Mbledhja e grupit parlamentar të PD-së Basha: Buxheti i rrënimit ekonomik dhe i humbjes së vendeve të punës

0
108

Florenc Drizari

Kreu i PD-së, Lulzim Basha: Me këtë paketë fiskale të gjithë shqiptarët do të paguajnë më shumë

 

Mbledhje_Grupi_PD_18_nentor_2018Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kritikoi ashpër projektin financiar të qeverisë të dorëzuar dy ditë më parë në Kuvendin e Shqipërisë, duke thënë se buxheti për vitin e ardhshëm ka ardhur në shkelje të ligjeve të vendit. Sipas z. Basha, me projektbuxhetin e vitit 2014 dhe paketën shoqëruese fiskale, nuk përfitojnë 97% e shqiptarëve, por përkundrazi, penalizohen 100% e tyre. “Me këtë projekt, – tha Basha, – çdo shqiptar do të paguajnë më shumë”.

Kreu i opozitës deklaroi nga mbledhja e djeshme e grupit parlamentar të Partisë Demokratike se ky projekt financiar konfirmon qëndrimin e opozitës se arsyeja e vetme e vonesës së projektbuxhetit ka qenë vendimi i Kryeministrit Rama për ta futur procesin e shqyrtimit të tij në mungesë kohe, me qëllim shmangien e plotë të konsultimit me grupet e interesit, për të shmangur debatin në Kuvend dhe llogaridhënien para qytetarëve.

Duke folur për paketën financiare të qeverisë, Basha bëri një krahasim edhe me disa nisma të tjera ligjore të mazhorancës.

“Është e njëjta teknikë që ka ndjekur me aktin normativ për nëpunësin civil, të cilin ia ka rrëzuar Gjykata Kushtetuese; të njëjtën gjë bëri para 3 javësh me aktin tjetër normativ për rritjen drastike të borxhit dhe uljen po aq drastike të planit të të ardhurave, me të cilin hodhi në erë stabilitetin ekonomik të vendit dhe çeli periudhën e negativitetit, sipas vlerësimit botërisht të njohur të “S&P”; të njëjtën gjë bëri me armët kimike, për të cilën mori mësimin më shembullor nga rinia dhe qytetarët e lirë shqiptarë dhe përfundoi një Kryeministër i vetëplasaritur, mësim që nuk po e fut dot në mendje, tamam si ai nxënësi i paaftë e problematik, që bëhet edhe më kokëfortë, se është i paftë”.

Gjithashtu, kreu i Partisë Demokratike theksoi se kjo periudhë deri në miratimin e projektbuxhetit do të jetë për PD-në dhe grupin parlamentar, “ditët e një aksioni politik, për të nxjerrë zhveshur në sytë e shqiptarëve të vërtetat drithëruese të tij, për të nxjerrë në pah me argumente, zgjidhjet e gabuara e të rrezikshme të qeverisë, për të denoncuar me fakte konkrete demagogjinë, mashtrimet, padrejtësitë dhe arbitraritetin me taksat, për të përfshirë në konsultime të domosdoshme gjithë grupet e interesit që duhej të ishin konsultuar nga qeveria, për të paraqitur ne si opozitë, me përvojën dhe vizionin tonë disa nga alternativa tona të zhvillimit për vitin buxhetor 2014”.

Në fjalën e mbajtur para grupit parlamentar demokrat, kryetari Basha tha se ky është buxheti që i varfëron të gjithë shqiptarët.

“Ky është buxheti i varfërimit, i krijimit dhe shpërndarjes së varfërisë. Ky është buxheti që paralajmëron dhe garanton rrënimin e ekonomisë shqiptare, rënien e saj në pikiatë drejt në pellgun e recesionit, me gjithë pasojat që sjell ky kundërzhvillim dramatik për çdo shqiptar. Ky është buxheti i gënjeshtrave dhe premtimeve të pambajtura për: pronarët, të përndjekurit politikë, shëndetësinë falas, uljen e çmimeve, rritjen e pensioneve, e shumë premtimeve të tjera të pambajtura të tullumbaces së plasur”, deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha. Ndërkaq, po ditën e djeshme, mazhoranca miratoi edhe kalendarin e punimeve që do të ndjekë diskutimi i paketës fiskale të qeverisë dhe i buxhetit të vitit 2014 në Kuvendin e Shqipërisë, deri në miratimin e tij në fund të dhjetorit.

 

 

TVSH
Do të hiqet mbi barnat, duke na kthyer në situatën kur ato tregtoheshin në Shqipëri me çmime rreth 3-6 herë më të larta se në vendet e origjinës. Shqiptarëve do t’u duhet të paguajnë rreth 70 milionë dollarë më shumë për ilaçet e shtrenjtuara. Po kështu rreth 70 milionë dollarë më shumë do t’u duhet të paguajnë operatorëve të huaj që operojnë në industrinë e naftës dhe që punësojnë dhjetëra mijëra shqiptarë si rezultat i thyerjes së premtimit dhe heqjes së përjashtimeve për të gjitha importet e tyre, përjashtime që i kishin nderuar të gjitha qeveritë e mëparshme shqiptare. Natyrisht që në fund çmimin do ta paguajnë të punësuarit e kësaj industrie.

Tatimi mbi biznesin e vogël
Gjasme shfuqizohet, por biznesit të vogël do t’i duhet të paguajë tatimin mbi të ardhurat dhe po të llogarisim këtu edhe çmimet e rritura të karburantit me rreth 100 lekë për litër, dyfishimin e tatimit të pasurisë për shtëpitë (nga 15 në 30 lekë/m2) dhe dyqanet e tyre (nga 200 ne 400 lek/m2), rritjen e pagës mbi të cilën llogariten kontributet shoqërore e shëndetësore për ta, del qartë se kjo lëvizje nuk është bërë për të lehtësuar biznesin e vogël, sepse vetëm kjo nuk ndodh, por për t’u marrë komunave dhe bashkive të vetmin burim të ardhurash që mund të administronin vetë.

Taksa kombëtare
Më e rëndë dhe që do të rëndojë xhepin e çdo shqiptari pa përjashtim është ajo mbi qarkullimin, e cila do të rritet nga 7 në 17 lekë/lt, duke i marrë çdo shqiptari nga xhepi direkt një shumë e barabartë në nivel kombëtar me 70 milionë dollarë si çmim më i shtrenjtë i karburantit, ose rreth 200-400 milionë dollarë më shumë si çmime të shtrenjtuara të biletave të transportit të pasagjerëve apo edhe mallrave që transportin e kanë pjesë të çmimeve finale të tyre. Goditje të rëndë marrin edhe rreth 200.000 shqiptarë të cilët kanë nga një shtëpi të dytë të cilëve do t’u duhet të paguajnë si tatim pasurie 400 lek/m2 nga rreth 11,5-19,5 lekë/m2 që paguajnë për shtëpinë e parë.

Akcizat
Rriten për pothuaj të gjitha mallrat e akcizueshëm, por impaktin më të rëndë ato do ta japin mbi rreth 1 milion konsumues të produkteve të duhanit të cilët do të duhet të paguajnë rreth 50 milionë dollarë në vit më shumë për shkak të rritjes së akcizës nga 70 në 90 lekë për paketë. Dhe rritja programohet të vazhdojë edhe në tri vitet e ardhshme.

Sigurimi shëndetësor
Do të bëhet me miratimin e kësaj pakete shumë më i shtrenjtë për të gjithë shqiptarët pasi hiqet kufiri i sipërm i pagave mbi të cilat paguhej kontributi duke bërë që heqja e tavanit të rëndojë xhepat e shqiptarëve për rreth 18 milionë dollarë më shumë. Ata që vërtet besuan për shëndetësi falas për të gjithë kanë në dorë jo vetëm provën e mashtrimit por edhe faturën e mashtrimit.

Tatimi mbi të ardhurat
Përbën edhe rrënimin më flagrant të sistemit të taksimit të të ardhurave dhe të sistemit të administrimit tatimor të arritur me mund e sakrifica në këto 20 vite.

 

 

Buxheti, Bujar Nishani, thirrje Kuvendit: Rishikoni fondet për Presidencën

Kreu i shtetit: Kemi ulje fondesh, sa gjysma e atyre që kemi kërkuar

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, u ka bërë thirrje partive parlamentare dhe sidomos mazhorancës, që të rishikojnë fondin e caktuar për Presidencën. Përmes një shkrese, Nishani thekson se kjo çështje është tepër serioze, sepse buxheti i planifikuar për institucionin e Presidentit të Republikës sjell vështirësi në zbatimin e aktiviteteve të rëndësishme shtetërore për vitin 2014 për këtë institucion.

Kreu i shtetit thotë se pas përcjelljes së propozimeve për Ministrinë e Financave për buxhetin e vitit 2014, nuk ka marrë asnjë komunikim zyrtar apo shkresor për t’u njohur me tavanet e përcaktuara (të alokuara) nga qeveria shqiptare për Institucionin e Presidentit të Republikës.

Gjithashtu, Presidenca shpjegon në letrën e saj se është njoftuar me email për projektbuxhetin e vitit 2014 dhe se nga shifrat e vërejtura, në total, fondet janë ulur me 6.4 milion lekë ose 3.8% (169.6 milionë lekë buxheti total), ndërkohë që sipas Presidencës janë kërkuar 203.5 milion lekë.

“Duke krahasuar fondet e kërkuara, me fondet e parashikuara vërehet se në shpenzimet e tjera operative, kemi ulje prej 46.8 milionë lekë, afërsisht sa gjysma e fondeve të kërkuara zyrtarisht nga Institucioni i Presidentit të Republikës.

Kërkesa jonë u bazua në aktivitetet e shumta të parashikuara të Presidentit të Republikës gjatë vitit 2014, për përmbushjen e funksioneve kushtetuese të Presidentit, vizitat e Presidentëve të Rajonit në Shqipëri, vizitat jashtë vendit të Presidentit, organizimet e veprimtarive protokollare brenda vendit etj.”, – thuhet në letrën e presidencës. Në tërësi Presidenti i Republikës kërkon që shumica parlamentare të reflektojë gjatë diskutimeve të projektbuxhetit në Kuvendin e Shqipërisë, lidhur me kërkesat për rritje të fondeve. Këtë të fundit presidenca e argumenton se gjatë vitit 2014, kreu i shtetit ka për të zhvilluar dy vizita zyrtare në SHBA, si dhe një sërë aktivitetesh të tjera brenda dhe jashtë vendit. Shkresa e kreut të shtetit mban emrin e Arben Idrizit, sekretar i Përgjithshëm pranë këtij institucioni.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency