Shkëlqim Cani kërkon falje për mungesën e transparencës, por nuk lëviz taksën progresive

0
135

Ervin Kaduku

 

Ministri i Financave: U nxituam që miratuam paketën fiskale pa “u shtruar këmbëkryq” me biznesin, në qershor do ta rishikojmë përsëri

 “Borxhet e shtetit janë shumë të mëdha, por kaq para kemi…”

 

 

rrobaqepsiMinistri i Financave, Shkëlqim Cani, i ka kërkuar dje falje biznesit për faktin që qeveria “Rama” dhe dikasteri që ai drejton e përfunduan miratimin e paktës fiskale në një kohë të shkurtër, duke u shpjeguar se “financat ishin në vështirësi, nuk kishim kohë për konsultime. Borxhi i lartë na detyroi të miratojmë me shpejtësi paketën fiskale”. Ai shtoi se paketa fiskale e miratuar në dhjetor 2013 do të rishikohet pas 6 muajsh, por nuk do të pranohet ndryshim në taksimin progresiv, që tashmë është vendosur.

“Miratimi i shpejtë i paketës fiskale për shkak të borxhit të lartë. Negociuam me BB-në dhe FMN-në për paketën fiskale. U diskutuan 28 variante për paketën fiskale, koha ishte e shkurtër”, – deklaroi ministri i Financave.

Cani i bëri këto deklarata gjatë një takimi me sipërmarrës të huaj në vendin tonë. Forumi ekonomik u mbajt në hotel “Sheraton” dhe ishte organizuar Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA) me temë “Financa dhe sfidat në të ardhmen e afërt”.

“Kemi bërë ca përmirësime, por kemi rritur sigurisht disa taksa. Por nuk do të vonojmë me rimbursimin e TVSH-së për biznesin. Kemi dëshirë t’ju ndihmojmë, por taksat duhen paguar”, – tha ministri Cani.

Më tej, ministri i Financave Shkëlqim Cani është ndalur te disa problematika që hasin sipërmarrësit, e kryesisht tek evazioni fiskal.

Forumi Ekonomik kishte si qëllim të diskutonte mbi problemet kryesore dhe sfidat, me të cilat biznesi i huaj në Shqipëri përballet dhe për të dhënë një mesazh bashkëpunimi dhe mbështetjeje për përmirësimin e klimës së biznesit në vend.

Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të komunitetit të biznesit të huaj në vend, si dhe institucionet kryesore të ekonomisë.

 

Kritikat

Ka qenë Shoqata e Investitorëve të Huaj që ka dërguar pak kohë më parë në adresë të qeverisë shqiptare një letër, ku ankohej, madje edhe akuzonte qeverinë se ata ishin lënë jashtë vëmendjes së Ekzekutivit. Shkëlqim Cani është detyruar ta argumentojë veprimin qeveritare me atë se qeveria nuk kishte më kohë dispozicion dhe ka theksuar se për të riparuar këtë gabim, në qershor do të hartohet një paketë e re fiskale për vitin e ardhshëm. Ministri i Financave ftoi sipërmarrësit e huaj të sjellin çdo propozim që cenon aktivitetin e tyre dhe që duan ta përfshijnë në kuadrin e ri fiskal, por e konsideroi të mbyllur çështjen e taksës progresive.

“Na falni për çfarë kemi bërë me paketën fiskale, nuk kishim kohë t’ju takonim por kjo është jeta. As vetë nuk e dinim që do të përballeshim me këtë realitet ku borxhi të ishte 10% më shumë. Për këtë do hartojmë një paketë të re fiskale. Paketa duhet të jetë gati në qershor për vitin 2015. Të dyja palët duhet ta bëjmë këtë gjë shpejt, pa humbur kohë. Jemi të hapur për konsultime. Hartoni gjithçka që mendoni se është e mirë për ju. Ju lutem bëjeni këtë gjë pasi kemi shumë gjëra për të bërë. Paketa e re fiskale duhet parë si një e tërë. Do të shqyrtojmë çdo propozim, do të gjejmë një balancë dhe do të ecim përpara”, – tha Cani.

 

Variantet

“Ishin më shumë se 28 versione modifikimesh të paketës fiskale. Kështu që ishim me vonesë, t’i bie shkurt dhe ju kërkoj ndjesë se nuk mund të takoheshim dhe të flisnim lidhur me to. Por çështja është se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Ne mendojmë se paketa fiskale do të jetë gati nga mesi i vitit, nga fundi i muajit qershor, të gjithë ne, ju dhe ne duhet të përgatisnim këtë paketë fiskale, duhet të jemi bërë gati për 2015, që nga mesi i këtij viti jo në 2015-ën. Harrojeni buxhetin, unë e di që fundi i tetorit është afati i fundit për buxhetin, por harrojeni atë. Ne jemi të hapur për sugjerimet tuaja. Ne e dimë që është një vendim që duhet ta marrë qeveria, por kjo s’do të thotë që s’mund ta marrim këtë vendim bashkë. Është një nga objektivat tona si Ministri e Financës dhe si qeveri: Ne do të harxhojmë 300 ditë për ta rishikuar paketën e ligjeve, rregulloreve dhe gjithçka tjetër, gjithçka që u përket autoriteteve fiskale. Ne do të bëjmë më të mirën, por kemi një limit kapacitetesh dhe nuk e kam fjalën këtu për limitet teknike apo për aspektin cilësor, por po flas edhe nga ana sasiore. Nuk mund ta bëjmë këtë vetëm, prandaj gjithë komuniteti i biznesit duhet të riorganizohet dhe ta marrë seriozisht objektiv”, – u shpreh ministri Shkëlqim Cani.

Mungesat e rimbursimeve

Mospagesat e TVSH-së u ngritën si një tjetër problematikë nga investitorët e huaj. Ministri i Financave iu përgjigj këtij shqetësimi se, megjithëse vonesat e pagesave kapin një vlerë shumë më të lartë se 35 miliardë lekë, do të nisë gradualisht shlyerja, por qeveria nuk ka para sa duhet. “Shuma e identifikuar deri më tani për vonesat e pagesave, ku nga njëra anë është TVSH-ja dhe fitimi i parapaguar dhe nga ana tjetër faturat e papaguara për punët dhe shërbimet që komuniteti i biznesit ka kryer është 35 miliard lekë. Por në të vërtetë kjo shumë është shumë më e madhe, por ne nuk kemi mjaftueshëm para. FMN dhe BB na kanë dhënë një kredi por na kanë kërkuar të bëjmë edhe shlyerje. Është një vlerë shumë e madhe që humbet nga evazioni, por ne do të përpiqemi të paguajmë vonesat dhe të mos krijojmë të reja. Dhe kjo do të thotë se do të luftojmë evazionin fiskal”, – shtoi ministri.

Forumi ekonomik i Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri trajtoi problematikat më kryesore të këtyre sipërmarrjeve, ndër të cilat evazioni fiskal u ngrit si shqetësim masiv. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, vetëm për shkak të evazionit fiskal buxheti i shtetit humbet rreth 20 miliardë lekë të ardhura në vit.

 

 

 

 Banka Botërore: Shlyerja e detyrimeve të shtetit ndaj privatit mbështet rritjen ekonomike

–   Investimet e Huaja Direkte kanë qenë modeste deri në 2007-ën, por gjatë viteve të fundit janë rritur në rreth 6% të PBB-së, të nxitura edhe nga investimet në industrinë nxjerrëse (naftë dhe miniera) dhe rikapitalizimi i sektorit bankar

–   Intervistë e menaxheres së Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, znj. Tahseen Sayed, dhënë revistës “Monitor”

 

Cili është parashikimi juaj për ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2014?

Banka Botërore parashikon që rritja reale e PBB-së për vitin 2014 të jetë 2%, pak më e lartë se në 2013-ën (1.3%). Shlyerja e planifikuar e detyrimeve të prapambetura publike gjatë vitit 2014 do të mbështesë rritjen ekonomike përmes përmirësimit të likuiditetit për sektorin privat.

 

Ku duhet të tregohet e kujdesshme qeveria? Cilët do të jenë sektorët që do të “vuajnë” më shumë dhe cilët mund të ndiejnë njëfarë frymëmarrje?

Industritë nxjerrëse, bujqësia dhe shërbimet do të vazhdojnë të mbështesin rritjen në periudhën afatmesme, por në kushtet e konsumit dhe investimeve private të ulëta në Shqipëri dhe rimëkëmbjes graduale në Eurozonë, rritja ekonomike për periudhën afatshkurtër, ka të ngjarë të mbetet modeste, në nivelin 2-3%.

 

Si e parashikoni klimën e biznesit vendas, nisur edhe nga masat e reja të paketës fiskale, si dhe ecurinë e investimeve të huaja?

Niveli i borxhit publik i Shqipërisë arriti në rreth 71% të PBB-së në 2013-ën. Me paketën fiskale të 2014-ës, e cila përfshin rregullime të normës së tatimit të të ardhurave për korporatat, normës së tatimit për të ardhurat personale, si dhe përjashtime nga TVSH-ja, qeveria synon të reduktojë nivelin e borxhit në përqindje të PBB-së në 2015-ën dhe ta ulë atë në rreth 60% në periudhën afatmesme. Investimet e Huaja Direkte (IHD) kanë qenë modeste, me rreth 3% të PBB-së deri në 2007-ën, por gjatë viteve të fundit janë rritur në rreth 6% të PBB-së, të nxitura edhe nga investimet në industrinë nxjerrëse (naftë dhe miniera) dhe rikapitalizimi i sektorit bankar. Ne presim që Investimet e Huaja Direkte (IHD) të vazhdojnë në të njëjtin nivel në vitet në vijim nëse qeveria nuk do të ndërmarrë reforma të mëtejshme për të përmirësuar mjedisin e biznesit.

 

Cilat do të ishin disa nga këshillat që do të jepnit?

Këshilla jonë është e dyfishtë: Zbatimi i buxhetit të 2014-ës, si është miratuar, për të zgjidhur disbalancat e mëdha fiskale dhe për të vënë nën kontroll borxhin publik. Përshpejtimi i reformave strukturore, p.sh. (i) trajtimi i nivelit të lartë të kredive të këqija për të rikthyer rritjen e kreditimit në sektorin financiar, (ii) marrja e masave reformuese dhe investimeve të nevojshme për të kapërcyer pengesat në infrastrukturë, veçanërisht në sektorët e energjetikës dhe transportit; përmirësimi i së drejtës së pronësisë në mënyrë të veçantë i asaj mbi tokën, si dhe rritja e cilësisë së kapitalit njerëzor (arsimi dhe aftësitë). Këto hapa do të jenë shumë të rëndësishme për të rivendosur një rritje ekonomike të fortë dhe të qëndrueshme për të përmirësuar nivelin e jetesës së qytetarëve të Shqipërisë në periudhën afatmesme.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency