Visar Zhiti rrëfen: Kshnellat në internim që përsëriste Gjosho Vasija

0
165

gjoshoHomazh/ Edhe Gjosho Vasinë e godisnin rregullisht. Në brinjët e tij ka shenja brirësh të demit të diktaturës. Do të doja të tregonim për të, me të folmen e tij siç do të fliste vetë ai. Që të kuptonim nga ç’thellësi vuajtjesh del humori, sa dhembje harxhohet për të qeshurën e njeriut! Kam një si dekalog të Gjoshos, të nxjerrë nga shënimet që ia ka lënë një miku, bashkëqytetarit të vet, Zef Skanjeti, “janë përplasjet me gungat e jetës gjatë atij mishmashit të kuq të tiranisë, – thoshte. Gunga i quante, kohë e shëmtisë. – …Do t’rreshtoj s’parit profesionet e egra që m’i imponoi rregjimi…”..

 

 

 

Sfida e së qeshurës!

 

Nga Visar Zhiti

 

 

Gjatë Krishtlindjeve, në prag të ndërrimit të viteve, kur bota e gjithë feston dhe përplasja e gotave me verë duket sikur krijon për një çast një si kristalierë vezulluese, ku vera edhe i ngjan të kuqërremtës së perëndimit të diellit dhe mes haresë të vjen të kujtosh atë që ikën, por gjithmonë do të gjendet dikush që do të kërkojë të thotë diçka për të qeshur. Ndodh që të na avitet tisi i trishtimit, pa e patur të qartë pse, sepse do të ndiejmë një si mungesë, mbase edhe pasiguri për të ardhmen, na fshik një ndodhi, një imazh, një shqetësim.

S’ka shumë që iku përgjithmonë nga kjo jetë aktori i humorit, Gjosho Vasija, duke lënë pas jehonën e një të qeshure të madhe e të mençur si një shteg në një si mizanskenë me maska të pikëlluara klounësh, të cilët bëjnë të shqyhen gazit të tjerë e vetë ata së brendshmi vuajnë. Po shfaqen dhe maska të tanishme me brirë demi, që dalin kërcënueshëm përtej ekranit të televizorit, që një gazetare arti i ka mbi krye e sulmon veprat.

Më vjen ky vegim, s’e di pse, nga që e kisha parë në skenë Gjosho Vasinë dhe e di që është sulmuar gjithë jetën. Humorit tradicional të fundviteve po u mungonte ai, aktori i veçantë, parodisti i shkëlqyer, i papari i estradave tona, libretist dhe regjisor ndërkohë, por dhe poet i satirave fishtiane dhe mecenat shpirtëror i talenteve të reja, kurajoz, i rrethuar me akordet e kitarës së tij si me borë shumëngjyrëshe, me atë zë të shkathët, personazh i shumfishtë në situata sa komike po aq dhe keqardhëse, pra zërat e tij kumbues, hokatarë, të beftë, të thatë, gurgullues, të alarmuar, finë, të zemëruar, duhen, ejani, prapsini me kulturë brirët e demit të së keqes…

 

“STILLE NACHT” – MELODI PËR KRISHTLINDJET:

Ky fundviti, festat e tij duket sikur e pranojnë shumë vegimin, kanë aftësinë të na risjellin ç’iku… ja, na avitet dhe Gjosho Vasija, që dinte të bënte të qeshnin të tjerët.

Më ka mbetur në mëndje një rrëfim i tij, mjaftonte ta dëgjoje një herë, që të të kujtohet në çdo Krishtlindje. E futa në librin “Ferri i çarë”, një burgologji imja. Ja, shikoheni, ku zëri i Gjoshos përzihet me kujen krenare të një trombe:

…Ishin Kshnellat në internim, përsëriste Gjosho Vasija, në Progonat, në Grykën e Bënçit. Punonim me trungjet, i hidhnim në lumë, nga 100 shtylla për brigadë. I ndiqnim nëpër shkambinj, ku ngecnin, i shtyjshim, binim në ujë dhe vetë, vriteshim. Na kthyne me qëllim ma vonë se herët e tjera nga puna, qe ba terr i madh. Tepelenë. Sa fryn nj’atje! Flejshim poshtë kështjellës, ku kishte ken dhe Bajroni, në fushë, rrethue me tela me gjema, në çadra të çame, dyshekë kashte… Duert na dhimbshin, i kishim të vrame nga puna, përgjakeshin çarçafat, nënkresa. Çoheshin nanat, gratë, motrat me na pa, a kishim ardh përnjimend gjallë nga puna, a po flejshim dot? Ftohtë. Frynte për kjamet. Ishin Kshnellat. Nuk na merrte gjumi, as vdekja, ankth, lodhje, asnji qiri, veç na treteshim. E kishim urue njani-tjetrin na za, kur na shpërndajshin langun e groshës: “Për shum vjet kshnellat!” Kaq. Po afronte kund mesnata, ishim të xanun me kujtimet e festës, fshamje, krumje e ndoj gërhatje e mbytun… Në ket humbëtinë na bahet se ndijohet gjithë jehonë malesh nji trombë në sordinë, vajtimtare, kanga “Stille Nacht”, e famshmja, e njeh dhe e këndon mbarë bota kristiane. Ishin Kshnellat. Mos na bane veshët të tanve, halucinacion auditiv? Po nuk mund ta marrish me mend se çka ndodhi mbrenda gazermës, dridhje, ngritje koke, gulçe, biseda me frigë, ngricë e përndritun gjithandej. A thue përnjimend u ngjall ajo trombë? “Stille Nacht” Po, po, e përhapte era si pelerinën e Bajronit. Melodi engjëllore mes nesh, mes torturave tona, besoj se duhet të jetë regjistrue në faqen e parë të Qielles, aty pranë Zotit të Madh. Kjame deri në mengjes, saqi, edhe kur u gjetëm të rreshtuem në orën 6.30, i kishim sytë e ajun nga lotët. “Stille Nacht”. Paskësh kenë e vërtetë kanga! Po ç’ishte ai magjistar me trombë, nga erdhi, ku iku? Nuk e kapne? Të nesërmen mbrama, kur mrrijtëm nga lumi, na lajmëroi nji “mik polic” se ka ken Gasper Çurçija, qi asht ulë nga makina, atje nalt, brij rrapit e kalasë dhe i ka ra… burisë. Ah, ai, e dinte që ishim na, s’kishte kurrnjigja me na dhurue, veçse melodisë së famshme “Stille Nacht” në terr. Na solli nëpër erë Kshnellat e mungueme. Mandej ishte nisë për Gjinokaster, ku kishte shërbimin. Eh, nuk ia harrojshin dhe e gjetne rastin, e kapën për do faje tjera, me taman s’dihej për çka, por ai kishte futë muzikë xhazi në Festivalin XI, kje i pari dhe… e pushkatuen.

 

Tronditëse. Tani plagët prej Krishti të martirëve më duket sikur vezullojnë me dritat e festës. Një hare e lehtë sikur fryn mbi zhgënjimet e pritshme dhe pishat e zbukuruara gjithandej sikur duan të nderojnë qëndresën, prandaj rrinë drejt e në këmbë. Nga ekrani i televizorit dalin kërcënueshëm brirët e demit, që i ka vënë mbi krye ajo, gazetarja e arti.

 

GJURMË DHE DHEMBJE:

Edhe Gjosho Vasinë e godisnin rregullisht. Në brinjët e tij ka shenja brirësh të demit të diktaturës. Do të doja të tregonim për të, me të folmen e tij siç do fliste vetë ai. Që të kuptonim nga ç’thellësi vuajtjesh del humori, sa dhëmbje harxhohet për të qeshurën e njeriut! Kam një si dekalog të Gjoshos, të nxjerrë nga shënimet që ia ka lënë një miku, bashkëqytetarit të vet, Zef Skanjeti, “janë përplasjet me gungat e jetës gjatë atij mishmashit të kuq të tiranisë, – thoshte. Gunga i quante, kohë e shëmtisë. – …Do t’rreshtoj s’parit profesionet e egra që m’i imponoi rregjimi…”..

1- Arsimtar dhe i internuem. Jemi në vitin 1949, isha gadi 18 vjeç. Shteti bani thirrje kush don të hyjnë arsimtar. U rregjistrova dhe ndoqa nji kurs 6 mujor. Më emnuen në rrethin e Rrëshenit, në fshatin Fang të Bulgjerit… Në nandor të atij vjeti, në mjes me trokiten dy polis, më lidhen me nji tel çelikut dy durët mbrapa dhe më hodhen mbi nji kamion ngarkue me gur mali… Ishte arratisë vëllau dhe familja duhet të njifte Kalvarin e diktaturës. Mjerisht tortura e parë filloi me gjakun që derdha mbi ato gur, kur më perplasen si nji kafshë e ngordhun.

(Dhe s’pati Krishtlindje dhe as Vit të Ri, kur bota festonte mbarimin e gjysmës së parë të shekullit dhe do fillonte gjysma tjetër.)

2- Hamall dhe druvar në kampin e përqëndrimit të Tepelenës Ngarkojshim spatat dhe litarèt në krah dhe merrshim rrugen per në malin e Turanit. Pritshim dru, i ngarkojshim mbi shpindë me litarè, tue e fut në fyt njenen pjesë dhe dy ansoret terhiqshin barren nalt…

(Edhe pemët persekutohen, por durojnë në heshtje, na i mësuan dhe ne…)

3- Hapës kanalesh dhe mbledhës pambuku.. Në Myzeqe, me thà këneten e Terbufit, norma 5 meter kub, buka 400 gram… 15 orë punë në ditë, norma 20 kg pambuk, e pa mundur të bahej.

(Pastaj nga ai pambuk ngjitej dhe xhamave të dritareve të shkollave, të dyqaneve, imitacion i borës së Vitit të Ri, por a dallonte ndokush në to mollëzat e gishtave të mardhur të atyre që mblidhnin pambukun?)

4- Shtrues shinash. Në hekurudhë, në Villas t’Elbasanit. Punojshim me tre turne, aksidente vazhdimisht. Un kam në kokë nji alamet shejit të nji plage të marrun naten n’sa vinte treni me traversa.

5- Punë me vdekjen dhe dashuria. Na kthyen përsëri në kampin e Tepelenës… Të vramë, të vdekun… (Aty do të njihej me Blerinën, i kishin pushkatuar babanë me ata 20 vetat e tjerë për bombën e hedhur në ambsadën sovjetike në Tiranë, kishte kaluar festa e Vitit të Ri 1951… Ajo, ajo do të bëhej e dashura, gruaja e tij, nuk do t’i ndahej gjithë jetën.)

Puntor llaçi në Skrapar, Çorovodë, për të ndertue Degën e Mbrendshme, që na dënonte regullisht… Më pas dhe në Berat… Pa vite të rinj… Puntor në fabriken e tullave, Kamëz, tre turnesh.

U lirova ma s’fundit, – na vjen zëri i Gjoshos… Kthehet në Shkodrën e tij dhe e të vetmet punë që i lejuan të bënte ishin ato të krahut.

6- Sportist. E marrin për futbollist, portier në skuadrën e të rinjve të “Vllaznisë”, por sa marrin vesh “biografinë” e largojnë. E provon në kërcim së larti e në Spartakiadën e parë Kombëtare, merr titullin Kampion, por Sigurimi i Shtetit ia mori medaljen dhe diplomën dhe e futin 20 ditë në burg…

7- Kitara e fatit. Punëtor duhani në Shkodër. Mëson kitarën fshehurazi sikur të ishte armë. Koncert në pjacë të qytetit, guxon dhe futet… interpreton një kuplet, e harron frikën, vazhdon… po flitej për të rrugëve të Shkodrës, po e kërkonin…

 

 

HUMOR ME KUNDËRSHTARËT:

8- Aktor… Hapet një sipar i ri për Gjosho Vasinë, por nga pas si hije i vinte “biografia”, vetëvetja tjetër. Unë e kisha parë në estradën e Lushnjës, isha fëmijë, dhe luante së bashku me tim atë, Hekuranin. Na mrekullonte e folura e tij shkodrançe, duartrokitjet e shumta që korrte. Ka ardhur nga internimet, thoshin. Nga ku, sa do rrijë? Po edhe im atë kishte qënë në burg ca kohë e i përndjekur. Kurse dirigjenti dhe themeluesi i orkestrës, maestro Filipeu, sapo kishte dalë nga burgu i Burrelit. Së bashkua ata zbuluan këngëtaren Vaçe Zela. Nga internimet, nga Savra, vinte dhe trompisti i ri i estradës, Franc Pali, kishte babanë të arratisur, kurse kitaristi, Shahin Hrushiti, kishte patur babanë në burg, etj. Te SMT-ja pranë punonte dhe inxhinieri-shkencëtar Mërgim Korça, i lindur në Austri, por i ati, intelektual i lartë, patriot dhe ministër dikur, i dha fund jetës me grevë urie në burgun e Burrelit, etj, etj…

Estrada e Lushnjës, e qytetit të dhimbjeve, kishte gjithë këta të dënuar, aktorë e spektatorë. Duheshin, shfrytëzoheshin. Partia bënte propagandën e saj me kundërshtarët, me armiqtë. Dhe kishte një vijë të kuqe për ta, nuk lejohej ta tejkalonin, aq sa donte Partia. Ankth, absurd, që të bën të qeshësh tani, por më shumë të qaje atëhere.

Gjoshon e kisha parë dhe në skenat e Shkodrës, në qytetin e humorit, më gazmori në Ballkan ndoshta, prodhuesi i barcoletave “kundër”, më pikantet në të gjithë perandorinë komuniste.

Në mes të syrit të atij cikloni të qeshurash dhe duartrokitjeve, ai, Gjoshoja, i gjatë, i hollë, me kitarën e tij, hidhte batuta të befta, humor i mënçur, latin, me një si trishtim të fshehtë siç është humori i vërtetë, duartrokitje, akorde, drita, ngjyra, zëri i veçantë, zërat e tjerë të tij, shkërbime fantastike, ironia, talljet… afër rrezikut… agjitacion dhe propagandë kundër… neni 55 i Kodit Penal… jo, jo… Gjithsesi la pas dhe mbi 60 melodi, edhe një dyzinë këngësh, që i këndojnë, ndoshta pa e ditur se janë të tijat.

Dhe në çdo Vit të Ri në humorin e festiv, skenave, në radio e televizor më pas, do të kishin patjetër pjesë të Gjoshos. Po dhe brirët metaforikë të monstrës ideologjike, demi i së keqes…

9- Medalja e Arit. Lufta e klasave e përplasi në Vaun e Dejës, frynte shumë atyre grykave, minator në digë të hidrocentralit dhe ai, nuk iu ndejt, krijoi grupin e estradës, që për çudi, zë vendin e parë në festivalin e estradave. Iknin njerëz në Vaun e Dejës të shikonin shfaqjet e tij. Ditën punëtor dhe natën artist. Natën vetvetja, i dëshpëruar, i zhgënjyer, i vrarë, i trembur, ditën – qytetar, korrekt, aktor.

I jepet Medalja e Artë trupës së Vaut të Dejës në konkurrimin kombëtar, kulti i klasës punëtore, kur çdo punëtor shtypej, por nuk ia dorëzuan atij, krijuesit të asaj trupe, regjisorit, libretisit dhe interpretuesi kryesor, Gjosho Vasisë, ai s’e pa kurrë atë medalje.

Shqiptarët i duan humoristët e tyre, sidomos në diktaturë, se ata mes mynxyrave kolektive shpikin atë, më të vështirën, të qeshurën. I gëzojnë njerëzit, edhe atëherë kur ishte e vështirë, i bënin të qeshnin mes ashpërsisë dhe dimrave, kur ndërroheshin vitet, por jo sistemi, vuanin me të vuajturit, krijonin një si ndjesi lirie të brendshme, kur liria ndalohej gjithandej. Por virtytet mund të ruheshin dhe e qeshura, në fund të fundit është kulturë.

Me të qeshurën u sfiduan dhe vështirësitë e jetës, goditjet e rënda, persekutimin. Nuk sfiduan vetëm fatin, por si artistë – dhe kjo është më e rëndësishmja, – pasi arritën të bëhen personalitete në kulturë, e tejkaluan humorin e zbrazët të socrealizmit, të asaj komedie banale e propagandistike, vrastare do të thosha, etj, kur shumëçka ishte në rrezik, përveç rrezikut.

Dhe dhanë shembullin pararendës të bashkëjetesës me kundërshtarin e vrazhdë, me armikun e jetës së tyre.

Por brirët e demit metaforik shpërfaqen gjithandej, edhe tani. Në formën e shkronjës E-”enver”. Ca si mbeturina të andejshme, mefistofelë ordinerë, trashanikë shijesh e ligatina shpirtrash, të të dy sekseve, kanë aftësinë të ndjellin veç keq, rithërrasin urrejtjen, s’i gëzon asgjë. Me mendjet e tyre të gjymtuara, nga që s’kanë qënë kurrë të bukur, shpifin përditë me dëshirën që të fyejnë shumëçka, që nga libri deri tek institucionet. Edhe pse kanë mbiemra kafshësh të pafajshme, si të burrave të deleve e lopëve, asgjë nuk kanë mësuar nga thelbi, nga puna, mundi e heshtja e kafshëve, veç vjellin në media ligësi, të vetmen gjë që kanë brenda vetes.

Ëndërroj kitarën e Gjosho Vasisë mbi kryet e tyre, por jo, thyhet kitara, meritojnë shumë e më shumë.

 

LAJMI I MBRAMË:

10 – Emigrant. Pas shembjes së Murit të Berlinit dhe rënies së perandorisë komuniste, për rrjedhojë dhe të diktaturës në Shqipëri, pas eksodeve të mëdha të shqiptarëve, edhe Gjosho Vasija ikën në Itali në vitin 1991, me gruan dhe dy fëmijët, kërkon strehim politik, vendosen në qytetin verior të Triestes dhe fillon një jetë të re, me vite të rinj, ato të emigrantit.

Shëtitje buzë detit me mallin për Shkodrën. Hapat e çonin përpara, vegimet e kthenin pas. Kalendari rrëzonte datat e vitet ndërroheshin. Gjethe që binin dhe dallgë që prapseshin, që sikur sillnin një kitarë nga atdheu i tij, të çarë nga brirët e demit metaforik, ja, ja e kanë gazetat e atdheut…

Megjithatë, në vitin 2010 Presidenti i Republikës në Shqipëri i jep Gjosho Vasisë titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Talentit dhe krijuesit të rrallë të skenës së humorit, që, falë personalitetit dhe karakterit të fuqishëm, jo vetëm diti t’i rezistojë me fisnikëri përndjekjes së egër të diktaturës komuniste, por me humorin e tij u dha gëzim, dritë dhe shpresë njerëzve të thjeshtë dhe bashkëvuajtësve në të gjithë vendin”.

Do të donim ta kishim përsëri në këto Krishtlindje e Vit të Ri, humori i tij mbase do të zbuste disi klimën e ligësisë që krijojnë ata që s’i gëzon asgjë, vetëm urrejnë, por më parë mbërrin lajmi i zi që Gjosho Vasija ndërroi jetë. U shua në moshën 84-vjeçare. Në këmbë ishte, vital, plot humor dhe mall.

E qeshura ngrin, bëhet maskë. Sytë e përlotur vezullojnë si llambushka të vogla në pemën e Vitit të ri. Krishtlindjet janë dhe rikthim i atyre që na duket se s’janë më. Viti i Ri përsërit shumëçka nga viti i vjetër. Dhe ai do prehet në Trieste. A ngjajnë varret atje me ato të Shkodrës, të qytetit të tij, ku ai nuk pati dot një shtëpi të veten?

Nga të gjitha gjallesat mbi fytyrë të dheut vetëm njeriu di të qeshë, ndërsa kujtesa spraps vdekjet. E qeshura jeton dhe më pas që të vazhdojë misionin e saj. Na duhet të forcojmë kulturën e të qeshurës.

 

 

 

 

 

Botimi

 

Malziu, bubrrime historike!

 Ali Hasani

Në prag të 101 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë prof. as. dr. i shkencave gjuhësore Shefqet Hoxha solli librin e tij “Malziu, bubërrime historike-etnologjike-folklorike-gjuhësore”. Padyshim se “Malziu” i dr. Shefqetit është libri më i plotë deri më tani i shkruar për këtë krahinë që përfaqëson një nga shtatë bajrakët e Pukës dhe që përbëhet nga dymbëdhjetë fshatrat e komunës me të njëjtin emër, sot njësi administrative e rrethit Kukës.

Dhe ja ku na vjen sot Z. Shefqet, si për të na sfiduar, me ëmbëlsirën…në fund të 60 viteve pune intensive, me një inventar që është për tu lavdëruar. Mbi 70 libra dhe 500 artikuj kërkimor e shkencor, monografi, histori duke mbetur studiuesi më i spikatur i rrethit të Kukësit.

Në 500 faqet e “Malziut” shpalosen të dhëna shkencore mbi emrin, territorin, relievin, ekonominë, ujërat, udhët, katundet, banorët, lashtësinë, historinë, monumentet, burimet etimografike, shkollën e parë shqipe, datat, ngjarjet, kujtimet historike, disa nga figurat më në zë të Malziut, të dhëna folklorike, etnografike, toponimet, leksikun si dhe shkrime të tjera të autorit për Malziun. Sipas dr. Shefqet Hoxhës ngjarja më lapidar në historinë e popullit të kësaj krahine, është qëndresa heroike e banorëve të Pistës, Spasit, Shikajt, Kryemadhit, Kalimashit, Mgullës e Gdheshtës në luftën për liri dhe pavarësi më 1912-1913, si edhe akti heroik i kapuçbardhit Halil Mustaf Hasanit në krye të çetës së Pistës e Malziut, i cili përveçse me pushkë, luftoi edhe me topin e përgatitur me drurin e dardhës kundër hordhive serbe, por që në goditjen e fundit, ra heroikisht për mbrojtjen e vatanit, duke u djegur së gjalli në kodrën e Kuçlit në Pistë të Malziut, vepër unikale dhe tejet e rrallë për shqiptarët.

Në këtë pikëpamje, “Malziu” i dr. Shefqetit është një enciklopedi e vërtetë që na ka dhuruar profesori, nga ku brezi i sotëm dhe brezat që do të vijnë nesër, pasi ta kenë “bubrruar” mirë e mirë këtë enciklopedi, le të na japin vepra të tjera të reja. Kjo është edhe porosia e vetme e autorit për ne malzezët.

Libri është shkruar me gjuhë të thjeshtë e dashamirëse, ku malzezët janë paraqitur si njerëz të mençur e punëtor, trima e atdhetar dhe që vazhdimisht kanë tërhequr vëmendjen e vizitorëve e studiuesve të ndryshëm. Malziu përgjatë shekujve, ka ditur të ruaj traditat e tij, të cilat dëshmojnë për identitetin kulturor, kombëtar e liridashës të banorëve të kësaj treve. Është për tu evindetuar se banorët e kësaj zone janë buq e blegtorë të mirë si edhe merren me kultivimin e mollës, kumbullës, qershisë, gështenjës e rrushit. Gjithashtu nga nëntoka e Malziut nxirret krom e bakër, ndërsa mbitoka është e pasur me pyje shekullorë, dushku, bredhi, ahu dhe pishe të zezë, nga ku edhe rrjedh emri i Malziut.

Në këtë libër autori malzezët i paraqet si arsimdashës, ku me dokumente historike ai paraqet përpjekjet e këtyre banorëve për hapjen e shkollës së parë shqipe në vitin 1923 si dhe shpalos disa nga vlerat dhe trashëgiminë etno-kulturore të kësaj treve mjaft interesante.

Në vlerësimin tim, tek lexoj këtë vepër enciklopedike të dr. Shefqet Hoxhës, më duket se kam në pëllëmbë të dorës tërë Malziun, hapsirën, historinë e tij të lavdishme, bukuritë dhe pasuritë natyrore që i ka falë Zoti, si edhe më sjell në kujtesë tërë malzezët: burra e gra si njerëz të mrekullueshëm, të djeshëm e të sotëm, kudo ku kanë punuar e po punojnë sot, mbasi kanë lënë gjurmë vetëm për të mirë në histori.

Prandaj, në emër të malzezëve e falënderojmë nga zemra autorin prof. as. dr. Shefqet Hoxha që na dhuroi këtë libër dhe i urojmë jetë të gjatë për libra të tjerë si dhe bashkëfshatarëve e bashkëpatriotëve të mi u uroj lexim të mbarë të librit “Malziu, bubrrime historike-etnologjike-folklorike-gjuhësore”. Së fundmi një urim i veçantë, shkon për djalin e talentuar dhe bizesmenin e spikatur zotin Kadri Morina, që mundësoi botimin e librit për malziun tonë të dashur, të cilin do ta quaja si një nga perlat e bukurisë shqiptare.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency