PD kremton në Tiranë 101-vjetorin e Pavarësisë dhe Ditën e Çlirimit Basha: Të përmbushim detyrat për ribashkimin e plotë politik të Shqipërisë me Evropën

0
127

Florenc Drizari

Basha: Sakrifica e heronjve të kombit, frymëzim për t’i shërbyer interesit kombëtar, ribashkimit në familjen evropiane

 

basha djeDemokratët festuan dje 101-vjetorin e Pavarësisë dhe Ditën e Çlirimit. Krerët më të lartë të Partisë Demokratike, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, drejtues të pushtetit vendor, veteranë të luftës e qytetarë të shumtë u përulën para veprës dhe kontributit të heronjve të kombit shqiptar. Ashtu si çdo vit më 28 nëntor, përfaqësues të së djathtës kremtua në një ditë festën Flamurit dhe atë të Çlirimit të vendit. Të mbledhur në monumentin “Nënë Shqipëri” ata vendosën kurora me lule dhe lëshuan mesazhe bashkëpunim përtej bindjeve partiake, për çështje që janë me interes kombëtar siç është edhe integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka kujtuar heronjtë e kombit tonë, që nga Ismail Qemali, babai i pavarësisë së Shqipërisë, tek dëshmorët e Luftës Nacional-Çlirimtare, heronjtë e demokracisë e ata që dhanë jetën për liri e më shumë të drejta, në Kosovë, Preshevë e Maqedoni.

“Është detyrimi ynë ta nisim këtë ditë, duke u përkulur me respektin më të madh, mirënjohjen e krenarinë e thellë kombëtare që buron nga shpirti i çdo shqiptari patriot para atyre, mijëra e mijëra dëshmorëve dhe të rënëve, bijve dhe bijave të shqipes që u flijuan në shekuj, që u flijuan për pavarësinë, sovranitetin, integritetin territorial dhe bashkimin kombëtar. Sot i kujtojmë këta martirë, veprën e tyre, kujtojmë sakrificat sublime me të cilat i shërbyen kombit të tyre, për të mbetur përjetë të pavdekshëm, jo vetëm në historinë tonë kombëtare por edhe në shpirtrat e kombit dhe popullit të përjetshëm shqiptar. Kujtojmë babain e pavarësisë, Ismail Qemal Vlorën dhe gjithë bashkëpunëtorët e tij, të cilët 101 vjet më parë, përkundër vështirësive dhe sfidave të panumërta, ia dolën t’i dështojnë projektet për asgjësimin e kombit shqiptar dhe të shpallin pavarësinë në Vlorë; kujtojmë sakrificën e qindra e mijëra shqiptarëve të tjerë, për të konsoliduar shtetin e sapolindur shqiptar, kujtojmë sakrificën e mijëra dëshmorëve të Luftës Nacional Çlirimtare që dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë dhe për rrugëtimin e saj, si një vend i lirë dhe demokratik, rrugëtim i cili për fat të keq për 5 dekada me radhë, u tradhtua dhe bashkë me të edhe idealet e lirisë e demokracisë; kujtojmë dëshmorët e demokracisë të cilët bënë të mundur përfundimin me sukses të kësaj ëndrre shekullore që përbën edhe ribashkimin e shqiptarëve me familjen e madhe të vlerave dhe lirisë dhe demokracisë, familjes evropiane e euro-atlantike; kujtojmë bijtë e shqipes në Kosovë, Preshevë, Maqedoni, që dhanë jetën e tyre për lirinë e Kosovës, për pavarësinë e saj dhe për të drejtat e shqiptarëve në trojet e tyre stërgjyshore”, – u shpreh kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Zoti Basha tha se të gjithë shqiptarët duhet të bashkohen për të çuar përpara projektin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, si një faktor i rëndësishëm paqeje, stabiliteti dhe drejt destinacionit final, ribashkimin e plotë politik të Shqipërisë dhe shqiptarëve me Evropën.

“Bazuar mbi këtë gur themeli të vaditur me sakrifica sublime dhe gjakun e mijëra dëshmorëve, ta çojmë përpara projektin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, si një faktor i rëndësishëm paqeje, stabiliteti por edhe si një nga kombet më të vjetra të qytetërimit evropian, destinacioni i të cilëve është pa dyshim, Evropa. 2013-a është 101 vjet pas shpalljes së Pavarësisë dhe 100 vjet pas vitit fatkeq 1913, që na kujton se shpesh sakrificat nuk mbarojnë me aktet e mëdha por ato duhet të vazhdojnë. Le të jetë ky pra një burim frymëzimi për të gjithë shqiptarët, veçanërisht për vendimmarrësit që me kurajo dhe përkushtim të marrin vendimet e duhura, për t’i shërbyer në radhë të parë kombit, vendit, qytetarëve shqiptarë dhe për të lënë mënjanë interesat meskine personale e për të ngritur në piedestal, interesat kombëtare. Uroj që akti i djeshëm i miratimit të rezolutës, propozuar nga Partia Demokratike, për të mbështetur statusin kandidat, si një hap i rëndësishëm dhe në përputhje të plotë me aspiratat e të gjithë atyre që u flijuan për pavarësinë e Shqipërisë, të mos mbetet një akt simbolik dhe i veçuar. Uroj që kjo ditë të shërbejë për të ndërgjegjësuar të gjithë klasën politike shqiptare dhe të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, për përgjegjësitë e mëdha që na presin, për përgjegjësitë e një gjenerate e cila duke u frymëzuar nga sakrificat e shumta që çuan deri në ditët e sotme, ditën e pavarësisë së Shqipërisë, ditën e pavarësisë së Kosovës, hyrjen në NATO, ditën e dinjitetit të shqiptarëve që të lëvizin pa viza në Evropë, të vazhdojmë të përmbushim me besnikëri të plotë të gjitha detyrimet tona, për të plotësuar kilometrat e mbetura për ribashkimin e plotë politik të Shqipërisë me Evropën!”, – deklaroi kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

 

 

Berisha: T’i urojmë Shqipërisë statusin e vendit kandidat

Ish-kryeministri Berisha kremtoi një ditë më parë festën e Pavarësisë dhe atë të Çlirimit, bashkë me përfaqësues të lartë të së djathtës. Berisha uroi që procesi i integrimit evropian të shoqërohet nga proceset integruese të shqiptarëve. Në të njëjtën ditë, Berisha vlerësoi rolin e Ismail Bej Vlorës për shpalljen e Pavarësisë si dhe të gjithë atyre që dhanë jetën në Luftën Nacional-Çlirimtare.

“Sot (dje) është ditëlindja e 101-të e Shqipërisë, festa e Flamurit dhe Çlirimit të vendit, është dita në të cilën çdo shqiptar përulet me nderimin më të madh para qindra mijëra vajzave dhe djemve të cilët u flijuan, vendosën jetën e tyre në themelet e Shqipërisë së Pavarur por dhe të lirisë dhe të dinjitetit të Kombit shqiptar në tërësi. Është dita në të cilën ne nderojmë Ismail Bej Vlorën, etërit e pavarësisë që në kushte në vështirësi mbinjerëzore ia dolën të shpallin pavarësinë e Shqipërisë e cila do faktojë si datë e të gjitha datave të historisë tonë Kombëtare.

Le të shprehim gjithashtu nderimin më të madh për familjet e të rënëve, sakrificën e njerëzve të tyre më të dashur. T’i urojmë Shqipërisë statusin e vendit kandidat dhe suksese të mëtejshme të integrimit.

Të urojmë që dora-dorës procesi i integrimit evropian, të shoqërohet nga proceset integruese të shqiptarëve, procese këto jashtëzakonisht të rëndësishme për zhvillimin tërësor kombëtar, Integrimin e Kombit në Bashkimin Evropian. Edhe një herë Gëzuar!”, – deklaroi ish-kryeministri Berisha në një prononcim për mediat pas ceremonisë së zhvilluar në monumentin “Nënë Shqipëri”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency