Arsimi i lartë: Na jepni kërkesën t'ju japim shërbimin!

0
134

Artan Fuga

 

Fuga_-_Photo1Ne akoma nuk kemi librin kombëtar të profesioneve, çfarë u kërkon shoqëria që universitetet të formojnë si specialistë? Në çfarë profesionesh?

Universitetet formojnë masivisht specialistë ta zëmë në filozofi, sociologji etj., ndërkohë nga arsimi lëndët që ata mund të mbulojnë hiqen dhe reduktohen.

Formojnë inxhinierë mekanikë, ndërkohë që industrisë mekanike s’i gjendet nami.

Formojnë kimistë, po ku është industria kimike???

Qëllimi i jep kuptim aksionit.

“Klienti” bën kërkesën e tij dhe agjencia që kryen shërbimin, në këtë rast universitetet japin produktin. Por, çfarë të prodhojnë kur askush nuk kërkon asgjë?

Nëse nuk dihet se ku do të punojnë specialistët e rinj, ku e di pedagogu i shkretë se çfarë dijesh duhet t’u japë atyre!

Dijet janë shtuar aq shumë saqë vetëm dobia praktike e profesionit që do ushtrojë i diplomuari mund ta orientojë procesin mësimor.

Por, si mund të orientohet kur askush nuk thotë se çfarë specialistësh me arsim të lartë duhen.

Dijet janë shumëfishuar saqë askush nuk di se çfarë duhet e çfarë nuk duhet. Vetëm nevojat e shoqërisë mund ta përcaktojnë.

Politikat e punësimit shkojnë nga mushka, kurse formimi universitar shkon nga krushka.

Nuk është universiteti që i përcakton shoqërisë zanatet, propozime i bën vetëm, është shoqëria që duhet t’i thotë universitetit: Ja për çfarë kam nevojë!

Por, aman mo na thoni, na thoni mo aman se nuk dimë se për çfarë duhen të diplomuarit!

Pse duhet filluar nga fundi?

Pra, jo nga universitetet, por nga rezultati i fundit që shoqëria pret.

Ne jepni strategjinë e punësimit të diplomuarve me shkollë të lartë që shoqëria ka nevojë dhe universitetet do t’u japin produktin dhe shërbimin. Mos na lini në tym.

Ja një shembull: Puna dhe vendet e punës shpesh jepen ose me mik, ose me parà ose me militantizëm politik.

Por, jo sipas meritës. Kush kërkon prova le të bëjë krahasimin midis nivelit të karrierës dhe rezultateve në studime të nëpunësve të mesëm dhe të lartë dhe do të shohë.

Kjo bën që nuk kanë rëndësi rezultatet në mësime dhe kompetencat e marra në Universitet.

Kjo bën që nuk ka përse të kesh motiv për të studiuar. Kjo deprimon gjithë grupin e studentëve që nuk bëjnë përpjekjet e duhura. Kjo demotivon pedagogun i cili ndodhet para auditorëve që nuk i kërkon sa më shumë dije. Kjo bën që të mos ketë presion mbi mjaft pedagogë që të zhvillohen në formim. Kjo ul nivelin e kërkesave për mjaft pedagogë që merren në punë.

Kjo krijon konsensusin në rutinë e mediokritet mes gjithë aktorëve të shkollës.

Bëj çfarë të duash, mos u hap puseta në fund, lavamani gjithmonë i zënë do të qëndrojë.

Na jepni kërkesën, t’ju japim shërbimin!

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency