Buxheti i Bashkisë së Tiranës Investimet e Bashkisë, zonat që do të shpronësohen në Tiranë

0
141

Driçim Çaka

Impakt për punësimin dhe zhvillimin ekonomik do të japë Plani i Përgjithshëm Vendor

Buxheti parashikon ndërtimin e banesave me qëllim social

 

Keshilli bashkiakProgrami buxhetor afatmesëm i Bashkisë së Tiranës për vitet 2014-2016 ka në plan një sërë investimesh. Disa prej projekteve më të rëndësishme janë zgjerimi i varrezave publike Tufinë – faza e tretë, rehabilitim dhe zgjerim i varrezave publike sharrë, faza e katërt dhe bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës. Për të gjitha projektet në listën e mëposhtme Bashkia do të bëjë edhe shpronësimin e pronarëve. Një impakt të rëndësishëm në rritjen e mirëqenies dhe gjenerimin e vendeve të reja të punës pritet të japë Plani i Përgjithshëm Vendor i Tiranës. Plani i jep një përgjigje shteruese menaxhimit të proceseve të zhvillimit të qëndrueshëm urban, vlerësimit të pronës private, rritjes së ndjeshme të hapësirave të gjelbra, miradministrimit të pronës publike, hartimit dhe vënies në zbatim të politikave sociale në shërbim të qytetarëve dhe shtresave në nevojë, si dhe zgjerimit të hapësirave publike. Plani i hap rrugë zhvillimit ekonomik dhe mjedisor qytetit duke nxitur sipërmarrjen dhe hapjen e vendeve të reja të punës, duke harmonizuar interesat publike dhe ato private.

Buxheti

“Në qendër të vizionit, politikave dhe projekteve të Bashkisë për këtë 3-vjeçar, është rritja dhe zhvillimi ekonomik i qytetit. Krahas investimeve në infrastrukturë, të cilat përfshijnë realizimin e veprave të mëdha publike, buxheti afatmesëm 2014-2016 parashikon rritjen e cilësisë së shërbimeve si dhe politika të reja të krijimit të një klime më të mirë e më të favorshme për biznesin, ekonominë, në mënyrë që të nxitet punësimi dhe sipërmarrja”, – thuhet në relacionin e programit buxhetor afatmesëm. Ky proces synon parashikimin e të ardhurave dhe shpenzimeve aktuale, si një mjet që përkthen qëllimet dhe objektivat strategjike në synime financiare, duke prezantuar politikat fiskale dhe financiare të Bashkisë së Tiranës. “Gjithashtu, parashikimi i të ardhurave e shpenzimeve dhe përcaktimi i fondeve afatmesme në dispozicion për investime, krijojnë mundësinë për vlerësimin e aftësive kredimarrëse të Bashkisë së Tiranës dhe lejon në këtë mënyrë përdorimin e një instrumenti alternativ për rritjen e investimeve kapitale, të financuar nga burime të jashtme dhe të brendshme, në funksion të përmirësimit të infrastrukturës dhe shërbimeve në dobi të komunitetit”, – përcakton programi buxhetor afatmesëm.

 

Mblidhet Këshilli Bashkiak, pritet miratimi i bursave dhe bonusi i strehimit për familjet në nevojë

Ditët e nesërme do të mblidhet Këshilli Bashkiak i Tiranës. Në rendin e ditës janë 4 projektvendime që pritet të miratohen, midis tyre edhe vendimet për miratimin e bursave për nxënësit dhe studentët dhe bonusin e strehimit për familjet në nevojë. Ja projektvendimet që do të diskutohen nesër në këshill: Projektvendim për “Miratim dhënie burse shteti nxënësve dhe studentëve për vitin shkollor 2013-2014”. Projektvendim për “Trajtimin me bonus strehimi të disa familjeve në nevojë, të cilat nuk mund të përballojnë qiranë e tregut të lirë”. Projektvendim për “Zbatimin e 3 vendimeve gjyqësore të formës së prerë “. Projektvendim për “Një ndryshim në vendimin e Këshillit Bashkiak nr. 25, datë 16.5.2006 mbi “Përcaktimin e linjave të transportit qytetës të udhëtarëve, mënyrën e organizimit të shërbimit dhe ripërcaktimi i stacioneve të qëndrimit të autobusëve të shërbimit në këto linja (i ndryshuar) për linjën nr. 12 Qendër – “Mihal Grameno” – Qendër dhe një ndryshim në stacionin e linjave nr. 1 Kombinat-Qendër – Kinostudio, nr. 9 Qendër – Tufinë – Qendër dhe nr. 8 Qendër – Laprakë – Qendër”.

 

Protestojnë urbanët, kërkojnë mbështetje nga Këshilli i Ministrave

Asnjë qytetar nuk ka mundur të përdorë transportin urban deri në orën 8:30 të mëngjesit të djeshëm. Kjo situatë ka sjellë një kaos dhe paqartësi te qytetarë të ndryshëm, të cilët prisnin të shkonin në punë. Autobusët kanë qëndruar në stacione, duke protestuar ndaj çmimit të biletës. Kryetari i Sindikatës së Transportit Urban në vend i bën thirrje Ministrisë së Financave dhe asaj të Transportit të zgjidhin ngërçin e krijuar me shoqëritë private, që kanë në zotërim transportin urban, duke iu plotësuar kërkesat financiare, nëpërmjet dhënies së fondit përkatës, pasi prej kohësh kompanitë nuk subvencionohen si për investimet por edhe grupet në nevojë të cilat udhëtojnë falas. “Shoqëritë e transportit në përgjithësi nuk kanë aftësi paguese. Ato kanë kredi që kanë marrë autobusët e rinj, njëkohësisht edhe çmimi i biletës që është shumë i ulët. I gjithë shërbimi urban nuk ka marrë asnjëherë asnjë lloj subvencionimi”, – tha Zija Hasani, kryetar i Shoqatës së Transportit Urban në vend. Nga ana tjetër, drejtuesit e kompanive që merren me administrimin e linjave të transportit urban thonë se po diskutojnë edhe disa kërkesa, si ulja e akcizës së naftës për këtë lloj transporti, por edhe rritjen e çmimit të biletës. Megjithatë, do t’i takojë Këshillit të Ministrave të vendosë nëse këto kërkesa do të zbatohen apo do të qëndrojë në fuqi çmimi i biletës prej 30 lekësh.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency