Studimi, shqiptarët lindin më shumë djem sesa vajza

0
131

Shqipëria dhe Kosova, me numër të lartë abortesh

Shqiptarët këmbëngulin ne vlerat patriarkale tradicionale

 

bebetNë Shqipëri dhe në Kosovë raporti djem-vajza të lindura është 110 me 100. Në këtë konstatim ka dalë një studim në Francë, i cili ka nxjerrë në pah Ballkanin dhe rajonin e Kaukazit si zonat ku lindin më shumë djem. “Këmbëngulja në vlerat patriarkale tradicionale mbetet në zemër të preferencës për lindje të meshkujve në këto rajone”, – thuhet në studimin e institutit francez. Sipas studimit të Institutit Kombëtar për Studime Demografike në Francë, abortet selektive të gjinisë janë shtuar në Kaukaz dhe Ballkan prej fillimit të viteve ‘90. Studimit vlerëson se shkalla e gjinisë në vendet e Kaukazit Jugor, në Armeni, Azerbajxhan dhe Gjeorgji dhe në pjesë të Ballkanit, e veçanërisht në Shqipëri, ka rritur ndërmjet 110 – 117 djem në 100 vajza.

 

Lindshmëria gjatë 2012-ës

Sipas të dhënave të INSTAT-it, vihet re se ka pasur 150 lindje më pak. Statistikat vitale të vitit 2012 tregojnë se shtesa natyrore ka qenë më e lartë gjatë tremujorit të tretë. Kjo për arsye se ky është tremujori me numrin më të madh të lindjeve. Një veçori tjetër është se në secilin prej tremujorëve gjatë vitit 2012, më shumë se 30% e lindjeve kanë ndodhur në qarkun e Tiranës, kjo për shkak edhe të numrit më të lartë të banorëve. Vitet e fundit në Shqipëri është vënë re se ka pasur një ulje të lindshmërisë, fakt që lidhet me aspektet ekonomiko-sociale, por edhe si pasojë e emigrimit . Migracioni jashtë vendit i njerëzve në moshën riprodhuese, arsyet ekonomike të tilla si kostoja që shoqëron lindjen e shumë fëmijëve, rritja e moshës së martesës dhe përdorimi i metodave të planifikimit familjar, kanë qenë faktorët që kanë ndikuar në uljen e lindshmërisë së femrave në qytetet e vendit.

Vdekjet

Sipas ISHP-së dhe INSTAT-it, vdekshmëria foshnjore është ulur në qytet kryesore të vendit, por mbetet e lartë në zonat malore, konkretisht 41 vdekje për 1 mijë lindje. Përdorimi i metodave kontraceptive është më i gjerë në zonat urbane, ndërkohë që mbetet i ulët numri i shqiptarëve që përdorin metoda moderne për t’u ruajtur nga shtatzënitë e padëshiruara. Shumica e grave shqiptare marrin kujdes shëndetësor para lindjes dhe kryejnë lindjen në maternitete nga 95-100 për qind të rasteve, në varësi të zonës ku jetojnë. Po ashtu shumica e fëmijëve kryejnë “ritualin” e vaksinimit nga 93 deri në 100 për qind të rasteve. Pesë vitet e fundit, vdekshmëria foshnjore dhe amtare kanë pësuar ulje të ndjeshme. Teksa kemi një rënie të përdorimit të metodave tradicionale kontraceptive.

 

 

“Jo” mbylljes së tregut

Kontrollet, ish-uzina “Dinamo” nuk ka cianur, do të penalizohen tregtarët

Tregu në ish-uzinën “Dinamo” në Tiranë nuk do të mbyllet, por do të penalizohen të gjitha ato subjekte që nuk plotësojnë kushtet higjieno-sanitare dhe rrezikojnë shëndetin e popullatës. Deklarata vjen nga drejtori i Menaxhimit të Riskut në këtë institucion, i cili shprehet se deri tani janë penalizuar disa subjekte me gjoba në këtë treg, por nëse ato do të plotësojnë kushtet, do t’i rikthehen punës normalisht. Ndërkohë, autoritetet e AKU deklarojnë se malli në tregun e ish-uzinës “Dinamo” nuk është i kontaminuar nga cianuri që u transportua.
“Shqetësimit të Bashkisë ne i jemi përgjigjur duke marrë ato mostra që ne disponojmë dhe kemi marrë edhe analizat që tregojnë që nuk ka pasur kontaminimin. Ne kemi mbyllur subjekte në uzinën “Dinamo” për ato kushte që janë vërejtur gjatë inspektimit”, – tha Florian Pullazi, drejtor i Menaxhimit të Riskut në AKU. Nga ana tjetër, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka intensifikuar kontrollet në të gjitha tregjet, jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe. Krahas penalizimeve të subjekteve, janë konfiskuar edhe sasi të mëdha malli. “Kemi ndërmarrë edhe kontrolle për tregjet e tjera të Tiranës, gjithashtu kemi bërë edhe sekuestrim malli për produktet bujqësore. Duhet t’ju them se në tregun e Kasharit kemi bërë sekuestrimin e 3.2 tonëve mish, i cili ka qenë në afatet që nuk lejon ligji”, – tha Florian Pullazi.  Ditët e fundit, tregu në ish-uzinën “Dinamo” ka qenë në fokus të autoriteteve vendore dhe atyre qendrore. Inspektimet janë fokusuar më shumë në këtë treg, pas deklaratave dhe nga Bashkia e Tiranës se malli që tregtohet aty mund të jetë i kontaminuar nga cianuri i transportuar ditë më parë, dhe se është e nevojshme që të kryhen të gjitha analizat, për të siguruar shëndetin e popullatës.

 

Alergjia, a duhet shmangur ushqimi apo jo?

Sipas rekomandimeve aktuale, në rast se kemi alergji ndaj ndonjë lloj ushqimi duhet ta shmangim atë, në mënyrë që të parandalojmë reaksionet alergjike me komplikime serioze. Mirëpo, një studim i ri amerikan që është publikuar në takimin e përvitshëm të Kolegjit Amerikan për Alergji, Astmë dhe Imunologji, jep një ide tjetër të qasjes për alergjinë dhe tejndjeshmërinë ndaj ushqimeve të caktuara. Autorët e këtij studimi thonë se nëse jemi alergjik ndaj një ushqimi të caktuar, kjo nuk do të thotë se jemi alergjikë ndaj të gjithë përbërësve të atij ushqimi. Sipas tyre, personat që janë alergjikë ndaj vezëve, mund të vazhdojnë ta konsumojnë të verdhën e vezës, ndërkohë që e bardha e vezës shkakton alergji. Po ashtu, ata thonë se tejndjeshmëria ndaj një lloji ushqimi mund të ndihmojë në zbulimin e alergjive në ushqimet e tjera. Disa ushqime madje mund të shkaktojnë reaksione të kryqëzuara alergjike. Për shembull, personat që janë alergjikë ndaj oktapodëve, do të jenë njëkohësisht alergjikë edhe ndaj gaforreve, karkalecave të detit etj. Ngjashëm, edhe njerëzit që kanë alergji nga molla, do të jenë alergjikë nga kajsia, dardha, kumbulla dhe luleshtrydhet. Më tej, autorët e këtij studimi këshillojnë që të bëhen të gjitha testet alergjike për personat që dyshohet se kanë alergji ndaj një lloji të caktuar ushqimi për të përcaktuar edhe alergjitë nga ushqimet e tjera, në mënyrë që të shmanget më e keqja.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency