Integrimi Greqia merr Presidencën e BE-së: Do të lobojmë që Shqipëria të marrë statusin më qershor

0
110

Gëzim Saliu

Venizelos: Shqipëria ka bërë hapa para në procesin integrues

 

Venizelos-007 Greqia merr sot Presidencën e radhës 6-mujore të Bashkimit Evropian, ku pjesë e vendimeve të rëndësishme që do të merren në këtë mandat do të jetë edhe ai për statusin e vendit kandidat ndaj Shqipërisë. Drejtuesit e lartë të Bashkimit Evropian mbërritën që mbrëmë në Athinë, ku edhe do të zhvillohet ceremonia e fillimit të Presidencës së Unionit nga ana e Greqisë. Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Greqisë, Evangelos Venizelos, deklaroi dje se ecuria e Shqipërisë në procesin integrues është e kënaqshme dhe se Athina do të promovojë dhënien e statusit të kandidatit, brenda këtij 6-mujori. Në një intervistë për agjencinë zyrtare të lajmeve “ANA-MPA”, Venizelos pohoi se vendi i tij u shpreh që në dhjetor në favor të dhënies menjëherë të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Sipas tij, pavarësisht nga përgjigjja negative, vendimi i statusit për Shqipërinë do të shqyrtohet serish në qershor, gjatë Presidencës greke, shtet i cili edhe loboi që vendimi të merrej në mesin e vitit 2014 dhe jo në fund të tij. Ndërkohë, Venizelos theksoi gjithashtu se në cilësinë e kryesuesit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm, do të vizitojë të gjitha kryeqytetet ballkanike, për t’i dhëne kuptim perspektivës evropiane të këtyre vendeve. Ceremonia e sotme ku marrin pjesë të gjithë drejtuesit e lartë të Bashkimit Evropian do të shoqërohet nga masa tepër të rrepta sigurie, ndërkohë që policia greke ka bërë të ditur se do të ndalohet organizimi i tubimeve dhe manifestimeve në qendër të kryeqytetit.

 

Debati i integrimit

Ndërkohë, Kryeministri britanik David Cameron ka ndezur edhe më shumë debatin e hapjes së BE-së ndaj vendeve që aspirojnë të integrohen në këtë strukturë. Ai ka kërkuar që Anglia të përcaktojë kuota për numrin e migrantëve nga vendet e tjera të BE-së, që mund të futen në Britani. Sipas qeverisë britanike, numri më i madh i punëtorëve, që mund të vijnë në Britani brenda një viti, duhet të jetë 75.000. Por kjo shifër duhet të vlejë vetëm për anëtaret e ardhshme të BE-së, sqaroi Cameron, në një intervistë për rrjetin “BBC”. “Ne jemi duke negociuar sërish pozicionet tona në Evropë dhe duam që të futen rregulla të reja më të rrepta për ardhjen e migrantëve”, – tha ai, duke shtuar se deri në anëtarësimin e ndonjë vendi të ri mund të ndryshohen rregullat. Lidhur me këto kërkesa, Komisioni Evropian përmes zëdhënësit Jonathan Todd bëri të ditur: “Liria e lëvizjes së punëmarrësve është një prej bazave të BE-së. Kjo vlen që prej themelimit të tij në vitet ‘50. Kjo është edhe baza e tregut të përbashkët në BE. Çdo kufizim i mundësisë së punësimit në vendet sipas dëshirës duhet të bëhet vetëm me ndryshimin e Marrëveshjeve të BE, të ratifikuara nga të gjitha vendet”. Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së në mbledhjen e zhvilluar më 17 dhjetor vendosi që dhënia e vendimit për statusin e vendit kandidat të Shqipërisë të shtyhet deri në muajin qershor. Pavarësisht se nuk u vendos asnjë kusht shtesë, Brukseli kërkoi që vendi të vazhdojë ecurinë e reformave të përcaktuara si prioritete nga Komisioni Evropian, kryesisht lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

 

 

 

Strategjia për Mbrojtjen

Reformë tek ushtria. Kodheli: Demontimi i municioneve, edhe në 2014-ën

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, përpara gjeneralëve dhe ushtarakëve më të lartë shqiptarë parashtroi ditën e djeshme direktivat e mbrojtjes për 2014-ën. Kodheli tha se gjatë këtij viti do të përfundojë dokumenti strategjik në fushën e mbrojtjes, ai i sigurisë kombëtare, si edhe do të rishikohet struktura e Forcave të Armatosura. Gjithashtu, do të ketë reformë ligjore. “Drejtimet kryesore të punës për 2014-ën të fokusohen tek përfundimi i dokumenteve strategjike në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Duhet të përfundojë strategjia e sigurisë kombëtare, strategjia ushtarake dhe plani afatgjatë i zhvillimit të FA. Rishikimi i strukturës së Forcave të Armatosura. Reforma ligjore, në themel të së cilës do të jetë rishikimi i të gjitha akteve që rregullojnë veprimtarinë e FA. Reforma e personelit. Pjesëmarrja në operacione, të kontribuojmë sipas motos, të gjithë hymë në operacion së bashku e do të largohemi bashkë me partnerët. Demontimi i municioneve të tepërta do të vijojë edhe gjatë vitit 2014”, – deklaroi ndër të tjera ministrja Kodheli.

 

 

 

Mbledhja e dy qeverive

Fondi për Luginën e Preshevës do të jetë 100 mijë euro

100 mijë euro do të jetë fondi i parë që dy qeveritë shqiptare do të akordojnë për Preshevën në mbledhjen e ditë së shtunë në Prizren. Duke u bashkuar me kontributin e disa agjencive dhe partnerëve ndërkombëtare, fondi do të shkojë për ndërtimin e maternitetit të Luginës, të banuar me shumicë shqiptare në Serbi. “Risia nuk është vetëm tek Lugina e Preshevës, risi është fakti që për herë të parë dy qeveritë tona ulen dhe diskutojnë konkretisht për të thelluar integrimin ekonomik, për të thelluar bashkëpunimin, për të diskutuar në mënyrë skrupuloze për disa çështje që janë në interes të ndërsjellë për qytetarët e Shqipërisë dhe të Kosovës dhe për të përcaktuar një vijë të qartë, siç është deklarata e partneritetit strategjik, se si dy vende tona do të mbështesin njëri-tjetrin për të qenë nesër anëtarë të denjë të NATO-s dhe anëtar të BE-së”, – tha Bushati për “TCH”. Lidhur me mbledhjen e përbashkët, ministri i Jashtëm bëri të ditur se tri do të jenë fushat të cilat do të diskutohen nga qeveritë respektive. “Janë tri fusha, të cilat do t’i rendisja si fusha me përparësi absolute për mbledhjen e parë të dy qeverive tona. E para ka të bëjë me një lehtësim të procedurave tregtare sepse në të shkuarën, siç e dimë nga të dyja anët e kufirit ka pasur probleme, të cilat ne i kemi identifikuar dhe duam t’i adresojmë një nga një; së dyti për të hapur një korsi të re në fushën e transportit dhe së treti bashkëpunim për sa i përket procesit të integrimit evropian”, – pohoi Bushati.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency