Miratohet rezoluta, PE: Statusi, sapo të plotësohen tri kushtet

0
122

Gëzim Saliu

Eurodeputetët: Zgjedhjet e 2013-ës mbeten një test për pjekurinë e demokracisë në vendi


Sapo të përmbushen tri kushtet e vendosura nga Brukseli, Shqipëria mund të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Ky ka qenë thelbi i rezolutës së miratuar dje nga Parlamenti Evropian, ku eurodeputetët i bënë thirrje klasës politike shqiptare për tu angazhuar në plotësimin e tri reformave kyçe në gjyqësor, administratën publike dhe për rregulloren e parlamentit. “Ne e kemi bërë të qartë se çfarë duhet të bëjë Shqipëria që të vazhdojë progresin në rrugën e integrimit evropian. Kushtet janë ende aty prandaj duhet të vazhdojmë të inkurajojmë miqtë shqiptarë në qeveri dhe në opozitë që të fokusohen mbi procesin e integrimit evropian”, – theksohej në rezolutë. Ndërkohë, Parlamenti Evropian nënvizoi se zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2013 mbeten një test për pjekurinë e demokracisë në vendi. “I bëjmë thirrje partive politike që të angazhohen në një fushatë dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zgjedhjet konsiderohen gjithashtu si një test për kapacitetin e forcave politike për tu angazhuar në një kalendar të integrimit evropian të përbashkët për vendin”.

 

Rezoluta

I mbledhur në seancë plenare në Strasburg, Parlamenti Evropian i tha dje po statusit të kandidatit për Shqipërinë pa humbur kohë, sapo të përmbushen tri kushtet e vendosura nga Komisioni Evropian në tetorin e këtij viti. Eurodeputët kanë përshëndetur dialogun politik konstruktiv midis mazhorancës dhe opozitës që ka bërë të mundur përmbushjen e pjesës më të madhe të 12 prioriteteve, ku veçohet funksionimi normal i parlamentit, zgjedhja e avokatit të popullit, reforma elektorale, apo mbrojtja e të drejtave të minoriteteve. Nga ana tjetër shqetësimi kryesor në rezolutën e Shqipërisë ashtu si në vendet e tjera të Ballkanit mbetet reforma e sistemit të drejtësisë, ku eurodeputetët insistojnë mbi pavarësinë, integritetin dhe transparencën e sistemit të drejtësisë larg çdo ndikimi të politikës dhe korrupsionit. Po ashtu, eurodeputetët në rezolutë tërhoqën vëmendjen për rrezikun e politizimit të administratës dhe përpjekje të pamjaftueshme kundër korrupsionit. “Shqipëria duhet të japë më shumë edhe në drejtim të reformës së shteti ligjor, nga i cili varen edhe siguria e investimeve, si dhe zbatimi i strategjisë për pronat”, – pohohej në rezolutë. Një çështje tjetër e rëndësishme e diskutuar dhe miratuar në rezolutën e djeshme të eurodeputetëve, ishte edhe ajo që lidhet me nacionalizmin, ku PE pohoi se duhet të frenohet çdo veprim që sjell tensione në rajon. “Duhet të japim stimuj për Shqipërinë dhe popullin e saj megjithatë BE duhet të mbajë një qëndrim strikt kundër deklaratave nacionaliste si ato të fundit që janë bërë nga kryeministri i Shqipërisë. Të gjithë personat përgjegjës duhet të frenohen nga çdo veprim që mund të nxisë tensione rajonale. Ky amendament që ne social demokratet kemi kërkuar të jetë pjesë e rezolutës inkurajon Shqipërinë dhe të gjitha palët të frenohen nga çdo veprim që mund të shkaktojë tensione në rajon”, – tha eurodeputeti Chountis. Në këtë kontekst, edhe komisioneri Fule theksoi rëndësinë e ruajtjes nga vendi të politikës konstruktive në rajon, duke nënvizuar për liderët shqiptarë rëndësinë e mesazheve të qarta për promovimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

 

Bregu: Rama, i vetmi kundër Shqipërisë, bllokimi do t’i sjellë humbje në 2013-ën

Pas miratimit të rezolutës në Parlamentin Evropian, ka reaguar dje edhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, e cila ka akuzuar kryesocialistin Edi Rama se është i vetmi kundër Shqipërisë e shqiptarëve, duke bllokuar për dy vite rresht integrimin. “Po ashtu edhe PE në rezolutën e sotme thotë se Shqipërisë i duhet dhënë statusi, por me kusht plotësimin e reformave, pra sërish tri kushtet. Të gjithë janë pro Shqipërisë, Rama është i vetmi kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve. Rama bllokoi dhe opozita nuk votoi ligjet me 3/5. Për dy vite Rama bllokoi dhe opozita nuk votoi rekomandimet, edhe sot Rama bllokon dhe opozita nuk voton se e vetmja strategji është e shkatërrimit, kaq ka në dorë e kaq bën njësoj si diktatori, ashtu edhe ai dënon shqiptarët se ata kanë vendosur që mos jetë Rama fitues”, – tha Bregu. Sipas ministres, kreu socialist po dënon shqiptarët me bllokimin, por edhe po shënon humbjen e tij të radhës. “Shqiptarët kanë vendosur që Rama të humbë”, – pohoi Bregu.

 

 

Fule: Axhenda partiake u vendos mbi atë të integrimit, kushtet janë aty, votojini

Gjatë debatit për rezolutën në Strasburg, komisioneri për Zgjerimin mirëpriti dje raportin e Parlamentit Evropian për Shqipërinë, duke shprehur njëkohësisht keqardhjen për mosplotësimin e kushteve të përcaktuara nga Komisioni. “Ne e kemi bërë të qartë se çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të vijuar progresin në rrugën e integrimit evropian. Fatkeqësisht, udhëheqësit politikë të vendit nuk ishin gjithnjë të aftë të vënë vijimësisht integrimin në krye të axhendave të tyre politike dhe nuk patën gjithnjë vullnetin për të bërë kompromiset e duhura politike për mbështetjen ndërpartiake që kërkojnë dukshëm reformat thelbësore. Kushtet e nevojshme janë ende aty prandaj duhet të vazhdojmë të inkurajojmë miqtë shqiptarë në Qeveri dhe në opozitë që të fokusohen mbi procesin e integrimit evropian”, – tha Fule. Gjithashtu komisioneri përmendi edhe sfidat e shumta me të cilat përballet vendi, veçanërisht në fushën e Shtetit të së Drejtës, si dhe rëndësinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Shqipëria duhet të ndërtojë mbi arritjet e deritanishme dhe të forcojë e të ruajë dialogun konstruktiv politik. Kjo është thelbësore që të vijojë të japë rezultate në reforma. Shqipëria duhet gjithashtu të dorëzojë prova të mëtejshme dhe të dëshmojë rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe krimit të organizuar. Mbajtja e suksesshme e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 përbën një element thelbësor për perspektivën e integrimit evropian të Shqipërisë”, – theksoi komisioneri për zgjerimin, Stefan Fule.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency