Reforma administrativo-territoriale / Basha: Reforma është arbitrare, s’do të ketë zgjedhje në Shqipëri pa gjetur zgjidhje

0
103

Florenc Drizari

Kryetari i PD-së Lulzim Basha merr pjesë në kremtimin e 23-vjetorit të krijimit të PD-së në Korçë

 

basha korce_1Në kuadër të kremtimit të themelimit të degëve të Partisë Demokratike në rrethe, kryetari i kësaj partie, Lulzim Basha, u ndal dje në qytetin e Korçës. Nga qyteti juglindor i vendit, Basha vuri theksin tek situata me të cilën përballet çdo qytetar. Duke folur për reformën administrativo-territoriale, kreu i opozitës tha se ajo është e njëanshme dhe bëhet për interesa elektorale. “Pa gjetur zgjidhje, – tha Basha, – nuk do të ketë zgjedhje në Shqipëri”.

Gjithashtu, kreu i PD-së theksoi se mazhoranca e re ka shkelur çdo premtim elektoral, ka futur vendin në krizë, duke krijuar pasiguri për jetën e çdo shqiptari. Kjo mazhorancë, sipas kreut të demokratëve, me papërgjegjshmëri ka në mendjen e saj jo mirëqenin e qytetarëve, por mënyrat se si mund të manipulojë rezultatet elektorale përmes reformës territoriale apo shitblerjes së votave.

“Premtuan ulje taksash, premtuan ulje çmimesh, premtuan 300 mijë vende të reja pune, premtuan shëndetësi falas, premtuan legalizime falas, premtuan një ekonomi të fortë, realiteti me të cilin përballen sot shqiptarët është ekonomi e dobët, e ardhme e pasigurt, asnjë vend i ri pune, por shumë vende pune janë mbyllur, njerëzit janë flakur në rrugë. Çmimet po rriten, pasiguria mbizotëron jetën e shqiptarit, i majtë apo i djathtë, votues apo jo i koalicionit të mashtrimit me 23 qershor. Cila është motoja e tyre? fajin e ka opozita, fajin e ka ekstremistët evropianë, vetëm ne s’kemi faj. Mesa shihet nuk e vrasin mendjen, sepse kanë në mendje dy gjëra: Salamandrat elektorale përmes reformës të njëanshme territoriale-administrative në një anë dhe shitblerjen e votës që eksperimentuan në Korçë në muajin nëntor, në anën tjetër”, – deklaroi lideri i demokratëve, Lulzim Basha.

Prerë dhe qartë, lideri i opozitës shprehu nga Korça qëndrimin e tij se nuk do të pranohet një reformë e njëanshme për interesa elektorale dhe se nuk do të ketë zgjedhje pa përcaktuar mekanizmat e nevojshëm ligjorë, që pamundësojnë blerjen e votave.

“Partia Demokratike, demokratët, opozita paralajmëron jo vetëm mosnjohjen e çdo produkti të njëanshëm të reformës territoriale-administrative, por edhe një kundërshtim të fuqishëm mbarë popullor, të reformës arbitrare për interesa të fëlliqura elektorale. Në emër të të gjithë demokratëve paralajmërojmë edhe një herë nga Korça se nuk do të ketë zgjedhje në Shqipëri pa gjetur zgjidhjet dhe rrugën që e bëjnë të pamundur blerjen e votave, përdorimin e parave të korrupsionit dhe krimit për të tjetërsuar vullnetin e lirë të zgjedhësve shqiptarë”, – theksoi zoti Basha.

Duke folur për kuvendimin e ri që ka nisur PD, zoti Basha ka përcaktuar si katërkëndësh të analizës evidentimin e asaj që është bërë mirë, çfarë nuk bërë mirë, çfarë duhet të ishte bërë më mirë, çfarë duhet bërë më mirë në të ardhmen. “Objektiviteti, përgjegjshmëria, profesionalizmi dhe argumentet duhet të jenë bazë e analizës, – tha zoti Basha. – Argumenti, arsyeja, transparenca, gjithë përfshirja, llogaridhënia, kërkimi i ndjesës aty ku ka vend dhe është e nevojshme, rimarrja e iniciativës me forca dhe energji të reja, me zgjidhja të reja, me programe të reja që lançojnë zhvillimin, këto janë armët tona, ky është sistemi ynë”, – deklaroi kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

 

 

Reforma territoriale

Meta në Elbasan: E domosdoshme që opozita të përfshihet

Kryetari i LSI-së, njëherësh edhe Kryetar i Parlamentit, Ilir Meta zhvilloi dje një takim me drejtuesit e LSI-së në rrethin e Elbasanit. Në këtë takim, Meta vuri theksin tek domosdoshmëria e realizimit të reformës administrative dhe territoriale, duke i bërë thirrje edhe opozitës që të jetë pjesë e procesit.

Duke e konsideruar një reformë të domosdoshme, Meta tha se “kjo reformë i ka munguar Shqipërisë për një kohë të gjatë, në rast se ka një nga standardet më të prapambetur që nga zgjedhjet lokale të vitit 1992, vendi e ka në drejtim të ndarjes territoriale të vendit. Ndërkohë që Shqipëria ka ndryshuar shumë, dhe lëvizjet demografike kanë qenë të jashtëzakonshme, dhe sot Shqipëria ka 385 njësi vendore bashki dhe komuna, kur Kosova ka vetëm 37 ndërsa Maqedonia 80 dhe Mali i Zi 21”.

Lideri i LSI-së tha më tej se “kjo nuk është thjesht çështje numrash, por e kapaciteteve të pushtetit vendor, i cili në shumicën e njësive vendore nuk është jo vetëm efikas, por mbetet një shpërdorues i madh i taksa paguesve shqiptarë. Në 150 komuna sot në vendin tonë asnjë prej tyre nuk realizon dot asnjë investim dhe asnjë shërbim me të ardhurat që siguron, pra janë qytetarët e Elbasanit ata që paguajnë kostot administrative të mbajtjes së dhjetëra dhe qindra komunave të cilët nuk japin shërbime për banorët që kanë përgjegjësi. Nuk vazhdohet në këtë mënyrë, vetëm nga realizimi i reformës administrative dhe territoriale, vetëm në katër vjet do të kurseheshin nga kostot administrative mbi 80 milion dollar”. Ai shtoi: “Ne nuk mund t’i gjejmë këto fonde, ndërkohë që marrim borxhe me interesa, ndërkohë që jo vetëm i shpërdorojmë në një mënyrë pa kthim këto vlera të jashtëzakonshme që janë kontribute të gjithë taksapaguesve shqiptarë”.

 

 

PD: Krimi, në përmasa të frikshme, qeveria, e verbër dhe qesharake

Partia Demokratike akuzon krerët e qeverisë për situatën e kriminalitetit në vend. Sipas deputetit Arben Ristani, krimi ka kapur përmasa të frikshme, ndërsa akuzoi qeverinë se sillet qesharake dhe e verbër përballë këtyre situatave.

“Rendi dhe siguria është sot, krahas gjendjes ekonomike dhe varfërisë, çështja kryesore që shqetëson shoqërinë shqiptare. Krahasimi me gjendjen në Irak dhe Siri, për fat të keq, ka filluar të përmendet në media dita ditës, dhe jo pa të drejtë, sepse vetëm këto ditë të janarit na japin këtë tablo: 12 vrasje, 153 aksidente, 16 me pasojë vdekje, 14 persona të tjerë në gjendje të rëndë, 18 raste ku krimi ka goditur me eksploziv. Drogë pa fund kapet nga policitë e vendeve fqinje. Në fillim të kësaj jave në Greqi, u kap mbi 1 tonë drogë shqiptare. Grabitje me maska në qendra qytetesh dhe në mes të ditës, Vjedhje të banesave në mënyrë masive po ndodhin kudo.

Vetëm dje ndërroi jetë një biznesmen në Durrës, i sulmuar barbarisht në mes të qytetit me eksploziv, ndërkohë që kryetari i Komunës Qendër në Vlorë vazhdon të luftojë me jetën, pas sulmit me tritol që iu bë 5 ditë më parë. Përkundrejt kësaj situate, Kryeministri dhe ministri i Brendshëm vendosin arrogancën dhe butaforinë televizive, mashtrimin dhe cinizmin pa kufi, herë pas here edhe budallallëkun e skajshëm për të gjetur shpëtim për paaftësinë e tyre”, – tha Ristani gjatë një konference së djeshme për shtyp.

 

 

 

Aleatët nisin negociatat me PS-në

PDS, Milo: Ka ardhur koha që të jemi në qeveri

“Deviza jonë gjatë gjithë kësaj kohe, që nga zgjedhjet e 23 qershorit, ka qenë durim dhe shpresë”

Florenc Drizari

Pas disa muajsh pritjeje, aleatët e majtë duket se kanë nisur negociatat me Partinë Socialiste për bashkëqeverisje. Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, theksoi një ditë më parë se partia e tij ka filluar procesin e negociatave për përfaqësimin e partisë në qeverisjen e vendit. Pas zgjedhjeve të 23 qershorit dhe formimit të qeverisë së re në mesin e muajit shtator, aleatët e vegjël të Partisë Socialiste kanë ngritur vazhdimisht zërin, duke kërkuar zbatimin e marrëveshjes parazgjedhore me PS-në për të qenë pjesë e qeverisë. Formimi i kabinetit të ri qeverisë, sipas tyre, nuk respektoi marrëveshjen, duke lënë jashtë qeverisjes aleatët e socialistëve. Nga kjo periudhë e në vazhdim, krerët e partive aleate kanë kërkuar respektimin e kontratës me partinë më të madhe në qeveri, ndërkohë që nuk kanë munguar edhe akuzat ndaj socialistëve.

Gjatë mbledhjes së Komitetit Drejtues të Partisë, Milo tha: “Deviza jonë gjatë gjithë kësaj kohe, që nga zgjedhjet e 23 qershorit, ka qenë durim dhe shpresë, mirëkuptim për vështirësitë e ndeshura, gjithnjë me shpresën dhe me bindjen se partnerët tanë politikë do të vlerësojnë Demokracinë Sociale”.

Ai tha se tashmë ka ardhur koha që Partia Demokracia Sociale të marrë vendin e duhur në qeverisje.

“Dua të informoj Komitetin Drejtues Kombëtar se ka filluar procesi i negocimit për përfaqësimin e partisë në qeverisjen e vendit. Ky është një proces. Ai nuk mund të kryhet as në një javë dhe as në një muaj. Kemi bërë dhe do të bëjmë gjithçka për të përfaqësuar denjësisht interesat dhe kontributet tuaja në këto negociata. Referencë për këdo do të jetë numri i votave të marra në qershor, kjo është kontrata dhe kjo do të respektohet deri në fund”, – tha Milo.

Milo i tha Komitetit Drejtues se duhet të kenë besim tek qeveria e re dhe se ky fillim ka qenë i vështirë dhe plot sfida. Kreu i PDS-së adresoi kritika edhe në adresë të opozitës, për të cilën tha se ka filluar të bëjë opozitë kur ende nuk kishte dorëzuar pushtetin e vjetër që mbante.

“Kemi të bëjmë me një opozitë që më mirë se gjithçka, vetëm di të kritikojë. I dorëzoi qeverisë së sotme një vend me financa të zbrazura dhe shumë fatura të papaguara”, – tha Milo.

“Kryereforma për këtë qeveri, – tha Milo, – është reforma në drejtësi. Nuk mund të ketë integrim pa ketë”, – theksoi ai. Konkretizimi i marrëveshjes me aleatët pritet në ditët në vijim, ndërkohë që postet e ministrave dhe zv.ministrave u ndanë mes PS-së dhe LSI-së. Kjo do të thotë se marrëveshja mes aleatëve të vegjël të PS-së pritet të jetë për poste drejtorish në rrethe të vendit, e jo në rangje të larta përfaqësuese të shtetit.

 

 

 

Hannes Swoboda viziton Tiranën, takon krerët e shtetit

 

Me ftesë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ditën e dielë, datë 26 janar 2014, kryetari i Grupit të Social-Demokratëve në Parlamentin Evropian, z. Hannes Swoboda, mbërrin në Tiranë për një vizitë zyrtare dyditore.

Mësohet se të dielën në orën 18:00, Swoboda do të zhvillojë një bashkëbisedim me studentët e Universitetit “Marin Barleti” (UMB) me temë “Bashkimi Evropian dhe sfidat e tij”, ndërsa ditën e hënë, datë 27 janar 2014, z. Hannes Swoboda do të nisë takimet zyrtare me krerët më të lartë të shtetit.

 

 

Doganat, Rama, inspektim të paparalajmëruar në pikën kufitare të Hanit të Hotit

 

Kryeministri Edi Rama kreu dje një inspektim të paparalajmëruar në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit në Shkodër. Në këtë pikë të kalimit kufitar, Rama inspektoi punën që bëhet në një ditë në doganë, por edhe ka parë nga afër mjediset e pikës që lidh Shqipërinë me Malin e Zi. Në këtë inspektim, Kryeministri Rama shoqërohej nga drejtorja e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali.

Më pas, Kryeministri Rama u ndal në fototekën kombëtare “Marubi”, në qytetin e Shkodrës, e cila strehon një pasuri të çmuar të vendit, i shoqëruar nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Pas një prezantimi që drejtori i fototekës, Luçjan Bedeni, i bëri mjediseve të fototekës, sipas të cilit, “aty ku ruhen mjetet e pastrimit, ruhen edhe aparatet fotografikë”, Kryeministri i cilësoi kriminale kushtet e papranueshme, të lagështirës dhe mjediseve të pamjaftueshme për këtë thesar kombëtar, që përfshin veprat e dinastisë Marubi, Pietro Marubit, Kel Marubi, Gegë Marubi, Mati Kodheli Marubi, Kel Kodheli Marubi, të Kol Idromenos, Shan Picit, Dedë Jakovës, Pjetër Raboshtës, Angjelin Nënshatit etj.

“Ky thesar i kombit tonë nuk mund të rrijë më në këtë qeli, si të jetë i burgosur politik që duhet vdekur, pa dritë, pa ushqim, pa ajër, pa komunikim me publikun, pa asnjë gjë. Kjo është një gjë kriminale”, – u shpreh Kryeministri.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency