Qytetaria dhe qeveria

0
131

Ermal Shehu

 

Ishte e errët për mendjet e shqiptarëve koha e para 20 shkurtit 1991, ishte një ndrydhje imagjinate nga kufijtë e bllokadës, e cila zgjoi tek ne ndjenjën e revoltës për të ndryshuar përgjithmonë pas asaj date, fatin tonë! Në fakt ajo ditë shënoi në historinë tonë fillimin e erës së demokracisë moderne, e cila do të konsolidohej si më e fortë vit pas viti sa më shumë ata kalonin. Megjithatë brishtësia ende nuk i është ndarë rrugës se demokracisë shqiptare ndër vite, madje shpeshherë ajo ka ecur në kufijtë më të hollë, por pa shkarë, drejt terrenit të diktaturës. Për të gjithë këtë kanalizim drejt shtetit të parimeve e të së drejtës, përveç politikës shqiptare padyshim që faktor kryesor ka rezultuar të jetë edhe qytetaria e vendit tonë. Ky mision drejt përparimit, drejt reformave konstruktivo-demokratizuese medoemos që në vendin tonë duhej që si i tillë, në formë të ndërsjellët ndërmjet aksioneve politike dhe frymës qytetare, të merrte trajta konkrete, siç edhe ka rezultuar gjatë këtyre 24 viteve në demokraci funksionale. Përveçse i nevojshëm, ky kusht i bashkëpunimit të ndërsjellët politikë–qytetari, për mirecjen e demokracisë, ka qenë edhe i detyrueshëm, për tu bërë garanti që parimet, vlerat dhe liritë demokratike nuk do të shkelen nga asnjëra prej palëve pjesëmarrëse në sistem. Duhet thënë se gjatë këtyre viteve, vështirësitë që koha, “fati” dhe ecja drejt së resë së panjohur zakonisht i rezervojnë në përgjithësi të gjithë “udhëtarëve”, qofshin këto të papritura të këndshme ose jo të tilla, nuk kanë cenuar funksionalitetin e binomit politikë–qytetari. Fakti këtë e tregon edhe sepse deri më sot kemi bërë veçse progres në rrugën drejt demokratizimit. Për periudhën e derisotme 24-vjeçare, vlen të përmendet në formë përgjithësimi përshkrues një shprehje e famshme e Abraham Lincoln “Unë eci ngadalë, por asnjëherë nuk bëj hapa prapa”. Por a vazhdon të jetë aktuale për Shqipërinë e pas 23 qershorit shprehja e Lincoln?!

Në fakt atmosfera e para dhe fill pas zgjedhjeve krijoji tek qytetarët iluzionin se aksioni që përjetëson shprehjen për të ecur gjithmonë përpara, do të ishte kësaj here më konkret se kurrë më parë. Ndodhi kjo në perceptimin e qytetarëve pasi u vunë përballë fakteve përgjithësisht të pa kundërshtueshme drejt progresit. Nuk kishte se si të mos tingëllonte pozitiv fakti se vendi ynë për herë të parë në historinë e tij demokratike kaloi fushatën zgjedhore më të shtensionuar. Shqipëria më 23 qershor organizoi zgjedhjet më të arrira për nga standardet, certifikuar jo vetëm nga progres-raporti pozitiv që ndërkombëtarët përpiluan për këtë ngjarje, por edhe nga vetë forcat politike si aktorë kryesor në këtë proces, të cilat ndoshta për herë të parë në historikun e zgjedhjeve të lira pranuan pa kushte rezultatin, vullnetin e sovranit. Realizimi i këtyre zgjedhjeve solli edhe një kalim të pushtetit në një mënyrë butësisht të qetë. E gjithë kjo situatë faktike suksesi duket se ishte e papërballueshme për nga përmasat e jehonës për pozitën qeverisëse të tanishme, e cila me anë të veprimeve dhe mosveprimeve të saj si mazhorancë ka kthyer tashmë në mosbesim popullor gjithë mirëbesimin e marrë në 23 qershor nga shqiptarët. Përballjen dhe sfidën e parë për të garantuar parimin themelor të demokracisë, atë të votës së lirë, qeveria e re e pati në zgjedhjet e Bashkisë së Korçës, ku si organizatore e tyre u denoncua me zë e figurë nga një emision televiziv investigativ për blerje votash. Reagimit të drejtë të opozitës, mazhoranca qeverisëse, e cila ka “luftuar” gjatë kohës së saj në opozitë për garantimin e këtij parimi, madje mbi të asokohe ngriti edhe një parullë “hap kutitë ose largohu”, iu përgjigj thjesht se do të kishte hetim për precedentin. Kanë kaluar thuajse pesë muaj dhe nga “hetimi” jo vetëm që mungon një rezultat, por duket se mungon edhe “ai” vetë!

Një tjetër përballje e qeverisë me qytetarinë ishin padyshim edhe protestat për ndalimin e importimit të armëve kimike nga Siria. Të gjendur në një mungesë totale informacioni nga ana e shtetit mbi një ngjarje që dukej se prekte drejtpërdrejt jetët e tyre, shqiptarët shpërthyen kundër një vendimi që ishte marrë, ose që në kuadrin e premtimit, në kurriz të tyre, pa u pyetur, dhe për më tepër në kushte të një terri informativ, pritej të merrej. Ato protesta padyshim që arritën qëllimin, bënë qeverinë të tërhiqet edhe pse kryeministri asnjëherë publikisht nuk e pranoi si të tillë (në fakt nuk mundej, nëse do pranonte tërheqjen për shkak të protestave, do t’i duhej moralisht të dorëhiqej). Megjithatë, përballja me një indinjatë masive popullore të deritanishme, padyshim që ishte dhe nuk ka se si të mos etiketohet si i tillë, marshimi protestë organizuar nga opozita në kujtim të ditës historike të 20 Shkurtit. Ishte një protestë qytetare kundër premtimeve të pambajtura, kundër justifikimit të qeverisë në popull se për mosmbajtjen e tyre fajin e ka ende pozita e djeshme (opozita sot), me qëllim që të mbajë qytetarinë të rreshtuar si detashment ushtarak në llogoret partiake. Mbi të gjitha, ajo ishte protestë kundër arrogancës qeverisëse, të cilën qytetarët e Shqipërisë e rrëzuan 24 vite më parë.

Në fakt nëse do të hidhnim një vështrim nga shtatori 2013, kur qeveria mori detyrën e deri më sot, nuk ka se si të mos na bjerë në sy një fluks protestash popullore kundër vendimeve ose mosvendimeve të saj. Vlen të theksohet gjithashtu fakti habitës, se për herë të parë një qeveri e ardhur nga një periudhë 8-vjeçare qëndrimi në opozitë, të ngjallë te qytetarët shenja kaq të mëdha pakënaqësie të reflektuara në protestë, që në fillim të mandatit të saj të parë qeverisës, pas një rezultati zgjedhor prej 85 mandatesh parlamentare! A mos ndoshta duke marrë parasysh ngjarjet duhet të mendojmë dhe pranojmë se vendi ynë ka hyrë së fundmi drejt një rruge të re… një metamorfoze të demokracisë në zhvillim?! Asaj metamorfoze të mendimit, veprimit demokratik e cila i bën qytetarët të protestojnë kundër politikave, për të mirën e tyre sot edhe pse jo më larg se dje atë (politikën) e kanë mbështetur me votë! Për hir të së mirës publike, le të shpresojmë se kjo dallgë nuk do të ndalet më, por vetëm gjatë rrugës së saj do të perfeksionohet, për të bërë gjatë të tashmes dhe në të ardhmen qeveritë, cilatdo qofshin ato të majta apo të djathta, të reflektojnë! Qytetaria duhet të jetë faktori bazik ndikues dhe përcaktues i politikëbërjes, duke vënë para përgjegjësisë politikanët, që në momentin e dhënies së një premtimi absurd, pa i lënë mundësi absurditetit të certifikohet me votë, duke evituar fushatat e rrenave të cilat deri më sot nuk i kanë munguar Shqipërisë. Kjo detyrë demokratike përparuese padyshim që i ngelet qytetarisë shqiptare, e cila duhet të marrë mbi vete përgjegjësitë për të ndërtuar vetë fatin e së ardhmes, dhe çdo qeveri të jetë refleksion i saj!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency