Liria e qytetarit shqiptar dhe qeveria e tij

0
120

Çelo Hoxha

 

ÇeloNë Shqipëri, osmanët vazhdojnë të vizatohen nga shumë historianë si pushtues barbarë, një panoramë e ngulitur në psikikën e shumicës së qytetarëve tashmë, e cila zë fill në nisje të jetës shekullore të shtetit shqiptar dhe u përforcua me kalimin e dekadave. Farën e këtij vlerësimi e mbollën penat e Rilindjes, e ujitën ato të Pavarësisë, kurse shërbëtorët e komunizmit e kthyen në zejen e tyre të preferuar dhe nga një detaj anësor e kthyen në frymë. Vetëm një roman i Kadaresë (dhe janë disa prej tij) peshon sa një gjyle primitive e ushtrisë osmane, nga ato që në filmin “Ja vdekje, ja liri” nxirren jashtë funksioni, duke u hedhur një gunë leshi sipër.

Rilindasit dhe veprimtarët e Pavarësisë, të cilët nuk ishin hiç antiosmanë, e përdorën elementin kritik antiosman (në doza modeste, megjithatë) më shumë të imponuar nga rrethanat: perandoria kishte marrë rrokullimën dhe, nga ana tjetër, atyre u duhej të konsolidonin identitetin kombëtar shqiptar e kjo nuk mund të arrihej pa shkëputur (ose dobësuar) fijet e dashurisë për Portën e Lartë. Kurse propaganda komuniste ishte malinje: ajo errësonte me qëllim gjithçka në historinë e Shqipërisë, nga themelimi i PKSH-së (1941) e tutje në thellësitë e të shkruarës, me qëllim që të shkëlqente periudha e regjimit komunist, si regjimi më progresit dhe pozitiv në historinë e shqiptarëve.

Mirëpo, po t’i shikojmë gjërat me kthjelltësi, periudha e osmanllëkut ka qenë periudha kur shqiptarët kanë qenë më shumë të lirë, krahasuar me lirinë që ata kanë gëzuar në periudhën e shtetit shqiptar e, sidomos, gjatë periudhës së diktaturës komuniste. Duke futur materializmin si mënyrë të menduari, komunizmi deformoi jo vetëm mendimin, por edhe dëshirat e individit e të shoqërisë. Tashmë cilësia e jetës (e mirë, e keqe) nuk përcaktohej bazuar në masën e lirisë së qytetarit, por bëhej bazuar në koncepte materialiste dhe gjendej mes dy ekstremeve: varfërisë dhe bollëkut. Kjo optikë e orientoi gjykimin qytetar drejt filozofisë së grazhdit.

Rilindasit ishin më të lartë se mendimtarët e komunizmit (Në diktaturë s’kishte fare mendimtarë, veç propagandistë, por e përdor termin për konvencion). Kur shkruan se një qeveri e mirë është një qeveri që hyn sa më pak në jetën e qytetarit, Sami Frashëri e ka fjalën për lirinë. Një njeri i lirë e organizon jetën e tij sipas shijeve dhe aftësive personale dhe s’ka kënd për të lavdëruar ose fajësuar, për rezultatin, veç vetes së tij. E kundërta ka prodhuar nihilizmin, që e kemi me shumicë në Shqipëri, prej 80 vjetësh, dhe nihilistët, që flisnin e flasin në emër të lirisë, por veç e kanë dëmtuar dhe vazhdojnë ta dëmtojnë, atë.

Si rezultat i një propagande të gjatë nihiliste dhe një politike të dhunshme, shqiptarët i kanë kaluar fatet e tyre në duart e qeverisë dhe thuajse e kanë humbur aftësinë t’i gjykojnë veprimet e saj si të mira apo të këqija, si të përshtatshme apo të papërshtatshme etj. Kjo e ka kthyer qeverinë në zotëruesen e mendimit, moralit dhe forcës e, qytetarët, veç i binden vullnetit të saj. Në rast të kundërt, ajo vë në përdorim muskujt, të cilët, në ligjërimin publik quhen: polici ose forca speciale.

Në 1945-ën e në vazhdim, qeveria mori në dorë kontrollin e gjithçkaje – tokë, dyqan, liri, jetën e individit. Qeveria ua mori pronën qytetarëve dhe ata, në shumicë, e duartrokitën ose heshtën. 45 vjet më vonë, kur u deklarua se veprimtaria e regjimit komunist na kishte qenë një krim gjigant monstruoz, shoqëria nuk tentoi të kthehej në pikën e nisjes së vlerave të mohuara, por bëri një rishpërndarje që qeveria (edhe opozita i dha miratimin, tashmë ishim demokraci) e shikoi si të mirë dhe të drejtë. Dhe çfarë bëri, të paktën me pronën: çimentoi reformën agrare të vitit 1945, ua qytetarëve tokën me ligj të ri. Ata që u goditën më 1945, u goditën përsëri, sepse drejtësia u dha nga qeveria, vendimet e së cilës shumica e qytetarëve nuk e vuri në diskutim. Ata që dikur ishin futur në burgje, qoftë dhe për një fjalë goje, në demokraci u etiketuan (e vetetiketuan) ish-të dënuar, ish-të përndjekur, etiketa që përdoren sa herë bëhet fjalë për ata, duke u kujtuar, atyre, që nuk janë më në burg, e nuk janë më të përndjekur (se qeveria u ka sjellë lirinë). Veç kësaj, u ndërmor një politikë për dhënien e shpërblimeve ekonomike “nga qeveria” dhe kundërshtarët e diktaturës e pranuan këtë poshtërim. Më vonë, njerëzit bënë ndërtime pa leje, dhe qeveria (jo e vetëm njërit krah politik) nxori ligje për legalizimin e tyre. Pak më vonë, qeveria i prishi dhe vazhdon t’i prishë, një pjesë prej tyre, pa u ngritur njeri të protestojë, veç pronarëve fatkeqë, të cilët s’gjejnë hapësirë në media ta bëjnë publik shqetësimin e tyre. Qeveria vendos, që ca godina pa leje janë të lejueshme e ca pa leje janë të palejueshme. Ose, duke përshtatur një përkufizim satirik nga Ferma e kafshëve: Të gjitha ndërtesat pa leje në Shqipëri janë të paligjshme, por ca ndërtesa pa leje janë më të paligjshme se të tjerat.

Kjo marrëdhënie e qeverisë me qytetarët, një marrëdhënie ku qeveria merr rol paternal ose dhe më tej – të Zotit, është shfaqur fuqishëm në muajt e fundit. Nga njëra anë në Shqipëri ekziston një agjenci për legalizimin e ndërtimeve pa leje, nga ana tjetër, qeveria prish ndërtesa që mund të jenë pa leje, me gabime në procedura ose dhe me leje, por që, sipas qeverisë, janë ndërtuar në vende të papërshtatshme. Dhe e ka bërë këtë me spektakël makabër: me tritol, në mes të zonave të banuara.

Po bëhet afërsisht një çerek shekull, nga 1990 e sot, që Shqipëria jeton në një krizë morale dhe ligjore, saqë njerëzit e thjeshtë e kanë të vështirë të orientohen, çfarë është e lejueshme e çfarë jo, çfarë është e dënueshme e çfarë jo, dhe ministri aktual i Brendshëm, e çoi në ekstrem gjithçka kur deklaroi, një emision televiziv, se shkelja e ligjit, prej atij vet, në emërimin e një zyrtari të lartë në polici (drejtori i Përgjithshëm i Policisë, zyrtari më i lartë i saj), ishte vetëm një teknikalitet. Bazuar në këtë gjykim, në shumë veprimtari të qeverisë së sotme shqiptare dhe në historinë e 70 viteve të fundit të shtetit shqiptar, e drejta dhe e padrejta, e mira dhe e keqja, e dobishmja dhe e padobishmja, përcaktohen vetëm nga vullneti i politikës. Në shumë raste, viktima të këtij të menduari kanë qenë vetë politikanët. Kur i gjithëvullnetshmi në Shqipëri ishte Enver Hoxha, një herë ishte e mirë që Koçi Xoxe (teneqexhi me arsim fillor) të bëhej kryetar i Gjyqit Special e të dënonte njerëz të pafajshëm që ishin diplomuar për drejtësi në Stamboll e Evropë, një herë tjetër ishte e mirë që Xoxe të pushkatohej si armik; nja 25 vjet ishte e mirë që të ishte kryeministër Mehmet Shehu, kurse brenda disa muajve, në 1981, ishte e mirë që Shehu të dënohej dhe të vritej. Lista e viktimave të tilla është e gjatë.

Por, ajo që është më rëndë nga konsiderimi i shkeljes së ligjit si një teknikalitet, është fakti që kjo mendësi legjitimon krimin. Me këtë logjikë çdo kriminel – nga hajduti i thjeshtë te ai që vret me dhjetëra vetë – mund të pretendojë jo vetëm pafajësi, por edhe vlerësim për punën e tij. Nuk ka asnjë ligj në Shqipëri që “teknikalitetin” e cilëson si ekskluzivitet të ministrave. Pra, edhe kriminelët mund të pretendojnë që nuk kanë vjedhur apo vrarë, por kanë realizuar një teknikalitet.

Në Shqipëri qeveria është munduar, për pjesën më të madhe të kohës, të bëjë pikërisht të kundërtën e asaj që thoshte Sami Frashëri dhe qytetarët i janë nënshtruar asaj e do vazhdojnë dhe për një kohë të konsiderueshme t’i nënshtrohen. Shenjat e krisjes së kësaj marrëdhënieje varësie e paternalizmi janë dhënë, megjithëse unë i shikoj, tani për tani, me një optimizëm të rezervuar. Në javën e dytë të nëntorit, Shqipëria u përfshi nga protesta antiqeveritare në shkallë të gjerë, për të kundërshtuar shkatërrimin në Shqipëri të armëve kimike të Sirisë. Lajmi për armët kimike ishte përhapur nga burime të huaja, kurse qeveria shqiptare qëndroi e heshtur, deri në momentin që foli kryeministri e deklaroi se Shqipëria nuk do të pranonte shkatërrimin e tyre në Shqipëri. Protesta, për herë të parë, nuk u organizua nga ndonjë parti politike dhe u mundua të ishte shpërfillëse ndaj të gjitha partive, por, për mua, kjo është veç një shkëndijë e lëvizjes qytetare, jo një shfaqje e pjekur e saj. Qytetarët në këtë rast reaguan në mënyrë instiktive, të shtyrë nga paniku prej rrezikut të armëve kimike, e cila u kthye në paranojë për shkak të mungesës së informacionit nga qeveria. Mbrojtja e jetës, si në këtë rast, është një shtysë instiktive, që e kanë dhe kafshët, prandaj, mendoj unë, nuk ka ndonjë evolucion domethënës në lëvizjen qytetare, e quajtur ndryshe shoqëri civile. Një shoqëri civile e pjekur reagon mban qëndrime të vazhdueshme për gjëra më pak të lidhura me instinktin, si e drejta e fjalës, bie fjala. Por, pas një shekulli ndrydhje, nga politikanët vendas dhe ndërkombëtarë, shqiptarët kanë harruar sa të lirë ishin nën “pushtimin barbar osman”, kur të vetmet kontakte që kishin me qeverinë ishin shfaqja në horizont e ndonjë taksambledhësi apo xhandari fillikat.

(Revista “Shenja”, dhjetor 2013)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency