Si ndahen njësitë territoriale Pikat e draftit që përplasin politikën dhe vendorët

0
203

 Gëzim Saliu

 

 Nisin konsultimet për reformën territoriale. LSI: Nuk ndikon tek numri i deputetëve

 

 

HARTA 1 Qeveria ka nisur konsultimet për reformën administrative territoriale me synim përmbylljen e saj para zgjedhjeve vendore të vitit 2015. Pas dy takimeve me natyrë prezantuese, ku janë paraqitur idetë dhe strategjitë për këtë reformë, ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, zhvilloi dje një diskutim me përfaqësues të donatorëve dhe shoqërisë civile që veprojnë në fushën e decentralizimit dhe qeverisjes vendore në Shqipëri. Në takimin ku janë konsultuar kriteret e propozuara në draftin e Ministrisë, i cili ka bazë idetë e projektit suedez për ndarjen administrative, pjesëmarrësve iu prezantuan hapat që janë ndërmarrë deri tani për kryerjen e kësaj reforme. Por ndërkohë ende nuk është zhvilluar një diskutim i gjerë mes palëve politike në vend për këtë çështje, ku pritet që përplasja mes të majtëve dhe të djathtëve të ketë kryesisht ngjyrim politik. Duke marrë për bazë se ndarja e re administrative do të konsistojë në uljen drastike të numrit të komunave në vend, palët pritet të përballen mes tyre për formën dhe mënyrën e përzgjedhjes së këtyre zonave, duke marrë për bazë “bastionet” e secilës parti. Ndërkohë, Lëvizja Socialiste për Integrim, përmes kreut të grupit parlamentar Petrit Vasili, bëri të ditur dje domosdoshmërinë e kësaj reforme, duke nënvizuar se ajo nuk prek numrin e deputetëve që dalin fitues në zgjedhje. “Nuk mund të them që mund të ketë forca politike që për hir të takticizmit politik, si për shembull për të fituar një kryetar komune më shumë, do të cenonte një reformë që u takon të tërëve. Politika ka një rregull, sa vota të kesh, aq do kesh edhe përfaqësim. Nuk besoj që ndarja administrative do cenonte ekuilibrat”, – tha Vasili.

 

Reforma

E cilësuar si një çështje me ndikim të drejtpërdrejtë edhe në procesin zgjedhor e më tej edhe në Kodin Elektoral, reforma administrative territoriale është kundërshtuar nga një pjesë e drejtuesve të njësive vendore, si të majtë ashtu edhe të djathtë. Nisur nga fakti se shumë prej njësive vendore, kryesisht komuna, do të shkrihen në kuadër të reformës, shumë prej drejtuesve të këtyre zonave nuk do të kenë më mundësinë t’i drejtojnë ato, edhe për shkak se gara në njësitë më të mëdha do të jetë më e ashpër dhe me konkurrentë të shumtë. Nga ana tjetër, duke marrë shkas nga fakti se mazhoranca e ka përcaktuar këtë reformë si domosdoshmëri, opozita ka shprehur më parë qëndrimin e saj parimor, duke kërkuar që kjo reformë të kryhet nga Parlamenti dhe jo nga qeveria. Po ashtu, të djathtët kanë bërë të ditur se reforma administrative sjell me vete edhe ndryshimin në Kodin Zgjedhor. Ndërkohë, qeveria ka deklaruar se reforma territoriale është një përparësi për mazhorancën e majtë, duke pohuar se fillimi i këtij viti do të shënojë nisjen e hartimit të reformës së re administrative, ku drafti i kritereve mbi të cilat do të bëhet organizimi i njësive vendore nga Ministria e Pushtetit Vendor, do të diskutohet në komisionin “ad hoc” parlamentar që pritet të ngrihet brenda janarit. Drafti i reformës së re administrative bën që të humbasë koncepti i organizimit të njësive vendore mbi ndarjen në zona rurale dhe urbane dhe do të përfshihet termi i ri i emërtuar njësi funksionale. Në bazë të skemës së përcaktuar në draft, procesi i ndarjes së re administrative-territoriale në njësisë funksionale do të nisë nga rrethet, ko do përcaktohen 36 qendra urbane gjithsej. Ndërkohë, sa u përket bashkive në vend, varianti i draftit përcakton se për to numri maksimal i popullsisë do të jetë në 30 mijë banorë e ndërsa për zonat rurale në 20 mijë banorë. Në fund, mbeten zonat e vogla rurale, të cilat duhet të përmbajnë jo më pak se 10 mijë banorë.

 

 

Ndarja aktuale

Qarqet

12 qarqe ka sot Shqipëria në territorin e saj, të cilat drejtohen nga një kryetar, që zgjidhet prej këshillit të qarkut

 

Bashkitë

65 bashki janë aktualisht në vend

 

Komunat

309 komuna gjenden në territorin shqiptar, drejtuesit e të cilave zgjidhen një herë në katër vjet

 

 

Ndarja sipas draftit

36 rrethe do të ketë i gjithë territori shqiptar

30 mijë banorë do të jetë numri maksimal i bashkive rurale

20 mijë banorë do të jetë numri maksimal i njësive rurale

10 mijë banorë do të jetë numri maksimal i njësive të vogla rurale

 

 

 

Kriteret për ndarjen e njësive vendore

Kriteri i distancës me qendrën e njësisë

Parimi i vazhdimësisë territoriale

Numri i konsiderueshëm i banorëve

Tradita historike kulturore mes banorëve

 

 

Reforma ndryshon hartën e Tiranës, 4 komuna shkrihen

Katër komunat që rrethojnë Tiranën do të shkrihen, duke u bërë pjesë e kryeqytetit. Në bazë të reformës administrativo-territoriale që pritet të ndërmerret nga qeveria, komunat e Kasharit, Dajtit, Paskuqanit dhe Farkës nuk do të kenë më kufij ndarës me hartën e Tiranës. Lidhur me këtë reformë, Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka deklaruar më parë se ndarja aktuale administrative ka kosto të mëdha për taksapaguesit shqiptarë. “Është e papranueshme në kushtet e Shqipërisë, dhe jo thjesht të Shqipërisë në krizë ekonomike, por të Shqipërisë kështu siç e kemi, me mundësitë që kemi, që administrata e komunave t’u kushtojë taksapaguesve 25 milionë dollarë në vit dhe të ketë 80 komuna me më pak se 5 mijë banorë dhe jo pak, por 71 komuna që i kanë të ardhurat zero dhe që qëndrojnë më këmbë vetëm falë pagave të financuara nga buxheti i shtetit”. Nga ana tjetër edhe nga vetë radhët e mazhorancës nuk kanë munguar zërat të cilët kanë kërkuar që kjo reformë të qëndrojë larg politikës dhe të trajtohet thellësisht si ekonomike. “Unë i nxis të gjitha grupet politike ta shikojnë reformën si një reformë ekonomike. Qeveria ta trajtojë reformën territoriale si një reformë thellësisht ekonomike. Diskutimi duhet bërë edhe me komunitetet lokale, që janë të interesuara t’i zgjerojnë kufijtë e tyre”, – pati deklaruar në konferencën e mbajtur dy muaj më parë nga qeveria për reformën administrative, anëtari i kryesisë së PS-së dhe deputeti i kësaj force, Ben Blushi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency