Kundër taksës progresive Dilemë e vështirë për bizneset, shprehen me rezerva për paketën fiskale

0
141

Ervin Kaduku

Bizneset e mëdha kërcënojnë: Po dështoi qeveria në mbledhjen e ndershme të taksave, do të bllokojmë të gjitha pagesat

 

 Të gjitha shoqatat e sipërmarrësve i kanë thënë Kryeministrit se nuk mund të ketë rritje taksash, nëse qeveria nuk jep prova se po arrin të mbledhë të gjitha të ardhurat, pasi nëse vazhdohet kështu, do të paguajë më shumë vetëm biznesi i ndershëm, dhe jo qindra ndërmarrje të tjera, të cilat nuk paguajnë asnjë lloj takse

 

 

Gra te punesuaraKomuniteti i biznesit është mes dilemës për të zgjedhur të ardhmen e tij: të pranojë shlyerjen e borxhin apo rritjen e taksave. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka, u shpreh gjatë një komunikimi me median se Këshilli Ekonomik Kombëtar, i mbledhur një ditë më parë, është shoqëruar me debate të ashpra në diskutimin e paketës fiskale për vitin 2014. Sipas Jakës, qeveria së pari duhet të krijojë kushte për formalizimin e ekonomisë me reforma strukturore dhe rregullatore, si dhe klimë të përshtatshme për biznesin.

Sipas Jakës, rritja e taksave dhe tarifave do të ulte konkurrueshmërinë e vendit tonë në rajon. Për diskutimin e paketës fiskale që pritet të shoqërojë buxhetin e vitit të ardhshëm, pritet të ketë një takim të dytë konsultativ qeveri-biznes, për diskutimin në terma konkretë të saj.

 

Rezervat për paketën

Komuniteti i i biznesit shprehet me rezerva për paketën fiskale të propozuar nga qeveria një ditë më parë. Te gjitha shoqatat e sipërmarrësve i kanë thënë Kryeministrit se nuk mund të ketë rritje taksash, nëse qeveria nuk jep prova se po arrin të mbledhë të gjitha të ardhurat, pasi nëse vazhdohet kështu do paguajë më shumë vetëm biznesi i ndershëm, dhe jo qindra ndërmarrje të tjera të cilat nuk paguajnë asnjë lloj takse. Në konferencën për mediat, Nikolin Jaka, kryetari i Dhomës së Tregtisë i propozon ekzekutivit që përpara se ta zyrtarizojë paketën, të ketë dhe një takim tjetër me biznesin dhe të dëgjojë kërkesat e tyre. “Duam që të kemi negociata me qeverinë, të na pyesë dhe ne për sistemin tatimor dhe jo të na nxjerrë përpara faktit të kryer, të paktën të mos ketë rritje për vitin 2014”.

Sipas bizneseve pjesëmarrëse në Këshillin Kombëtar të Biznesit, Kryeministri i ka propozuar dy variante: ose shlyerjen e borxheve që shteti ka ndaj tyre dhe rritjen e taksave, ose shtyrjen e afatit për këtë shlyerje në një kohë tjetër në mënyrë që të mos ketë ndryshime në sistemin e tatimit. Luan Bregasi thotë, se rritja e tatim fitimit në 15% për biznesin e madh dhe të mesëm do të rritë edhe çmimet te konsumatori. Ndërkaq, ndryshe nga të gjitha degët e bizneseve fasonët kërkojnë eliminimin e tatim-fitimit për 5 vitet e ardhshme, në mënyrë që të krijohen hapësira për gjenerimin e vendeve të reja të punës.

Në një kohë kur arka e shtetit nuk arrin dot që të përballojë shlyerjen e borxheve, si dhe disa shpenzime emergjente që qeveria ka menduar për vitin e ardhshëm në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve dhe rrjetit elektrik, variantet e vetme që mbeten janë rritja e taksave dhe lufta ndaj evazionit.

 

 Reagimi

Dhoma e Tregtisë: Ja qëndrimet tona për paketën fiskale të Ramës, nuk mund të ketë rritje taksash

 

 

Pas mbledhjes së djeshme të Këshillit Ekonomik Kombëtar, nën cilësinë e kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë komunikova me të gjithë anëtarët e kryesisë duke bërë prezent pikat e diskutuara në këtë Këshill dhe ramë dakord që të dilet në këtë konferencë për shtyp.

Mbledhja e dytë e KEK u shoqërua me debate dhe analiza argumentesh të forta ndërmjet përfaqësuesve të sipërmarrjes shqiptare, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe Qeverisë shqiptare.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë vlerëson maksimalisht angazhimin dhe përgjegjshmërinë e qeverisë shqiptare për shlyerjen e detyrimeve ndaj biznesit shqiptar.

Por gjatë diskutimeve të mbrëmshme u kristalizuan dy fenomene:

1.         E para ka të bëjë me seriozitetin e qeverisë për të nxjerrë vendin nga kriza dhe e bindur për të bërë reformën strukturore dhe rregullatore për të garantuar rritjen e zhvillimit ekonomik.

2.         Dhe së dyti përulje më shumë se sa duhet ndaj “bosit” të tyre që në këtë rast është Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.

Qeveria shqiptare duhet të gjejë argumentet dhe mjetet e duhura për të bindur jo vetëm Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore, Bashkimin Evropian dhe aleatët e Shqipërisë, por në radhë të parë qytetarët dhe sipërmarrjen shqiptare që:

1.         Ekonomia shqiptare i ka të gjitha mundësitë dhe potencialet për të gjeneruar rritje dhe zhvillim.

2.         Dhe që sfidat e qeverisë për formalizimin e ekonomisë dhe luftën kundër korrupsionit janë serioze, të besueshme dhe të mundura për tu realizuar.

Qytetarëve dhe sipërmarrjes duhet t’ju kthehet besimi dhe optimizmi për të investuar në ekonominë e vendit tonë.

Kjo është prova që qeveria duhet të japë para shqiptarëve dhe aleateve te saj për vitin 2014.

•           Nëse krijohen kushtet e formalizimit të ekonomisë, qëndrueshmëri dhe siguri ligjore në reforma strukturore dhe rregullatore;

•           Nëse krijohet një klimë e përshtatshme për të bërë biznes në kushtet e konkurrencës së ndershme, sipërmarrja shqiptare në përgjithësi dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë në veçanti është e gatshme të negociojë çdo lloj tarife lidhur me paketën fiskale, por gjithmonë për vitin 2015, pasi qeveria të japë provat në realizimin e sfidave që ka marrë përsipër.

 

 

Aviacioni Civil: “Belle Air”, rrugën e hapur për të rihyrë në treg

Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar (AAC), Petrit Sulaj, tha të mërkurën se kompanisë “Belle Air” i është lënë e hapur mundësia për t’u rikthyer në tregun shqiptar, pas plotësimit të të gjitha detyrimeve që ajo ka ndaj qytetarëve, punonjësve, shtetit dhe të tretëve. Sulaj thotë se AAC i ka pezulluar licencën kësaj kompanie deri në plotësimin e këtyre kushteve. Ai informoi se në ndihmë të qytetarëve është vënë në dispozicion edhe një avokat për të ndjekur çështjet në Gjykatë. Nga ana tjetër drejtori i AAC-së, Sulaj, informoi se në treg mund të hyjnë kompani të tjera të cilat kanë paraqitur kërkesë zyrtare pranë AAC-së. Ne, shprehet Sulaj, jemi të hapur për të gjithë, mjafton që këto kompani të plotësojnë rregullat dhe normativat e duhura dhe do të kenë mundësi të nisin operimet në vend. “Kompanitë për të operuar në treg duhet të plotësojnë ligjet shqiptare në fuqi si dhe direktivat e EUROCONTROL-it. Nëse këto ligje zbatohen situata të tilla si me kompaninë “Belle Air” nuk do të ndodhin”, – deklaron Sulaj. Sipas tij, deri tani pranë AAC-së kanë paraqitur kërkesën për tu futur në tregun shqiptar kompanitë “Fly Albania”, e cila është themeluar në fillim të këtij muaji, kompania “UnitBalkan Airlines”, “Albanian Airlines”, “Olympic” dhe “Adria Airways”. Dy kompanive AAC u ka dhënë lejen e përkohshme për fluturime, konkretisht kompanisë “Blue Panorama Airline” S.p.a deri më datë 23 dhjetor 2013 dhe kompanisë “Small Planet Airline” S.p.a nga data 18 dhjetor 2013. Ndërkohë kompanitë ajrore “Alitalia” dhe “AirOne” kanë marrë autorizimin për të zgjeruar rrjetin e shërbimeve midis Shqipërisë dhe Italisë. “Alitalia” dhe “AirOne” do të ofrojnë 114 fluturime të drejtpërdrejta në javë nga Tirana për në Romë, Venecia, Verona, Bolonjë, Pizë dhe Bari. Përveç kësaj Tirana do të ketë lidhje edhe më të përshtatshme për të gjitha 83 destinacionet e grupit “Alitalia” që me orarin e ri dimëror operon në rreth 121 destinacione dhe 3700 fluturime në javë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency