Tetë ndërhyrje në bankomat për të marrë shumën 300 mijë lekë

0
197

Elton Qyno

bankomatTask-forca e Tiranës nis hetimet pas kallëzimit të bankës. Rasti është shënuar tek “Nënë Tereza”

 

Një rast i dyshimtë për tërheqjen e rreth 300 mijë lekëve të vjetra nga një bankomat i bankës “Credins” është bërë objekt hetimi, pasi dyshohet se në rastin në fjalë persona ende të paidentifikuar kanë tentuar të marrin paratë nëpërmjet skemës së mashtrimit kompjuterik. Ka qenë një person, i cili duke përdorur 5 karta “Viza”, është afruar në muajin tetor të vitit të kaluar në bankomatin e bankës “Credins” që ndodhet tek zona e spitaleve “Nënë Tereza”. Për disa minuta me radhë ai kanë tentuar të tërheqë shumën e parave të sipërcituar, por për shkak se bankomati ka mbajtur brenda kartën dhe nuk i është përgjigjur komandës së tij për nxjerrjen e lekëve, personi ende i paidentifikuar është larguar. E gjithë skena ka ndodhur rreth orës 02:30 të natës, kur personi i dyshimtë ka tentuar plot tetë herë për të kryer transferimin e parave, por që në fakt nuk ka mundur të realizojë një gjë të tillë. Lidhur me këtë rast, aktualisht njësia hetimore task-forcë pranë Prokurorisë së Tiranës ka filluar hetimet dhe që prej muajit dhjetor të vitit të kaluar ka bërë sekuestrimin në cilësinë e provës materiale të kartës “Viza”, të bllokuar në bankomat, si dhe janë marrë pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e bankës “Credins” që ndodhet në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”. Për këtë ngjarje është marrë në pyetje edhe drejtori i Logjistikës pranë kësaj banke, shtetasi Anketil Mujo, i cila ka denoncuar rastin e dyshimtë në policinë e Tiranës.

Kallëzimi i drejtorit

Policia Gjyqësore ka mbajtur procesverbal për kallëzimin e veprës penale të bërë nga shtetasi Anketil Mujo, me detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Logjistikës pranë bankës “Credins” dega Tiranë. Sipas përmbajtjes së procesverbalit të kallëzimit, rreth orës 02:30 të datës 25 tetor 2012, një shtetas kishte tentuar tetë herë të tërhiqte para me pesë karta “Viza” pranë ATM-së të ndodhur në Qendrën “Nënë Tereza” dhe njëra prej kartave ishte bllokuar në ATM. Veprimet e kryera ishin filmuar prej kamerave të sigurisë të montuara në ATM-të e bankës dhe personi që kishte përdorur kartat kishte tentuar të tërhiqte shuma prej 30.000 lekësh të reja. Nga printimi i bankës kishte rezultuar se karta e bllokuar mbante nr. VIZA 4539782246867167. Lidhur me këtë ngjarje, oficeri i Policisë Gjyqësore, Sami Muja, ka kryer me iniciativë, në dt. 26 tetor 2012, ora 21:00, ndër të tjera, sekuestrimin në cilësinë e provës materiale tëkartës së bankës me ngjyrë e bardhë, me shirit magnetik të zi me nr. VIZA 4539782246867167. Ky send provë materiale i është sekuestruar shtetasit Anketil Mujo, drejtorit të Drejtorisë së Logjistikës, pranë bankës “Credins”, në bazë të nenit 300 të Kodit të Procedurës Penale, me arsyetimin se kishte rrezik të ndryshonte apo humbiste. Lidhur me këtë ngjarje, tashmë ekziston dhe një vendim gjykate, e cila ka urdhëruar sekuestrimin me pamjeve filmike dhe të kartës “viza”, e cila ishte bllokuar në bankomatin e bankës “Credins”.

Personi misterioz

Megjithëse gjatë kësaj kohe janë verifikuar me imtësi pamjet filmike dhe fytyra e grabitësit të bankomatit nëpërmjet kartave kompjuterike dallohet qartë, ende prokuroria dhe policia e Tiranës nuk kanë mundur të bëjnë identifikimin e personit. Për të janë ngritur disa dyshime, por deri tani nuk është arritur të sigurohen informacione të sakta rreth banesës së tij apo vendndodhjes. Nisur nga kjo situatë, Prokuroria e Tiranës ka autorizuar policinë që të kryejë verifikime në rrugë operative, me qëllim për të mësuar rreth identitetit të personit që mbrëmjen e tetorit, tentoi të merrte nga bankomati nëpërmjet 5 kartave “Viza” shumën prej 300 mijë lekësh të vjetra. Ky nuk është rasti i parë që persona të ndryshëm, duke shfrytëzuar kartat “Viza” të klonuara, arrijnë të tërheqin nga bankomatet sasi të konsiderueshme lekësh, të cilat më pas i shpenzojnë për të blerë drogë, pije alkoolike dhe duke shkuar me prostituta të ndryshme.

Hyn për të blerë bukë, i grabisin makinën në rrugë

Ka zgjatur vetëm pak minuta tentativa e grabitjes së një adoleshenti. Ai grabiti një automjet tip “Mercedes-Benz” me targa të Tiranës në vendin e quajtur Fusha e Aviacionit, por pas ndjekjes së menjëhershme të policisë, e ka braktisur mjetin në zonën e parkut të autobusëve vetëm pak minuta më pas. Adoleshenti është larguar menjëherë, ndërsa policia është vënë në ndjekje të tij. Sipas burimeve të policisë së Tiranës, pronari i mjetit kishte lënë të ndezur makinën e tij buzë rrugës dhe kishte hyrë në një dyqan për të blerë një bukë. Por pikërisht në këtë moment, një person ka shfrytëzuar pakujdesinë e tij, duke hipur në makinë dhe është larguar së bashku me të me shpejtësi. Pronari i mjetit, i cili ka vënë re skenën, ka filluar të bërtasë dhe ta ndjekë me vrap makinën, ndërkohë që fatmirësisht pranë vendit të ngjarjes ndodhej dhe një autopatrullë policie, e cila ka bërë ndjekjen e makinës së grabitur.

Aksident në Tiranë, dy persona të plagosur, një i vdekur

Një aksident rrugor ka ndodhur mëngjesin e së dielës në qendër të kryeqytetit. Ngjarja u shënua në bulevardin “Bajram Curri”, ku një automjet është përplasur me një kamionçinë. Mësohet se nga përplasja e dy mjeteve janë dëmtuar edhe dy automjete të tjera të cilat ishin të parkuara anës rrugës, ndërsa si pasojë e aksidentit u plagosën 2 persona të cilët po marrin ndihmën mjekësore në spital. Sipas policisë, shkak i aksidentit është bërë shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor, pasi njëri prej automjeteve nuk ka respektuar semaforin. Ndërkohë, një tjetër aksident i rëndë rrugor u regjistrua mbrëmë në autostradën Tiranë – Durrës, në afërsi të Vorës. Një makinë përplasi një kalimtar i cili po tentonte të kalonte nga njëra anë e autostradës në tjetrën. Viktima i identifikuar si Arben Çupi u dërgua me urgjencë në spitalin ushtarak, por nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra.

Belgjikë, arrestohet pas 20 vitesh në kërkim i dënuari me burg përjetë

Një shtetas shqiptar i dënuar me burgim të përjetshëm është arrestuar në Belgjikë, pas 20 vitesh në kërkim ndërkombëtar. Ai është identifikuar nga policia belge si personi me inicialet L. P. dhe sipas burimeve pranë Policisë së Shtetit, arrestimi i tij është kryer me qëllim ekstradimin në vendin tonë. Mësohet se L. P. në vitin 1992 ka ekzekutuar në Shqipëri dy persona dhe pas kryerjes së krimit ai është larguar në drejtim të paditur, duke u shpëtuar prangave të policisë së asaj kohe. Mësohet se fillimisht L. P. është larguar në drejtim të shtetit grek dhe më pas ai gjatë këtyre viteve ka gjetur strehim në disa vende të ndryshme, së fundmi në Belgjikë, ku qëndronte dhe punonte me emër të rremë. Arrestimi i tij është kryer në një nga rrugët e Brukselit, teksa L. P. ishte duke konsumuar kafe. Dy agjentë të Interpolit i janë afruar dhe kanë kërkuar që i dyshuari t’u vinte në dispozicion pasaportën e tij. Kërkesës së efektivave të policisë i është përgjigjur pozitivisht i dyshuari, të cilit pas verifikimit të imtësishëm të pasaportës, sërish agjentët e policisë i kanë kërkuar që ai të shkonte së bashku me ta në rajonin e policisë, pasi dyshohej se ishte person në kërkim dhe se ekzistonte një dënim me burg përjetë për të. Gjatë shoqërimit të tij në postën policore, mediat belge shkruajnë se L. P. nuk ka pranuar të ketë kryer asnjë krim dhe se nisur nga kjo situatë, ai ka refuzuar të japë shpjegime, duke preferuar të flasë vetëm në prani të avokatit të tij. Pritet që pas kryerjes së të gjitha procedurave, shtetasi L. P. të ekstradohet në Shqipëri, me qëllim vuajtjen e dënimit të dhënë nga gjykata shqiptare.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency