zgjidhje në interes të përbashkët

Kryetar i Bashkisë së Peshkopisë, Ilir Krosi, gjatë një bashkëbisedimi që zhvilloi me gazetarët në ambientet e komunës së Dibrës për çështjen e Lumit Radika, tha se edhe institucioni që ai përfaqëson është i interesuar për rrjedhën e këtij lumi dhe në tërësi, nga ky projekt preken interesat e të gjithë shqiptarëve. Ai foli për një qasje të përbashkët ku të mos cenohen interesat e qytetarëve që jetojnë si përtej kufirit, ashtu edhe në shtetin shqiptar.

“Dibra është qyteti ynë i lashtë. Peshkopia është krijuar nga sistemi komunist pasi viteve ’44 dhe ne kemi shumë e shumë arsye të jemi bashkë, të mbrojmë të drejtat tona bashkë dhe të punojnë për zhvillimin e këtij rajoni në mënyrë të koordinuar. Zhvillimet e fundit janë ato që na kanë kontaktuar më shpesh dhe ky është një shqetësim i madh për banorët e Dibrës. Takimi i madh i dibranëve është bërë në mënyrë masive në vitin 1992. Dibranët andej dhe këtëj nuk kanë pyetur më policinë dhe u bashkuan sëbashku atë ditë dhe më pas sipas treditës kanë vazhduar të shtojnë kontaktet. Përpiqemi që të punojmë në detyrat respektive, si dibranë por edhe si shqiptar për një integrim të përbashkët të rajonit tonë”,.-ka thënë kryebashkiaku i Peshkopisë, Ilir Krosi.

 

Dibra, që nga periudha osmane e deri në ditët tona

Dibra konsiderohet një qytet nga më të lashtit në Shqipëri. Një qytet që pas shpalljes së Pavarësisë ka qenë i persekutuar. Me një periudhë të dhimshme dhe krenare, por me perspektivë në ditë më të mira në të ardhmen.

Intelektualë dhe qytetarë dibranë thonë se me ligësitë e slavëve që ndodhën në vitin 1913, genocidin që bëri Serbia në Dibër, dibranët gjetën mirëpritjen në kryeqytetin shqiptar. Një qytet gati me 20 mijë banorësh mbeti vetëm 4 mijë banorë në atë kohë. Të tjerët u shpërndanë në trojet shqiptare. Genocide në ballkan kanë ndodhur edhe vite më parë, por më 1913 dibranët shkuan në Elbasan dhe shumica në Tiranë.

Pa marrë parasysh rrethanat politikë që ndodhemi, dibranët thonë se një ditë ata do të jenë bashke më shqiptarët e tjerë nën një status të përbashkët dhe kjo sipas tyre, duhet të kultivohet dhe të mbillet që në këtë rrugë duhet ecur. Dibranët theksojnë se këtë nuk e bëjnë në dëm të dikujt tjetër, por për kombim dhe statusin e tyre.

Që në shkresat e para osmane, çdo ferman i sulltanit që ka vizituar zonën, në fusnotë thuhet se ka pasur të shënuar, kujdes Dibrës. Kjo do të thotë që aktiviteti dibran ka qenë aktual dhe nën vështrim. Banorë të Dibrës, thonë se ata i gjen në çdo ngjarje të madhe që i ka ndodhur popullit shqiptar. Atje ku ka qenë në voja e zgjidhjes së çështjeve shqiptare është e pamundur të mos e gjesh një dibran. Nëse i referohemi ngjarjeve të Ditës së Pavarësisë, më 28 nëntor 1912, atje kanë qenë dy dibranë. Axhi Vehbi Dibra dhe Sherif Langu, njëri anëtar dhe tjetri kryetari i senatit. Gjithashtu Dibra ka pasur edhe delegatë në Lidhjen shqiptare të Prizrenit.

Shënimet historike tregojnë se dibranët i gjen dëshmorë në Jemen, në Spanjë, në Tiranë, në Shkondër, në ish-Jugosllavi etj. Dibranët kanë një shprehje që thonë se “oborrin e shtepisë e kanë pastruar vetë”. Në Dibër nuk ka ardhur askush të luftojë dhe Dibra ka ditur të rregullojë qenien e vetë dhe ka ditur të rregullojë punët e saj, shprehet një dibran. Sipas disa statistikave, një kontribut i dibranëve pas luftës së dytë botërore, është dhënë edhe në arsim. Prej Marove, deri në Gostivar e Shkup, kanë qenë rreth 200 mësues dibranë që kanë dhënë mësim në shkollat e zonës. Në çdo shkollën në Maqedoni, është vështirë të gjendet një që të mos ketë pasur një mësues apo një pedagog.

 

 

 

 

 

 

 

Bushati takon Menduh Thaçin, diskutime edhe për çështjen Radika

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati zhvilloi dje Pogradec, një drekë pune me Kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi.

Lajmi bëhet i ditur nga vetë ministri Bushati nëpërmjet rrjetit social “Tëitter”, ku deklaron se gjatë këtij takimi kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në Maqedoni dhe rajon.

“Në Pogradec me Kryetarin e PDSH Menduh Thaçi. Biseduam për zhvillimet e fundit në Maqedoni e rajon”, – deklaron Ministri i Jashtëm Bushati. Mes tyre mësohet se është diskutuar edhe për çështjen e lumit Radika, çështje e cila ka shkaktuar shume debate dhe reagime në median vendase dhe atë maqedonase, si dhe në politikën e të dy vendeve.

Gjithashtu zbatimi i Marrëveshjes se Ohrit dhe ndjekja e zhvillimeve të fundit të situatës politike në Maqedoni kanë qenë në fokus të këtij takimi. Në këtë takim të parë mes tyre Menduh Thaçi e uroi ministrin Bushati për detyrën dhe e përgëzoi për nismën e nisur dhe për vëmendjen konstruktive të Tiranës për shqiptarët në rajon.

Ndërsa një javë më parë, Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati ka drekuar po në Pogradec edhe me liderin e BDI-së në Maqedoni, Ali Ahmeti.

Në Pogradec qëndrova për një drekë vëllazërore me Ali Ahmetin me të cilin ndava mendime të vyera”, – shkruan ministri Bushati në faqen e tij në rrjetin social “Tëitter”, ku ka postuar edhe një foto nga dreka.

 

Dibër e Madhe

Dy negociata për projektin në Lumin Radika

“Ata duan të marrin 9 metër kub ujë në sekond nga lumi Radika. Thënë ndryshe, 6 burimet në Fushën e Llukovës t’i kthejnë për Mavrovë”

Florenc Drizari

Mes përfaqësuesve të Komunës Dibër e Madhe në Maqedoni dhe palës maqedonase janë zhvilluar dy takime për projektin e lumit Radika. Negociatat mes tyre janë bërë në mesin e muajit nëntor, ndërkohë që projekti për devijimin e rrjedhës së lumit ka nisur vite më parë. Ndryshe nga sa pretendon qeveria shqiptare për mosekzistencën e një plani konkret, pala maqedonase duket se ka një plan të detajuar për devijimin e ujërave të Radikës. Kjo pohohet nga të zgjedhurit vendor në komunën Dibër e Madhe në Maqedoni, të cilët kanë zhvilluar dy takime me përfaqësuesit e firmës. Edhe pse ata theksojnë se nuk i është dorëzuar një plan konkret, por vetëm një projektide, plani sipas tyre është kundërshtuar nga zyrtarët lokalë si dhe nga qytetarët e Dibrës së Madhe.

Projekti për Fushën e Lukovës ka filluar të punohet në vitin 2003. Përfaqësuesve komunal të Dibrës i paraqitet si informacion në fund të vitit 2013. Përpara tyre janë dhënë ide se çfarë do ndërtohet. Sipas të zgjedhurve vendore, sa i takon projektit në tërësi, me fizibilitet dhe infrastrukturë, nuk e disponon asnjë shqiptar. “Ndoshta nuk e ka edhe vetë qeveria e Maqedonisë, ngaqë ELEM është shoqëri aksionere e mbështetur nga shteti. Ende projektin konkret ata nuk e kanë paraqitur. Është bërë vetëm prezantimi i tyre ideorë”,-shprehet një zyrtar i komunës së Dibrës.

Negociatat

Gjatë vizitës që një grup gazetarësh nga Shqipëria zhvilloi në komunën e Dibrës në Maqedoni, u pa nga afër se mes zyrtarëve vendas dhe palës maqedonase ka pasur kontakte për çështjen e lumit Radika. Ata pohuan se në sallën e mbledhjeve të komunës, kanë qenë të pranishëm para dy muajsh e gjysëm përfaqësuesit e shoqërisë aksionere ELEM, me rreth 20 përfaqësues. Në këtë mbledhje thuhet se ka pasur përfaqësues edhe të Bankës Botërore të cilët kanë mbajtur një qëndrim neutral, duke dëgjuar palët. Por mungesa e përfaqësuesve shqiptarë nga pala maqedonase duket se është bërë shkak që kjo mbledhje të dështoi. Kryetari i komunës së Dibrës, Ruzhdi Lata ka deklaruar se: Ata informuan dhe në fund të takimit unë numërova pjesmarrësit dhe u thash: si nuk ju vjen turp! Keni ardhur 20 maqedonas dhe asnjë shqiptar. Nga ky çast i përzumë.

Takimi i dytë

Në takimin e dytë përfaqësuesit e firmës kishin ardhur me një përfaqësues të vlerësuar nga pala shqiptare. Nga ana e përfaqësuesve të lokal të Dibrës, thuhet se takimi filloi me shumë kontradikta nga pala maqedonase. Sipas tyre përfaqësuesit e firmës një herë pretenduan se donin të merrnin mniimumi 3 metër kup ujë dhe më pas  në formë më zyrtare theksuan se kërkonin 2.3 metër kub ujë në sekondë deri në 9 m3.

Përtej qëndrimeve të mbajtura nga përfaqësuesit e firmës, të zgjedhurit vendor në Dibër thonë se realiteti është se ata duan të marrin 9 m kub ujë në sekond nga lumi Radika. Thënë ndryshe, 6 burimet në Fushën e Llukovës t’i kthejnë për Mavrovë.

Kundër këtij projekti në Maqedoni duket se nuk është vetëm pala shqiptare, por edhe ajo maqedonase. Rreth 119 ekspertë e kanë kundërshtuar këtë projekt, ndërkohë që përkrahje për komunën Dibër ka pasur edhe nga të gjitha shoqatat ekologjike në Maqedoni. Zyrtarët lokalë thonë se komuna ka edhe një projekt për zhvillimin ekonomik të Dibrës dhe të Rekës, projekt i cili pritet të vihet në zbatim në të ardhmen.

 

Ambientalistët protesta për ujërat e Radikës

Një grup ambientalistësh nga shqipëria por edhe nga maqedonia, pritet të protestojnë mesditën e së dielës për çështjen e devijimit të ujërave të lumit Radika drejtë rrjedhës së lumit Vardar. Qëndrimi i ambientalistëve shqiptar është publikuar në media një ditë më parë, ndërkohë që ne protestën e tyre pritet të bashkohen edhe qytetar vendas. Më herët ata kanë kundërshtuar qeverinë shqiptare e cila ka mohuar ekzistencën e një plani konkret nga pala maqedonase për çështjen e lumit Radika. Ambientalistët kanë theksuar se pala maqedonase e ka një projekt të tillë dhe ata do të kundërshtojnë një projekt të tillë. Sipas tyre, me devijimin e ujërave të lumit Radika, dëmtohet jo vetëm zona përreth Dibrës, por edhe Shqipëria.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency