Lubonja: Rama si horr në Athinë

0
69

Shprehje “Nacionalizmi është streha e fundit e horrave” është e shumëcituar, por shpesh ka një keqkuptim në interpretimin e saj. Rëndom ajo përdoret, duke pasur parasysh krimet e mëdha që ka shkaktuar nacionalizmi në shekullin e XX – dy luftërat botërore, por edhe shumë luftëra e konflikte të tjera me bazë nacionale që kërcënojnë botën edhe sot, – për të akuzuar nacionalistët. Ky kontekst ka sjellë edhe dallimin konceptual midis termit “nacionalist” që përkufizohet nga disa si urrejtje për të tjerët dhe “patriot”, që përkufizohet si dashuri për vendin tënd. Keqkuptimi për të cilin e kam fjalën është se autori i shprehjes së mirënjohur, shkrimtari, poeti, linguisti i shquar anglez Samuel Johnson, e ka thënë këtë në një periudhë kur nacionalizmi nuk kishte lindur ende si ideologji. Madje, shprehja e saktë e përdorur prej tij është: “Patriotizmi është streha e fundit e horrave”, frazë që ia ka drejtuar më 1775 lordit William Piit duke e akuzuar për patriotizëm të rremë.

Pra, shprehja e Johnsonit nuk kërkon të na thotë se patriotët apo nacionalistët në përgjithësi janë horra – temë kjo tjetër e një kohe tjetër – por se horrat, kur nuk u mbetet asnjë argument apo justifikim tjetër për të fshehur apo shpëlarë horrllëqet e tyre, hiqen sikur këto i kanë bërë apo bëjnë për patriotizëm. Në pamfletin e tij “Patrioti” ku kritikon patriotizmin e rremë, Johnson shkruan midis të tjerash se patriotizmi i vërtetë është “të qenit vazhdimisht vigjilent për të kapur çdo makinacion (që dëmton vendin) dhe për të shquar me largpamësi çdo rrezik publik”.

Vizita e Ramës në Greqi duhet parë në optikën e kuptimit origjinal të shprehjes “Patriotizmi është streha e fundit e horrave”.

Shqipëria sot po zien nga disa skandale që e kanë tronditur opinionin publik më shumë se kurrë gjatë viteve të fundit – si ai i inceneratorëve, ai 5D i Bashkisë së Tiranës apo edhe reportazhi investigativ i RAI 3 – që tregojnë se vendi qeveriset nga banditë të paskrupullt që e kanë shndërruar atë në një narkoshtet. Janë skandale që do ta shtynin çdo patriot të vërtetë – sipas kuptimit që i jep Johnson – të brengosej e të mendonte se ç’duhet bërë për të frenuar rrezikun që bart ky lloj banditizmi që ka shumë shenja se po çon në pastrimin etnik të shqiptarëve nga vendi i tyre.

Ndërkaq, çfarë bën kryeministri i këtij vendi që, po të ishte një patriot i vërtetë, do të duhej të ishte më i alarmuari për faktin se i paska shpëtuar nga vigjilenca aktiviteti i banditëve rreth tij? E para, ai nxiton të mbajë brenda vendit një fjalim dyorësh me rrethin e ngushtë të bashkëpunëtorëve nëpërmjet të cilit i thotë opinionit se ai nuk ka asnjë lidhje me këta njerëz e këto akte – ndërkohë që këta njerëz i ka vënë ai në postet e larta dhe aktet e tyre i ka mbështetur e aprovuar e promovuar ai vetë deri ditën që u zbuluan se ishin kriminale. Së dyti, nxiton të organizojë në një stadium në Greqi shpëlarjen në një banjë turme, me ujin dhe sapunin e një fjalimi patriotik dhe me shtupa flamujsh kuqezi, ndotjen e tij nga skandalet në Shqipëri. Së bashku me miklimin e ndjenjës së mburrjes kombëtare të shqiptarëve të cilëve u tha se nga shërbëtorë të të huajve, tani janë bërë bashkëzotër me grekët, të barabartë mes të barabartëve me popujt evropiane që deri dje i kanë trajtuar si inferiorë, ai u përpoq të demonstrojë atje, duke sjellë gjysmën e pjesëmarrësve me autobusë nga Shqipëria, se është një lider i dashur për shqiptarët dhe jo siç flasin qartë skandale e fundit, koka e një bande kriminale që u grabit shqiptarëve jo vetëm tokat, siç kanë bërë në Himarë e gjetkë, por edhe të ardhmen.

Këtë kamuflim të një “rreziku publik” në patriot, Samuel Johnsoni do ta quante ilustrimin më gjetur të thënies së tij. E vlefshme kjo edhe për të gjithë ata që e shoqëruan me këngë, valle, lavde dhe brohoritma në këtë kamuflim. Panorama

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here